AKTUALITET

Përmbytjet, një krizë e paralajmëruar që vazhdon të kushtojë miliarda

Piranjat Përditësimi i fundit 14 Tetor 2026, 13:53

Përmbytjet, një krizë e paralajmëruar që vazhdon

Përmbytjet në Shqipëri nuk mund të trajtohen më si fatkeqësi natyrore të paparashikueshme. Ato janë kthyer në një krizë të paralajmëruar, që përsëritet pothuajse çdo vit në të njëjtat zona, me pasoja të rënda dhe një faturë që rëndon mbi qytetarët dhe buxhetin e shtetit. Ndërsa lumenjtë dalin nga shtrati, tokat bujqësore mbulohen nga uji dhe qindra familje përballen me dëmtime të banesave dhe humbje të të ardhurave, institucionet vazhdojnë të raportojnë investime, plane dhe masa parandaluese.

Sipas një vlerësimi të cituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin për përmbytjet në Shqipëri, humbjet ekonomike të shkaktuara nga përmbytjet gjatë tre dekadave të demokracisë përllogariten në rreth 2.5 miliardë dollarë.

Rreziku shtrihet edhe në dekadat që vijnë. Banka Botërore e rendit Shqipërinë ndër vendet europiane me nivelin më të lartë të ekspozimit dhe rrezikut nga fatkeqësitë. Sipas saj, përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e tokës dhe tërmetet kanë prekur 95% të bashkive gjatë dy dekadave të fundit. Ndërkohë, dëmet ekonomike të lidhura me klimën mund të arrijnë rreth 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vetëm në vitin 2050.

Shkodra, ekspozim i lartë, bilanc i paplotë

Bashkia Shkodër është një nga njësitë vendore më të ekspozuara ndaj rrezikut të përmbytjeve, për shkak të pozicionit gjeografik në pellgun ujëmbledhës të lumenjve Drin, Buna dhe Kir, si dhe ndikimit të liqenit të Shkodrës. Në përgjigjen e saj, bashkia përmend edhe shkarkimet nga hidrocentralet si një faktor që ndikon në situatë, pa dhënë të dhëna për rolin e tyre në episode të veçanta.

Sipas një analize të publikuar nga UNDP, prurjet e Drinit mund të tejkalojnë kapacitetin përcjellës të Bunës, ndërsa shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës mund ta rëndojnë situatën. Rreziku shtohet nga argjinaturat e amortizuara, erozioni dhe ndërtimet në sipërfaqe që më parë përthithnin ujërat e përmbytjeve. Ndryshimet klimatike, me reshje më të përqendruara në kohë dhe shkrirje më të hershme të dëborës, ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi këtë sistem.

Bashkia Shkodër pohon se gjatë viteve të fundit situata është përmirësuar dukshëm, megjithëse pranon se përmbytjet kanë vijuar të prekin tokat bujqësore, kryesisht në njësitë administrative të Nënshkodrës. Si masa parandaluese, ajo rendit pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, forcimin dhe rehabilitimin e argjinaturave, si dhe bashkëpunimin me institucionet vendore dhe qendrore për monitorimin dhe menaxhimin e përmbytjeve.

Megjithatë, të dhënat historike tregojnë një panoramë tjetër. Vetëm në vitin 2018 mbi 5.003 hektarë tokë ndodheshin nën ujë. Mbi 500 banesa u rrethuan nga përmbytjet dhe 76 persona u evakuuan.

Lezha, mes deklaratave për dëme të kufizuara dhe ndërhyrjeve emergjente

Bashkia Lezhë deklaron se gjatë viteve të fundit nuk ka pasur situata të klasifikuara si emergjencë civile dhe se strukturat e saj kanë ndërhyrë vazhdimisht për pastrimin e kanaleve kulluese.

“Gjatë rasteve me reshje intensive në zona të caktuara janë konstatuar prezenca të përkohshme uji, kryesisht në oborre banesash, por pa shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa apo pa krijuar rrezik për jetën e qytetarëve” thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Por, vetëm gjatë përmbytjeve të janarit 2026 mbi 3.100 hektarë tokë në qarkun e Lezhës përfunduan nën ujë. Dhjetëra familje u evakuuan, qindra banesa mbetën të izoluara dhe banorët e Gjormit protestuan duke bllokuar rrugën Laç-Mamurras, duke akuzuar institucionet për mosfunksionim të sistemit kullues.

Edhe AKMC e përfshin qarkun e Lezhës ndër zonat më të prekura gjatë janarit 2026, në përshkrimin që shoqëron hartën e përmbytjeve të përgatitur mbi të dhënat e programit Copernicus. Agjencia e lidh episodin me reshjet intensive dhe rritjen e prurjeve në lumenjtë kryesorë.

Në Spiten, fermerët raportuan tre episode përmbytjesh brenda 40 ditëve. Sipas banorëve, kanalet kulluese nuk arrijnë të përballojnë sasitë e ujit dhe mirëmbajtja e tyre mbetet e pamjaftueshme.

Kurbini, një dekadë me dëme të përsëritura

Në Kurbin, bilanci i raportuar nga bashkia për periudhën 2016–2026 përfshin 386 banesa të dëmtuara, 1.015 hektarë tokë bujqësore të përmbytur dhe 131 biznese të prekura. Këto janë shumat e rasteve të evidentuara ndër vite.

Për gjashtë vitet e përfshira në tabelën e bashkisë, 2016, 2017, 2019, 2021, 2025 dhe 2026 dëmet ekonomike të dokumentuara arrijnë në rreth 52 milionë lekë. Vetëm përmbytjet e 6-7 janarit 2026 prekën 102 banesa, 230 hektarë tokë bujqësore dhe shtatë biznese. Për këtë episod, dëmet në pajisje, orendi dhe ndërtime u vlerësuan në rreth 10,18 milionë lekë.

Në kohën e kthimit të përgjigjes, bashkia njoftonte se kjo shumë do të kalonte “shumë shpejt” për vendimmarrje në Këshillin Bashkiak dhe më pas do t’u jepej familjeve të prekura.

Për periudhën e raportuar, Bashkia Kurbin deklaron se ka dhënë rreth 13,96 milionë lekë në formë kompensimi dhe dëmshpërblimi, me burim financimi ministritë përgjegjëse dhe fondet bashkiake të emergjencave civile. Megjithatë, dokumenti nuk i zbërthen këto pagesa sipas viteve, kategorive të dëmit dhe përfituesve. Për këtë arsye, shuma nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me totalin e dëmeve për të përcaktuar sa prej tyre kanë mbetur të pakompensuara.

Bashkia argumenton se investimet e saj janë përqendruar te parandalimi dhe minimizimi i rrezikut nga përmbytjet, përmes buxhetit vendor dhe financimeve të Ministrisë së Mbrojtjes. Si shembull, ajo përmend sistemimin dhe rehabilitimin e dy degëve të përroit të qytetit të Laçit, ndërhyrje që, sipas institucionit, kanë ulur ndjeshëm rrezikun dhe nevojën për shpenzime të përsëritura për dëmshpërblime.

Ajo deklaroi gjithashtu se qyteti i Laçit prej vitesh nuk është më në hartën e rrezikut nga përmbytjet. Ky pretendim i referohet qytetit, ndërsa bilanci i dëmeve mbulon të gjithë territorin e bashkisë. Për Njësinë Administrative Mamurras, institucioni bën të ditur se ka aplikuar për financimin e një projekti të ri për mbrojtje lumore në shtratin e lumit Droje.

Rrogozhinë, pranohet zyrtarisht mungesa e masave parandaluese

Ndryshe nga shumë institucione që argumentojnë se masat janë marrë, Bashkia Rrogozhinë e pranon hapur se përmbytjet vazhdojnë pa pasur një strategji parandaluese.

“Nuk janë ndërmarrë masa parandaluese specifike për daljen e lumit Shkumbin nga shtrati”, thuhet në përgjigjen e institucionit, i cili shton se përmbytjet prekin afërsisht të njëjtat sipërfaqe prej dekadash.

Sipas bashkisë, çdo vit përmbyten mesatarisht 100-150 hektarë tokë bujqësore. Për dhjetë vitet e fundit, institucioni përllogarit një sipërfaqe të përmbytur prej 1.000-1.500 hektarësh, si shumë e sipërfaqeve të prekura ndër vite, ku mund të përfshihen disa herë të njëjtat toka.

Bashkia thotë se gjatë viteve të fundit nuk ka pasur banesa të përmbytura dhe se uji në tokat bujqësore të prekura tërhiqet brenda 24-48 orëve. Ndërkohë, rreth 15 biznese, kryesisht në Rrogozhinë dhe Spille, kanë pasur ujë në ambientet e tyre. Megjithatë, institucioni pranon se nuk ka evidentuar apo dokumentuar vlerën e dëmeve ekonomike për çdo rast.

Për kompensimet, bashkia deklaron se banorët e prekur janë trajtuar sipas kuadrit ligjor, duke iu referuar një fondi “deri në 4% të buxhetit”, por pa dhënë shuma apo numër përfituesish. Formulimi për financimin ndryshon nga ai i nenit 65 të ligjit për mbrojtjen civile: Ligji parashikon një minimum prej 4% të buxhetit vjetor të bashkive, të siguruar nga fondet e kushtëzuara të buxhetit të shtetit, dhe lejon planifikimin e fondeve shtesë. Kjo përqindje mbulon zvogëlimin e riskut dhe mbrojtjen civile në tërësi, jo vetëm dëmshpërblimet.

Elbasani, investime të raportuara dhe një bilanc i pjesshëm

Bashkia Elbasan pranon se gjatë dhjetë viteve të fundit në territorin e saj janë regjistruar disa raste përmbytjesh. Megjithatë,ajo jep të dhëna konkrete vetëm për episodin e vitit 2019 në lagjen “5 Maji”.

Nga ajo përmbytje u dëmtuan dhjetë banesa familjare, me një vlerë totale dëmi prej 1.015.500 lekësh. Bashkia deklaron se nuk ka të dhëna të raportuara për dëmtime në toka bujqësore apo biznese në rastet e përmendura.

Sa i përket parandalimit, bashkia thotë se ka sistemuar përroin e Camurrit, të cilin e identifikon si shkaktarin e përmbytjeve të vitit 2019. Sipas institucionit, pas kësaj ndërhyrjeje “është larguar rreziku”. Bashkia raporton gjithashtu ndërtimin e 6 km argjinatura mbrojtëse përgjatë lumit Shkumbin. Për këto ndërhyrje, bashkia nuk jep të dhëna mbi koston e investimeve, zonat e mbrojtura apo vlerësimin e rrezikut pas përfundimit të punimeve.

Durrësi, mijëra banesa të përmbytura dhe kompensime të vonuara

Për 431 banesa të përmbytura gjatë janarit-shkurtit 2025, bashkia Durrës raporton një fond të akorduar prej rreth 121,43 milionë lekësh. Sipas përgjigjes së datës 19 shkurt 2026, deri në atë moment ishin likuiduar rreth 12,28 milionë lekë.  Më 9 korrik 2026, Këshilli Bashkiak miratoi përdorimin e rreth 109,28 milionë lekëve për familjet që nuk ishin trajtuar financiarisht ose ishin trajtuar vetëm pjesërisht pas përmbytjeve të 29-30 janarit 2025. Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe ndihma prej rreth 10,24 milionë lekësh për likuidimin e familjeve të dëmtuara nga përmbytjet e shtatorit dhe nëntorit 2025.

Këto vendime tregojnë se, rreth një vit e gjysmë pas përmbytjeve të janarit 2025, kompensimi i një pjese të familjeve ende nuk ishte përfunduar. Miratimi i fondeve në korrik, megjithatë, nuk provon se pagesat janë kryer më pas.

Bilanci i banesave të përmbytura ka gjithashtu nevojë për sqarim. Bashkia raporton gjithsej 2.579 banesa në përgjigjen që përfshin episode të periudhës 2018-2026. Por, të dhënat e ndara sipas viteve japin 114 banesa për vitin 2018, 388 për vitin 2020 dhe 431 për janari-shkurtin 2025, gjithsej 933. Për 1.646 banesat e tjera të përfshira në total, dokumenti nuk jep ndarje sipas episodit apo vitit.

Për vitin 2018, bashkia raporton rreth 32,95 milionë lekë fonde të akorduara dhe të likuiduara, ndërsa për vitin 2020 rreth 47,01 milionë lekë. Në përgjigjen e shkurtit 2026, dëmet nga përmbytjet e shtatorit dhe nëntorit 2025, si dhe ato të janarit 2026, figuronin ende në proces vlerësimi.

Një boshllëk tjetër lidhet me bizneset. Bashkia deklaron se nuk disponon evidenca për dëmet e tyre gjatë periudhave të kërkuara. Sipas shpjegimit të institucionit, në mungesë të shpalljes së gjendjes së emergjencës civile, dëmet në biznese nuk ishin marrë në konsideratë për trajtim sipas kuadrit ligjor të cilit i referohet.

Për masat parandaluese, Bashkia Durrës thotë se në fillim të çdo viti u kërkon njësive administrative të identifikojnë kanalet kulluese problematike. Mbi këtë informacion hartohet një plan vjetor ndërhyrjesh, i miratuar nga kryetarja, për rehabilitimin dhe pastrimin e kanaleve, si dhe zhbllokimin e grykave të urave nga inertet dhe mbetjet. Përgjigjja përshkruan procedurën e planifikimit, por nuk jep të dhëna për shpenzimet, kilometrat e pastruar apo realizimin e punimeve në zonat që janë përmbytur vazhdimisht.

Lushnja dhe goditja mbi bujqësinë

Në Lushnjë, reshjet e janarit 2026 përmbytën 635,75 hektarë tokë bujqësore. Dushku ishte njësia administrative më e goditur, me 265,6 hektarë nën ujë, i ndjekur nga Fier-Shegani me 128,9 hektarë dhe Allkajt me 125,7 hektarë. Përmbytjet prekën gjithashtu Golemin, Krutjen dhe Karbunarën.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së përmbytur ishte mbjellë me foragjere dhe drithëra, përkatësisht 245,4 dhe 208,4 hektarë. Uji mbuloi edhe 60,3 hektarë pemëtari, 37,1 hektarë ullishte, 31,4 hektarë agrume, 27,85 hektarë sera, si dhe sipërfaqe me perime fushe e vreshta. Në një zonë ku bujqësia është burim kryesor jetese, kjo shtrirje e përmbytjes vë në rrezik prodhimin dhe të ardhurat e fermerëve.

Tabela e bashkisë dokumenton sipërfaqet dhe kulturat e prekura, por nuk përcakton humbjet në prodhim apo vlerën monetare të dëmeve.

Berati, dëme në bujqësi dhe kompensime në pritje

Sipas të dhënave të Bashkisë Berat, përmbytjet e viteve të fundit kanë dëmtuar 14 banesa dhe kanë prekur 225 fermerë. Dëmi ekonomik i dokumentuar arrin në rreth 2,6 milionë lekë për banesat dhe 24,57 milionë lekë për fermerët.

Bashkia raporton kompensim për banesat, ndërsa për fermerët procesi vijonte ende në kohën e përgjigjes së datës 26 shkurt 2026.

Për parandalimin, institucioni deklaron se sektori i Ujitjes dhe Kullimit ka mirëmbajtur dhe pastruar kanalet në territor, bazuar në vlerësimet në terren dhe kërkesat e fermerëve e të drejtuesve vendorë. Por, përgjigjja identifikon edhe tre segmente të dëmtuara të argjinaturës përgjatë lumit Osum. Për afërsisht 595 metra argjinaturë, bashkia thotë se ka kërkuar mbështetje nga Prefektura, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Bujqësisë, fillimisht për rehabilitim të shpejtë dhe më pas për një investim më të qëndrueshëm. Përgjigjja dokumenton kërkesën për ndërhyrje, por nuk sqaron nëse punimet janë financuar apo përfunduar.

Vlora, dëme të përsëritura dhe mangësi në mbrojtjen nga përmbytjet

Në Vlorë, të dhënat e bashkisë për vitet e raportuara nga 2016 deri në 2026 japin gjithsej 391 raste familjesh të dëmtuara nga përmbytjet. Prej tyre, 355 i përkasin vitit 2024, bilanci vjetor më i rëndë në përgjigjen e institucionit. Për 17 familjet e prekura në vitin 2026, vlera e kompensimit ishte ende në proces përcaktimi në kohën e kthimit të përgjigjes.

Bashkia raporton afro 58 milionë lekë kompensime financiare për vitet 2016, 2019, 2023 dhe 2024. Pjesa dërrmuese, rreth 56,46 milionë lekë, lidhet me familjet e dëmtuara në vitin 2024. Totali financiar nuk përfshin ndihmën në natyrë të dhënë në vitin 2017, në formën e orendive dhe ushqimeve, dhe as kompensimet ende të papërcaktuara për vitin 2026.

Bashkia thotë se nuk administron të dhëna për dëmet në tokat bujqësore dhe bizneset, duke i orientuar kërkuesit te AKMC-ja dhe Ministria e Bujqësisë.

Për masat parandaluese, bashkia rendit pastrimin e kanalit të ujërave të larta, kanalit të Naunkës dhe kanaleve të tjera kulluese, si dhe pastrimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e hidrovorit të qytetit. Ajo përmend edhe investime të planifikuara në buxhetin e vitit 2026 për rrugët dhe kanalet përgjatë tyre, me synim përmirësimin e kullimit.

Auditimi tematik i Kontrollit të Lartë të Shtetit për përmbytjet në Vlorë, ndërkaq, dokumenton mangësi të rënda në mirëmbajtjen e sistemit kullues. Në gjashtë skema në administrim të sektorit Vlorë të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Fier, audituesit konstatuan 66 kanale, me gjatësi të përgjithshme 133 kilometra, që nuk ishin pastruar për më shumë se dhjetë vjet. Disa kanale në Akërni dhe Orikum rezultonin të papastruara prej më shumë se 15 vjetësh. KLSH e identifikoi mungesën e mirëmbajtjes vjetore si një nga shkaqet kryesore të problemeve të këtij sistemi.

Mangësitë shtriheshin edhe te gatishmëria për përballimin e përmbytjeve. Në hidrovorin e qytetit, auditimi konstatoi mungesë pompash rezervë dhe të një gjeneratori të dedikuar për emergjencat, si dhe probleme me furnizimin me energji elektrike. Për Qarkun dhe Bashkinë Vlorë, audituesit nuk gjetën gjurmë dokumentare të përgatitjes dhe miratimit periodik të vlerësimit të riskut.

Nga malet te kanalet kulluese, dobësitë e një sistemi të ndërlidhur

Përtej bilanceve të dëmeve, ekspertët e lidhin rrezikun e përmbytjeve me mënyrën si është trajtuar territori, nga shpatet malore deri te grykëderdhjet e lumenjve. Shpyllëzimi, ndërhyrjet në shtretërit lumorë dhe mirëmbajtja e pamjaftueshme e infrastrukturës ndikojnë në rrugën që përshkon uji dhe në pasojat që lë pas.

Profesori i biologjisë Aleko Miho vendos theksin te mbulesa bimore: “Reshjet e dendura nuk mund të ndalohen, por ato mund të kontrollohen dhe të disiplinohen, pa i lejuar të dëmtojnë jetën dhe pasurinë tonë. Kjo fillon që nga kodrat dhe malet tona, nga ruajtja dhe ripërtëritja e mbulesës bimore dhe pyjeve” shprehet ai.

Miho veçon edhe pasojat e urbanizimit të pakontrolluar dhe ndryshimit të rrjedhave lumore nga ndërhyrjet hidroenergjetike. “Në zona të degraduara vetëm një pjesë e vogël e reshjeve infiltron në tokë, ndërsa pjesa tjetër shkon menjëherë në përrenj dhe lumenj.”

Edhe eksperti i mjedisit mjedisit Kristi Beshmili ngre shqetësimin e shpyllëzimit. “Kemi dëmtuar pyjet, nuk kemi më barriera parandaluese pasi kemi zhveshur malet tona” thotë ai.

Kjo lidhje mes reshjeve dhe gjendjes së territorit trajtohet edhe në Komunikimin e Katërt Kombëtar të Shqipërisë për ndryshimet klimatike. Për pellgun e Vjosës, dokumenti vëren se vitet me përmbytjet më të mëdha përkojnë me reshje ekstreme, por thekson se pasojat ndikohen edhe nga degradimi mjedisor, mirëmbajtja e infrastrukturës mbrojtëse dhe menaxhimi i pellgut.

Hidrologu Erjona Kalaja ndalet te sedimentet dhe ndryshimet që pëson shtrati i lumenjve.

“Sedimentimi është i pamonitoruar në Shqipëri. Përmbytjet monitorohen, por mungon analiza pse ndodhën, çfarë funksionoi dhe çfarë jo, masat që duhen marrë për minimizimin e përmbytjeve për prurje të ngjashme”, shprehet ai.

Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) nuk vuri në dispozicion një seri matjesh të sedimenteve. Për informacion mbi ndryshimet morfologjike të trupave ujorë, institucioni iu referua planeve të menaxhimit të baseneve lumore. Kjo përgjigje nuk sqaron ku kryhen matje, me çfarë frekuence dhe si përdoren rezultatet për të përcaktuar ndërhyrjet.

Kalaja shpjegon se digat ndryshojnë edhe transportin e sedimenteve: “Diga luan rolin e një barriere për transportin e sedimenteve. Praktikisht mbi digë ndodh akumulimi i sedimenteve, ndërsa poshtë saj rritet erozioni, gërryhen brigjet dhe destabilizohet shtrati i lumit.” Sipas tij, shfrytëzimi agresiv i inerteve, humbja e tokës bujqësore dhe degradimi i habitateve janë shenja të tjera të keqmenaxhimit të baseneve.

Për digat, shqetësimi shtrihet edhe te mbikëqyrja e sigurisë. Ish-kryetari i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, Arjan Jovani thotë se pas përfundimit të mandatit të tij në gusht 2025, vonesa në emërimin e drejtuesit të ri kishte penguar një pjesë të funksioneve të institucionit. Në kohën e intervistës, ai deklaronte se prej afro nëntë muajsh nuk ishte mundësuar miratimi i disa projekteve të përgatitura në kuadër të programit të emergjencave civile. Për raportin vjetor të sigurisë së digave, që sipas tij duhej dorëzuar brenda marsit 2026, Jovani shprehej se, në dijeninë e tij, nuk ishte përgatitur dhe dorëzuar.

Dobësi të dokumentuara në këtë sistem evidenton edhe auditimi i KLSH-së “Mbrojtja dhe siguria e digave”, i datuar në janar 2026 dhe që mbulon periudhën 2021-2024. Sipas auditimit, nga 350 diga të mëdha, vetëm 179 kishin pasaportë teknike të hartuar, ndërsa vetëm 47 shfrytëzues kishin përgatitur plane gatishmërie për emergjencat. Kontrolli vjetor ishte kryer për 228 diga, kontrolli pesëvjeçar vetëm për tri dhe kontrolli i plotë dhjetëvjeçar për asnjë. Për digat e vogla, informacioni ishte i paplotë.

Audituesit evidentuan gjithashtu se vetëm katër punonjës ishin të angazhuar me kohë të plotë në strukturat shtetërore të mbikëqyrjes për rreth 650 diga të mëdha e të vogla. Krahas mungesës së kapaciteteve, KLSH konstatoi mbivendosje kompetencash në kontrollin e tyre.

Më poshtë në rrjedhën e ujit, mbrojtja e tokave dhe vendbanimeve varet nga kanalet kulluese, argjinaturat dhe hidrovorët. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, nga viti 2016 bashkive iu transferua pothuajse e gjithë infrastruktura e ujitjes dhe një pjesë e konsiderueshme e asaj të kullimit. Ministria vijon të administrojë një pjesë të kanaleve kryesore, 27 hidrovore dhe struktura të mbrojtjes nga përmbytjet, përmes katër drejtorive rajonale në Lezhë, Durrës, Korçë dhe Fier.

Ligji për administrimin e ujitjes dhe kullimit përcakton përgjegjësitë e ministrisë, drejtorive dhe bashkive për infrastrukturën që administrojnë. Çështja është nëse kjo ndarje funksionon në terren: nëse segmentet janë të inventarizuara qartë, mirëmbahen dhe lidhen me njëri-tjetrin në një rrjet që arrin ta largojë ujin.

Ministria deklaron se kanalet kërkojnë pastrim ciklik, mesatarisht një herë në pesë vjet. Sipas përgjigjes së saj, çdo vit pastrohen rreth 250-300 kilometra kanale kryesore dhe largohen mesatarisht 2,5-3 milionë m/³ dhera. Institucioni raporton gjithashtu 2,3 miliardë lekë investime në infrastrukturën e ujitjes, kullimit, hidrovorëve dhe mbrojtjes nga përmbytjet për vitin 2025, si dhe 2,56 miliardë lekë të parashikuara për vitin 2026.

Në prezantimin e projektbuxhetit 2026, ndërkaq, ministria njoftonte një tavan prej mbi 3,6 miliardë lekësh për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Përgjigjja e dhënë nuk sqaron se cilët zëra përfshin shifra prej 2,56 miliardësh brenda këtij programi më të gjerë.

Veçmas, Ministria e Mbrojtjes njoftonte 4,3 miliardë lekë të parashikuara për emergjencat civile në vitin 2026. Ky financim përfshin edhe kapacitete për përballimin e zjarreve dhe emergjencave të tjera, ndaj nuk mund të paraqitet i gjithi si fond kundër përmbytjeve.

Nga planet dhe kontrollet te mbrojtja reale

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile deklaroi për ACQJ se kryen inspektime periodike në bashki dhe qarqe, përditëson Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe punon për paralajmërimin e hershëm dhe monitorimin e zonave me risk. AKMC thotë se koordinon ndërhyrjet dhe mbështet pushtetin vendor në evidentimin e dëmeve dhe rehabilitimin.

Por, raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2025 vëren se kapacitetet e reagimit shpesh mbingarkohen, veçanërisht gjatë zjarreve, dhe kërkon rishikimin e planeve, përmirësimin e infrastrukturës së paralajmërimit të hershëm dhe forcimin e kapaciteteve operative. Ky vlerësim për sistemin e mbrojtjes civile në tërësi prek edhe gatishmërinë ndaj përmbytjeve.

Në menaxhimin e ujërave, raporti konstatonte se pesë nga shtatë planet e baseneve lumore ishin në zbatim, ndërsa ato për Shkumbinin dhe Vjosën mbeteshin në pritje. Hartat e rrezikut të përmbytjes mbulonin 96% të zonave me rrezik të konsiderueshëm, ndërsa hartat e pasojave të mundshme mbulonin 84% të zonave me risk të lartë.

Përgjigjet e institucioneve tregojnë edhe fragmentimin e të dhënave. Bashkitë raportojnë familje dhe kompensime, Ministria e Bujqësisë ndërhyrje në rrjetin kryesor, AMBU plane dhe leje për përdorimin e burimeve ujore, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) inspektime pranë lumenjve. Informacioni i përcjellë, megjithatë, nuk krijon një pasqyrë të përbashkët që lidh gjendjen e një baseni me ndërhyrjet, kontrollet dhe dëmet e regjistruara në të.

Shembull janë masat ndaj aktiviteteve pranë shtretërve lumorë. AKM raporton gjoba prej një milion lekësh ndaj secilit prej subjekteve “ANCHOR Investments” dhe “Beton Express”, për aktivitete pranë Erzenit, si dhe ndaj “HEC Grabova 2”, për aktivitet pranë Devollit. Institucioni rendit gjoba edhe ndaj “Vokopola Energji”, “Vëllezërit Hysa” dhe “GECI”, si dhe paralajmërime ndaj “INC Spa” dhe “Infinert+”.

Por, përgjigjja nuk jep një pasqyrë të plotë të shkeljeve konkrete, datave, ankimeve apo ekzekutimit të masave. Për subjektin “Vuthaj”, AKM sqaron se gjoba prej 100 mijë lekësh ishte hequr nga komisioni i ankimit. Kështu, vetë lista e masave nuk mjafton për të kuptuar cilat shkelje janë konfirmuar përfundimisht dhe nëse janë korrigjuar.

Nga ana tjetër, lista e AMBU-së për shfrytëzimin e lejuar të inerteve lumore përmban nëntë zëra: Gjashtë në basenin e Shkumbinit, dy në atë të Matit dhe një në atë të Vjosës. Disa kompani përsëriten për projekte të ndryshme. Sipas agjencisë, këto veprimtari lejohen në rastet e përcaktuara për punë publike rrugore.

Përqendrimi i ndërhyrjeve në një basen ngre nevojën për të vlerësuar ndikimin e tyre të përbashkët. Megjithatë, as një leje dhe as një gjobë nuk provojnë vetvetiu lidhjen e aktivitetit me një përmbytje. Për këtë duhen përputhur vendndodhja dhe koha e ndërhyrjes me sasitë e materialit të nxjerrë, ndryshimet në shtrat dhe të dhënat e prurjeve. Përgjigjet e marra nuk e ofrojnë këtë analizë.

Plani i dytë Kombëtar i Përshtatjes 2026-2036, i publikuar nga UNDP në janar 2026, përfshin 66 masa prioritare dhe nevoja investimi të vlerësuara në rreth 9,8 miliardë dollarë. Shuma mbulon disa sektorë të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, jo vetëm mbrojtjen nga përmbytjet.

Mes masave parashikohen restaurimi i brigjeve dhe zgjerimi i fushave të përmbytjes përgjatë lumenjve kryesorë, me një objektiv prej 300 kilometrash restaurim e riparim të argjinaturave dhe veprave mbrojtëse. Por strategjia shoqëruese e financimit vlerësonte se rreth 93% e nevojave të planit të përgjithshëm mbeteshin të pambuluara.

Shkaqet dhe pesha e tyre ndryshojnë nga një përmbytje në tjetrën. Por, disa mangësi janë të dokumentuara: Kanale të papastruara për vite, të dhëna të paplota për dëmet, kompensime të vonuara dhe dobësi në mbikëqyrjen e digave.

Përgjegjësia institucionale mund të matet duke ndjekur të njëjtën ngjarje nga fillimi në fund: Çfarë rreziku ishte identifikuar, çfarë ndërhyrjeje ishte financuar, a u krye ajo dhe çfarë mbrojtjeje siguroi. Pas përmbytjes, bilanci duhet të tregojë dëmin e vlerësuar, fondin e miratuar dhe pagesën që mbërriti te familja apo fermeri.

Për banorët që përballen me ujin në shtëpi dhe në të mbjella, masa e suksesit është konkrete: më pak dëme në përmbytjen e ardhshme dhe ndihmë që mbërrin në kohë. Aty duhet të provohet vlera e planeve dhe e miliardave të shpenzuara./Ida Ismalaj, acqj.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje