AKTUALITET

Nga Vjosa te Drini, mbetjet minerare ndotin lumenjtë e Shqipërisë

Piranjat Përditësimi i fundit 29 Nëntor 2025, 11:17

Nga Vjosa te Drini, mbetjet minerare ndotin lumenjtë e Shqipërisë

Autoritetet bëjnë një sy të verbër ndaj depozitimeve nga minierat aktive dhe atyre të trashëguara në shtratin e lumenjve, duke u justifikuar se cilësia e ujërave është brenda parametrave.

Pranë qytetit të Selenicës, në brigjet e Vjosës, deri një dekadë më parë banorët bënin plazh. Jo më! Shtrati i lumit me guralecë tani është i mbuluar me një shtresë të trashë balte me mbetje bitumi dhe është transformuar në një landfill industrial.

Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, dy vite më parë u shpall Park Kombëtar, pas një fushate disavjeçare ndërkombëtare që bëri bashkë aktivistë lokalë dhe aktorë hollivudianë. Edhe pse niveli i mbrojtjes ligjore është rritur, rrjedha e tij vazhdon të jetë e kërcënuar nga ndotja.

“Të gjitha këto minerale janë me ngarkesë të lartë kimikatesh, pra substancash kimike të cilat bëjnë përkeqësimin e cilësisë së ujit,” tha për BIRN Olsi Nika.

“Ka substanca që janë të dëmshme për florën, për faunën, por ka edhe substanca të tjera që quhen komponentë që rrinë gjatë dhe nuk zbërthehen,” shtoi ai, ndërsa shpjegoi se “ato jo vetëm që ndotin florën dhe faunën aty, por nëpërmjet rrjetave ushqimore ato vijnë deri në tryezat tona, deri në indet tona”.

Pamjet në terren janë dramatike, ndërsa institucionet e mbrojtjes së mjedisit flasin për cilësi brenda normave të lumenjve që vazhdojnë të ndoten.

Megjithatë, në një përgjigje me shkrim, Agjencia Kombëtare e Mjedisit i tha BIRN se, bazuar në raportin vjetor të mjedisit, ujërat e lumenjve vlerësohen të jenë nën kufijtë e përcaktuar në standardet kombëtare dhe nuk paraqesin ndotje.

“Për sa i përket vlerave të radioaktivitetit alfa dhe beta total të ujërave të lumenjve Shkumbin, Drin dhe Vjosë, vlerësohet se janë nën vlerat e përcaktuara në standardet kombëtare dhe nuk paraqesin ndotje,” shkruan AKM.

Lumenjtë në Shqipëri përbëjnë një nga burimet më të rëndësishme natyrore të vendit, me një rrjet të dendur rrjedhash që zbresin nga zonat malore në ultësirën bregdetare. Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, shumë prej lumenjve shqiptarë ende ruajnë segmente të egra, duke krijuar habitate dhe ekosisteme natyrore të rralla.

Megjithatë, ata janë nën presion të vazhdueshëm nga aktivitetet minerare, mbetjet industriale, ndërhyrjet hidroteknike dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve, duke e bërë ruajtjen e tyre një sfidë të rëndësishme për mjedisin në Shqipëri.

Ngjashëm me Vjosën, lumi Fan gjarpëron mes luginave e grykave malore dhe mbërrin i kristaltë deri në qytetin e Fushë-Arrëzit. Pikërisht aty ai bashkohet me përroin e kuq që vjen nga zona minerare dhe rrjedha e tij ndryshon ngjyrë nga ndotja.

Ndotja e lumenjve nuk është gjithmonë pasojë e minierave aktive, por edhe e depozitimeve të vjetra minerare të trashëguara.

Në Kukës, pranë urës së Leshnicës, pluhuri mineral dhe mbetjet krijojnë një cikël të përhershëm ndotjeje që përfundon në lumin Drin. Situatë e ngjashme është edhe në Librazhd, ku mbetjet e vjetra minerare buzë Shkumbinit, pas çdo shiu, përfundojnë në shtratin e lumit.

Ekspertët ngrenë dyshime mbi metodologjinë e institucioneve për matjen e ndotjes së lumenjve.

“Nëse AKM thotë p.sh. se Vjosa ose Fani është me një cilësi të mirë të ujit apo shumë të mirë, i referohet gjithë gjatësisë së Vjosës apo të Fanit,” shpjegoi Nika.

“Por këto ndotje janë pikësore, të cilat shndërrohen në difuze, në të shpërndara në disa qindra metra apo deri në katër kilometra dhe pastaj uji vetëpastrohet,” shtoi ai.

Drejtuesi i Eco Albania këmbëngul se dëmi që shkakton ndotja nis pikësëpari te komunitetet që jetojnë pranë zonave ku ushtrojnë aktivitetin kompanitë minerare.

“Zinxhiri është i thjeshtë: mbetjet apo kimikatet apo mbetjet e dëmshme depozitohen në ujë, nga uji fillojnë te filtratorët që janë të parët — pra nga algat, nga makroinvertebrorët mbi të cilët ushqehen peshqit, shpendët dhe pastaj me të cilët ushqehemi edhe ne,” tha Nika.

“Ky është problemi kryesor i ndotësve: jo vetëm që dëmtojnë zonën, habitatet, atë pjesën ku shkarkohen, por përbëjnë një rrezikshmëri të lartë për shëndetin e njeriut — fillimisht të komunitetit të zonave afër tyre që shfrytëzojnë këto burime natyrore,” theksoi ai.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit sqaron se grupet e saj të inspektimit kanë marrë masa administrative, duke vendosur gjoba dhe duke kërkuar pezullim aktiviteti për disa kompani minerare, përfshirë ato në Selenicë dhe Fushë-Arrëz.

“Ndotja e mjedisit nuk pret,” thotë eksperti mjedisor Edi Tuka. “Pra nuk pret një vendim të AKM apo institucioneve të tjera ligjzbatuese, të cilat jo vetëm t’u pezullojnë dhe t’u heqin licencat; pra duhet patjetër të ndërhyjnë me një forcë të madhe për sa i përket veprimtarisë së këtyre kompanive ndotëse të mjedisit,” shtoi ai.

Të njëjtin shqetësim ngre edhe eksperti i mjedisit Olsi Nika, i cili thekson se sanksionet duhet të jenë më të larta në mënyrë që të ndikojnë realisht në sjelljen e kompanive minerare.

“Një milion lekë të vjetra gjobë për kompani që gjeneron disa milionë euro në ditë nuk është fare problem,” tha ai.

Mungesa e një reagimi vendimtar nga institucionet përgjegjëse për ndalimin e ndotjes ka prodhuar apati dhe heshtje në komunitetet e prekura.

“Në rast se komuniteti nuk ka në krah institucionet që zbatojnë ligjin, por i ka përballë – dhe përballë të keqes që është ndotja mjedisore, normalisht komuniteti e humb forcën dhe arsyen për të vazhduar në kauzën për mbrojtjen e mjedisit,” tha Tuka.

Në mungesë të kësaj mbështetjeje nga institucionet, komunitetet e prekura nga ndotja duket se nuk kanë rrugë tjetër veçse të heshtin dhe të përpiqen të bëjnë kompromiset e vogla, aq sa iu ofron kompania ndotëse.

“Ata mund t’i bëjnë ballë edhe presionit të parave që mund të marrin nga kompanitë, edhe presionit të ‘të fortëve’ që përfaqësojnë apo mbrojnë interesat e këtyre kompanive nëse shohin një reagim nga shteti,” tha Nika. “Por kur nuk shohin asnjë reagim nga shteti, e kanë më të thjeshtë të bëjnë kompromis,” shtoi ai.

Ndërsa autoritetet këmbëngulin se monitorimet zyrtare tregojnë ujëra brenda normave dhe se ndaj kompanive janë marrë masa administrative, pamjet nga terreni tregojnë se lumenjtë mbeten të ekspozuar ndaj ndotjes së vazhdueshme, ndërsa ndikimi në habitatet natyrore dhe në shëndetin e banorëve është i vështirë të injorohet.

Ekspertët e mjedisit nuk janë kritikë vetëm ndaj AKM-së, por edhe ndaj organeve ligjzbatuese. Sipas Mihallaq Qirjos, drejtor ekzekutiv i REC Albania, numri i veprave penale që lidhen me krimin mjedisor dhe që ndiqen nga policia është shumë i ulët  – vetëm 17% e të gjitha veprave penale që prekin tokën, ujin dhe ajrin.

“Nëse ne shkojmë në prokurori, numri bie shumë: mesatarja është 0.4% e të gjitha veprave që trajtohen nga prokuroria të jenë në këtë vepër penale që prek ajrin, ujin dhe tokën,” tha ai, ndërsa shtoi se në shumicën e rasteve, hetimet pezullohen për mungesë të autorëve të krimit, apo pushohen për mungesë të provave të grumbulluara në terren.

“Në gjykatë nuk kemi gjetur asnjë rast të dënuar për shkak të ndotjes së burimeve ujore,” shpjegoi Qirjo, dhe shtoi se kjo situatë vjen nga “mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për të hetuar në thellësi krimin mjedisor.”/Reporter.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?