KOSOVA

Nga elektronika tek ushqimi, Kosova shpenzoi gati 900 milionë euro për mall kinez

Piranjat Përditësimi i fundit 17 Dhjetor 2025, 08:51

Nga elektronika tek ushqimi, Kosova shpenzoi gati 900 milionë euro për

Kosova shpenzon mbi dy milionë euro brenda një dite për mallra të importuara nga Kina – nga lodrat dhe pajisjet elektro-shtëpiake deri te produktet ushqimore dhe ato bujqësore.

Të dhënat flasin për një prani gjithnjë e më të madhe të këtyre mallrave në tregun kosovar.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vlera e importit nga Kina është rritur nga 452 milionë euro në vitin 2021 në 841 milionë euro në 11 muajt e parë të vitit 2025.

Kjo shumë tashmë ka tejkaluar vlerën e importeve nga vendet anëtare të CEFTA-s – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Moldavia – të cilat tradicionalisht kanë qenë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës në rajon.

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës drejt Kinës mbeten pothuajse simbolike: më pak se një milion euro në vit – çka e thellon ndjeshëm deficitin tregtar dhe e vendos raportin ekonomik mes dy vendeve në një pabarazi të theksuar.

Tregti pa diplomaci
Përkundër këtyre shkëmbimeve tregtare, Prishtina dhe Pekini nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe vazhdon të mbështesë “integritetin territorial të Serbisë”, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e konsideron pjesë të territorit të saj.

Për rrjedhojë, Kina nuk ka ambasadë në Kosovë, por vetëm një zyrë ndërlidhëse që funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.

Pse Kina është kaq e pranishme në tregun kosovar?
Gazmend Qorraj, ligjërues i Tregtisë Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimi i ulët i produkteve kineze është faktori kryesor që i bën ato tërheqëse për tregun e Kosovës.

E, kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me fuqinë e ulët blerëse të qytetarëve, sipas tij.

Qorraj shpjegon se bizneset veprojnë kryesisht të udhëhequra nga logjika e fitimit, pa marrë domosdoshmërisht parasysh implikimet makroekonomike apo strategjike.

“Tregtarët investojnë aty ku shohin potencialin më të madh për fitim, pavarësisht nga origjina e mallrave apo produkteve”, shton ai.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa kompani që importojnë mallra nga Kina, por shumë pak pranuan të flisnin publikisht.

Ramiz Kelmendi udhëheq kompaninë “Elkos Group”, e cila ofron një gamë të gjerë produktesh – nga ushqimet deri te tekstili.

Ai thotë se kjo kompani importon mallra nga Kina në vlerë mbi 12 milionë euro në vit. Megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten burimet kryesore të importeve.

“Po, çmimi është më i lirë”, thotë Kelmendi, duke shtuar se mungesa e industrisë vendore në sektorë si tekstili dhe elektroteknika, e detyron Kosovën të importojë aty ku produktet janë më të përballueshme.

Vetëm vitin e kaluar, Kosova importoi nga Kina mbi 14.4 milionë euro pajisje elektronike, si: kamera digjitale, televizorë dhe antena, si dhe mbi 13 milionë euro telefona të mençur dhe aparate të tjera telefonike.

Ushqimi nga Kina – shqetësim ekonomik dhe shëndetësor
Megjithatë, ajo që e shqetëson më së shumti profesorin Qorraj është fakti se të dhënat doganore tregojnë se nga Kina po importohen edhe produkte ushqimore dhe bujqësore.

“Është veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për produktet bujqësore, sepse ato lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e shëndetit publik”, thotë ai.

Nga ana ekonomike, Qorraj thekson se importet e tilla dëmtojnë konkurrencën lokale dhe dekurajojnë prodhuesit vendorë, mallrat e të cilëve shpesh janë më të shtrenjta, për shkak të kostove më të larta të prodhimit.

Kelmendi e sheh këtë situatë si mungesë të një politike të qartë ekonomike.

“Kosova nuk prodhon banane apo ananas, por hudhër po. Qeveria duhet ta stimulojë prodhimin vendor që çmimet të jenë konkurruese”, thotë ai, duke shtuar se importet nga Kina janë jo vetëm të panevojshme, por edhe joefikase, pasi një dërgesë mund të zgjasë deri në 120 ditë.

Qorraj, gjithashtu, sugjeron masa stimuluese dhe mbrojtëse për prodhuesit vendas, si dhe orientim më të madh drejt tregut të Bashkimit Evropian dhe tregjeve ku Kosova ka qasje preferenciale.

Kina në Ballkanin Perëndimor – ndikim i pabarabartë
Një raport i publikuar në shtator nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me titull: “Gjurma e Heshtur e Kinës: Hartëzimi i ndikimit kinez në politikën lokale dhe peizazhin ekonomik në Kosovë”, thekson se prania ekonomike e Kinës në Ballkanin Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Sipas këtij raporti, rritja e importeve nga Kina është duke krijuar varësi tregtare, përkundër eksporteve minimale, ndërsa angazhimi i bizneseve shpesh udhëhiqet nga fitimi afatshkurtër, me vetëdije të kufizuar për pasojat afatgjate politike dhe të sigurisë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me rritjen e importeve nga Kina apo mundësinë e masave mbrojtëse për prodhuesit vendorë.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti – tani në detyrë – ka deklaruar më herët se, pavarësisht importeve nga Kina, vendet e Bashkimit Evropian mbeten partnerët kyç tregtarë të Kosovës.

Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës ka refuzuar ofertën për vaksina kineze kundër sëmundjes COVID-19, duke sinjalizuar qartë atëkohë orientimin politik dhe strategjik drejt Perëndimit.

Kina në kontekstin global
Perceptimi i Kinës në botë ka dy dimensione: nga njëra anë, ajo shihet si një superfuqi ekonomike që mund të ofrojë mallra me çmime të ulëta, financime dhe investime infrastrukturore, e, nga ana tjetër, shumë shtete e vlerësojnë me rezerva, për shkak të ndikimit të saj politik dhe rivalitetit gjeopolitik me Perëndimin.

Rritja e tregtisë me Kinën shpesh shihet si një mundësi ekonomike afatshkurtër, por që mund të krijojë varësi dhe rreziqe strategjike në një perspektivë afatgjatë.

Në këtë kontekst, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndërmarrë një qëndrim më të ashpër ndaj Pekinit, duke e trajtuar atë si rival strategjik dhe ekonomik të SHBA-së, përmes politikave proteksioniste, tarifave tregtare dhe kufizimeve teknologjike.

Serbia si “poligon” i ndikimit kinez
Xhelal Neziri, analist në Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) në Maqedoninë e Veriut, thotë se ndryshe nga Kosova dhe Shqipëria, Serbia shërben si “poligon” për shtrirjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Kinës në rajon.

Sipas tij, në Kosovë ndikimi kinez mbetet kryesisht tregtar – pa peshë të theksuar politike apo strategjike.

“Kosova, ashtu si edhe Shqipëria, është e rreshtuar plotësisht me politikat e Perëndimit, konkretisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, thotë Neziri.

Ndërkaq, në vende të tjera të rajonit – Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut – Kina ka financuar projekte të mëdha infrastrukturore përmes kredive, duke rritur ndikimin ekonomik dhe, në disa raste, politik.

Sipas një analize të Qendrës për Forenzikë Digjitale (DFC) nga Podgorica, Kina ishte investitori i dytë më i madh në Serbi në gjysmën e parë të vitit 2024, pas BE-së.

Në Mal të Zi, roli i saj si kreditor dhe kontraktues është i dukshëm, siç tregon edhe kredia prej rreth 900 milionë dollarësh nga banka kineze, Exim, për ndërtimin e një autostrade në fillim të viteve 2020.

Në Bosnje e Hercegovinë, ndikimi kinez është më i dukshëm në entitetin Republika Sërpska, përmes tregtisë, arsimit, mediave dhe diplomacisë, ku bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor shpesh ka përmbajtje gjithnjë e më të theksuar politike.

Në Maqedoninë e Veriut, borxhi ndaj Kinës arrin në 479 milionë dollarë, ose 8.7 për qind të borxhit të jashtëm.

Në kontrast, Kosova nuk ka borxh ndaj Kinës dhe as investime të drejtpërdrejta kineze.

Vitin e kaluar, investimet e huaja direkte në Kosovë arritën në 847 milionë euro, por asnjë prej tyre nuk ishte me origjinë kineze.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë informacion nëse në Kosovë janë të regjistruara kompani ose organizata joqeveritare me origjinë kineze./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?