Nga falimentimi te shkeljet e kushteve, ERE përcakton rastet e heqjes së licencave në energji
Kompanitë e sektorit të energjisë elektrike mund të humbasin licencën nëse bëhen financiarisht të paafta, kërkojnë shpalljen e falimentim

Kompanitë e sektorit të energjisë elektrike mund të humbasin licencën nëse bëhen financiarisht të paafta, kërkojnë shpalljen e falimentimit, nuk paguajnë detyrimet rregullatore ose shkelin kushtet e ushtrimit të aktivitetit.
Heqja e licencës parashikohet edhe për operatorët që shkelin legjislacionin mjedisor apo rrezikojnë jetën, shëndetin dhe pronën e njerëzve.
Këto janë disa nga rastet e përcaktuara në draft-rregulloren e publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), e cila përcakton procedurat që do të ndiqen për heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike, në zbatim të ligjit nr. 59/2026.
Sipas dokumentit, licenca mund të hiqet edhe kur një kompani pushon së ushtruari veprimtarinë për të cilën është licencuar ose kërkon vetë revokimin e saj.
ERE përcakton se shqyrtimi i rasteve duhet të mbështetet në prova dhe dokumente të administruara gjatë procedurës, përfshirë informacionet e institucioneve kompetente. Në vlerësimin e shkeljeve, rregullatori duhet të marrë parasysh “natyrën e shkeljes, kohëzgjatjen, përsëritjen, pasojat, rrezikun aktual ose të pritshëm dhe çdo masë korrigjuese të ndërmarrë nga i licencuari”.
Procedura për heqjen e licencës mund të nisë nga vetë ERE, në bazë të rezultateve të monitorimit, kontrolleve periodike, raportimeve të institucioneve kompetente apo informacioneve të paraqitura nga operatorët dhe palët e treta. Pas vendimit për nisjen e procedurës, kompania njoftohet me shkrim për shkeljet e konstatuara, provat dhe pasojat e mundshme. Operatori ka 30 ditë kalendarike për të paraqitur shpjegime, kundërshtime dhe dokumente mbështetëse.
Brenda 30 ditëve nga marrja e përgjigjes ose përfundimi i afatit për paraqitjen e saj, strukturat përgjegjëse të ERE-s duhet të përgatisin relacionin përfundimtar. Ky afat mund të zgjatet në rastet kur nevojiten verifikime shtesë.
Bordi i ERE-s merr vendim brenda 10 ditëve pune nga paraqitja e relacionit, kur dosja është e plotë. Nëse shkeljet nuk provohen, procedura mbyllet, ndërsa në rastet kur korrigjimi është i mundur dhe lejohet nga ligji, operatorit mund t’i jepet një afat për përmbushjen e detyrimeve.
Kur provohen kushtet ligjore për heqjen e licencës, Bordi vendos ndërprerjen e së drejtës për ushtrimin e aktivitetit. Në rastet kur heqja e licencës mund të cenojë vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike, draft-rregullorja parashikon masa të përkohshme për kompanitë e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, depozitimit dhe furnizimit.
Këto masa përfshijnë “vendosjen e shoqërisë nën administrim të kufizuar për një periudhë të caktuar” ose “caktimin e një shoqërie tjetër që plotëson kushtet përkatëse të licencimit për kryerjen e veprimtarisë”.
ERE mund të vendosë gjithashtu emërimin e një administratori të përkohshëm, me propozimin e ministrit përgjegjës dhe sipas procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Masat nuk mund të zgjasin më shumë se 12 muaj nga data e heqjes së licencës. Heqja e licencës nuk i përjashton kompanitë nga detyrimet e krijuara gjatë ushtrimit të aktivitetit.
“Vendimi për heqjen e licencës nuk e çliron të licencuarin nga detyrimet financiare, kontraktore, administrative ose ligjore të lindura deri në datën efektive të heqjes së licencës”, përcakton dokumenti. Vendimet e ERE-s mund të ankimohen në gjykatë, por ankimi nuk pezullon automatikisht zbatimin e tyre, përveç rasteve të parashikuara nga ligji ose kur vendos gjykata./ Monitor
Lexo edhe
AKTUALITET
Rritja e shpenzimeve operative “kafshon” fitimet e sektorit bankar

Nga spiunimi i pilotëve te piramida “Gjallica”/ Dokumenti sekret: Si Fitim Kërxhalliu raportonte te Sigurimi

Master në Itali, doktoraturë në Gjermani; Ku studiojnë të rinjtë nga Shqipëria, mbizotërojnë vajzat

Kush janë dy Izraelitët që përmend Agasi, lidhjet me Vuçiç dhe Netanyahu dhe hijet e një programi përgjimi

Vlora Hyseni hetohet për tradhti ndaj atdheut





