BOTA

Nënpresidenti Vance kritikon përpjekjet evropiane për rregulla të tepruara ndaj inteligjencës artificiale

E.D Përditësimi i fundit 11 Shkurt 2025, 17:37

Nënpresidenti Vance kritikon përpjekjet evropiane për rregulla

PARIS- Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance paralajmëroi të martën udhëheqësit botërorë dhe drejtuesit e sektorit të teknologjisë se “rregullat e tepruara” mund të dëmtojnë industrinë e inteligjencës artificiale, që po rritet me shpejtësi. Kjo shihet si një kritikë ndaj përpjekjeve evropiane për të ulur rreziqet nga inteligjenca artificiale.

Fjalimi i tij nxori në pah edhe qëndrimet e kundërta në lidhje me inteligjencën artificiale. Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e administratës së re të Presidentit Donald Trump, mbështet një përqasje më liberale për të ushqyer novacionin, ndërkohë që Evropa po i shtrëngon edhe më tej rregullat e saj të rrepta, për të patur llogaridhënie dhe siguri. Ndërkohë, Kina po zgjeron me shpejtësi sektorin e inteligjencës artificiale nëpërmjet kompanive gjigande të mbështetura nga shteti dhe synon të dominojë garën globale.

Ra në sy mungesa e Shteteve të Bashkuara ndër 60 vendet që firmosën një deklaratë, ku u zotuan “për të nxitur qasjen tek inteligjenca artificiale me qëllim zvogëlimin e hendekut dixhital” dhe “për t’u siguruar që inteligjenca artificiale të jetë e hapur, gjithëpërfshirëse, transparente, etike, e sigurtë dhe e besueshme”.

Marrëveshja bëri gjithashtu thirrje që “inteligjenca artificiale të jetë e qëndrueshme për njerëzit dhe planetin” dhe për të mbrojtur “të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, shumëllojshmërinë gjuhësore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe të drejtat e pronësisë intelektuale”.

Mesazhi i Nënpresidentit Vance

Në takimin e nivelit të lartë, Nënpresidenti Vance mbajti fjalimin e tij të parë të rëndësishëm për politikat, që nga marrja e detyrës muajin e kaluar, duke e përkufizuar inteligjencën artificiale si një pikë kthese, por duke paralajmëruar se “në këtë moment, përballemi me perspektivën e jashtëzakonshme për një revolucion të ri industrial, të ngjashëm me shpikjen e motorit me avull”.

“Por, nuk kjo nuk do të ndodhë kurrë nëse rregullat e tepruara i dekurajojnë novatorët që të mos ndërmarrin rreziqet e nevojshme për të arritur përparim”, tha Nënpresidenti Vance.

Nënpresidenti 40-vjeçar amerikan po shfrytëzon pjesëmarrjen në takimin e nivelit të lartë për inteligjencën artificiale dhe në konferencën e sigurisë në Mynih në vazhdim të kësaj jave, për të projektuar stilin e ri të diplomacisë dinamike të Presidentit Trump.

Administrata e Presidentit Trump do të “sigurohet që sistemet e inteligjencës artificiale të prodhuara në Amerikë nuk do të kenë anshmëri ideologjike”, tha Nënpresidenti Vance dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara “nuk do të kufizonin kurrë lirinë e shprehjes së qytetarëve tanë”.

Nënpresidenti Vance kritikoi qeveritë e vendeve të tjera për “shtrëngimin e parametrave” për kompanitë amerikane të teknologjisë, duke thënë se lëvizje të tilla ishin shqetësuese. Komentet e tij vunë në dukje ndasinë në rritje mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë në lidhje me rregullat që mund të vendosen për inteligjencën artificiale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi se “inteligjenca artificiale ka nevojë për besimin e njerëzve dhe duhet të jetë e sigurt”, dhe se udhëzimet e detajuara të BE-së synojnë të përcaktojnë një standard brenda unionit për inteligjencën artificiale. Ajo pranoi sidoqoftë shqetësimet për mundësinë e rregullave të tepruara.

“Në të njëjtën kohë, e di se duhet ta bëjmë më të lehtë, të pakësojmë burokracinë dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha zonja von der Leyen.

Ajo gjithashtu njoftoi se iniciativa “InvestAI” ka arritur në një total investimesh prej 200 miliardë eurosh në mbarë Evropën, përfshirë 20 miliardë euro për sektorin e prodhimit të inteligjencës artificiale.

Gara për dominimin e inteligjencës artificiale

Takimi i nivelit të lartë nxori në pah strategji rivale për inteligjencën artificiale në skenën globale – Evropa kërkon vendosje rregullash dhe bërje investimesh; Kina po e zgjeron inteligjencën artificiale nëpërmjet kompanive gjigande të mbështetura nga shteti; dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një përqasje të tregut të lirë pa kuadër rregullator.

Presidenti francez Emmanuel Macron e pozicionoi Evropën si një “alternativë e tretë” në garën e inteligjencës artificiale, një alternativë që shmang varësinë nga fuqitë kryesore, si Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

“Dëshirojmë një qasje të drejtë dhe të hapur për këto novacione për të gjithë planetin”, tha ai në fjalimin e tij përmbyllës, duke argumentuar se sektorit të inteligjencës artificiale “i nevojiten rregulla” në përmasa globale për të krijuar besimin e publikut dhe bëri thirrje për “qeverisje ndërkombëtare” më të madhe.

Zoti Macron përshëndeti njoftimet rishtazi për investime të reja në Francë dhe në mbarë Evropën, që nxjerrin në pah ambiciet e kontinentit për inteligjencën artificiale. “Jemi pjesë e garës”, tha ai.

Zëvendëskryeministri kinez Zhang Guoqing, i dërguari i posaçëm i Presidentit kinez Xi Jinping, përforcoi objektivin e Pekinit për të përcaktuar standardin global për inteligjencën artificiale.

Nënpresidenti Vance ka kritikuar haptazi politikat evropiane për moderimin e përmbajtjes dhe ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë angazhimin në NATO, ndërkohë që qeveritë evropiane i vendosin kufizime platformës së medias sociale X, në pronësi të Elon Musk-ut. Gjatë vizitës së Nënpresidentit Vance në Paris pritej të kishte edhe diskutime të drejtpërdrejta në lidhje me Ukrainën, rolin e inteligjencës artificiale në ndryshimin e strukturës së fuqisë globale, si dhe tensionet SHBA – Kinë.

Si mund të qeveriset sektori i inteligjencës artificiale?

Shqetësimi për rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale ka mbizotëruar gjatë takimit të nivelit të lartë, në veçanti pasi vendet përpiqen të hartojnë rregulla për një teknologji që po ndërthuret gjithnjë e më shumë me sektorin e mbrojtjes dhe me operacionet luftarake.

“Mendoj se një ditë do të na duhet të gjejmë mënyrat për ta kontrolluar inteligjencën artificiale, ose në të kundërt do të humbasim kontrollin mbi gjithçka”, tha admirali Pierre Vandier, komandant i NATO-s i ngarkuar me mbikëqyrjen e përpjekjeve për modernizimin e aleancës.

Përtej tensioneve diplomatike, po përgatitet nisma “Current AI”, një partneritet global ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, që synon të mbështesë iniciativat në shkallë të gjerë të inteligjencës artificiale që i shërbejnë publikut.

Analistët e shikojnë këtë si një mundësi për të balancuar dominimin e kompanive private në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Mbetet sidoqoftë e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin përpjekje të tilla.

Paralelisht, po zhvillohet një betejë e rëndësishme edhe në sektorin privat në lidhje me inteligjencën artificiale.

Një grup investitorësh, të udhëhequr nga zoti Musk, i cili tashmë drejton Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë, kanë paraqitur një ofertë prej 97.4 miliardë dollarësh për të blerë organizatën që zotëron kompaninë OpenAI. Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë OpenAI, Sam Altaman, gjithashtu pjesëmarrës në takimin e nivelit të lartë në Paris, e refuzoi me shpejtësi ofertën në rrjetin X.

Në Pekin, zyrtarët dënuan të hënën përpjekjet perëndimore për të kufizuar qasjen tek mjetet e inteligjencës artificiale, ndërsa në Kongresin amerikan janë shtuar thirrjet për të kufizuar përdorimin e programit të ri të kompanisë kineze DeepSeek, për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Kina mbështet inteligjencën artificiale me burim të hapur, duke thënë se qasja e hapur tek inteligjenca artificiale do të krijojë përfitime në rang global.

Franca, vendi organizator i takimit të nivelit të lartë, shpreson se do të nxisë investimet në sektorin e inteligjencës artificiale në Evropë, duke e pozicionuar rajonin si një pjesëmarrës të rëndësishëm në konkurrimin për këtë industri ku kryesojnë Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Duke folur për nevojat për energji të inteligjencës artificiale, Presidenti francez Emmanuel Macron vuri në dukje dallimin mes përqasjes së Francës për energji bërthamore dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara tek burimet fosile të energjisë.

Turi diplomatik i Nënpresidentit Vance do të vazhdojë në Gjermani, ku ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Mynihut dhe t’u kërkojë aleatëve evropianë të rrisin kontributin e tyre në NATO dhe për Ukrainën. Ai mund të ketë një takim edhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Diskutimi rreth Ukrainës dhe Lindjes së Mesme me Presidentin francez Macron

Nënpresidenti Vance do të diskutojë për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme gjatë një dreke pune me zotin Macron.

Ashtu si Presidenti Trump, edhe Nënpresidenti Vance ka vënë në pikëpyetje ndihmën amerikane për Kievin dhe strategjinë më të gjerë të Perëndimit në lidhje me Rusinë. Presidenti Trump është zotuar t’i japë fund luftës në Ukrainë brenda gjashtë muajve nga marrja e detyrës.

Nënpresidenti Vance pritej gjithashtu të takohej me Kryeministrin indian Narendra Modi dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen./VOA

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë