KOSOVA

Dronë në qiell, tension në tokë!

Piranjat Përditësimi i fundit 14 Tetor 2025, 11:33

Dronë në qiell, tension në tokë!

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur, me akuza për kërcënime dhe shkelje të hapësirës ajrore.

Ekspertët shohin veprime propagandistike nga Vuçiq për të zhvendosur vëmendjen nga protestat antiqeveritare.

Kosova po forcon kapacitetet mbrojtëse, përfshirë me dronë nga Turqia dhe SHBA-ja, ndërsa KFOR-i mbikëqyr sigurinë.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përballet me protesta antiqeveritare në Beograd, në Prishtinë formimi i institucioneve të reja zhargitet prej muajsh. Por, përtej krizave të brendshme në të dyja vendet, retorika për sigurinë po bëhet gjithnjë e më e ashpër, duke ngritur pyetje për rrezikun real dhe përfituesit e mundshëm.

Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, Ozkan Ulutash, për të diskutuar, siç tha, kërcënimet nga dronët serbë.

Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit me KFOR-in për të parandaluar çdo veprim destabilizues nga Serbia.

Në fund të muajit të kaluar, zyrtarët e Kosovës raportuan se hapësira ajrore e vendit ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë, por nuk dhanë detaje për kohën apo rrethanat e incidentit.

KFOR-i, megjithatë, tha se nuk ka vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë që të kërcënonte sigurinë.

Po ato ditë, Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një shtetas të Serbisë, pasi ka sulmuar zyrtarët policorë në pikën kufitare të Jarinjës.

Osmani e ngriti çështjen e kërcënimeve nga Serbia edhe në Kopenhagë, ku mori pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, më 2 tetor.

“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur Osmanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe akuzoi Kosovën se po shfrytëzon këtë kohë, për të fituar mbështetje ndërkombëtare.

“Ne duam ta shmangim luftën. T’i shmangim konfliktet. Druaj se askush nuk do të dëgjojë më askënd, dhe të gjithë - vërtet dhe seriozisht - po përgatiten për luftë”, tha Vuçiq.

Ai nuk ofroi prova për pretendimet e tij, dhe ekspertët e sigurisë në Beograd i shohin ato si propagandë për përdorim të brendshëm.

“Gjatë vitit të fundit, gjithçka në Serbi, përfshirë edhe politikën e jashtme, i nënshtrohet dinamikës së protestave antiqeveritare. E vetmja gjë me të cilën merret shteti, është mbijetesa e regjimit”, thotë Vuk Vuksanoviq, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

“Në këtë kontekst, ai vazhdimisht përpiqet të bëjë teatër dhe të gjejë një armik të huaj, për të zhvendosur vëmendjen - qoftë edhe për kohë të shkurtër - nga protestat”, shton ai.

Vuçiq edhe javën e kaluar reagoi me ashpërsi ndaj lajmit se Kosova ka pranuar dronë nga Turqia, duke u shprehur “i tmerruar” me, siç tha, sjelljen e Ankarasë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, tha se ka zhvilluar një bisedë urgjente me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, të cilit i ka shprehur shqetësimin se armatosja e Kosovës mund të ndikojë në stabilitetin e rajonit.

Për Igor Tabakun, analist ushtarak në portalin “Mbrojtja dhe Siguria” nga Zagrebi, këto janë gjepura të një regjimi që kërkon të shpërqendrojë publikun.

Ai thekson se çdo përshkallëzim i mundshëm në rajon do të kishte pasoja serioze për NATO-n, pasi shumica e vendeve përreth Serbisë janë anëtare të aleancës ose bashkëpunojnë ngushtë me të. Por, shton se shumëçka do të varet edhe nga mënyra se si udhëheqja serbe menaxhon tensionet e brendshme.

“Nëse tensionet e brendshme në Serbi vazhdojnë të rriten, nuk do të më befasonte nëse regjimi do të përpiqej ta zhvendoste vëmendjen publike te një armik i jashtëm. Kjo është shumë më e përshtatshme për pushtetin sesa të flasë për përdorimin e gazit lotsjellës nga policia apo për nxjerrjen e tankeve në rrugë”, thotë Tabak për Exposenë.

Dhe Kosova është një prej pikave më të cenueshme, sipas tij, marrë parasysh historinë e konfliktit.

Muajin e kaluar, u bënë saktësisht dy vjet prej se një grup serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic. Kosova bëri përgjegjëse Serbinë për incidentin, por Beogradi e mohoi përfshirjen.

Tabak nuk e përjashton mundësinë që një “formë e tillë e terrorizmit” të përsëritet.

“Për këtë nuk nevojiten as shumë njerëz e as shumë pajisje. Një aksion i tillë mund të organizohet pa lëvizje të mëdha shtetërore dhe pa logjistikë të ndërlikuar. Fatkeqësisht, skenarë të tillë janë të mundshëm, por, për fat të mirë, ndikimi i tyre është më i kufizuar, sepse përfshijnë më pak mjete dhe njerëz”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë për disa ditë tentoi të kontaktojë ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, për të biseduar mbi situatën e sigurisë në vend dhe vlerësimin e rrezikut nga Serbia, por asnjëri prej tyre nuk ishte i qasshëm.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se situata në Kosovë është e qetë vetëm në sipërfaqe, pasi Serbia, që nga Banjska e këndej, po zhvillon një luftë hibride kundër vendit.

Ai përmend sulmin në Ibër-Lepenc dhe përdorimin e dronëve si shembuj të kësaj strategjie. Po ashtu thotë se ka informacion se në Kosovë ndodhen rreth 1.300 deri në 1.600 serbë besnikë të Vuçiqit, të gatshëm për të zbatuar urdhrat e tij.

“Të gjithë këta janë të trajnuar dhe të stërvitur mirë në bazat ushtarake dhe të xhandarmërisë [serbe] përreth Kosovës dhe jetojnë e veprojnë brenda Kosovës. Kryejnë punë të rëndomta. Në momentin që marrin ndonjë sinjal që duhet të mobilizohen, e dinë saktë vendin se ku duhet të lajmërohen. Dhe ky është një rrezik potencial që unë e konsideroj në të ardhmen”, thotë Kastrati për Exposenë.

Kastrati thotë se institucionet e Kosovës janë të informuara për ekzistencën e këtyre grupeve në veri. Ai shton se, ndonëse nuk njihen me emra të përveçëm, dihet numri i tyre dhe fakti që posedojnë armë të fshehura në zona malore.

Në vitin 2023, Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste dy grupe serbësh që veprojnë në veri - “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile” - duke argumentuar se pjesëtarët e tyre ishin të përfshirë në sulme ndaj Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, herë pas here, njofton për konfiskimin e armëve dhe municioneve në këtë pjesë të vendit. Në njërin prej aksioneve më të fundit, në mes të shtatorit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se policia ka gjetur municion dhe pajisje ushtarake në pronën e njërit prej dhjetëra të akuzuarve për sulmin në Banjskë.

As Vuksanoviq nuk e sheh të mundshëm një sulm konvencional të Serbisë kundër Kosovës, për shkak të pranisë së NATO-s. Por, vlerëson se udhëheqësit e të dyja vendeve, të përballur me kriza të brendshme, mund të nxisin provokime për të zhvendosur vëmendjen publike.

“Nuk do ta përjashtoja 100% mundësinë e një dhune të lokalizuar në veri të Kosovës. Këtu janë dy lojtarë të rëndësishëm. Nga njëra anë është kryeministri në detyrë i Kosovës [Albin] Kurti, i cili gjithashtu gjendet në një pozitë të paqartë, për shkak të mosformimit të Qeverisë së re. Në përpjekje për të shpëtuar veten, mund të marrë ndonjë vendim që trazon veriun. Në anën tjetër, kemi Vuçiqin që gjendet në një krizë edhe më serioze se Kurti dhe mund të pretendojë se [serbët] po kërcënohen, për shembull...”, thotë Vuksanoviq.

Por, sa e përgatitur është Kosova të përballet me një valë të mundshme dhune? Në ditën kur pranoi mijëra dronë kamikazë nga Turqia, kryeministri në detyrë, Kurti, përmendi edhe disa prej blerjeve të mëparshme, përfshirë kamionët ushtarakë, Rheinmetall.

“Kjo tregon se ushtria jonë po forcohet gjithnjë e më shumë dhe se po pajiset me armatim modern”, tha Kurti më 8 tetor.

Muajin e kaluar, Forca e Sigurisë së Kosovës, që është në proces të transformimit në ushtri, pranoi edhe disa dronë të blerë nga SHBA-ja, ndërsa vendi vazhdon pagesën për sistemet kundërajrore Javelin, gjithashtu të furnizuara nga SHBA-ja.

Përgjegjësia për hapësirën e ulët ajrore të Kosovës mbetet te KFOR-i, ndërsa të lartën e mbikëqyr Hungaria.

KFOR-i është përgjegjës edhe për sigurinë e kufijve tokësorë të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdimisht nënvizon se garanton një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur.

Sipas ish-komandantit Kadri Kastrati, misioni i NATO-s është çelësi i stabilitetit në Kosovë, porse buxheti i mbrojtjes duhet të rritet për të përballuar sfidat e ardhshme.

“Qeveria në ardhje, kushdo që ta formojë, do të duhej ta kishte një prej prioriteteve kryesore mbrojtjen dhe sigurinë. SHBA-ja dhe NATO-ja në përgjithësi kanë përcaktuar pragun prej 5% të bruto prodhimit vendor për mbrojtje dhe siguri, për shkak të situatës globale. Ne jemi diku te 1.8% e bruto prodhimit vendor. Minimalisht do të duhej ta kishim 5%”, thotë Kastrati.

Përveç në FSK, ai thotë se duhet investuar edhe te Policia e Kosovës, e cila aktualisht ka rreth 10.000 pjesëtarë.

“Do të duhej të rritej numri i tyre dhe t’u rritej edhe kalibri i armatimit. Forcat e kufirit duhet të jenë të përgatitura siç janë forcat për ndërhyrje të shpejtë të Polcisë së Kosovës”, sipas Kastratit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke inspektuar pajisjet ushtarake, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe trupa nga SHBA-ja dhe vendet e tjera aleate të NATO-s morën pjesë në një stërvitje ushtarake në Kosovë. Qershor, 2025.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës nuk zbuluan se sa ka shpenzuar Kosova këtë vit për armatim.

Por, në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë në fund të vitit të kaluar, ministri tani në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se, në katër vjet, Kosova ka shpenzuar mbi 269 milionë euro për blerje të armatimit.

E, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Kosova në vitin 2024 ka ndarë rreth 162 milionë dollarë për mbrojtjen, ndërsa Serbia rreth 2.2 miliardë./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë