BOTA

Biseda Trump- Putin/ Analiza: Kush fitoi në telefonatë dyorëshe?

E.D Përditësimi i fundit 20 Maj 2025, 17:37

Biseda Trump- Putin/ Analiza: Kush fitoi në telefonatë dyorëshe?

SHBA- Muajin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pati fjalë të ashpra për Vladimir Putinin, duke lënë të kuptohet se udhëheqësi rus po përfitonte nga koha, ose po “zvarritej” kur Shtëpia e Bardhë po bënte përpjekje për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Moska, i cili ka hyrë tashmë në vitin e katërt.

Përpjekjet diplomatike ishin në kulmin e tyre; Kievi kishte pranuar një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar, për 30 ditë; Moska jo; Ukraina dhe Rusia vazhdonin ta godisnin njëra-tjetrën me dronë dhe raketa.

“Vladimir, NDALO,” shkroi Trump në rrjete sociale më 24 prill, pas një sulmi rus me raketa në Kiev, i cili ishte jashtëzakonisht vdekjeprurës.

Dy ditë më vonë, pas një takimi në Vatikan me Volodymyr Zelenskyn e Ukrainës, Trump shkroi për Putinin: “Më bën të mendoj se, mbase, ai nuk dëshiron ta ndalë luftën”.

Më 8 maj, Trump e kërcënoi me sanksione Moskën, nëse ajo nuk e pranon propozimin për armëpushim.

Por, më 19 maj, Trump dhe Putin folën në telefon – për herë të tretë prej se Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.

Për Trumpin, biseda që zgjati mbi dy orë solli një ndryshim befasues, si në përmbajtje, ashtu edhe në ton: nuk kishte më kërkesë që Putini ta pranonte një armëpushim të menjëhershëm. Dhe, Shtëpia e Bardhë po tërhiqej nga përpjekjet për t’i ndalur luftimet.

“Rusia dhe Ukraina do t’i nisin menjëherë bisedimet për një Armëpushim dhe, më e rëndësishmja, për t’i dhënë FUND Luftës”, shkroi Trump në rrjete sociale.

“Kushtet për këtë do të negociohen mes palëve, siç duhet të jetë, sepse vetëm ato i dinë hollësitë që askush tjetër nuk i di”, shtoi ai.

Dy udhëheqësit iu drejtuan njëri-tjetrit në emër, tha një këshilltar i lartë i Kremlinit për gazetarët.

Në fund të fundit, kjo ishte ajo që Putini donte.

“Trumpi, në thelb, e bekoi propozimin e Putinit për të mbajtur bisedime bazuar në një dokument kornizë në bazë të të cilit do të udhëhiqeshin negociatat për paqe”, tha John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

“Nëse i përdorim fjalët e Trumpit, Putini ende po e ‘zvarrit’, dhe fatkeqësisht Trump sot iu nënshtrua kësaj”, i tha Hardie Radios Evropa e Lirë.

“Vladimir Putini ka synim të qartë: t’i vazhdojë operacionet ushtarake. Ai është i gatshëm të negociojë me Trumpin për gjithçka, përveç Ukrainës”, tha Ivan Preobrazhensky, komentator politik rus, për Current Time.

“Trump është i kënaqur të tërhiqet dhe të shtiret sikur bëri gjithçka që mundi”, shtoi ai.

Madje edhe para se ta merrte detyrën në janar, Trumpi e kishte bërë përfundimin e luftës në Ukrainë prioritet kryesor të politikës së tij të jashtme. Emisari i tij kryesor, Steve Ëitkoff, udhëtoi tri herë në Moskë për të provuar ta arrinte një marrëveshje.

Mungesa e përparimit - pavarësisht shumë takimeve dhe bisedimeve - e kishte zhgënjyer publikisht Trumpin dhe këshilltarët e tij më të lartë, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe nënpresidentin JD Vance.

Ka pasur paralajmërime se durimi amerikan po soset.

Kremlini ka treguar pak gatishmëri për të lëvizur nga pozicionet e tij. Negociatorët rusë dhe ukrainas u takuan në Stamboll javën e kaluar për herë të parë ballë për ballë që nga javët e para të luftës, e cila shpërtheu pasi Rusia nisi pushtimin e plotë në shkurt 2022.

Kishte edhe shpresa që Zelensky dhe Putini të takoheshin, diçka që lideri ukrainas ishte i hapur ta bënte.

Por, Putini mungoi në momentin e fundit. Negociatorët e tij - një delegacion i nivelit të ulët - përsëritën kërkesat maksimaliste të Moskës që ishin në tryezë në vitin 2022, derisa ato bisedime dështuan.

Duke folur për gazetarët pas telefonatës - para se Trump të fliste publikisht - Putini përsëriti fjalët e tij të kamotshme për “shkaqet rrënjësore” të luftës - një term që në thelb nënkupton vënien në dyshim të së drejtës së Ukrainës për të ekzistuar, e për më tepër të gjithë rendit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë.

“Pozicioni i Rusisë është i qartë. Eliminimi i shkaqeve rrënjësore të kësaj krize është ajo që ka më shumë rëndësi për ne”, tha Putini.

“Nuk ka asnjë tregues se Rusia po ndryshon qëndrim”, tha Stephan Kieninger, hulumtues në American-German Institute.

“Deklarata e Trumpit nuk përmbajnë asnjë shenjë trysnie ndaj Rusisë. Është e qartë se Trumpi nuk është i gatshëm të përballet me Putinin”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Nëse kjo ndodh vërtet, tërheqja nga përpjekjet për paqe do të përbënte premtim të përmbushur për Trumpin - edhe nëse bëhet në kurriz të Ukrainës.

Do të ishte në përputhje edhe me politikën e jashtme transaksionale të Trumpit, duke pasqyruar qasjen e një biznesmeni ndaj arritjes së marrëveshjeve. Në postimin e tij pas telefonatës, Trump përfshiu këtë ofertë për Moskën: “Ka një mundësi të jashtëzakonshme për Rusinë që të krijojë sasi të mëdha të vendeve të punës dhe pasurisë”.

“Donald Trump dëshiron shumë të bëjë marrëveshje biznesi. Ai me të vërtetë e sheh biznesin si një mënyrë për të zgjidhur çdo krizë, absolutisht, qoftë për ta parandaluar apo për t’i dhënë fund luftërave”, tha Aleksandra Filippenko, eksperte me bazë në Lituani.

Kjo logjikë biznesi e nxiti pjesërisht Zelenskyn muajin e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje që u jep kompanive amerikane qasje të privilegjuar në burimet e vlefshme minerale të Ukrainës. Shtëpia e Bardhë më parë e kishte kushtëzuar vazhdimin e furnizimit me armë për Kievin me nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë.

Pavarësisht ndryshimit të qëndrimit të Shtëpisë së Bardhë, Zelensky, i cili foli veçmas me Trump para telefonatës, u duk se mbështeti propozimin e presidentit amerikan.

“Ky është një moment vendimtar”, shkroi ai në Telegram. “Tani bota mund të shohë nëse liderët e saj janë vërtet të aftë të sigurojnë një armëpushim dhe të arrijnë paqe të mirëfilltë dhe të qëndrueshme”.

Zelensky hodhi poshtë propozimin e Trumpit për t’u tërhequr nga bisedimet e paqes, duke kërkuar që Uashingtoni të mbetet i angazhuar sepse “vetëm Putini është i interesuar për këtë”.

Vendet evropiane, që mbështesin Kievin, janë përgatitur për këtë moment: mundësinë që Shtëpia e Bardhë të përpiqet të arrijë një marrëveshje drejtpërdrejt me Kremlinin - duke e lënë jashtë procesit ose Evropën ose Ukrainën.

Në prag të telefonatës me Putinin, Trump foli për luftën me udhëheqësit e Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Evropianët përsëritën mbështetjen për një armëpushim dhe paralajmëruan për më shumë sanksione nëse Rusia nuk e ndal agresionin.

“Evropianët duhet të reagojnë”, tha Kieninger. “Sa janë të përgatitur ata të përballen me Putinin me sanksione të reja pa Shtetet e Bashkuara, kjo mbetet e paqartë”./REL

video

PPIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 15

PPIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 15

A duhet të kontrollohen dyqanet e kafshëve

Ndarja e një çifti dhe vajza mes tyre

Kur kushërira të premton 'Parajsën'

Shteti i paligjshmërisë mund qytetarët

Mashtrimi perfekt i Klea Ramës

Konflikt interesi apo korrupsion

Fjalimi i fitores i Edi Rames.

Kaçaniku, qyteti i ekstremistëve

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 14

Kursimet e një jete dhe mashtrimi me pronat

Rama, gënjeshtra me taksimin

Masakra mjedisore që po shkatërron Tiranën

Ku ka përfunduar bursa e 17 vjeçares

Aksidenti i Burrelit dhe indiferenca e autoriteteve

Kur shteti ndërton pa lejen e shtetit

Demokracia

Dy kryebashkiakë dhe 'malet' me plera

Drejtori i ardhshëm i administratës.

Premtimet e Edi Ramës në Berat

Thonë se tragjedia dhe komedia ecin bashkë: Rilindja nisi si humor i zi, po mbaron si dramë mavi.

Një studim shkencor ka vërtetuar se tallavaja është muzika qe rrit sasine e qumështit tek delet.

Premtimet e Edi Ramës në Tepelenë.

Premtimet e Edi Ramës për Memaliaj.

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 13

PS-PD, flasin dy zonja Tirone

Beteja e premtimeve për 'kapjen' e pensionistëve

Ku ka përfunduar bursa e 17 vjeçares

A po na përgjojnë me 'DPI'

Arsimi sot!

Çështja Mcgonigal dhe lobimet okulte

Kush po e shkatërron Tiranën?

Rama mitingu në Kukës

Afera e 'Tigrave' dhe heshtja e zonjës Balluku

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 12

Paralajmërimi i Piranjave

Gënjeshtrat e kryeministrit për energjinë

Mbeturinat e shijakut 'infektojnë' Fushë-Krujën

Ndërtimet abuzive në velipojë

Gjuha vulgare e një kryeministri

Ti nuk je vetem nje vote!

Dherat dhe inertet 'pushtojnë' Tiranën

Performanca e Zegjinesë së Roskovecit

Homazh per Papa Franceskon nga Dom Mark Pashkja

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

Një hormon i rrezikshëm në tavolinën tonë

Monologu: Pensionistët në 2025-ën

Mitingjet e PS dhe administrata në aksion

Fasulet që parashikojnë fatin

Landfilli i paligjshëm i Shijakut