BOTA

"Ndihmojnë në sjelljen e njëra-tjetrës!" Analiza: Rilidhja e moralit me ekonominë politike

Benjamin Enke Përditësimi i fundit 24 Maj 2025, 07:39

"Ndihmojnë në sjelljen e njëra-tjetrës!" Analiza:

EUROPA- Ndërthurja e ekonomisë me moralin na ndihmon të kuptojmë rezultatet politike.Për pjesën më të madhe të shekullit XX, disiplinat e psikologjisë morale dhe të ekonomisë shiheshin si shumë të ndryshme. Secila përqendrohej në shqetësime të veçanta dhe kishte pak çështje që mund të quheshin të përbashkëta. Por kjo nuk ishte gjithmonë e vërtetë.

Po të studiojmë filozofë si Adam Smith dhe Karl Marks do të vërejmë se, studimet e ekonomisë politike ishin thellësisht të ndërthurura me çështjet e moralit. Kohët e fundit, këto fusha kanë filluar të lidhen sërish, duke vërtetuar se morali ndikon në sjelljen ekonomike dhe anasjelltas.

Si ekonomist, besoj se kjo ndërthurje midis dy fushave që po bëhet gjithnjë e më e dukshme, na jep mësime të vlefshme, jo vetëm për akademinë, por edhe për politikanët e botës që përballen me sfidat e mëdha të sotme, si pabarazia më e theksuar, ndarjet politike dhe ulja e besimit tek institucionet.

Një nga elementet më themelore që nxit rilidhjen e psikologjisë morale me ekonominë është ideja se morali evoluoi si një mjet funksional nga ana ekonomike, siç vuri në dukje psikologu amerikan Jonathan Haidt, në librin “Mendja e drejtë: Pse njerëzit e mirë ndahen nga politika dhe feja”.

Thënë thjeshtë, morali mendohet se është një mekanizëm nëpërmjet të cilit shoqëritë forcojnë bashkëpunimin, duke mundësuar prodhimin në shkallë të gjerë, shkëmbimin dhe kohezionin shoqëror. Ideja se morali është funksional nga ana ekonomike dhe shoqërore, mbështetet në një konstatim për evolucionin: Ndërsa njerëzit formuan shoqëri gjithnjë e më të ndërlikuara, bashkëpunimi u bë thelbësor për mbijetesën dhe u krijuan sisteme morale për të nxitur sjellje më pro-shoqërore.

Nga këndvështrimi i një ekonomisti, ky interpretim i moralit si një përgjigje ndaj problemeve ekonomike, tregon se morali nuk është i ngurtë, por i ndryshueshëm. Ndërsa mjediset ekonomike ndryshojnë, po ashtu ndryshojnë edhe vlerat morale.

Për shembull, ndërsa tregjet bëhen më globale, kjo mund t’i zhvendosë shoqëritë nga kornizat morale me natyrë më partikulariste, pra ato që i japin përparësi bashkëpunimit midis njerëzve të ngushtë, në vlera më universale, që e vënë theksin mbi drejtësinë dhe barazinë në botën në tërësi. Ekonomistët i kanë marrë këto ide nga psikologjia morale dhe i kanë zgjeruar. Kjo dukuri, e quajtur shpesh “imperializëm ekonomik”, ndodh kur ekonomistët vënë në zbatim mjetet dhe metodologjitë e tyre në shkenca shoqërore, si psikologjia apo antropologjia.

Megjithëse kjo qasje është qortuar herë pas here për shkeljen e disiplinave të tjera, ajo mund të jetë e vlefshme kur kryhet siç duhet. Në vend që të përpiqen të zëvendësojnë psikologjinë morale, ekonomistët kanë vërtetuar me sukses teoritë e saj, si roli funksional i moralit dhe e kanë bërë këtë nëpërmjet punës empirike në shkallë të gjerë.

Në këtë mënyrë, ata kanë kontribuar me njohuri të vlefshme, veçanërisht kur nevojiten prova empirike në mjedise më të gjera. Për të kuptuar se si sistemet morale ndryshojnë me kalimin e kohës në përgjigje të mjediseve ekonomike, mund të marrim disa shembuj kyç. Fillojmë me strukturat e farefisnisë gjatë historisë. Shoqëritë me rrjete të forta dhe të gjera familjare, shpesh mbështeten në bashkëpunimin e ngushtë brenda familjeve, gjë që çon në vlera morale partikulariste.

Këto shoqëri shohin me përparësi besnikërinë ndaj familjes dhe komuniteteve lokale dhe sistemet e tyre morale e pasqyrojnë këtë sjellje. Ndërsa shoqëritë me lidhje farefisnore më të lirshme krijojnë dhe zhvillojnë vlera morale me natyrë universale. Ato gjykojnë me drejtësi si njerëzit e afërm, ashtu edhe të huajt e largët.

Ky dallim midis moralit universal dhe atij partikularist, shpjegon shumë nga ndryshimet kulturore në botë për sa u përket besimeve morale, vlerave dhe emocioneve. Së dyti, ekspozimi ndaj tregjeve luan gjithashtu një rol jetik në formimin e vlerave morale. Në shoqëritë ku janë të zakonshme ndërveprimet tregtare midis të huajve, ka të ngjarë të lulëzojnë vlerat universale, si të qenët i drejtë në marrëdhëniet me njerëzit jashtë rrethit tënd të ngushtë.

Gjithnjë e më shumë studime po tregojnë se shoqëritë që kanë kryer vazhdimisht tregti gjatë historisë kanë nivele më të larta universalizmi. Sa më shumë që njerëzit ndërveprojnë me të huajt në marrëdhënie tregtare, aq më shumë ata zhvillojnë norma morale që nxisin bashkëpunimin.

Së fundmi, edhe ekologjia, mjedisi natyror ku janë ngulitur shoqëritë, mund të ndikojë në moral. Në vendet ku bashkëpunimi i ngushtë me fqinjët ishte i nevojshëm për mbijetesë, si për shembull, në rajonet me tokë homogjene dhe pjellore, shpesh zhvillohen vlera partikulariste. Këto vlera nxisin lidhjet e ngushta të komunitetit, të cilat ishin thelbësore për rendimentin bujqësor.

Anasjelltas, rajonet me kushte ekologjike më të ndryshueshme, mund të kenë nxitur vlera universale, sepse bashkëpunimi me fqinjët e afërt ishte më pak i rëndësishëm për prodhimin ekonomik, siç vërehet nga ekonomisti izraelit Itzchak Tzachi Raz. Ndikimi i moralit në sjelljen ekonomike, shkon në dy drejtime: Kushtet ekonomike formojnë vlerat morale, por ato vlera, nga ana tjetër, formojnë pasojat politike dhe ekonomike.

Në klimën e sotme politike, tejet të përçarë, dallimet morale shpesh nxisin edhe ndarjet mbi politikën ekonomike. Për shembull, dallimi midis vlerave universale dhe partikulariste ndihmon për të shpjeguar pse grupe të ndryshme kanë pikëpamje të kundërta për çështje si taksat, rishpërndarja, emigracioni, ndryshimet klimatike, globalizimi dhe ndihma e huaj.

Shumë politika të krahut të majtë politik, në përgjithësi kanë një natyrë universale. Individët me vlera universale, të cilët besojnë në drejtësi dhe barazi për të gjithë, kanë më shumë gjasa të mbështesin politikat rishpërndarëse që synojnë uljen e pabarazisë së të ardhurave, duke përfshirë edhe për shtetet e tjera.

Gjithashtu ata mbështesin politika “globaliste” si ndihma e huaj, globalizimi dhe parandalimi i ndryshimeve klimatike. Ndërsa njerëzit me pikëpamje partikulariste, të cilët kanë si përparësi besnikërinë ndaj grupit të tyre, shpesh i kundërshtojnë politika të tilla, nga frika se rishpërndarja e burimeve për të ndihmuar të huajt, mund të jetë në kurriz të komunitetit të tyre, ose se emigracioni mund të dëmtojë mundësitë e komunitetit vendas për të gjetur një punë.

Kjo ndarje morale nxit ndarjet politike dhe ndërlikon përpjekjet për të arritur në marrëveshje mbi politikat ekonomike. Një nga studimet e mia mbi prirjet e votimit në SHBA tregon se vlerat morale të votuesve përputhen ngushtë me deklaratat dhe politikat e kandidatëve politikë. Dëshmitë e fundit që kam mbledhur së bashku me Raymond Fisman, Luis Mota Freitas dhe Steven Sun, e forcojnë më tej këtë përfundim.

Ne i kemi matur vlerat e përbotshme, duke gjurmuar dhurimet e parave. Pra një rreth i SHBA-së, quhet më universal, atëherë kur një pjesë më e madhe e dhurimeve nga ky rreth shkon për zona më të largëta gjeografike. Prandaj, mund të thuhet se rrethet universale japin më shumë para për vendet më të largëta, por më pak për komunitetin lokal.

Ne dokumentojmë se zonat me prirje universale zakonisht votojnë më shumë për kandidatët demokratë dhe zgjedhin përfaqësues që përdorin gjuhën morale universale në fjalimet e tyre. Ata mbështesin në përgjithësi krahun e majtë politik, gjë që tregon se vlerat morale u japin formë, si rezultateve zgjedhore ashtu edhe veprimeve legjislative. Historikisht, ekonomistët kanë ngurruar të përfshihen në çështjet morale, duke parapëlqyer t’u përmbahen analizave empirike të mbështetura në të dhëna.

Megjithatë, besoj se ekonomistët do të përfitonin po të përfshiheshin më thellë në psikologjinë morale, ashtu siç edhe psikologët mund të përfitojnë duke përfshirë të dhënat ekonomike në punën e tyre. Çdo disiplinë sjell pikat e veta të forta në tryezë: ekonomistët shkëlqejnë në menaxhimin dhe analizimin e të dhënave në shkallë të gjerë, ndërsa psikologët janë të aftë të kuptojnë proceset e ndërlikuara të vendimmarrjes individuale dhe arsyetimit moral.

Kjo qasje ndërdisiplinore mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë dhe më thellë dukuritë e ndërlikuara shoqërore dhe politike. Marrim për shembull çështjen e rishpërndarjes. Hulumtimi psikologjik mund të hedhë dritë mbi arsyen pse njerëzit kanë besime të caktuara morale për drejtësinë dhe barazinë. Të dhënat ekonomike mund të zbulojnë se si këto besime reflektohen në zgjedhjen e votimit dhe pikëpamjet politike. Duke i ndërthurur këto dy qasje, ne mund të krijojmë një ide më të qartë se si vlerat morale ndikojnë në sjelljen dhe rezultatet ekonomike.

Çfarë do të thotë kjo për politikanët? Mbi të gjitha, ajo tregon se politikat ekonomike nuk mund të shpërfillin anën morale. Politikanët duhet të pranojnë se pikëpamjet ekonomike të njerëzve shpesh formohen nga besimet e tyre morale, të cilat ndryshojnë sipas grupeve të ndryshme. Kështu, politikat që përputhen me vlerat morale të një grupi, mund të kundërshtohen fuqishëm nga një grup tjetër me vlera të ndryshme morale.

Kuptimi i këtyre ndarjeve morale mund t’i ndihmojë politikanët që të krijojnë politika më efektive dhe të drejta. Për shembull, politikat rishpërndarëse që mbështeten në vlerat universale, mund të jenë më të suksesshme nëse përshtaten në mënyra që u pëlqejnë edhe individëve me pikëpamje partikulariste, duke vënë në dukje edhe përfitimet për komunitetet lokale.

Përveç kësaj, njohja e rolit të moralit në sjelljen ekonomike mund t’i ndihmojë politikanët të parashikojnë dhe të ndreqin mosmarrëveshjet politike. Kjo mund të jetë jetike për të kapërcyer ndarjet morale që nuk na lejojnë të pajtohemi mes nesh./ Monitor

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë