AKTUALITET

33 urdhër-arreste për anijen me mbetje në Durrës/ Prokuroria njoftim zyrtar: Përmbajtje me elemente të rrezikshme për shëndetin!

Piranjat Përditësimi i fundit 4 Shkurt 2026, 14:18

33 urdhër-arreste për anijen me mbetje në Durrës/ Prokuroria

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka zbardhur detaje që lidhen me kontrabandimin dhe menaxhimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme, duke vendosur masa sigurie për 33 persona, mes tyre administratorë kompanish private dhe zyrtarë shtetërorë. Hetimet u zhvilluan në kuadër të procedimit penal nr. 1596/2024, i regjistruar për një sërë veprash penale, përfshirë kontrabandën e mallrave të ndaluara, falsifikimin e dokumenteve, transportimin dhe menaxhimin e mbetjeve, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.

Çështja nisi pas një sinjalizimi nga OLAF më 25 korrik 2024, lidhur me një ngarkesë që dyshohej se po transportonte mbetje nga Shqipëria drejt Tajlandës. U konstatua se subjekti “Sokolaj” sh.p.k. kishte eksportuar 2.816.300 kg material, të ngarkuar në 102 kontenierë, të cilët u kthyen në Portin e Durrësit më 28 tetor 2024, pasi u refuzuan nga autoritetet tajlandeze. Më 8 nëntor 2024, Prokuroria sekuestroi 102 kontenierët, të cilët aktualisht ndodhen në Porto Romano, në kushte sigurie mjedisore dhe fizike. Testet fillestare nuk konstatuan prani radioaktiviteti, ndërsa analizat laboratorike të kryera në një laborator të specializuar në Itali vërtetuan se materiali ishte mbetje e rrezikshme.

Sipas aktit të ekspertimit, materiali rezulton pluhur i filtrimit të gazrave të furrave elektrike të çelikut (EAF), i klasifikuar si mbetje e rrezikshme me kodin 10 02 07*, që përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore. Hetimet tregojnë se shoqëria “Kurum International” sh.a., në bashkëpunim me subjekte të tjera private dhe zyrtarë shtetërorë, ka tentuar të fshehë natyrën e vërtetë të mbetjeve për t’i eksportuar jashtë vendit dhe për t’i tregtuar brenda territorit shqiptar, në kundërshtim me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Prokuroria kërkoi dhe gjykata vendosi masa sigurie “Arrest me burg” dhe “Arrest në shtëpi” për 33 persona, përfshirë administratorë kompanish, drejtues të doganës së Durrësit, punonjës doganorë, drejtues dhe specialistë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, si dhe përfaqësues të subjekteve private të përfshira. Deri më tani janë ekzekutuar 20 masa sigurie, ndërsa vijon puna për kapjen e 13 personave të tjerë. Prokuroria e Durrësit deklaron se mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, duke garantuar ndëshkimin e çdo subjekti privat apo shtetëror të përfshirë, në mbrojtje të interesit publik, shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

NJOFTIMI I PROKURORISE

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, informon opinionin publik se, ka kryer dhe vijon të kryejë veprime hetimore në kuadër të procedimit penal Nr.1596 viti 2024, të regjistruar për veprat penale: ‘Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Transportimi i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 171-25, 175-25, 186/2, 201/a-25, 201/b-25, 248 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal, nisën pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Hetimit Doganor, e cila ishte njoftuar në datë 25.07.2024 nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission) për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tajlandë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF bashkëpunuan për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës, ku u evidentua eksportimi i sasisë prej 2.816.300 kg nga subjekti Sokolaj sh.p.k. Kjo sasi, e ngarkuar në 102 kontenierë u kthye në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024 me anijen Moliva XA443A, pasi ishte refuzuar nga autoritetet e Tajlandës.

Në datë 08.11.2024, u krye sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të 102 kontenierëve, të cilët iu lënë në ruajtje dhe administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe aktualisht ndodhen në Porto Romano, Durrës, në kushte të sigurisë mjedisore dhe fizike. Gjatë procesit të sekuestrimit, kontenierët iu nënështruan edhe testit për radioaktivitet, ku nga skanimi nuk u konstatua prani e lëndës radioaktive GAMA apo NEUTRON.

Me qëllim marrjen e mostrave për ekspertim dhe kryerjen e analizave laboratorike, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit Durrës, i është drejtuar të gjitha ministrive dhe institucioneve brenda territorit shqiptar. Nga përgjigjet e administruara nuk rezultoi asnjë institucion, laborator apo ent që të kishte infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre.

Në vijim, në bashkëpunim edhe me autoritetet italiane projektit EU4LEA dhe ekspertëve italianë të sigurisë, u identifikua dhe verifikua një laborator në Itali i cili kreu të gjitha testimet laboratorike, si dhe u angazhuan dy shoqëri shqiptare dhe një ekspert shqiptar i fushës, të cilët plotësonin kriteret e përgjithshme dhe specifike që duhet të plotësohen sipas protokolleve ndërkombëtare, për rastet kur duhet të merren, transportohen, ruhen dhe testohen mostra potencialisht të rrezikshme.

Mostrat e marra nga 102 kontenierët e sekuestruar dhe mostrat e marra nga: Shoqëria Kurum International sh.a.; Sokolaj sh.p.k. dhe Alliance Resource sh.p.k., ju nënshtruan ekspertimit për përbërjen e tyre kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhjen midis tyre, përputhjen me fletët e analizave të paraqitura nga subjektet për eksportin e tyre dhe rrezikshmërinë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.

Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace – EAF), proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EWC. Bazuar në përbërjen kimike të materialit dhe në aktivizimin e vetive të rrezikut HP10 dhe HP14, në perputhje me Annex III të Direktives 2008/98/EC (Waste Framework Directive) dhe rregulloret përkatëse zbatuese, kodi përkatës brenda këtij nënkapitulli duhet të jetë ai i shënuar si mbetje e rrezikshme me kod sipas katalogut te mbetjeve 10 02 07*.
Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatashëm përpara depozitimit përfundimtar.

Nga analizimi i kontratave të lidhura midis subjekteve, dokumentacionit financiar të administruar nga subjektet dhe drejtoritë tatimore, regjistrave mjedisorë dhe dokumentacionit të administruar nga AKM, EMS, Autoriteti Portual dhe Dega e Doganës Durrës, si dhe rezultatet e ekspertimit, provohet në mënyrë të arsyshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme Kurum International sh.a. në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare (ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar dhe akteve nënligjore) dhe ndërkombëtare (ligjit nr.8216, datë 13.5.1997 “Për aderimin e Republikes se Shqipërisë në Konventen e Bazelit per kontrollin e levizjeve nderkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjesimin e tyre”, Kodit Doganor etj.), ka kryer një sërë veprimesh në bashkëpunim me subjekte të tjera, për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe për t’i tregtuar ato brenda territorit shqiptar.

Pas administrimtit të aktit të ekspertimit ku provohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës, krijoi bindjen e plotë se jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis, si dhe veprimtarinë e ndershme dhe konkurruese ekononomike.

Për të garanatuar efikasitetin e procedimit dhe vërtetësinë e provave, për të shmangur largimin e personave nën hetim, si dhe për të shmangur kryerje të mëtejshme të këtyre veprave penale, si dhe për të zbuluar të gjitha shkeljet që janë kryer në mundësimin e eksportimit apo fshehjes së sasisë reale të mbetjeve që krijon shoqëria Kurum International sh.a., Prokuroria Durrës kërkoi në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues për shtetasit:
1.E.D, shtetas turk, administrator i shoqërisë Kurum International sh.a. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumenteve” në dy raste, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
2.Y.S.K., shtetas turk, përfaqësues me prokurorë i administratorit të shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
3.M.I., me detyrë drejtor transporti i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Transporti i mbetjeve”;
4.R.B., me detyrë drejtor mjedisi i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
5.H.S, shtetas turk, drejtor prodhimi çeliku i shoqërisë Kurum International sh.a. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për vepren penale “Menaxhimi i mbetjeve”;
6.A.Sh., përfaqësues me prokurorë i administratorit të shoqërisë Kurum International sh.a dhe drejtor finance me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
7.Sh.H, drejtor i shitjeve i shoqërisë Kurum International sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;. Ekzekutuar
8.M.Z., kontabiliste e shoqërisë Kurum International sh.a., me masë së sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”; Ekzekutuar
9.Gj.S., administratore e shoqërisë Sokolaj sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”;
10.D.S, përfaqësues i shoqërisë GS Minerals d.o.o., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
11.O.P., administratore e shoqërisë Sokolaj sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
12.M.K, administratore e shoqërisë Alliance Resource sh.p.k. me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
13.N.B., administrator i shoqërisë Bajrami N sh.p.k. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
14. A.P., administrator i shoqërisë Bajrami N sh.p.k. me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
15.P.Q, person fizik, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale
“Menaxhimi i mbetjeve”’;
16.M.H., me detyrë agjent doganor, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
17.J.K., me detyrë përgjegjësi i turni pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
18.I.L., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
19.E.V., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
20.H.L., me detyrë përgjegjësi i turni pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
21.Sh.J., me detyrë doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; Ekzekutuar
22.F.Ç. përfaqësues i shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
23.I.H., shtetas gjerman, administrator i shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”;
24.G.S., këshilltar pranë shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”; Ekzekutuar
25.A.D., me detyrë drejtoreshë e përgjithshme e AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në tre raste; Ekzekutuar
26.M.P., me detyrë Drejore e Drejtorisë së lejeve mjedisore dhe vnm-ve pranë AKM-së, me me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në tre raste; Ekzekutuar
27.D.S., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Kontrollit pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në tre raste parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
28.K.S., me detyrë përgjegjëse e Sektorit të monitorimeve të lejeve mjedisore dhe VNM pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ekzekutuar
29.B.T., me detyrë përgjegjëse e Sektorit të lejeve mjedisore pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
30.E.M.,, me detyrë përgjegjëse e Sektorit të monitorimit të lejeve mjedisore dhe VNM, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
31.K.A., me detyrë përgjegjës i Sektorit të Inspektimit Mjedisor pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
32.I.M., me detyrë specialiste mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Ekzekutuar
33.Xh.G., me detyrë specialist mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

Deri më sot janë ekzekutuar masat e sigurimit për 20 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes, evidentimin dhe provimin e përgjegjësisë penale për çdo subjekt privat dhe shtetëror të përfshirë në këtë veprimtari, duke garantuar se çdo veprim po kryhet në përputhje me ligjin, në mbrojtje të intersit publik, shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë