AKTUALITET

“Isha 11 vjeçe kur pashë vrasjen e xhaxhait dhe burgun e babait”, dëshmia tronditëse për 4 shkurtin! Drama e familjeve tiranase më 1944

NGA DRITA HARITO Përditësimi i fundit 6 Shkurt 2026, 14:33

“Isha 11 vjeçe kur pashë vrasjen e xhaxhait dhe burgun e

Natën e 4 shkurtit 1944, Tirana nuk u zgjua vetëm nga krismat e armëve, por nga një terror që hyri brutalisht nëpër shtëpi, familje dhe fëmijëri. Ajo që për shumëkënd mbeti një datë në kalendarin e historisë, për të tjerë ishte një përjetim i pashlyeshëm, i gdhendur në kujtesë që në moshë fare të vogël.

Dëshmia e Drita Haritos, atëherë vetëm 11 vjeçe, sjell me forcë tronditëse dramën e një familjeje tiranase të goditur drejtpërdrejt nga masakra e 4 Shkurtit, trokitjet e natës, arrestimet, krismat, frika, humbja dhe një fëmijëri e ndarë më dysh. Përmes syve të një fëmije, kjo rrëfenjë për gazetën “Panorama” nuk është vetëm histori personale, por pasqyrë e dhimbjes kolektive të një qyteti të tërë të mbytur në gjak, ankth dhe pasiguri. Dritës i vranë xhaxhain, babain ia burgosën, ndërsa vajza e vogël e xhaxhait Elma, vetëm 4 vjeçe, vdiq nga ciflat e predhës gjermane një ditë më pas. “Ne ishim pjekur para kohe, luanim më pak, mendoheshim më shumë. 4 shkurti e kishte ndarë më dysh fëmijërinë tonë”, – shprehet Drita Harito, sot në moshën 92-vjeçare.

Shtëpia jonë gjendej aso kohe në fillim të Rrugës së Bamit (sot “Qemal Stafa”), ku tani është Prokuroria. Jetonim bashkë me xhaxhanë, meqë i kishte vdekur e shoqja. Ishim katër fëmijë, më e madhja unë, 11 vjeçe, më e vogla Elma, vajza e xhaxhait, 4 vjeçe. Njëzet metra nga shtëpia jonë ishte kuestura. Natën mund të dëgjoje rënkimet e djemve që i torturonin. Syrit kureshtar të fëmijëve nuk i shpëtonin as komunikatat e fshehura me kujdes nëpër shtëpi nga të rriturit, as thasët me barna, as hyrjedaljet misterioze të kushërinjve ilegalë gjimnazistë që fusnin edhe ndonjë person të panjohur. Por ne ishim fëmijë dhe si të gjithë fëmijët, ne luanim të shkujdesur. Por atë natë…

Atë natë trokiti dera me forcë disa herë. Ishte ora 1 pas mesnate. Xhaxhai kaloi përmes dhomës sonë të gjumit që dilte në ballkon. – Kush është? – Patrulla e xhandarmërisë! – A e keni kryeplakun me vete? – E kemi, hapeni. Portën ua hapi ime ëmë me pallton krahëve mbi këmishën e natës. Në oborr u dhanë 7- 8 persona të armatosur, njëri ishte civil me republikë në kokë.

– Kush është Harito Harito? – Unë jam, tha xhaxhai, që kishte dalë tanimë në oborr pas mamasë. – Ai është, i pohoi civili dikujt me pëshpëritje.

– Eja me ne. – Pritni të bëhem gati. E pritën. Pak çaste pasi dolën, u dëgjuan krisma. – Bobo, tha babai, janë në mish, na e vranë. Ne zumë të qajmë. – Ju shkoni të flini.

E si mund të flinim ne? Xhaxhanë e donim fort. Ishte njeriu që na e varte më shumë, na bënte dhurata për festat, na ndiqte përparimin në mësime, na vëzhgonte për mirësjelljen, të dielave na çonte në ëmbëltore.

E si mund të flinim atë natë, kur zhurmat në rrugë sa vinin e shtoheshin, të shtënat dendësoheshin, zërat e njerëzve egërsoheshin, trokitjet nëpër porta bëheshin më të dhunshme, kobndjellëse… Edhe te shtëpia përballë, atje ku sot është Poliambulanca Qendrore e ku asaj kohe banonte shoqja jonë Liliana Vila, trokisnin me tërsëllimë. Rreth orës tre, ata erdhën përsëri tek ne, sa s’e shqyen portën. E hapi babai. Kësaj here ishin të dhunshëm, ishin trupmëdhenj, me mustaqe, vështronin egër (më pas mësuam se ishin xhandarët e Xhaferr Devës).

– Pritni sa të vishem. – Do të gjesh atje ku do të shkosh, – i thanë me dialekt të rëndë. E morën babanë ashtu siç qe, me pallton mbi pizhama e me pantofla, ia lidhën edhe duart.

Mbetëm katër fëmijë të lebetitur dhe një grua e re që përpiqej të na qetësonte. Unë, si më e madhja, rrekesha të qetësoja Elmën katërvjeçare, të bijën e xhaxhait. Nuk di të them si e kemi gdhirë atë natë tmerri plot klithma e të shtëna. Të nesërmen herët në mëngjes ime ëmë më nisi për të njoftuar kushërinjtë më të afërm, që banonin te Kodra e Kuqe. Rrugët ishin të shkreta. Ishte mëngjes i acartë. Trotuaret qenë mbuluar me akull. Gjatë rrugës pashë të vrarë në pozicione nga më të ndryshmet. Pranë tyre – akull i kuq. Nuk kisha parë të vdekur në jetën time.

Doja të mos i shikoja, po prapë sytë më venin atje. Lotët më shkisnin vetiu, dridhesha, mezi më shpunë këmbët gjer tek vendi. Gjatë Rrugës së Barrikadave kishte disa të vrarë në krahun e majtë të trotuarit. Njëri ishte shtrirë mu te sheshi i xhamisë, aty ku sot është shkolla “Sami Frashëri”. Atë ditë hynin e dilnin plot njerëz në shtëpinë tonë, të shokuar për sa kishin dëgjuar e parë. Flisnin me zemër të ngrirë, pa u merakosur që ato tmerre i rrëfenin në prani të fëmijëve. Por ne, fëmijët, shkëmbyem lajme edhe me shoshoqin: nga shtëpia e Lilianës tre veta, filanin e kishin vrarë, filanin e kishin lënë zbuluar gjer në mbrëmje, filanin në burg… Përfytyroni këto makabritete në gojën e fëmijëve! Ankthi më i madh ishte të mësonim për fatin e burrave të shtëpisë – ishin gjallë apo i kishin vrarë? Pas tri ditësh u gjend babai, përfunduar në burg tek ishgjimnazi i vjetër, Rruga e Kavajës. Unë shkova me një kushëri për t’i çuar bukë dhe veshje. Për xhaxhanë e gjorë lajmet ishin kundërthënëse: Dikush e kishte parë hipur në një kamion, dikush në një tricikël me gjermanë, dikush ia pati njohur kufomën nga palltoja.

Më është ngulitur në mëndje përjetë një dorë elegante me dorashkë lëkure që trokiste te dritarja jonë, e cila binte në rrugë. Ishte zonja Sojli, një austriake. Edhe asaj i ishte zhdukur i shoqi, Xhemal Sojli. Kur në xham shikonim dorën me dorashkë, na mbetej fryma. Ç’lajm do të na ketë sjellë sot znj. Sojli? Një ditë ajo na tha se i kishin deportuar në kamp përqendrimi. Dhe ne u gëzuam, imagjinoni, u gëzuam! Me makth e shpresë kemi mbetur deri kur u kthyen të mbijetuarit e fundit nga kampet e vdekjes. Kështu, xhaxhai ynë i dashur mbeti “as i gjallë, as i varrosur”. Më pas mësuam se disa nga të vrarët e 4 shkurtit i kishin groposur në kodrat e Saukut dhe disa me emra të njohur i kishin larguar për t’i zhdukur. Këtë fat e pësuan H. Harito, dr. Pano, Xh. Sojli e ndonjë tjetër. Nuk qe e thënë të soste me kaq kalvari i vuajtjeve tona. Në ditët e luftës për çlirimin e Tiranës ne ishim shpërngulur te Kodra e Kuqe. Në një natë përpjekjesh të ashpra (kush e ka thënë se Tirana u çlirua pa luftë?) ciflat e predhës gjermane, që ra mbi çatinë e fqinjit, do të gjenin pikërisht trupin e Elmës së njomë, kur në atë dhomë asaj nate ishim tetëmbëdhjetë veta.

…Dhe ushtari i mirë italian, Ugoja, që strehohej ato ditë tek ne, i stisi një arkëmort… Një grusht njerëzish e bartnin atë mes plumbash (vërtet mes plumbash) për te Varri i Bamit, dhe ne, fëmijët nga dritarja, të ngashëryer, e ndiqnim me sy motrën tonë të vogël e të pafat si largohej për të shkuar tek e ëma… Por ne nuk ishim më ata të parët. E kishim ndier në lëkurë luftën, e dinim ç’është pushtuesi, po e dinim edhe ç’janë bashkëpunëtorët e tij. E dinim se kishte plot e plot të tjerë që vuanin edhe më shumë dhe se ky ishte çmimi i domosdoshëm për lirinë. Ne ishim pjekur para kohe, luanim më pak, mendoheshim më shumë. 4 shkurti e kishte ndarë më dysh fëmijërinë tonë.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë