AKTUALITET

Pse hanet e Thethit mund të vlejnë më shumë në ekonomi se resorti luksoz i Zvërnecit

Piranjat Përditësimi i fundit 6 Qershor 2026, 22:29

Pse hanet e Thethit mund të vlejnë më shumë në ekonomi

Kryeministri Rama keqinformon kur thotë se resortet luksoze e ngrenë ekonominë e turizmit. Teoria ekonomike dhe praktika botërore tregojnë se ky pretendim nuk qëndron.

“Çdo 1 euro e harxhuar në resorte luksoze fut 1,6 euro në ekonomi” — me këtë deklaratë mbrojti Kryeministri Rama resortin e planifikuar në Zvërnec, gjatë një konference shtypi me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.

E kundërta është e vërtetë: për çdo 1 euro të harxhuar në këtë resort (nëse do të ndërtohet), në Shqipëri do të mbeten më pak se 1 euro — me gjasa shumë më pak se 1 euro.

Realiteti ekonomik është i thjeshtë.

Nga njëra anë, turizmi (një hotel apo resort) krijon lidhje me ekonominë përreth, duke konsumuar produkte dhe shërbime që prodhohen në vend — si ato që konsumohen drejtpërdrejt në hotel, edhe ato që konsumohen jashtë tij, si vizita në muze e parqe, blerje suveniresh dhe produkte të tjera.

Nga ana tjetër, turizmi krijon atë që quhet “rrjedhje” jashtë: një pjesë e shpenzimit del jashtë ekonomisë vendase, sepse një pjesë e produkteve dhe shërbimeve të konsumuara në një hotel apo resort janë të importuara. Sa më e madhe rrjedhja, aq më pak mbetet në vend nga çdo euro e shpenzuar.

Sa mbetet në një ekonomi varet nga produktet dhe shërbimet që kërkohen në hotel apo resort dhe nga zhvillimi ekonomik i vendit ku ndërtohet hoteli.

Një shembull: Italia

Marrim një vend me ekonomi të zhvilluar turizmi. Një hotel në Itali ndërtohet thuajse tërësisht me produkte italiane: nga financimi dhe pronësia e hotelit te materialet e ndërtimit — mermeri, mobiljet, pajisjet — te personeli që punon, nga kuzhinierët te menaxherët. Dhe thuajse çdo gjë që konsumohet brenda tij është italiane: vera, djathi, proshuta, vaji i ullirit, peshku.

Përveç kësaj, turistët e hotelit blejnë veshje në dyqanet përqark — një fustan Armani, një kostum Versace — vizitojnë muzetë, shkojnë në opera. Madje ata udhëtojnë me linja ajrore italiane, me makina italiane që përdorin karburant të rafinuar në Itali.

Pra, shumica e shpenzimeve të një turisti në një hotel në Itali shkon për prodhime dhe shërbime italiane.

Kjo do të thotë se, në Itali, çdo euro e shpenzuar në një hotel luksoz mbetet thuajse e gjitha brenda vendit — nga fitimi dhe taksat e hotelit, te mallrat e shërbimet e konsumuara. Mbi këtë, turistët shpenzojnë edhe disa centë të tjerë jashtë hotelit.

Pra, në Itali: çdo 1 euro e shpenzuar në një hotel luksoz kontribuon më shumë se 1 euro në ekonominë italiane.

Këtu qëndron pika thelbësore: shumatori i lartë nuk është pasojë e luksit të objektit turistik, por e lidhjes me ekonominë vendase.

Ekonomitë e zhvilluara të turizmit kanë shumator të lartë — që shkon nga 1,3 deri në mbi 2 — pikërisht sepse furnizohen shumëllojshmërisht dhe pothuajse tërësisht brenda vendit.

Çfarë do të ndodhë në Zvërnec?

Thuajse të gjitha shpenzimet e ndërtimit do të jenë importe — nga arkitektët dhe projektuesit, te materialet si hekuri, xhami e mermeri, te pajisjet e dhomave dhe mjediseve, te enët e veglat e kuzhinës, deri te lugët, pirunjtë e thikat.

Menaxhimi i hotelit do të jetë i huaj. Një pjesë e madhe e personelit — nga shefat e kuzhinës e menaxherët e poshtë — do të vijë nga jashtë. Dhe thuajse çdo gjë që konsumohet — vera, proshutat, vaji, madje edhe peshku — do të importohet.

Veshje apo produkte vendase për t’u marrë me vete nuk do të ketë; muze apo atraksione të tjera përreth janë minimale. Fitimet do të shkojnë jashtë vendit, te pronarët e huaj, jo në Shqipëri.

Duhet shtuar edhe diçka e rëndësishme, që e thellon hendekun: nëse resorti përfiton përjashtime tatimore (thuajse e sigurt që do t’i përfitojë), kontributi i tij fiskal për shtetin do të jetë afër zeros për vite me radhë.

Absurditeti është se një hotel apo restorant familjar pranë tij paguan taksat e plota, ndërsa resorti luksoz mund të mos paguajë thuajse asgjë.

Përfundimi: për çdo 1 euro të harxhuar në këtë resort, në Shqipëri do të mbeten shumë më pak se 1 euro — me një vlerësim shumë të përafërt, jo më shumë se rreth 30-40 centë.

Mëngjesi i Thethit kundrejt mëngjesit të Zvërnecit

Krahasimi që ka rëndësi për të kuptuar ndikimin në ekonomi të një hoteli nuk është sa shpenzon turisti, por sa mbetet në Shqipëri nga çdo euro që shpenzon turisti.

Një mëngjes në një han në Theth mund të kushtojë vetëm 5 euro — por kuzhinieri, uji, lëngu i frutave, vezët, gjalpi, djathi, domatet, suxhuku, të gjitha janë të prodhuara në Theth dhe në Shqipëri. Thuajse e gjithë shuma mbetet në vend.

Një mëngjes në resortin luksoz të Zvërnecit mund të kushtojë 30 euro — por thuajse çdo gjë në atë mëngjes, nga uji e proshutat, madje edhe vaji e gjalpi, do të jenë produkte italiane e greke e nga vende të tjera, dhe në Shqipëri ky mëngjes do të lërë pak euro.

Pra, ndërsa turisti i Thethit lë në Shqipëri thuajse të gjithë shpenzimin e tij të vogël, turisti i Zvërnecit lë vetëm një pjesë të vogël të shpenzimit të tij të madh.

Për çdo euro të shpenzuar, Thethi fiton bindshëm — dhe hendeku real në të ardhura për ekonominë është shumë më i vogël nga sa sugjeron diferenca e çmimit.

Nuk është e ekzagjeruar të thuhet se 100 turistë mesatarë në Theth janë më të dobishëm për ekonominë shqiptare se 10 turistë të kamur në Zvërnec.

Grafiku më poshtë e ilustron këtë krahasim (me shifra të përafërta, por që reflektojnë realitetin).

Pse hanet e Thethit mund të vlejnë më shumë në ekonomi

Luksi i enklavave: një model që më së shumti ka dështuar

Hotelet luksoze në pronësi të huaj kërkojnë produkte dhe shërbime luksoze që ekonomia jonë nuk i prodhon.

Turizmi luksoz që përshkruan Kryeministri Rama është një model i provuar gjerësisht dhe për të ka edhe një term teknik: turizmi luksoz i enklavave — ndërtimi i resorteve luksoze në një vend të varfër me prodhim të ulët, me shpresën se kjo do ta zhvillojë ekonominë.

Ky model në përgjithësi ka dështuar të sjellë zhvillim në shumë vende në botë, nga Amerika Latine e Karaibet te Afrika e Azia.

Kryeministri Rama reklamoi para ca ditësh hotelin Waldorf Astoria në Maldive, të ndërtuar nga miliarderët sirianë që janë të përfshirë në Zvërnec, si shembull të “mrekullisë” që ata do të bëjnë edhe në Shqipëri.

Në fakt, Maldivet janë shembulli tipik, modeli që studiohet kudo, i dështimit të ekonomisë që mbështetet mbi turizmin luksoz të enklavave.

Në këtë vend fare të vogël me bukuri të jashtëzakonshme janë ndërtuar dhjetëra resorte e hotele luksoze e superluksoze. Megjithatë, për çdo 1 euro të harxhuar në këto hotele luksoze, mbi 60 centë dalin jashtë Maldiveve, sepse që nga pronësia dhe pjesa dërrmuese e të gjitha produkteve dhe shpenzimeve në to janë të importuara.

Dhe duhet theksuar: në Maldive një pjesë e mirë e argëtimit — zhytjet, aventurat detare, produktet e detit — janë vendase dhe të një cilësie superiore.

E njëjta gjë ndodh edhe në Karaibe, ku modeli sundues i turizmit është ai me qëndrime me “të gjitha të përfshira” — mbi 70 për qind, në disa raste deri në 90 për qind, e shpenzimeve në resortet luksoze dalin jashtë vendit.

Dy fjalë për turizmin në përgjithësi

Në një vështrim makroekonomik, turizmi mund të sjellë para të konsiderueshme në afatshkurtër, por nuk garanton zhvillimin afatgjatë të një vendi.

Turizmi është një aktivitet me produktivitet të ulët, me vlerë të shtuar relativisht të vogël dhe me pak nxitje për inovacion apo për degë të tjera të ekonomisë.

Pjesa më e madhe e parasë “së madhe” në turizëm qarkullon gjatë fazës së ndërtimit, jo gjatë funksionimit.

Një ekonomi e mbështetur kryesisht në turizëm dhe ndërtim — siç është sot ajo shqiptare — rrezikon të mbetet gjithnjë e më prapa vendeve që zhvillimin e mbështesin në teknologji, në prodhim dhe në shërbime me vlerë të lartë të shtuar, pra në atë që quhet ekonomi e dijes.

Një fabrikë që prodhon jastëkë ajri për kompaninë Volkswagen, si ajo në Maqedoninë e Veriut, krijon aftësi, zinxhirë furnizimi dhe eksporte — pra zhvillim afatgjatë — në një mënyrë që një resort luksoz nuk e bën.

Edhe statistikat e peshës së turizmit e tregojnë këtë kufi:

Franca është vendi me më shumë turistë në botë, mbi 100 milionë mbërritje në vit, por pesha direkte e turizmit në ekonomi është nën 4%, ndërsa kontributi total (direkt, indirekt e i brendshëm) nuk i kalon 10%.

SHBA-të nxjerrin më shumë të ardhura nga turizmi në botë, por pesha direkte në ekonomi është nën 3%; ajo indirekte nuk i kalon 9% (përfshi turizmin e brendshëm që është më i madh se ai nga të huajt).

Italia, një nga destinacionet kryesore turistike botërore, ka një kontribut direkt deri në rreth 6%, ku thuajse gjysma vjen nga turizmi i brendshëm. Greqia, ku turizmi peshon shumë, ka një kontribut direkt në ekonomi rreth 13% të ekonomisë.

Dhe të gjitha këto vende kanë një profil të shumëllojshëm turizmi, ku turizmi luksoz është i vogël në peshën totale.

Për më tepër, në këto vende oferta turistike nuk përqendrohet te modeli “rërë dhe diell”, por është shumë më e gjerë — për shembull, në rastin e Francës, qyteti i Parisit është destinacioni kryesor i turistëve dhe jo plazhet; sikurse është Roma në Itali apo Athina në Greqi.

Në fund

Ideja se do ta zhvillojmë Shqipërinë me një resort turistik luksoz është qesharake.

Në përgjithësi, ideja se do ta zhvillojmë Shqipërinë me turizmin si shtyllë kryesore ekonomike është një model që pengon zhvillimin e vendit dhe shëndetin e ekonomisë së saj.

Por edhe nëse vërtet prioriteti duhet të jetë turizmi si sektori kryesor i vendit, roli i tij në ekonomi do të rritej jo duke dhënë pasuritë natyrore për turizëm luksoz, por duke investuar në kërkime arkeologjike kudo në Shqipëri, në restaurimin e kalave e të trashëgimisë, në mbështetjen e bujqësisë dhe agro-industrisë — dhe duke mos betonizuar Nartën, Durrësin, Ksamilin e Butrintin.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan