BOTA

Dëbimi i shtetasve kroatë nga Serbia, REL: Drama njerëzore në mes të tensioneve politike

r.ll Përditësimi i fundit 24 Prill 2025, 09:16
Dëbimi i shtetasve kroatë nga Serbia, REL: Drama njerëzore
foto ilustruese

SERBI- “Rrezik për sigurinë e Republikës së Serbisë”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë me të cilin shtetasit kroat Nikolla Francetiç i është anuluar leja e qëndrimit në Serbi. Në Beograd, siç ka deklaruar ai për gazetën kroate Jutarnji list, “kishte qenë për shtatë vjet, kishte punuar, kishte krijuar miq” dhe “asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem”.

“Pastaj mora një thirrje nga policia, nga drejtoria për të huajt”, tha ai më 21 prill. Në vendimin që e ka marrë nga MPB-ja e Serbisë, nuk është shpjeguar se në çfarë mënyre ai përbën rrezik për sigurinë e Serbisë.

“Unë nuk jam person me interes, nuk kam vepruar politikisht, problemet e mia profesionale dhe private janë si te çdokush tjetër. Pas dëbimit tim qëndron politika, sepse asgjë tjetër nuk ka kuptim”, vlerësoi Francetiç.

Në opinionin publik është shpërfaqur edhe rasti i Arien Stojanoviç-Ivkoviç, e cila jeton në Serbi prej 12 vjetësh dhe ka familje në këtë shtet. Sipas avokatit të saj, ajo aktualisht është në pritje të vendimit të gjykatës administrative lidhur me kërkesën e paraqitur për të shtyrë zbatimin e vendimit për anulimin e lejes së qëndrimit në Serbi.

Sipas të dhënave nga Ambasada e Kroacisë në Serbi, Francetiç dhe Stojanoviç-Ivkoviç janë mes gati 20 shtetasve kroatë që në tre-katër muajt e fundit kanë marrë vendim për dëbim nga Serbia.

“Shumica e tyre jetojnë në Serbi prej dhjetë vjetësh, kanë krijuar familje këtu, janë të stabilizuar në punë, kanë blerë banesa … kështu që pas të gjitha këtyre vendimeve burokratike fshihen një sërë dramash njerëzore”, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Kroacisë në Serbi, Hidajet Bishçeviç.

Në një përgjigje me shkrim dërguar REL-it, Bishçeviq vlerësoi se dëbimin e shtetasve kroatë kanë një dimension politik.

Si argument për këtë, Bishçeviq përmendi se në vendimet për anulimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit kroatë “nuk shpjegohet apo argumentohet në asnjë mënyrë” se si këta shtetas përbëjnë “rrezik për sigurinë” e Serbisë.

“Për motivet e këtij trendi shqetësues mund të hamendësojmë… ndoshta, para së gjithash, në kontekstin e situatës aktuale politike dhe shoqërore në Serbi, apo edhe për shkak të insinuatave të shprehura publikisht se Kroacia po i nxit protestat studentore apo dëshiron të destabilizojë Serbinë”, tha ambasadori Bishçeviç.

Dëbimi i shtetasve kroatë po ndodh në kohën kur në Serbi po mbahen protesta masive, të udhëhequra nga studentët, të cilët tash e katër muaj kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete në mbarë vendin. Zyrtarët e lartë shtetërorë serbë, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë kanë përsëritur akuzat, pa ofruar prova, se pas bllokadave studentore qëndron Kroacia – akuza që janë mohuar me vendosmëri nga zyrtarët kroatë.

Deklaratat e zyrtarëve serbë për përfshirjen e pretenduar të Kroacisë në bllokadat dhe protestat në Serbi i kanë hedhur poshtë edhe vetë studentët protestues, të cilët kanë theksuar në komunikata zyrtare se protestat organizohen për të realizuar kërkesat e tyre studentore. Ndër kërkesat kryesore është ajo për të përcaktuar përgjegjësinë për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Asnjë institucion zyrtar i sigurisë në Serbi deri tani nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë që të mbështesë pretendimet se ka dyshime të bazuara që Kroacia qëndron prapa bllokadave studentore në Serbi. MPB e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa shtetas kroatë kanë marrë vendimin për anulimin e lejes së qëndrimit në Serbi që nga fillimi i vitit dhe çfarë arsyetimi është dhënë në këto vendime.

As Kroacia nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje nga autoritetet serbe. Ambasadori i Kroacisë në Beograd, Hidajet Bishçeviq, tha për REL-in se Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk ka reaguar ndaj notës diplomatike, përmes së cilës autoritetet kroate kanë kërkuar sqarim për dëbimin e shtetasve kroatë.

Bishçeviç tha se Kroacia – e cila është anëtare e Bashkimit Evropian – po pret një përgjigje edhe nga Brukseli, i cili është informuar për këtë çështje. BE-ja ka shprehur shqetësim lidhur me dëbimin e shtetasve kroatë nga Serbia.

“Po e ndjekim situatën dhe nuk do të hezitojmë që shqetësimet tona t’ua përcjellim autoriteteve të Serbisë, në nivelin më të lartë, nëse është e nevojshme”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 11 prill, në përgjigje ndaj një pyetjeje të bërë nga një gazetar kroat në Bruksel.

Sofija Todoroviq, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi për REL-in se shtetasit kroatë janë shënjestruar në Serbi për muaj me radhë, gjë që sipas saj përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

“Po e shohim sërish atë histerinë antikroate, e cila është e pranishme kudo – në media, portale, televizione kombëtare – dhe kjo duket se nuk shqetëson askënd”, tha Todoroviç.

Në një raport të publikuar në mes të marsit, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut ka evidentuar të gjitha veprimet problematike, me synimin për të vënë në dukje një “fushatë sistematike disa javore të dezinformatave dhe shpifjeve nga zyrtarët serbë dhe mediave proqeveritare” që nga dhjetori 2024 deri në mars 2025, fushatë që kishte në shënjestër shtetasit kroatë – përfshirë edhe qytetarë e Serbisë, që kanë shtetësi kroate.

“Në esencë, nuk ekziston ndonjë lidhje reale mes asaj që po ndodh sot në Serbi dhe Kroaci. Kjo lidhje po ndërtohet në mënyrë artificiale përmes këtij lloji të shtypjes ndaj shtetasve kroatë”, përfundoi Todoroviç.

Për Maja Stojanoviqin, drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare Nismat Qytetare, veprimi i autoriteteve në Serbi përbën një “goditje ndaj sigurisë themelore të njerëzve, ndaj jetës së tyre dhe mundësisë për të planifikuar të ardhmen e tyre”.

“Kjo vetëm sa e përkeqëson edhe më shumë situatën në rajon, marrëdhënie që tashmë prej vitesh janë të prishura për shkak të politikës zyrtare të Beogradit”, vlerësoi Stojanoviq.

Përpjekjen e autoriteteve serbe për të paraqitur protestat në Serbi si një “revolucion shumëngjyrësh” dhe për t’i lidhur ato me Kroacinë, Stojanoviq i sheh si “propagandë të brendshme” të Serbisë.

“E konsideroj si më të rrezikshmen pikërisht atë që e kemi parë edhe në vitet ’90, kur kjo propagandë e brendshme serbe filloi të përhapet në gjithë rajonin, dhe kjo mund të ketë pasoja shumë më të mëdha”, paralajmëroi ajo.

Ajo shtoi se rastet e dëbimeve të shtetasve kroatë mund të çojnë jo vetëm në përkeqësim të marrëdhënieve me Kroacinë, por edhe me BE-në, anëtare e të cilës është Kroacia.

“Më shqetëson fakti që nuk kemi një reagim zyrtar apo më të ashpër nga vetë Bashkimi Evropian. Një vend që mohon lejen e qëndrimit pa asnjë arsye apo arsyetim zyrtar ndaj shtetasve të BE-së, nuk mund të presë të anëtarësohet në BE”, tha Maja Stojanoviç.

Serbia e ka nisur procesin e negociatave me BE-në në vitin 2014. Megjithatë, në tre vjetët e fundit, nuk ka hapur asnjë kapitull negociues. Beogradi dhe Zagrebi zyrtar kanë këmbyer akuza dhe retorikë të ashpër në disa raste gjatë viteve të fundit, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve ndodhen në një trajektore në rënie.

Ambasadori i Kroacisë në Serbi, Hidajet Bishçeviq, vlerësoi se dëbimi i shtetasve kroatë nga Serbia mund të rëndojë edhe më shumë këto marrëdhënie.

“Është e pamundur të shmangen pasojat negative, sidomos mes qytetarëve, sepse krijohet një atmosferë mosbesimi – njerëzit pyesin veten nëse mund të udhëtojnë në Serbi, çfarë duhet të bëjnë”, tha ai. Bishçeviq shtoi se në një atmosferë të tillë “është më e vështirë të pritet ndonjë përparim serioz” në raportet Kroaci–Serbi.

“Edhe pse disa muaj më parë ishim pajtuar për mënyrën dhe renditjen e trajtimit të çështjeve të hapura. Fatkeqësisht, në vend të vullnetit politik, kemi përfunduar me këto dëbime, të cilat – do të guxoja të thosha – kanë një dimension politik”, përfundoi ai./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë