POLITIKE

Raportimet për vitin 2024/ Beqaj letër të hapur, i pakënaqur nga KLGJ dhe KLP

Piranjat Përditësimi i fundit 19 Tetor 2025, 10:13

Raportimet për vitin 2024/ Beqaj letër të hapur, i pakënaqur

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nga qelia, ka reaguar me një letër të hapur ndaj mënyrës se si Kuvendi i Shqipërisë ka trajtuar raportimet vjetore të institucioneve të pavarura të drejtësisë për vitin 2024, duke e cilësuar procesin si një dështim për të dytin vit radhazi.

Në letrën e tij, Beqaj kritikon drejtuesit e institucioneve si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, të cilët, sipas tij, i janë shmangur pyetjeve konkrete me justifikimin e "pavarësisë institucionale". Ai shprehet se pavarësia nuk duhet të përdoret si mburojë për të shmangur llogaridhënien, duke theksuar se Kuvendi ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin ligjor dhe moral për të monitoruar mënyrën se si ushtrohet kjo pavarësi.

Beqaj vëren gjithashtu mungesë të theksuar angazhimi nga ana e deputetëve gjatë raportimeve, të cilët, sipas tij, nuk kanë ngritur pyetjet që publiku ka të drejtë të dëgjojë dhe të marrë përgjigje. 

Beqaj:

Letër e hapur
Kuvendi që (s’)pyet çfarë dhe si duhet?

(Pse dështuan raportimet vjetore të institucioneve të “pavarura” të drejtësisë në Kuvendin e Shqipërisë)

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Prej muajsh jam në një regjim të kufizuar. Kjo më ka dhënë më shumë kohë të lirë se zakonisht dhe televizori është bërë dritarja ime e vetme me botën e lirë. Për të dytin vit rresht, kam ndjekur me vëmendje transmetimet live të raportimeve vjetore në Kuvendin e Shqipërisë të institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Kur kam qenë vetë në atë sallë, nuk i kam kushtuar ndonjë interes të veçantë këtyre raportimeve. Më shumë më kanë tërhequr ato të ERRE, AKEP, ERRU, Bankës së Shqipërisë apo Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Por sot, me distancë dhe përvojë konkrete me sistemin e drejtësisë, më është bërë e qartë se Kuvendi i Shqipërisë ka dështuar për dy vite rresht me raportimet e institucioneve të pavarura si KLGJ, KLP, ILD, etj.

Drejtuesit e këtyre institucioneve iu shmangën përgjigjeve për pyetjet konkrete, sepse janë të pavarur. Dhe, në një farë mënyre, kanë të drejtë. Aq më tepër kur vetë ata që u kanë dhënë me votë pavarësinë, nuk mund të jenë ata që ua cenojnë.

Ka edhe deputetë që fshihen pas të njëjtit justifikim: “janë institucione të pavarura, nuk duhen ngacmuar.”

Por pavarësia nuk do të thotë mungesë llogaridhënieje. Nëse ligji ua ka dhënë këtë pavarësi, Kuvendi ka detyrimin ligjor dhe moral të verifikojë si po ushtrohet ajo pavarësi.
Nuk jam jurist, por përvoja në jetën publike dhe përballja e viteve të fundit me drejtësinë më kanë ndihmuar të përpiloj një listë pyetjesh joshteruese, por thelbësore, që Kuvendi dështoi t’i bëjë.

I. Pyetje të përgjithshme dhe institucionale
1. Si është e mundur që nuk u trajtua fare çështja e përgjimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese? A u hetua kush e urdhëroi, si u krye dhe a u respektuan garancitë ligjore? Pavarësia e gjyqtarëve kushtetues nuk mbron vetëm disa individë, por mbron baraspeshën e gjithë sistemit.

2. Si është e mundur që Apeli i GJKKO-së nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Kur Kushtetuta thotë se vendimet e saj janë “të detyrueshme për zbatim të menjëhershëm”, kush mban përgjegjësi për moszbatimin e tyre?

3. Si është e mundur që prej gjashtë vitesh KLGJ nuk ka emëruar asnjë kryetar gjykate, por të gjitha janë me drejtues të komanduar? Komandimi i përhershëm është kontradiktë. Pa drejtues të qëndrueshëm, s’ka as vizion, as llogaridhënie.

4. Si është e mundur që kolegje të ndryshme penale të Gjykatës së Lartë japin vendime të kundërta për të njëjtën çështje juridike dhe Gjykata nuk nxiton të nxjerrë vendim njësues? Kur praktika përçahet, drejtësia bëhet lotari.

5. Si është e mundur që pas gjashtë vitesh funksionimi, Prokuroria e Posaçme ende nuk ka kuptuar qartë kush është “funksionar i lartë” sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale? Sa vendime të Gjykatës së Posaçme janë rrëzuar pikërisht sepse akuzat janë ngritur ndaj personash që nuk hynin në kategorinë e funksionarëve të lartë? Pavarësisht kompetencës materiale, kompetenca personale nuk mund të shpiket për raportim statistikor.

6. Si është e mundur që pragu financiar për të kualifikuar një vepër penale si “me pasoja të rënda” ende mbështetet në një vendim njësues të Gjykatës së Lartë të vitit 2003? Në një vend ku çmimet, kostot dhe pagat janë rritur disa herë, drejtësia vazhdon të gjykojë me “vlerën e parasë” së para 22 viteve. Sa është rritur ndërkohë paga vjetore e vetë prokurorëve që zbatojnë ende atë prag? Nëse ligji nuk ecën me kohën, drejtësia ngelet në muze.

7. Sipas nenit 222 të Kodit të Procedurës Penale, përgjimet lejohen me vendim gjykate për një periudhë 15-ditore dhe mund të zgjaten vetëm me një vendim tjetër, po aq të arsyetuar. Por kur pas disa 15-ditësh radhazi përgjimet nuk evidentojnë asgjë të dyshimtë, pse gjykata miraton këmbënguljen e verbër të prokurorisë për t’i vazhduar? Ligji kërkon “arsyetim të posaçëm”, jo “miratim rutinë”. Përndryshe, kontrolli gjyqësor humbet kuptimin dhe përjashtimi kthehet në normë.

8. Pse është shndërruar përjashtimi i nenit 223/3 të K.Pr.P. (shtyrja e depozitimit të proceseve të përgjimit) në rregull të përgjithshëm? Në çdo kërkesë të parë kërkohet që procesverbalet të mos depozitohen për pesë ditë, por “deri në fund të hetimeve”. Përjashtimi nuk është më përjashtim, por është kthyer në praktikë të qëndrueshme, duke hequr çdo kontroll real të gjykatës.

9. Si është e mundur që afati 15-ditor i përcaktuar në nenin 110 të Kodit të Procedurës Penale për t’u shprehur me vendim mbi kërkesat e mbrojtjes shkelet haptazi nga prokuroritë, pa asnjë pasojë? Kur vetë organi që kërkon zbatimin rigoroz të ligjit e shkel atë me heshtje procedurale, çdo garanci bëhet formale. Ligji nuk është “orientues”. Është detyrim.

10. Si është e mundur që tarifa për një faqe fotokopje në Prokurorinë e Posaçme të jetë 6.6 lekë për qytetarin, ndërsa vetëm 2.2 lekë për gjykatën? Në një sistem drejtësie që predikon barazi para ligjit, si justifikohet që vetë shteti paguan tri herë më pak se pala që mbron veten? Tarifa me përkufizim duhet të mbulojë kostot. Pak rëndësi ka kush e kërkon shërbimin.

II. Pyetje teknike dhe procedurale
11. Si është e mundur që prokuroritë anashkalojnë jurisprudencën e detyrueshme për provat digjitale? Po përmend disa prej tyre: Vendimi njësues i Gjykatës së Lartë nr. 147, datë 23.12.2021, “Lapsi.al”; Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 21, datë 24.04.2025, “E.Q.”; Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, korrik 2025, “O.Y.”. Këto nuk janë opinione, por standarde të detyrueshme.

12. Si është e mundur që prokuroritë i kërkojnë të dhëna personale kompanive celulare pa vendim gjykate, në kundërshtim me nenet 208/a dhe 209 të Kodit të Procedurës Penale? Privatësia nuk mund të shkelet me “letër kërkese”.

13. Si është e mundur që kërkohen të dhëna për korrespondencën postare pa vendim gjykate, në kundërshtim me nenin 209 të K.Pr.P.? Posta nuk është kuti e hapur për çdo prokuror të zellshëm.

14. Si është e mundur që prokuroritë kërkojnë të dhëna për korrespondencën elektronike nga AKSHI pa vendim gjykate (nenet 208/a dhe 209 K.Pr.P.)? Shteti nuk mund t’i kërkojë një institucioni shtetëror të shkelë të njëjtin ligj që duhet të zbatojë.

15. Si është e mundur që kërkesat për sekuestrim sendesh formulohen në mënyrë të përgjithshme: “pajisje elektronike si kompjuterë, laptopë, hard disqe, USB, servera, aparate telefoni, pavarësisht kujt i përkasin”, dhe gjykatat i miratojnë pa asnjë kufizim? Këto janë “cartabianca” që bien ndesh me nenin 207 të K.Pr.P., i cili kërkon përcaktim konkret të sendeve që mund të sekuestrohen.

16. Kur do të ndalojnë prokuroritë dhe gjykatat së shkeluri haptazi Konventën e Budapestit, të ratifikuar me ligjin nr. 8888/2002? Standardet ekzistojnë, thjesht mungon vullneti për t’i zbatuar.

17. Kur do të pajisen laboratorët e kriminalistikës me standardet ISO që kërkojnë udhëzuesit e Këshillit të Evropës dhe të GJEDNJ-së për provat elektronike? Të paktën ISO/IEC 27037 dhe ISO/IEC 27042 janë parakusht për çdo hetim të besueshëm digjital.

18. Kur do të ndalojnë laboratorët së përdoruri algoritme hash të papranueshme si SHA-1 apo MD5? Mjafton një kërkim i thjeshtë në “Google” për të mësuar se janë të cenueshme. Integriteti i provës digjitale nuk mund të mbrohet me teknologji të viteve 2000. Minimalisht, standardizohet SHA-256/SHA-3, me zinxhir të plotë ruajtjeje.

19. Kur do të akreditohen laboratorët tanë të kriminalistikës? Pa akreditim sipas ISO/IEC 17025, çdo raport ekspertize mbetet i diskutueshëm dhe drejtësia s’ka dot siguri mbi provat që përdor.

Kjo listë, sigurisht, nuk është e plotë. Por edhe kaq mjafton për të treguar se Kuvendi nuk mund të mjaftohet me dëgjime formale. Duhet të thërrasë jo vetëm KLGJ, KLP e ILD, por edhe Dhomën e Avokatisë si palë të interesuar. Të kërkojë përgjigje konkrete, afate dhe masa korrigjuese dhe pastaj të kërkojë llogari në raportimin e ardhshëm.
E di se pas këtij shënimi do të më thonë:
“Shih punën tënde e mos na jep mend.”
“Po e thua tani, se ke hallin tënd.”
“Ti ke qenë vetë aty kur u miratuan ligjet e reformës, s’ke pse ankohesh tani.”
Mund të kenë të drejtë në një pjesë. Por rëndësi nuk ka kush i thotë këto gjëra. Rëndësi ka nëse janë të vërteta dhe kushdo mund të përballet nesër me një sistem që sot e mendon të “largët”.

Kuvendi ka dy zgjedhje: të mbulohet me fjalime, ose të zbulojë me pyetje.
Unë, nga ky regjim i kufizuar, kam zgjedhur pyetjet.

JU???

Me respekt,

Ilir Beqaj

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë