Protesta në Francë përshkallëzohet, pas ndërhyrjes së fortë të policisë ndaj një nxënësi

Reagime të forta janë shkaktuar në Francë pas një incidenti të ndodhur të hënën në mëngjes jashtë liceut profesional Château d’Épluches, në Saint-Ouen-l’Aumône, ku një polic përdori granatëhedhësin “Cougar” ndaj një nxënësi gjatë protestave të zhvilluara pranë shkollës.
Në pamjet e publikuara, nxënësi shihet duke goditur një efektiv, ndërsa më pas një tjetër polic ndërhyn dhe përdor armën, duke e goditur të riun në fytyrë.
Nëna e nxënësit deklaroi për Le Parisien se djali i saj ka pësuar dëmtime të rënda në gojë dhe në dhëmbë. Ajo tha se planifikon të bëjë kallëzim për ngjarjen. Incidenti ndodhi në kuadër të protestave të nxënësve në disa shkolla të rajonit Île-de-France, të cilët kërkonin ndryshime lidhur me oraret, praktikat profesionale të papaguara dhe pajisjet e vjetruara.
“Goja i është shqyer. Të gjithë dhëmbët e sipërm i janë thyer, si një hark. Ende nuk e dimë se çfarë ka mbetur nga dhëmbët e poshtëm”, tha nëna e tij , sipas Le Parisien.
Sipas dëshmive të mësuesve, situata fillimisht ishte e qetë, por më pas u përshkallëzua. Disa nxënës dolën sërish nga shkolla dhe një shishe u hodh mbi çatinë e një automjeti policie. Efektivët reaguan duke përdorur, ndër të tjera, gaz lotsjellës. Një tjetër mësues kritikoi menaxhimin e situatës nga policia dhe pretendoi se nuk pati përpjekje të mjaftueshme për qetësimin e turmës.
Për ngjarjen kanë nisur dy hetime. Njëri prej tyre po kryhet nga IGPN, Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare, për të përcaktuar rrethanat në të cilat polici përdori armën.
Ndërkohë, prokuroria lokale ka dhënë një version tjetër për momentet para incidentit, duke thënë se, sipas gjetjeve paraprake dhe pamjeve filmike, nxënësi iu afrua një oficereje policie dhe e goditi atë. Ajo më pas dyshohet se e shtyu, duke e rrëzuar në tokë.
Sipas këtij versioni të prokurorisë, në atë moment një polic tjetër përdori granatëhedhësin “Cougar” dhe e goditi nxënësin në fytyrë. Hetimi i dytë, i zhvilluar nga komisariati i Cergy-së, lidhet me dyshimet për akte dhune ndaj një personi që ushtron autoritet publik. Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë e palëve.
Lexo edhe
BOTA
Rusët rindërtojnë fshehurazi bunkerin e “Dorës së Vdekur”: Çfarë është baza për sulme bërthamore të “Ditës së Gjykimit”?...

Përmbytje masive në Indi dhe Nepal, dhjetëra viktima dhe mijëra banorë në rrezik

Skenar si nëpër filma, zhduken 39 kg kokainë në një sallë gjyqi në Fixhi! Ishte zëvendësuar me miell

Kremlini: Rusia dëshiron që Irani të mbetet pjesë e traktatit bërthamor

Argjentina kërcënon Britaninë me padi ndërkombëtare për naftën në Ishujt Falkland





