AKTUALITET

Nga Balluku te Veliaj e AKSHI, BIRN: Jo më ‘të paprekshëm’! Rekorde të reja në luftën kundër korrupsionit në 2025!

Piranjat Përditësimi i fundit 29 Dhjetor 2025, 08:57

Nga Balluku te Veliaj e AKSHI, BIRN: Jo më ‘të

Shqipëria përjetoi ngjarje të jashtëzakonshme gjatë vitit që po lëmë pas, përfshirë vendosjen para drejtësisë të dy prej politikanëve më të fuqishëm të vendit në detyrë, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku, duke shënuar rekorde të reja në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Data 10 shkurt e këtij viti nisi si një ditë e zakonshme, me socialistët që përgatiteshin për fushatën zgjedhore të 11 majit dhe opozitën që prezantonte zbulimin e saj të ri, Chris LaCivita, këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, si kartë suksesi për zgjedhjet.

Politikani Erion Veliaj, i cili gjerësisht konceptohej si një trashëgimtar potencial i pushtetit të Edi Ramës, ishte duke bërë atë për të cilën njihej më shumë. Në shumë kanale televizive dhe në faqe të ndryshme të medias sociale, ai u shfaq në “transmetim live” nga një kopsht në Yzberisht, duke kryer një inagurim dhe duke luajtur me fëmijët.

Por ndërsa Veliaj shfaqej në “transmetim live” nga Yzberishti, një numër i vogël gazetarësh të kronikës dinin se në fakt, Veliaj nuk ishte në Yzberisht. Ai gjendej në zyrën e tij, ku oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit i komunikuan urdhërarrestin.

Veliaj u arrestua me akuzat e krijimit të një skeme për mbledhjen e ryshfeteve përkundrejt firmave të tij për leje ndërtimi dhe prokurime publike, “më shumë se një herë”, nga së paku pesë biznesmenë. Arrestimi i tij ishte i pari në harkun e një viti, ku Prokuroria e Posaçme shënoi rekorde të reja në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Viti po mbyllet me dy telashe të tjera madhore për kryeministrin Edi Rama; marrja e pandehur e Belinda Ballukut, politikania e dytë më e fuqishme e vendit, si dhe goditja e një grupi të strukturuar kriminal në krye të manipulimit të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI – një institucion në varësi të kryeministrit që menaxhon infrastrukturën sensitive digjitale të vendit.

Paralelisht me vendosjen përballë drejtësisë të dy prej politikanëve më të fuqishëm të vendit në detyrë, goditje të njëpasnjëshme u shënuan ndaj strukturave të shumta të krimit të organizuar, shpesh të bëra njësh me strukturat e pushtetit politik dhe shtetëror, dhe me luftë, e cila me raste ngjau më shumë si përpëlitje, të pushtetit politik përballë drejtësisë.

Krahas kësaj, vendi përjetoi një rrëshqitje drejt politikës së emocioneve, e cila duket se u përdor si kundërpeshë ndaj tronditjes së një klase politike nga skandalet korruptive.

Gjatë vitit 2025 u shënuan disa përplasje mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë, por më e madhja ndodhi në mesin e dhjetorit, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Prej 16 dhjetorit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të Ballukut po zvarritet pa afat nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa po fiton kohë, kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se shumica socialiste mund ta kundërshtojë kërkesën e SPAK me forcën e kartonëve.

Balluku akuzohet për manipulimin e prokurimeve publike në rendin e qindramiliona eurove. Ajo u akuzua fillimisht se kishte paracaktuar fituesin e tenderit për projektin kontrovers të tunelit të Llogarasë, i cili u ka kushtuar qytetarëve mbi 190 milionë euro, ndërsa procesi i parë i prokurimit, me oferta gati 50 milionë euro më të ulët, ishte anuluar me urdhër të zv/kryeministres.

Gjykata vendosi ta pezullojë nga detyra Ballukun, pasi provat e prokurorëve bënë të ditur përcaktimin e fituesve në projektet e kushtueshme të Unazës së re si dhe për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.

Përgjatë dy javëve që pasuan, sulmet e Ramës ndaj sistemit të drejtësisë u bënë të përditshme dhe përfunduan me një fitore të pjesshme në Gjykatën Kushtetuese, shumica e anëtarëve të së cilës, miratuan kërkesën e tij për ngrirjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” që gjykata kishte caktuar për Ballukun.

Përgjatë ditëve që pasuan, Rama sulmoi drejtësinë çdo ditë ndërsa Gjykata Kushtetuese i dha një fitore të pjesshme, dhe me gjasa, shumë të përkohshme, duke pezulluar masën e gjykatës për pezullim dhe duke kaluar pretendimet e Ramës në seancë gjyqësore të caktuar për në janar.

Fitorja e vogël në Gjykatën Kushtetuese nuk e ndihmoi dot kryeministrin, pasi vetëm pak ditë më vonë, më 16 dhjetor, SPAK kreu një goditje tjetër tronditëse: biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, u shpallën në kërkim, jo thjesht për akuzën tashmë të rëndomtë të manipulimit të prokurimeve publike, por për rrëmbim. Sipas provave të mbledhura nga SPAK, zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili dyshohet se i ka ndihmuar këta të rrëmbejnë një biznesmen tjetër, me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga ankesat për rezultatet e disa tenderave të manipuluar të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Përplasja e mazhorancës ndaj drejtësisë doli gjithashtu në pah në ditët e trazuara që pasuan arrestimin e Veliajt në shkurt të këtij viti.

Mbështetësit e Veliajt, më së shumti, punonjës të bashkisë, rrethuan Gjykatën e Posaçme në mënyrë kërcënuese në ditën kur gjykata shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për masë sigurie. Më vonë u mësua se, kur administrata e gjykatës i pati kërkuar masa mbrojtëse Policisë së Shtetit, kjo e fundit kishte dështuar t’i përgjigjej. Mbështetësit e Veliajt mbajtën qëndrim kërcënues ndaj automjeteve të prokurorisë kur këto dolën nga gjykata pas vendimit për masë sigurie arrest me burg për kryebashkiakun.

Nga qelia e paraburgimit, kryebashkiaku ndërmorri një sulm frontal kundër prokurorisë dhe gjykatës, duke cilësuar prokurorin e çështjes si “lunatik” dhe “pervers”. Sulmet e tij nga qelia nuk e ndihmuan shumë por ai mori edhe një akuzë shtesë për përdorim të paautorizuar të një celulari të marrë nga një roje për të komunikuar me mbështetësit jashtë, në koordinim të fushatës mediatike kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Nga jashtë burgut kryeministri Edi Rama u vu në vijën e parë, përmes shfrytëzimit të asimetrisë së informacionit të siguruar përmes kontrollit pa pyetje të shumicës dërrmuese të medias, për të ngritur pretendime faktualisht të pabaza, nga pretendimi se “Veliaj është arrestuar pa gjyq”, te sugjerimet se SPAK po sillet si “Sigurimi i Shtetit”.

Pakënaqësitë e Ramës ndaj drejtësisë u shpeshtuan gjatë muajve gusht e shtator, ku gjyqtarë dhe prokurorë u shënjestruan me batuta politike dhe individualisht për shkakun se vendimet e tyre nuk i pëlqenin kryeministrit.

Menjëherë pas fitores së zgjedhjeve përmes praktikave “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”, Rama ndërmorri një sulm sistematik kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sugjeruar se këta të fundit janë “armiku”.

Në mënyrë shumë ironike, Rama theksoi gjatë sulmeve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve “të mirën e përbashkët” të cilën supozohej se ai po e mbron ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët, po i kundërvihen.

Gjyqtarët dhe prokurorët iu përgjigjën me ankesa përmes një shoqate që përfaqëson interesat e tyre, ndërsa vëzhguesit vunë re një lloj strategjie mes këtyre sulmeve, me qëllim final, gërryerjen e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë më në përgjithësi.

Lufta kundër korrupsionit nga ana e SPAK ishte gjatë këtij viti në brez të gjerë. Ndërsa vëmendja u përqendrua te “peshqit e mëdhenj” si Veliaj dhe Balluku, një numër i lartë drejtuesish të administratës publike u vunë gjithashtu nën akuza. Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi u morën të pandehur për korrupsion në maj. Meta gjendet në burg që nga tetori i vitit të kaluar.

Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI, u vendos në arrest shtëpie për shkelje të barazisë në tenderë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa Jonaid Myzyri, kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, u mor i pandehur në qershor.

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai u mor i pandehur në shtator, ndërsa në qershor, gjashtë zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar u morën të pandehur për një nga tenderët e Unazës së Madhe. Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi u akuzua nga SPAK se kishte përdorur pushtetin shtetëror për të shantazhuar një votues, mbështetës të opozitës në zgjedhjet e vitit 2023.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla u dënua në shkallë të parë për korrupsion zgjedhor. Vendimi nuk është përfundimtar dhe Memolla vijon të jetë kryetar.

Rrjedhja e vendimit të gjykatës për masën e sigurisë kundër Agasit dërgoi një valë drithërimash te publiku i gjerë, përfshirë mediat proqeveritare, të cilat e patën të vështirë të mos tronditeshin. Sipas asaj që është dokumentuar nga prokurorët, Agasi ka përgjuar veten dhe zyrtarë të ndryshëm socialistë që e kanë vizituar, duke dokumentuar incidentalisht në këtë mënyrë planin e tij për rrëmbimin e një biznesmeni.

Gjuha banale dhe lehtësia me të cilën Agasi i jepte të drejtë vetes të lëshonte kërcënime ndaj zyrtarëve të ndryshëm socialistë, përfshirë Damian Gjiknurin kur ai ishte ministër, tregojnë për ekzistencën e një shteti paralel të drejtuar nga krimi i organizuar. Dosja dokumenton se si dhjetëramiliona euro ikën nga xhepat e taksapaguesve për të kaluar në xhepat e Agasit, i cili krijoi me këto para edhe një koleksion verërash të vlerësuar në 1 milion euro.

Koleksioni i verërave të Agasit si dhe koleksioni i rrobave dhe bizhuterive të Ajola Xoxës, bashkëshorte e Veliajt, janë ajka e korrupsionit sistemik që ka mbërthyer vendin prej vitesh dhe të cilin, SPAK duket se po e godet në nivelet më të larta, goditje që pak vite më parë konsideroheshin të paimagjinueshme./BIRN

Artikuj te sugjeruar

AKTUALITET 29 Dhjetor08:01

Parashikimi i motit për ditën e sotme

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme si pasojë e masave...

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?