AKTUALITET

Përfaqësuesi grek u shokua/ Nga tenderat e manipuluar te pikëpyetjet mbi cilësinë e faturat fiktive, ‘gropa e madhe’ e Tunelit të Llogarasë

Piranjat Përditësimi i fundit 10 Nëntor 2025, 10:05
Përfaqësuesi grek u shokua/ Nga tenderat e manipuluar te

Pas një inspektimi në kantier në korrik të vitit 2022, përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë mbeti i shokuar. Ai i shkroi i alarmuar kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi se punët po shkonin përditë e më keq me projektin.

“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” i shkroi Ioannis Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International NV”, Berberit.

Hetimi i Prokurorisë së Posaçme ndaj ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, tregon se tensioni erdhi në rritje në muajt që pasuan. Në shumë episode të përshkruara në dosje, Kirkinezis ankohet për cilësinë e punimeve, për mungesën e projekteve apo “për neglizhencë dhe fyerje totale” nga ana e nënkontraktorit.

Mesazhet e shkëmbyera mes Kirkinezis dhe Berberit nxjerrin në pah një marrëdhënie të ndërlikuar. Ato e kanë zanafillën në gusht të vitit 2021, pasi Ministria e Infrastrukturës çeli tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, me një fond limit prej 196.2 milionë lekësh.

Fitues të tenderit u shpallën kompania “Hill International” e përfaqësuar nga Kirkinezis dhe “Net Group” sh.p.k, por Prokuroria e Posaçme pretendon se ky është një tjetër tender i manipuluar pas atij të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe e akuzon Berberin për paracaktimin e fituesit.

Sipas SPAK, Kirkinezis i ka hartuar vetë kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit dhe në këmbim ka marrë si ortak kompaninë “Net Group” sh.p.k, e cila sipas hetimit ishte e lidhur me Berberin.

Ish-kreu i ARRSH-së u dërgua në gjykim në qershor të këtij viti së bashku me 18 persona të tjerë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Në një skemë më të madhe, të zbuluar po ashtu nga mesazhet në telefonin e Berberit, ky i fundit dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohen se u përfshinë në paracaktimin e fituesit të tenderit 18.9 miliardë lekë për ndërtimin e tunelit kontrovers të Llogarasë.

Të para së bashku, të dy dosjet tregojnë gjurmë të një problemi sistemik në sektorin e infrastrukturës me shpalljen fiktive të tenderave publikë, ndërkohë që “pazaret” për kriteret dhe fituesit kishin përfunduar. Ish-kreu i ARRSH, Evis Berberi i ka mohuar akuzat e Prokurorisë së Posaçme, ndërkohë që ministrja Belinda Balluku ka shmangur komentet, duke deklaruar se “ka besim te drejtësia”. Kirkinezis ishte i paarritshëm për koment.

Skema me fatura fiktive

Tuneli i Llogarasë, që lidh Vlorën me fshatrat turistikë të Jugut, është një prej projekteve më të mëdha dhe të kushtueshme të infrastrukturës në pesë vitet e fundit. Ai është po ashtu një prej projekteve më kontroverse për shkak të funksionit të kufizuar.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë se qoftë tenderi për ndërtimin e tunelit, qoftë ai për mbikëqyrjen e punimeve u paracaktuan.

Mesazhet e kapura në telefonat e Berberit tregojnë sipas SPAK se ky i fundit është karakteri kyç dhe një prej përfituesve të aferave. Procedurat e tenderimit të mbikëqyrjes filluan thuajse në të njëjtën kohë me tenderin për punimet. Ato përfunduan në dhjetor 2021, por fituesi ishte i qartë që prej kontakteve të para mes Kirkinezis dhe Berberit në gusht 2021.

Prokuroria thotë se ka dokumentuar që Berberi ka orkestruar një skemë të mirëfilltë, duke nisur nga “qepja” e kritereve të tenderit për kompaninë Hill International, vendosjen e saj në lidhje me kompaninë Net Group, e deri te kualifikimi i këtij bashkimi operatorësh me dokumente të falsifikuara, për të përfunduar në përfitimin e miliona lekëve përmes një skeme faturash fiktive mes Net Group të Valter Begajt dhe DAAM, që SPAK thotë se kontrollohej nga vetë Berberi.

Para se procedura të shpallej zyrtarisht, hetuesit kanë zbuluar komunikime intensive mes Evis Berberit dhe Ioannis Kirkinezis. Në një komunikim SMS të datës 27 gusht 2021, Kirkinezis i shkruan Berberit: “Përshëndetje! A ke ndonjë lajm për ofertuesin për mbikëqyrjen/supervizimin e Llogarasë? E pashë që kriteret janë shumë të forta. A mund të diskutojmë?”.

Pas këtij mesazhi, të dy organizojnë një takim dhe në tetor 2021 kur ARRSH po bënte gati kriteret për tenderin, Kirkinezis i dërgon Evis Berberit në email-in e tij zyrtar një dokument me detaje teknike të grupit që duhej të kryente mbikëqyrjen e projektit.

Prokuroria gjeti se njësia e prokurimit që ndiqte rastin i përshtati kriteret e ekspertëve pikërisht sipas këtij dokumenti, duke zvogëluar numrin e inxhinierëve dhe specialistëve pjesëmarrës sipas kërkesës së Kirkinezis.

Në mënyrë të dyshimtë, kur dokumentet përfundimtare të tenderit u miratuan më 22 nëntor 2021, lista e stafit të kërkuar ishte identike me atë që përfaqësuesi i kompanisë “Hill International”, Ioannis Kirkinezis, i kishte dërguar me email Evis Berberit një muaj më parë. Kriteret ishin ndryshuar për t’iu përshtatur kompanisë specifike.

“Në rrethanat e mësipërme rezulton se kriteret e vendosura tek dokumentet standarde të tenderit janë përgatitur nga përfaqësuesi i shoqërisë holandeze “Hill International N.V”, shtetasi grek, Ioannis Kirkinezis, shoqëri që ka marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi, si bashkim i operatorëve BOE “Hill International N.V” & “Net Group” sh.p.k”, thuhet në dosjen hetimore.

Pasi kriteret ishin përshtatur, Berberi i ka sugjeruar, sipas hetimeve të SPAK,  kompaninë Net Group të Valter Begajt.

Të dyja kompanitë, “Hill International NV” dhe “Net Group”, krijojnë një bashkim operatorësh dhe marrin pjesë në tender. Por, sipas dosjes hetimore, ky bashkim operatorësh nuk i plotësonte as kriteret e “qepura” për ta, pasi kishte mungesë të përvojës dhe stafit të kualifikuar. Megjithatë ata e fituan tenderin.

Ajo që nuk del në mesazhe, por që është gjetur nga hetimi tregon se ky orientim nga Berberi nuk ishte i paqëllimtë. SPAK ka gjetur se përmes Net Group dhe kompanisë DAAM, Berberi përfitoi dhjetëra milionë lekë në këtë rast dhe 7 procedura të tjera prokurimi. Paratë thotë prokuroria u transferuan me fatura fiktive.

Sipas hetimit, pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë paguante kompaninë “Hill International NV” (dega në Shqipëri) për shërbimet e mbikëqyrjes, kjo e fundit i transferonte “Net Group” sh.p.k një pjesë të pagesave. Deri në nëntor 2024, “Net Group” ka përfituar rreth 74.3 milionë lekë nga “Hill International”, por nga këto para, 19.2 milionë i kaluan kompanisë DAAM , që prokuroria thotë se zotërohej de facto nga Evis Berberi. Transfertat justifikoheshin me fatura fiktive për “specialist për tunelin Llogara”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, një listë e gjatë ekspertësh nga Greqia që ishin deklaruar se do të bënin mbikëqyrjen e punimeve të tunelit nuk e kaluan kurrë kufirin. Ngjashëm një numër ekspertësh shqiptarë që supozohej se punonin për kompaninë Net Group nuk qenë kurrë në Llogara. Në dëshmitë e marra nga prokuroria mësohet se këta ekspertë kishin huazuar licencat për pagesa minimale mujore, por kurrë nuk u thirrën të punonin.

Prokuroria thotë se ata që bënë mbikëqyrjen ishin të ndryshëm nga lista me të cilën kompanitë fituan tenderin. Sipas prokurorisë ky zëvendësim masiv i stafit kryesor, sipas dosjes, u bë pa miratimin me shkrim të Autoritetit Kontraktor, në shkelje të kontratës.

Telashet e mbikëqyrjes

Telashet e mëdha duket se filluan kur kompania “Hill International” tentoi të kryente mbikëqyrjen. Gjatë zbatimit të projektit, komunikimet në “Signal” mes Kirkinezis dhe Berberit tregojnë se përfaqësuesi i “Hill” filloi të ankohej për problemet me ndërtuesin që neglizhoi projektin, cilësinë e materialeve dhe një sërë hallesh të tjera, që sipas tyre vinin në rrezik tunelin.

Mbikëqyrësit e Hill që vërtet erdhën në Shqipëri, ngritën alarmin për cilësinë e punimeve në tunel. Ata ankohen se kompania ndërtuese po punonte pa plan apo me plane të ndryshuara. Ata gjetën se nuk po përdorej çelik në betonin që hidhej në tunel dhe se kompania që po kryente punimet, hoqi elemente sigurie nga tuneli.

Procesverbalet e këqyrjes së telefonit “Iphone 13 Pro Max” të Evis Berberit, të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së tij, zbulojnë në detaje përmbajtjen e këtyre ankesave.

Komunikimet në aplikacionin “Signal” tregojnë se Ioannis Kirkinezis e informonte rregullisht Berberin për shkelje të rënda nga ana e ndërtuesit dhe për shpërfilljen që po i bëhej rolit të tij si mbikëqyrës, pasi siç i shkruante ai, “ndërtuesi nuk respekton kërkesat dhe udhëzimet e mbikëqyrësit”.

Ankesat kulmojnë në nëntor 2022, kur ai raporton shkelje alarmante sigurie, si fakti që kontraktori po hidhte “betonin pa çelik. Jo i përforcuar”. Ai gjithashtu e paralajmëron Berberin se dizajni i ri i ventilimit nuk kishte “asnjë dispozitë për rastet e zjarrit”, duke shtuar se kjo do të rrezikonte jetën e udhëtarëve.

“Propozimi i ri i Kontraktorit ka të bëjë vetëm me kushtet normale të funksionimit, pa asnjë dispozitë për rastet e zjarrit. Nëse ndodh një incident i tillë, sigurisht që do të ketë viktima,” i shkruan Kirkinezis Berberit.

Ndryshe nga sa paraqitet në pjesën e parë të skemës, ku Berberi është i investuar në komunikimet me Kirkinezis, në këtë pjesë të komunikimeve ku flitet për cilësinë e tunelit, ai shfaqet indiferent.

Kjo indiferencë e frustron partnerin e tij nga Greqia. “A mendoni se ne kemi ndonjë vlerë të shtuar për projektin apo ndonjë funksion?”, shkruan ai, duke u lutur për një takim me Berberin.

Në një mesazh tjetër të cituar në dosje, Kirkinezis i ka thënë Berberit: “Ne jemi në këtë projekt për shkakun tënd DHE PËR TY/JU. Thjesht më trego se çfarë të bëj dhe unë do të ndjek plotësisht këshillat e tua”.

Fati i cilësisë së punimeve është i paqartë në dosje. Në dëshminë e tij në Prokurori, Kirkinezis ka deklaruar se pas komunikimeve të shpeshta me Berberin për cilësinë e punimeve, ai e kishte paralajmëruar se mund të tërhiqej nga mbikëqyrja nëse “ishim të padobishëm”.

“Pas këtij mesazhi është bërë një mbledhje dhe situata u përmirësua. Ndërtuesi po punonte me cilësi dhe siguri si dhe projekti u përfundua në kohë,” tha në dëshmi Kirkinezis. /Birn/

 

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë