Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
“Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka “, Berisha: Lista të hapura 100 përqind, të ndajmë shtetin nga partia Ukraina forcon kufirin me Bjellorusinë, vijojnë punimet për zgjerimin e fortifikimeve mbrojtëse Berisha: Çirakët e Ramës përpiqen të mbrojnë farsën! Me zgjedhje të lira, PD është fituese Bundestagu gjerman i shton kompetencat Shërbimit Federal të Inteligjencës Detaje/ Ky është 30-vjeçari që u kap me armë në Tiranë, person me precedentë penal Plas keq mes kreut të FIFA-s dhe UEFA-s, miliarda euro në lojë Stuhia godet Tropojën, pisha gjigante shembet mbi kullën historike në Padesh Kaos në mbarë botën nga rënia e Microsoft, paralizohen komunikimet në banka, gjykata dhe institucione shtet... SPAK merr në pyetje sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave U mbyll vetëm për një ditë, por “çmendi” internetin! Pse njoftimi i Ambasadës së Finlandës u bë viral në mb... Procesi në Gjermani/ Mercenarët pranojnë në gjyq se do rrëmbenin shqiptarin për zhdukjen e drogës: Do merrn... Apeli liron nga arresti shtëpiak Klevi Metajn
POLITIKE

A ka përplasje mes Ramës dhe Ballukut? Çfarë ka ndodhur në Kryeministri? Ja dy versionet që qarkulluan në media

P
Piranjat13 November 2026, 16:01 · 13 min lexim
A ka përplasje mes Ramës dhe Ballukut? Çfarë ka ndodhur

Marrëdhënia mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku është bërë objekt i pretendimeve për një përplasje të mundshme brenda Partisë Socialiste, pak ditë përpara mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të kësaj force politike. Kjo pasi mediat dhe gazetarët kanë publikuar versione të ndryshme për raportin mes tyre, duke ngritur pikëpyetje mbi ekzistencën e një konflikti dhe ndikimin e Ballukut në grupin parlamentar socialist.

Gazetari Basir Çollaku pretendon se mes Ramës dhe Ballukut ka ndodhur një përplasje verbale në Kryeministri gjatë javës së kaluar. Sipas tij, debati ka qenë me tone të larta dhe lidhet me kërkesën e kryeministrit që rreth 20 deputetë socialistë, të cilët kanë probleme me drejtësinë apo me imazhin publik, të largohen vetë nga mandati.

"Duket se numri 1 dhe numri 2 në PS dhe qeveri nuk janë sanksionuar se cili turn është njëri dhe cili tjetri vendimmarrës. Balluku apo Rama?!! Një "përplasje" verbale në Kryeministri mes kryeministrit dhe zëvëndës së tij tashmë të pandehur thuhet se ka ndodhur mesjavën e shkuar. Burime brenda katit të debatit, thonë se tonet kanë qenë fort të larta. Mësohet se Rama ka kërkuar ndikimin e zëvëndeses së tij që rreth 20 deputetë me cene, të vetëlargohen. Të dorëhiqen. Kjo për të sjellë të tjerë edhe anonimë mbase edhe me më pak ose pa ngarkesa penale apo imazhi. Për të përcjellë kështu mesazhin, se po vetëpastrohet partia. Kryesisht në qarqet Fier, Elbasan, Durrës," shkruan Çollaku.

Sipas versionit të publikuar nga Çollaku, Rama ka kërkuar ndërhyrjen e Ballukut për të bindur deputetët të dorëhiqen, me qëllim zëvendësimin e tyre me emra të tjerë dhe përcjelljen e mesazhit se Partia Socialiste po vetëpastrohet. Por, sipas gazetarit, Balluku ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke pretenduar se ka mbështetjen e 44 deputetëve socialistë, ndërsa Rama nuk ka më shumë se 35. Në postimin e tij, Çollaku i atribuon ish-zëvendëskryeministres edhe paralajmërimin se nuk do të largohet e vetme nga skena politike.

"Por Balluku ka reaguar ashpër. Refuzimi i saj ka qenë radikal.. në asnjë mënyrë nuk ka pranuar. Mësohet të ketë thënë se unë kam 44 deputetë, ti nuk ke më shumë se 35 të tillë. Prandaj mos u përpiq se të kthej në kohën e para zgjedhjeve të 2025. Dhe nuk ke se çfarë të më bësh asgjë. Ta kam thënë njëherë. Unë nuk iki vetëm.. Dhe atë që dua do ta marr.. Historia nuk përsëritet," thekson Çollaku.

Një version krejt të ndryshëm sjell gazetari Ardit Rada, i cili e konsideron këtë histori një skenar të ushqyer nga mediat pranë opozitës, në përpjekje për të krijuar perceptimin e një përçarjeje brenda Partisë Socialiste. Rada vë në dyshim pretendimin se Balluku kontrollon 44 deputetë socialistë, duke argumentuar se një fuqi e tillë parlamentare do ta kthente atë në një qendër alternative pushteti brenda partisë. Ai kujton gjithashtu se Balluku ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ramës dhe se kompetencat që ajo ka pasur në qeveri kanë ardhur si rezultat i besimit politik të kryeministrit.

Gazetari rikthen në vëmendje edhe qëndrimin e Ramës ndaj Ballukut pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj, duke argumentuar se raporti mes tyre nuk mund të konsiderohet automatikisht i prishur. Sipas Radës, pretendimet për një përplasje të hapur pushteti nuk shoqërohen me prova konkrete dhe mund të jenë pjesë e një narrative politike që synon të paraqesë një krizë brenda mazhorancës.

"Ka një ëndërr që duket se po ua prish gjumin këto ditë kundërshtarëve të Edi Ramës: që kryeministri të zgjohet një mëngjes dhe të zbulojë se Belinda Balluku i ka marrë partinë peng. Ose, të paktën, një pjesë aq të madhe të saj, sa për t’ia kthyer Asamblenë Kombëtare të socialistëve në një arenë gladiatorësh. Me afrimin e së shtunës, kur Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, mediat pranë opozitës kanë nisur një garë entuziazmi për të paralajmëruar një tërmet politik. Sipas tyre, marrëdhënia mes Ramës dhe Ballukut nuk është thjesht krisur. Ajo qenka shndërruar në një luftë të hapur pushteti, ku ish-zëvendëskryeministrja, e armatosur me një ushtri deputetësh besnikë, nuk pranon më t’i bindet njeriut që e promovoi politikisht. Burimi i këtij skenari që premton të tronditë themelet e mazhorancës? Një status në rrjetet sociale i një gazetari, ish-kandidat për deputet i Sali Berishës. Në ditët pasuese, ekranet janë mbushur me analistë që dinë me ekzaktësi së ç’është thënë në takime kokë më kokë mes Ramës dhe Ballukut. Në ndonjë rast imitojnë edhe tonalitetin e zërit me të cilin kane folur. Ndërkohë që asnjëri prej të dyve nuk duken të afërt me ndonjë prej këtyre analistëve saqë t’u rrëfehen nëse takime të tilla kanë ndodhur. Apo aq më tepër t’u tregojnë edhe se çfarë kanë thënë.

Por kjo është vetëm hyrja e komedisë. Pjesa më interesante e kësaj historie nuk është sherri i supozuar Rama–Balluku. Për të nuk dimë saktësisht se kur ka ndodhur, aq më tepër kur kryeministri e ka kaluar një pjesë të mirë të javës në udhëtime jashtë vendit. Jo. Kryevepra e vërtetë është pretendimi se Belinda Balluku komandon plot 44 deputetë socialistë. Dyzet e katër! Një shifër që, po të ishte e vërtetë, do ta kthente Ballukun jo thjesht në një politikane me ndikim, por në drejtuesen e një partie brenda partisë. Në një qendër alternative pushteti, me një peshë parlamentare që do të sfidonte drejtpërdrejt autoritetin e Edi Ramës. Dhe këtu qëndron paradoksi më zbavitës i gjithë kësaj historie: në përpjekjen për të shpallur fundin politik të Ballukut dhe fillimin e një lufte të brendshme në PS, mediat opozitare po i bëjnë asaj një reklamë politike që vështirë se do t’ia kishte bërë edhe zyra më e zellshme e propagandës. Po e portretizojnë si një lidere me ushtri deputetësh, me strukturë të konsoliduar, me pushtet të pavarur dhe me aftësinë për t’i thënë “jo” kryeministrit. Me pak fjalë, duke dashur ta rrëzojnë, po e shpallin më të fuqishme se kurrë.

Sigurisht, nëse Balluku do të kishte realisht 44 deputetë që i përgjigjeshin asaj dhe jo kryetarit të partisë, kjo nuk do të ishte më një thashethem korridoreve. Do të ishte një zhvillim politik me pasoja serioze për ekuilibrat e pushtetit në Shqipëri. Por problemi i këtij skenari është se ai përplaset me një realitet që e njohin mirë të gjithë ata që kanë ndjekur historinë e Partisë Socialiste gjatë dy dekadave të fundit. Belinda Balluku mund të akuzohet për shumë gjëra, mund të kritikohet për mënyrën si ka ushtruar pushtetin dhe mund të jetë objekt i debatit më të ashpër politik e publik. Por një gjë është e vështirë t’i faturohet: rebelimi ndaj Edi Ramës. Përkundrazi. Në gjithë karrierën e saj politike, Balluku ka qenë ndër bashkëpunëtoret më besnike të kryeministrit. Jo vetëm nuk ka shfaqur ambicie për t’u përballur me të, por ka qenë ndër njerëzit që kanë zbatuar me më shumë përpikëri detyrat dhe përgjegjësitë që ai u ka besuar. Dhe pikërisht kjo marrëdhënie besimi shpjegon edhe fuqinë që Balluku fitoi në qeveri.

Rama i dha asaj një hapësirë kompetencash që rrallëherë e kanë pasur paraardhësit e saj në postin e numrit dy të ekzekutivit. Një përqendrim i tillë përgjegjësish nuk ishte produkt i ndonjë kryengritjeje të brendshme, por rezultat i një vendimi politik të vetë kryeministrit. Madje, edhe kur Balluku u përball me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e saj, Rama mbajti një qëndrim mbrojtës që shumëkush e interpretoi si një përjashtim nga praktika që ai kishte ndjekur me zyrtarë të tjerë socialistë. Ky qëndrim tregoi se raporti politik mes tyre nuk mund të përshkruhej aq lehtë si një marrëdhënie e shkatërruar nga mosbesimi. Atëherë, nga buron gjithë ky pasion për të zbuluar një luftë që askush nuk arrin ta provojë?

Përgjigjja mund të jetë më interesante sesa vetë thashethemi. Në kushtet kur opozita nuk po arrin ta sfidojë politikisht Ramën, duket se ka zgjedhur të shpresojë se këtë punë do t’ia bëjë dikush tjetër. Mundësisht, dikush nga brenda Partisë Socialiste. Dhe meqenëse një përballje e tillë nuk po shfaqet në realitet, ajo mund të ndërtohet në tituj portalesh, në statuse rrjetesh sociale dhe në rrëfime me burime që, për arsye të kuptueshme, mbeten gjithmonë anonime…Por nuk përjashtohet që kjo histori të ketë edhe një dimension tjetër. Zëra të caktuar brenda vetë Partisë Socialiste, të cilët nuk kanë as peshën dhe as guximin për ta sfiduar drejtpërdrejt Ramën në forumet partiake, mund të kenë interes të ushqejnë perceptimin e një përçarjeje mes tij dhe Ballukut. Në fund të fundit, është shumë më e lehtë të organizosh një rebelim në faqet e një portali sesa në sallën e mbledhjeve të grupit parlamentar socialist. Dhe për këtë punë, mediat pranë PD-së ofrojnë terrenin ideal.

Kjo histori tregon më shumë për gjendjen e opozitës sesa për marrëdhënien mes Ramës dhe Ballukut. Një opozitë që nuk arrin të prodhojë një alternativë bindëse, fillon të kërkojë shpëtim te përçarja e kundërshtarit. Dhe kur përçarja nuk duket, përpiqet ta shpikë. Ndërsa lidhjet e shkurtra mes “burimeve konfidenciale” të mazhorancës dhe portaleve opozitare vazhdojnë të prodhojnë spektakël për publikun, fallxhorët mediatikë presin me padurim Asamblenë e së shtunës. Ndoshta këtë herë do të dalë parashikimi. Ndoshta Rama do të humbasë kontrollin e partisë. Ndoshta Balluku do të shfaqet me 44 deputetët e saj dhe do të kërkojë çelësat e selisë rozë. Por deri atëherë, një gjë është e sigurt: Kur nuk ke fuqi ta mundësh kundërshtarin, fillon të ëndërrosh se do të mundet vetë. Dhe kur as ëndrra nuk mjafton, e boton si lajm," shkruan Rada.

Këto pretendime vijnë në prag të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku vëmendja pritet të jetë edhe te zhvillimet e brendshme të kësaj force politike. Deri më tani, postimet e dy gazetarëve paraqesin versione të kundërta për marrëdhënien Rama-Balluku. Nuk ka një konfirmim publik nga Edi Rama apo Belinda Balluku për debatin e pretenduar në Kryeministri dhe as për shifrat e deputetëve të përmendura në këto postime.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

POLITIKE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.