KOSOVA

Rrëzuan Vuçiçin dhe fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi, analiza: Çfarë qëndrimi ka Lista Studentore ndaj Kosovës?

Piranjat Përditësimi i fundit 26 Tetor 2026, 08:12

Rrëzuan Vuçiçin dhe fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme

Aleksandar Vuçiq e pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke thënë se pret që Lista Studentore të sigurojë shumicën në parlamentin e ri.

Sipas vlerësimeve paraprake të CRTA-s, Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave, kundrejt 40,42 për qind për listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”. Këto nuk janë rezultate përfundimtare zyrtare.

Lista Studentore doli nga lëvizja e protestave studentore kundër korrupsionit, të nisura pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ajo nuk ka një udhëheqës të vetëm: studentët organizohen përmes plenumeve, ku vendimet merren kolektivisht, ndërsa për zgjedhjet mbështetën një listë kandidatësh nga fusha të ndryshme profesionale dhe shoqërore.

Por, çfarë planifikon Lista Studentore për Kosovën?

Gjatë fushatës, kandidatët e Listës Studentore u shprehën për rishqyrtimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, rikthimin e çështjes së statusit të saj në Kombet e Bashkuara dhe marrjen e vendimeve vetëm pas konsultimeve me serbët e Kosovës.

Mbetet të shihet nëse do t’u qëndrojnë këtyre qëndrimeve edhe pas zgjedhjeve.

Në qëndrimet publike në Serbi, të cilat Radio Evropa e Lirë i analizoi para zgjedhjeve të së dielës, qëndrimi i përbashkët i kësaj lëvizjeje politike, të dalë nga protestat studentore kundër korrupsionit, është: “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, siç shkruan në Kushtetutën e vendit”.

Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje mbanin simbolikisht me vete Kushtetutën e Serbisë gjatë fushatës, me mesazhin se do ta mbronin dhe se do të vepronin vetëm në përputhje me të.

Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillohen që nga viti 2011. Në këtë kuadër janë arritur dhjetëra marrëveshje, për të cilat shumë analistë politikë thonë se përbëjnë njohje “de facto” të pavarësisë së Kosovës.

Një nga marrëveshjet e fundit, të pranuara në nivel politik nga Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, është Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur edhe si Marrëveshja Bazë, e dakorduar më 27 shkurt 2023 në Bruksel, pas propozimit franko-gjerman. Ajo parashikon respektimin e integritetit territorial dhe zotimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Aneksi për zbatimin e saj u dakordua më 18 mars 2023 në Ohër dhe njihet si Aneksi i Ohrit.

Kosova, nga ana tjetër, pranoi detyrimin që t’u sigurojë serbëve të Kosovës një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Çfarë tani?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kushtëzon vazhdimin e dialogut në nivel të lartë politik me ekstradimin nga Serbia të Millan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.

Lista Studentore, e cila mund të përcaktojë politikën shtetërore të Serbisë gjatë katër vjetëve të ardhshëm, deri më tani nuk ka shprehur qëndrim të qartë për këtë çështje.

Kritikat janë drejtuar kryesisht ndaj Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, të formuar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të Aleksandar Vuçiqit. Deri në sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq ishte nënkryetar i kësaj partie.

Megjithatë, largimi i Vuçiqit nga pushteti dhe ardhja në pushtet e Listës Studentore mund të sjellin ndryshime në mënyrën se si Beogradi ushtron ndikim politik te serbët e Kosovës, veçanërisht përmes Listës Serbe. Ndikimi i Serbisë, megjithatë, shkon përtej saj: për mijëra serbë të Kosovës, institucionet e financuara nga Beogradi janë burim vendesh pune, pagash, pensionesh dhe ndihmash sociale. Arsimi dhe shëndetësia vazhdojnë të funksionojnë me financim nga Serbia dhe të punësojnë mijëra pjesëtarë të komunitetit serb.
Në Listën Studentore ishin edhe katër përfaqësues të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon në sistemin e Serbisë. Mes tyre ishte edhe docenti i Fakultetit të Mjekësisë, Jugosllav Gashiq,
i cili ka folur për gazetën beogradase “Danas” për integrimin e mundshëm të institucioneve arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë në sistemin e Serbisë në zonat e banuara me serbë në Kosovë.

“Nëse ai [integrimi] është vetëm regjistrim në të ashtuquajturin sistem të Kosovës, për mua është i pranueshëm, por integrimi si kosovarizim është absolutisht i papranueshëm”, tha ai.

Kosova e ngriti këtë çështje në shtator të vitit të kaluar, me arsyetimin se sistemi i dyfishtë është i paqëndrueshëm, ndërsa bashkësia ndërkombëtare këmbëngul që integrimi eventual duhet të zhvillohet në konsultim me komunitetin serb. Bashkësia ndërkombëtare i ka kritikuar edhe më herët veprimet e Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë, pa siguruar mënyra alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Marko Savkoviq vlerëson se infrastruktura politike e ndërtuar gjatë pushtetit të Vuçiqit do të vihej në pikëpyetje me largimin e tij.

“Ajo infrastrukturë do të përballej me kriza që do ta kishte shumë të vështirë t’i kapërcente: kriza financimi, kriza udhëheqjeje dhe kriza identiteti”, kishte thënë Savkoviq, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Beograd, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë në fillim të tetorit.
Kjo nuk nënkupton ndërprerjen e mbështetjes së Serbisë për serbët e Kosovës, por ngre pyetjen se në çfarë forme do të vazhdonte ajo dhe sa do të mbetej e lidhur me kontrollin politik nga Beogradi.

Për Sonja Biserkon nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ndryshimi i pushtetit mund të krijojë hapësirë për një qasje tjetër.

“Për serbët e Kosovës do të ishte e rëndësishme që një pushtet i ri në Serbi të kishte një qasje realiste ndaj tyre, t’i ndihmonte ta forconin pozitën e tyre në Kosovë dhe t’i orientonte drejt dialogut me Prishtinën. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta”, kishte thënë Biserko për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Ndërkaq, në një debat në transmetuesin publik të Serbisë, Jugosllav Gashiq tha se nëse Lista Studentore vjen në pushtet, do të këmbëngulë që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën t’i nënshtrohen procedurës parlamentare dhe shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, me mundësinë e rishikimit të tyre.

Për momentin nuk është e qartë nëse kjo do të nënkuptonte përpjekje për kundërshtimin juridik të detyrimeve të marra më herët, rishikimin e tyre politik apo ndryshimin e mënyrës se si Beogradi i zbaton ato.

Politologët që ndjekin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Ognjen Gogiq dhe Aleksandar Shljuka, kanë vlerësuar më herët për REL-in se autoritetet e ardhshme në Serbi nuk do të mund të tërhiqen nga dialogu, sepse një veprim i tillë do të rrezikonte marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Në mesin e vitit, në njërin prej tubimeve, Lista Studentore publikoi edhe Memorandumin për Kosovën, në të cilin Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme dhe përbërëse e Republikës së Serbisë”.

Një pjesë e opinionit publik në Serbi e kritikoi tekstin e memorandumit, duke vlerësuar se me politika nacionaliste nuk mund të mposhtet Partia Përparimtare Serbe. Memorandumi për Kosovën përmban katër pika.

Në njërën prej tyre thuhet se çështja e Kosovës “nuk mund të zgjidhet në izolim, por vetëm brenda zhvillimeve komplekse të bashkësisë ndërkombëtare” dhe se autoritetet në Serbi duhet “të bashkëpunojnë në mënyrë aktive dhe konstruktive me të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare”, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme “brenda kuadrit të Kushtetutës së tyre”.

Në fund të shtatorit, studentët publikuan edhe një episod të fushatës së tyre zgjedhore me titull “Tradhtia e Kosovës”.

Kritika e tyre ndaj Vuçiqit nuk është se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Ata e kritikojnë për zhvillimet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij: nga heqja e targave dhe dinarit serb në Kosovë deri te mbyllja nga autoritetet kosovare e institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

Megjithatë, qëndrimin e të gjitha qeverive pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, se Kosova është pjesë e Serbisë, e ndan edhe shumica e qytetarëve të Serbisë. Sipas një hulumtimi të Institutit për Çështje Evropiane të vitit 2023, më shumë se 50 për qind e qytetarëve u shprehën kundër pavarësisë së Kosovës.

Duke qenë se kundërshtimi i shtetësisë së Kosovës, nuk filloi me Vuçiqin, sipas Marko Savkoviqit, dhe nuk ka gjasa të përfundojë me të.

Savkoviq i tha Radios Evropa e Lirë se hapësira politike në Serbi për një qasje thelbësisht tjetër ndaj statusit të Kosovës, vazhdon të jetë shumë e kufizuar.

“Kur bëhet fjalë për kundërshtimin e vetë shtetësisë së Kosovës si koncept, kjo është sigurisht politikë shtetërore dhe këtu mund të pritet njëfarë vazhdimësie, kushdo që të jetë në pushtet në Serbi. Opsionet politike që e pranojnë gjendjen de facto, sepse Kosova de facto është shtet, janë të pakta, janë në margjinat politike”, thotë Savkoviq për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

As Sonja Biserko nuk pret që qasja ndaj statusit të Kosovës të ndryshojë shpejt edhe nëse në Beograd vjen një pushtet tjetër.

“Është e sigurt se, në situata të ndryshme krize, secili do të përpiqet ta përdorë Kosovën për mobilizim emocional, për të mbledhur njerëz rreth vetes. Mendoj se, në thelb, nuk do të ketë ndryshime sa i përket statusit të Kosovës. Kjo përjashtohet”, thotë Biserko për Exposenë./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?