POLITIKE

Thasë me miell, ushqime apo një vend pune? ANALIZA e REL: Si “shitet dhe blihet” vota në Shqipëri?

Piranjat Përditësimi i fundit 12 Maj 2023, 16:58
Thasë me miell, ushqime apo një vend pune? ANALIZA  e REL: Si

Akuzat për shitblerje votash në prag të zgjedhjeve të 14 majit në Shqipëri, por edhe evidentimi i disa rasteve nga policia, janë shqetësuese për institucionet përgjegjëse dhe diplomatët e huaj. Më 14 maj zhvillohen zgjedhjet për kryetarë të 61 bashkive dhe për anëtarët e këshillit bashkiak.

Raportimi i parë që ngriti dyshime për shitblerje të votës në këtë fushatë zgjedhore ishte ai i datës 17 prill, kur policia e Hasit ndaloi një furgon të ngarkuar me 21 pako ushqimore që mbanin mbishkrimin “Rezervat e Shtetit”. Furgoni drejtohej nga djali i kandidatit të Partisë Socialiste për bashkinë e Hasit, Halit Mulaj, dhe denoncimi u bë nga rivali i tij, përfaqësuesi i koalicionit Bashkë Fitojmë, Myftar Dauti.

Kandidati socialist pretendoi se djali i tij thjesht “u gjend në kohën dhe vendin e gabuar” dhe deklaroi se i biri ishte kontaktuar nga bashkia e Hasit për të transportuar pakot me ushqime për familjet në nevojë, si një ndihmë me rastin e muajit të Ramazanit (Nata e Kadrit). Për këtë rast nisën menjëherë hetimet, ndërsa nuk ka ende një deklaratë nga prokuroria se në çfarë faze janë ato.

Ndërkaq, më 10 maj policia e Tiranës arrestoi një person, i cili u filmua teksa bënte pazar për shitje votash dhe videoja e tij u shpërnda në rrjetet sociale. Ai garantonte katër vota të familjes së tij, por nga biseda nuk specifikohet se për cilën parti.

“Njëqindmijë lekë është turp. Unë kam katër vota. Po e ul pazarin nga e keqja. I thuaj 10 mijë lekë (90 euro) dhe 5 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, dëgjohet duke thënë 52-vjeçari gjatë një telefonate me një person tjetër, duke garantuar 4 vota të familjarëve të tij që mund të vijnë nga Kuçova në Tiranë për të votuar.

Rasti është dërguar te Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila ka nisur hetimet. Këto denoncime sollën reagimin e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila u bëri thirrje institucioneve të parandalojnë dhe të hetojnë shitblerjen e votës.

Gjithashtu, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, iu drejtua me një letër Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Policisë së Shtetit që të thellojnë bashkëpunimin për të parandaluar dhe evidentuar të gjitha krimet zgjedhore.

Ndërsa, mëngjesin e së premtes (12 maj) u njoftua ndalimi i Alfred Belerit, kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për bashkinë e Himarës. Sipas burimeve nga policia, kandidati i opozitës dyshohet për blerje votash.

Këto janë rastet e shënuara deri tani në Shqipëri, për të cilat kanë nisur hetimet, ndërsa partitë politike thuajse gjatë gjithë fushatës kanë akuzuar njëra-tjetrën për shitblerje vote apo kërcënim të votuesve dhe presion për të diktuar votën.

Shitblerja e votës nuk është një histori e re në Shqipëri. Për herë të parë ndeshet në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2005, ku theksohet se “vëzhguesit morën pretendime të besueshme se në disa komuna ishin bërë përpjekje të paligjshme për të ndikuar mbi zgjedhjet elektorale të zgjedhësve romë dhe egjiptianë, nëpërmjet kërcënimit dhe ‘blerjes së votës’".

Edhe në proceset zgjedhore më 2007, 2009 e 2011 theksohet se u vërtetuan pretendimet për “blerje vote” të qytetarëve romë dhe egjiptianë në Pogradec, Lezhë, Durrës, Korçë, etj. Gjithashtu thuhet se pati edhe raste të “presionit të ushtruar prej autoriteteve shtetërore ndaj disa zgjedhësve romë”.

Ndërkaq, në raportin për zgjedhjet e vitit 2013 thuhet se pretendimet për blerjen e votës fokusoheshin mbi grupet e cenueshme dhe se fenomeni po pësonte shtrirje të madhe, duke përfshirë 7 nga 12 qarqet e vendit. Por, nga ana tjetër, vihet theksi edhe te një formë tjetër e “shitblerjes së votës” si kërcënimet për pushime nga puna (në Laç u raportua se një drejtor shkolle u pushua nga puna sepse u raportua se nuk zbatoi urdhrin e shefit të tij për të dërguar mësuesit në tubimin e Partisë Demokratike [PD]).

U evidentua, gjithashtu, “presion i zyrtarëve ushtruar ndaj vartësve të tyre” (PS-ja bëri një kallëzim penal duke pretenduar që një drejtor në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë urdhëroi zyrtarisht me shkrim punonjësit e saj që të mblidhnin informacione rreth votuesve të vendosur për PD-në).

Në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2015 flitet përherë për vota kundrejt pagesës.

“Pati akuza të shumta për blerjen e votës, duke përfshirë pagimin e drejtpërdrejtë të zgjedhësve, si edhe të individëve për të siguruar vota prej të njohurve dhe familjes së tyre”, thuhet në raport.

Në zgjedhjet e vitit 2017, ODIHR-i në raportin final nënvizon se “akuzat e përhapura gjerësisht për blerjen e votave dhe presionin ndaj zgjedhësve, e ulën besimin e publikut në procesin zgjedhor”.

Ndërsa, në raportin e vitit 2019, ODIHR-i u referohet pretendimeve të opozitës së asaj kohe (PD dhe LSI) se kishte ndodhur “një operacion masiv, i përhapur gjerësisht, për blerjen e votës dhe se shkalla e lartë e këtij fenomeni ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës”.

Raporti i fundit i ODIHR-it, ai për zgjedhjet e vitit 2021, tregon se sa është përhapur ky fenomen nga njëri proces në tjetrin. Konkretisht, theksohet se "praktikat e përhapura të shitblerjes së votave, vazhduan të përbënin problem”.

Nga ana tjetër, si shqetësim serioz vëzhguesit ndërkombëtarë panë edhe rrjedhjen e të dhënave personale të rreth 900.000 shtetasve shqiptarë para zgjedhjeve, duke përfshirë edhe preferencat e tyre politike. Sipas ODIHR-it, ky fakt i bëri zgjedhësit të pambrojtur ndaj presionit.

Praktikat që vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas kanë evidentuar sa i përket shitblerjes së votës, kanë qenë dhe mbeten të ndryshme, që nga këmbimi i votës me një thes miell apo pako ushqimore për votuesit, kryesisht në zonat rurale apo te grupet e prekshme siç është komuniteti rom dhe egjiptian, deri te pagesa me para në dorë, që ka variuar nga 3 deri 5 mijë lekë për votë, presioni për humbjen e vendin e punës, si dhe premtimi për një vend pune.

Ka pasur edhe raste kur është raportuar se votuesve u është marrë karta e identitetit kundrejt pagesës për të pamundësuar votimin.

Së fundmi, analistë dhe ekspertë të çështjeve zgjedhore kanë konsideruar si metoda për blerje të votave edhe vendimet e Qeverisë për rritje të pagave dhe pensioneve, apo lehtësi të krijuara për grupe të caktuara.

Duke iu referuar një studimi të INFOÇIP, (Qendra për Çështje të Informimit Publik) për zgjedhjet e fundit, ato të 25 qershorit të vitit 2021, janë depozituar 291 njoftime ose kallëzime për vepra penale të dyshuara që cenojnë zgjedhjet.

Prej tyre 115 u adresuan në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kurse 176 në prokuroritë e rretheve. Nga ky total, mund të jenë regjistruar të paktën 140 procedime penale nga organi i akuzës, por vetëm dy prej tyre janë gjykuar dhe kanë marrë dënim për krime zgjedhore.

Rasti më i bujshëm në Shqipëri ka qenë dosja “184” për blerjen dhe tjetërsimin e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në 2016. Për këtë rast u dënuan me 2 vjet burgim me kusht dy ish-zyrtarë lokalë në Dibër.

Në gusht të vitit 2020, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Reformën Zgjedhore, pas një marrëveshjeje që arritën partitë politike. Përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor u synua t’u jepej fund problemeve të shumta si financimi i fushatave nga paratë e krimit apo shitblerja e votave. Megjithatë, partitë e vogla, por edhe ekspertët i cilësuan këto ndryshime si të pamjaftueshme dhe në favor të partive të mëdha.

Që prej vitit 1991 Shqipëria ka bërë 12 reforma zgjedhore, megjithatë edhe pas tri dekadash ende partitë politike kërkojnë garanci për mosprekjen e votës.

Gjithashtu, janë provuar thuajse të gjitha sistemet e mundshme zgjedhore. Aktualisht, votohet me sistemin proporcional rajonal të miratuar në vitin 2008, që sipas ekspertëve, favorizon partitë e mëdha.

As në këtë proces zgjedhor nuk do të mund të votojnë emigrantët, edhe pse ky është premtim i partive politike të Shqipërisë që prej vitit 2004./Marre nga REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë