AKTUALITET

Punishtja artizanale në Elbasan, REL: Dikur pronë e një grupi kriminal, sot sipërmarrje që fuqizon gratë

M.B. Përditësimi i fundit 8 Mars 2025, 17:19

Punishtja artizanale në Elbasan, REL: Dikur pronë e një grupi

ELBASAN- Një ndërmarrje sociale që trajnon dhe punëson gra dhe vajza, dikur ishte pronë e një grupi kriminal. Prej më shumë se katër vjetësh e shndërruar në punishte në qytetin e Elbasanit në Shqipërinë e mesme, gra dhe vajza që vijnë nga komunitete të pafavorizuara, kanë arritur të mësojnë aty zanate të ndryshme, por edhe të punësohen dhe të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Sajmir Bakalli, i cili drejton Fondacionin joqeveritar “Joscelyn” në Elbasan, tregon se me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe të Qeverisë italiane, prona u transformua në punishte artizanale.

“Ka qenë një bar, lokal dhe pas konfiskimit ishte i degraduar. Kemi punuar shumë - fillimisht për ta pastruar dhe më pas për ta përshtatur në një ambient për sipërmarrjen sociale”, thotë ai.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bakalli tregon se në këtë punishte, fillimisht, më shumë se 30 vajza dhe gra kanë mësuar endjen e qilimave dhe janë punësuar. Sipas tij, shumica e tyre kanë nisur një jetesë të pavarur dhe janë integruar shumë mirë në tregun e punës.

“Gjithashtu është mundësuar edhe ruajtja e trashëgimisë kulturore”, thekson Bakalli.

Punimet kryesore në këtë ndërmarrje sociale, të certifikuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale e Shqipërisë, janë qilimat prej leshi, çantat, çentrot e punime të tjera me dorë.

“Risi është edhe riciklimi i rrobave të vjetra, duke i kthyer ato në qilima apo rrugica lecke. Kështu, së pari ruajmë dhe mbrojmë mjedisin, i riciklojmë rrobat dhe nga rrobat tona bëjmë një qilim apo rrugicë”, thotë Bakalli.

Ai tregon se këta qilima apo rrugica të veçanta porositen kryesisht nga familjarë, por edhe nga bujtinat në Elbasan dhe fshatrat përreth. Të gjitha produktet marketohen online nën logon “Tradita ime artizanale”, e gjithashtu në një dyqan fizik në qytetin e Elbasanit.

Në etiketën që i shoqëron ka një thënie: “Ruaj traditën, mbështet një grua në nevojë dhe fuqizo një fëmijë”, sepse përmes shitjes së tyre, këto gra ndihmohen të sigurojnë të ardhura për fëmijët dhe familjet e tyre.

Dorina Shabani, 27 vjeçe, nënë e një vajze, tregon se prej një viti është e punësuar në këtë sipërmarrje sociale. Ajo thotë se para një viti ka qenë e papunë dhe se familja e saj trajtohej me ndihmë ekonomike. Në Shqipëri, pagesat mujore për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike variojnë nga 8.500 lekë deri në 12.000 lekë (85-120 euro).

“Nuk dija të endja qilima, por fillimisht jam trajnuar së bashku me gra të tjera dhe më pas jam punësuar. Arrij të siguroj të ardhura për familjen time dhe jam e kënaqur me këtë ndryshim në jetën time”, thotë Dorina. Ajo tregon se produkti i parë që ka shitur, ka qenë një qilim i bërë nga riciklimi i rrobave.

“I presim rrobat e ndryshme në rripa të hollë dhe më pas procesi vijon në tezgjah, ku e thurim qilimin. Në fillim isha pak mosbesuese se si disa rroba që mund të përfundonin në kosh të mbeturinave, do të shndërroheshin në një produkt që do të shitej. Kush do të blinte diçka të tillë, thosha me vete. Pastaj, e pashë me sytë e mi se sa punime të bukura dilnin dhe më befasoi fakti që kishte interes për blerjen e tyre”, thotë 27-vjeçarja.

Ajo thotë se kjo mundësi që i është dhënë, përveçse e ka ndihmuar nga ana financiare për të rritur vajzën e saj, e ka njohur me shumë gra e vajza të tjera, si dhe e ka bërë të ndihet më e përfshirë dhe e pranuar në shoqëri.

“Tradita ime artizanale” është kthyer në një sipërmarrje, ku jo vetëm qytetarë dhe biznese në Elbasan, por edhe nga pjesë të tjera të Shqipërisë bëjnë porosi për punime të ndryshme.

Bakalli thotë se porositë më së shumti vijnë nga emigrantët, të cilët kanë më shumë mundësi ekonomike për t’i blerë këto produkte. Ai tregon se emigrantët porosisin qilima, që i duan ashtu siç i kanë pasur në fëmijëri, sepse me ta janë rritur. Ngjyra, dizajni dhe përmasat zgjidhen sipas porosisë së tyre.

“Një qilim shkon nga 100-300 euro në varësi të dimensioneve dhe motiveve të tij. Kemi klientë nga shtete të ndryshme, madje edhe nga Alaska e largët, që kanë porositur dhe më pas kanë referuar edhe klientë të tjerë”, tregon Bakalli.

Ai shton se prej këtyre porosive varet edhe punësimi apo vazhdimësia e punës për gratë dhe vajzat që vijnë nga familje në nevojë, apo nga situata të tjera më të vështira. Kush i viziton ambientet e ndërmarrjes sociale, mund të provojë gjithashtu kënaqësinë që ofron endja e qilimave në mënyrë artizanale. Vajzat dhe gratë e punësuara i ndihmojnë vizitorët për të bërë disa punime të thjeshta./ REL

elbasan

video

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

Një hormon i rrezikshëm në tavolinën tonë

Monologu: Pensionistët në 2025-ën

Mitingjet e PS dhe administrata në aksion

Fasulet që parashikojnë fatin

LANDFILLI I PALIGJSHËM I SHIJAKUT

1... ditë me Doktorin

Edi Rama - Cirku i fundjavës

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 10

PS-PD, beteja për Elbasanin

Nga premtimi për punë tek kërcënimi me jetë

Makthi i urgjencës së QSUNT 2

Rruga e bllokuar dhe premtimi i kryetares

Misioni i devijuar i Crimson Finance Fund Albania

E ardhmja e fëmijëve, peng i një firme

Roskoveci High-Tech dhe memoria e kryetares

Edi Rama hap fushaten ne studion e Piranjave duke prezantuar per herë te pare pasaporten biometrike

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 9

Gjithçka...për një celular

A na duhet vërtet pasaporta e BE-së

Në kërkim të Habibes

Ngjarja e Lushnjes dhe indiferenca e shoqërisë

Triumfi i Anisës

Helikopteri i Gjestit dhe mashtrimi i madh

Pasiguria Ushqimore

Skandali i Ministrisë me gripin e shpendëve

PS-PD, FJALA PËR ZONJAT KANDIDATE

Seriali Adolescence dhe Shqipëria

I 'forti' i Tropojës që dhunon fqinjët

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 8

Në kërkim të fëmijëve... dhe të divorcit

Pastori i 'mrekullive'

Makthi i urgjencës së QSUNT

Te rinjtë dhe politika, një raport gjithnjë e më klientelist

SEZONI 7 EPISODI 7

Padrejtësia e bashkisë ndaj një familjeje rome

Lëmoshë...me Mercedes

Dritëhijet e një aksidenti tragjik

Detaje të reja për rastin e Anisës, trondit ish-klientja: S'ndjej gjoksin!

Dështimi i paralajmëruar i Air Albania

SEZONI 7 EPISODI 6

Skandali i mbivendosjes me tokat në has

Nevoja për strehim e një të moshuari

Bashkia Lezhë i shpall 'luftë' qytetarëve

Fëmijët e rrugës dhe parazitimi institucional

Një prokuror që arsyeton për momentin

Banorja e BB VIP Kosova dhe mashtrimi ndaj saj

SEZONI 7 EPISODI 5

Kalvari i vuajtjeve të një gruaje

Dekani turist i universitetit të sporteve