133 mln lekë të ardhura të padeklaruara/ Prokuroria çon në gjyq kompaninë dhe administratorin në Fier
Mbi 1.1 milionë euro detyrime ndaj shtetit, përfshirë taksa të papaguara, gjoba dhe interesa.

Mbi 1.1 milionë euro detyrime ndaj shtetit, përfshirë taksa të papaguara, gjoba dhe interesa. Ky është detyrimi i një shoqërie tregtare të marrë nën hetim nga Prokuroria e Fierit, e cila ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kompaninë “Sekilda” sh.p.k dhe administratorin e saj, Seferin Lazeraj , për fshehje të të ardhurave.
Sipas organit të akuzës, nga hetimi i procedimit penal të regjistruar në vitin 2021, ka rezultuar se shoqëria “Sekilda” sh.p.k. nuk ka deklaruar të ardhura në vlerën 133.415.631 lekë gjatë vitit 2017. Po ashtu, kompania nuk ka dorëzuar librat e shitjes dhe të blerjes për këtë periudhë, duke shmangur, sipas Prokurorisë, detyrimet tatimore.
Nga kontrollet e administratës tatimore, verifikimi i llogarive bankare, informacionet e siguruara nga klientët dhe ekspertimi kontabël, është përllogaritur se detyrimi tatimor i shmangur për vitet 2017–2018 arrin në 48.834.581 lekë.
Prej kësaj shume, 46.695.471 lekë lidhen me TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin për vitin 2017, ndërsa 2.139.110 lekë përfaqësojnë detyrime të papaguara për TVSH-në gjatë vitit 2018.
Por fatura totale e kompanisë ndaj buxhetit të shtetit është edhe më e lartë. Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier, duke përfshirë gjobat dhe interesat, detyrimi arrin në 112.604.938 lekë, ose mbi 1.1 milionë euro.
Tashmë, shoqëria tregtare dhe administratori i saj do të përballen me gjykimin për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”, parashikuar nga neni 180, paragrafi 3, i Kodit Penal.
Prokuroria e Fierit deklaron se do të vijojë hetimet për shkeljet penale në fushën tatimore, duke i konsideruar ato si veprime që dëmtojnë të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe konkurrencën e ndershme mes bizneseve.
Lexo edhe
AKTUALITET
Banorët e Moravës, dhjetëra herë të përmbytur, asnjëherë të dëmshpërblyer: Na duan vetëm kur ka zgjedhje

Shoqërohen 12 protestues, gjobiten 10 të tjerë

Ryanair ndryshon rregullat nga 10 nëntori, kujdes me check-in në Aeroportin e Tiranës se mund të humbisni fluturimin!

Telegrami i Mit’hat Frashërit për Fuat Dibrën në vitin 1919: “Kërkoni ndihmë amerikane” për Shqipërinë

Paditë që synojnë të heshtin median, studimi evidenton problematikat në gjykatat shqiptare





