AKTUALITET

Rritja e kostove po shkrin biznesin e akullores vendase

Piranjat Përditësimi i fundit 30 Gusht 2026, 09:20

Rritja e kostove po shkrin biznesin e akullores vendase

Prodhuesit paralajmërojnë se pa ulje kostosh dhe politika mbështetëse fiskale, akullorja vendase do ta ketë të vështirë të rrisë praninë në treg. Varësia nga importet, çmimet e larta të lëndëve të para dhe mungesa e fuqisë punëtore mbeten sfidat kryesore të industrisë. Pavarësisht kërkesës në rritje për produkte cilësore, prodhuesit vendas kërkojnë ulje taksash për të konkurruar.

Pas një periudhe të shkurtër rimëkëmbjeje, prodhimi vendas i akullores i është rikthyer tendencës rënëse. Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në vitin 2025, në vend u prodhuan 643 tonë akullore, një rënie prej 40% krahasuar me një vit më parë.

Në më shumë se një dekadë, tkurrja më e madhe e prodhimit vendas u regjistrua në vitin 2016, kur prodhimi ra me rreth 63% krahasuar me vitin paraardhës. Pas kësaj periudhe, sektori u përball me rënie të vazhdueshme, duke arritur nivelin më të ulët në vitin 2022, me vetëm 590 tonë prodhim.

Megjithatë, në dy vitet e fundit (2023-2024) sektori pati rimëkëmbje. Me prodhimin që arriti në sasinë 1,001 tonë në vitin 2024, pati sinjale për ringjallje të tregut të brendshëm të akullores. Krahasuar me vitin 2023, sasia e akullores së prodhuar u rrit me 9%.

Pesha e prodhimit + importeve në vitet 2013-2025 (%)

Por rënia e prodhimit vendas ka shtuar zgjerimin e peshës së akulloreve të importit në treg.

Të dhënat tregojnë se tregu i akullores në Shqipëri vijon të dominohet nga produktet e importit. Në vitin 2025, akullorja vendase përbënte vetëm 17% të tregut, ndërsa importet zunë 83%, nga 77% që ishte një vit më parë pesha e tyre në treg.

Pesha më e lartë e prodhimit vendas u regjistrua në vitin 2020, me 26%, ndërsa niveli më i ulët u shënua në vitin 2021, kur zbriti në 15%. Edhe pse në vitet 2023 dhe 2024 u vu re rritje e lehtë e prodhimit vendas, me përkatësisht 22% dhe 23% të tregut, importet vijuan të mbizotërojnë me mbi tre të katërtat e konsumit.

Pas vitit 2015 gjithashtu pesha e prodhimit vendas rezulton se ka rënë ndjeshëm, duke qëndruar poshtë nivelit prej 30% deri në vitin 2020.

Në vitin 2016, vetëm 28% e akullores në treg ishte prodhuar në vend, ndërsa 72% vinte nga jashtë. Raporti mbeti i pandryshuar edhe në vitet pasuese, duke dëshmuar varësi të lartë nga importet, veçanërisht në sektorin e akullores industriale.

Përjashtim bën viti 2014, kur prodhimi vendas për herë të vetme mbizotëroi në treg me 55% të peshës, çka lidhet me performancën e lartë të disa prodhuesve lokalë dhe kërkesën më të madhe për produkte artizanale.

Prodhuesit: Mungesa e investimeve dhe kostot e larta po dobësojnë sektorin

Që prej vitit 2015, industria vendase e akullores vijon të hasë vështirësi dhe ka humbur një pjesë të konsiderueshme të tregut. Pavarësisht disa periudhave të rimëkëmbjes, tregu vijon të dominohet nga produktet e importuara.

Prodhuesit e lidhin rënien e sektorit edhe me mungesën e industrializimit të procesit të prodhimit. Megjithatë, ata shprehen se nuk do të heqin dorë nga tradita e prodhimit artizanal.

Akullorja që prodhohet dhe tregtohet në vend vijon të jetë kryesisht artizanale, ndryshe nga produktet e importuara të ambalazhuara, që kanë prani më të madhe në treg.

Për sipërmarrësit, të njohur si mjeshtër të krijimit dhe ruajtjes së traditës së akullores artizanale, një nga arsyet kryesore se pse prodhimi vendas mbetet në nivele më të ulëta është pikërisht cilësia e produktit, e cila kërkon kosto më të larta prodhimi.

Sipas tyre, kostot vijojnë të jenë të larta për shkak të përdorimit të qumështit të freskët të lopës, që është një nga lëndët e para kryesore të akullores artizanale.

Nga fermat vendase, prodhuesit furnizohen me qumësht me çmime që variojnë nga 110 lekë për litër deri në 130-150 lekë për litër. Rritje të konsiderueshme të çmimeve kanë shënuar edhe përbërës të tjerë të akullores, të cilët furnizohen kryesisht nga importi.

Sipas prodhuesve vendas, kjo situatë lidhet me mungesën e investimeve në kapacitete prodhuese, kostot e larta të prodhimit për shkak të lëndëve të para të importuara, si dhe pamundësinë financiare për të konkurruar me markat e huaja.

Prodhuesit kërkojnë lehtësim fiskal

Sektori i akullores në Shqipëri ndodhet ende në një fazë të mungesës së konsolidimit, duke ndjekur filozofinë e prodhimit në sasi të kufizuara dhe me cilësi të lartë.

Prodhuesit artizanalë vazhdojnë të mbështeten në parimin “prodho pak dhe me cilësi”, pasi konsumatorët që zgjedhin akulloren artizanale janë gjithnjë e më të orientuar drejt cilësisë, përbërësve natyralë dhe shijes autentike.

Megjithatë, për prodhuesit kryesorë të akullores, politikat mbështetëse të shtetit, veçanërisht lehtësitë fiskale në TVSH dhe mbështetja për prodhimin vendas të qumështit, mbeten thelbësore.

Këto masa janë të domosdoshme për të reduktuar varësinë nga importi i lëndëve të para, për të ulur kostot e prodhimit dhe për të rritur konkurrueshmërinë e prodhuesve lokalë në treg.

Gazmend Hakiki, një nga themeluesit e markës së akullores “Mango”, një biznes familjar i krijuar para viteve ’90 nga gjyshi i tij, i ngjashëm me modelin kroat, thotë se sfida kryesore lidhet me kostot e larta nga barra fiskale.

Kur flet për prodhimin e akullores, z. Hakiki merr si referencë zhvillimi modelin kroat, përfshirë edhe lehtësitë fiskale që zbaton ky shtet ndaj prodhuesve të vegjël. Për sektorin, situata te stabilizimi i kostove do të arrihet vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ashtu siç ndodhi edhe në Kroaci, ku pas anëtarësimit, shumë biznese përfituan nga masat lehtësuese, duke sjellë edhe stabilizimin financiar të tyre.

Ai thotë se prodhuesit e akullores në vend janë të rënduar nga barra fiskale e TVSH, krahasuar me vendet e rajonit.

“P.sh., në Maqedoninë e Veriut, TVSH tek akullorja është 18%. Ndërsa zbatohet modeli i diferencuar. Nëse një konsumator blen një akullore në dyqan, por e konsum ‘to go’, TVSH që paguhet është 5%.

Vetëm nëse akullorja konsumohet në lokal zbatohet norma e plotë e taksës. Një model të ngjashëm duhet të zbatojë edhe vendi ynë, me qëllim lehtësimin e prodhuesve. Ndërsa në Kroaci, prodhuesit rimbursohen për TVSH-në”, thekson ai.

Diferenca në taksim ndihet edhe tek importet e përbërësve të akullores. “Nëse një prodhues nga Kroacia importon lëndë për prodhim nga Italia, furnizimet e tij janë pa TVSH, për shkak të anëtarësimit të BE-së.

Ndërsa prodhuesi vendas në Shqipëri nuk përfiton asnjë lehtësi fiskale nëse importon nga një vend i Bashkimit Europian. Për rrjedhojë, e theksoj se vetëm anëtarësimi i vendit do të mund të sjellë oportunitetin për të konkurruar në një treg më të madh, ku do të aplikohen lehtësi fiskale, dhe do të ketë mundësi të prodhohet më tepër dhe me kosto më të lirë”.

Edhe për Ferdinand Bregun, themeluesin e dyqaneve të prodhimit dhe tregtimit të akullores “La Nocciola”, një problem i rëndësishëm mbeten lëndët e para natyrale, të cilat sigurohen kryesisht nga importi. Z. Bregu thotë se prodhuesit kryesorë të akullores artizanale në Shqipëri, “nuk luajnë me cilësinë”.

Ai thotë se veçanërisht prodhimi te punishtja “La Nocciola”, mbështetet mbi cilësinë e përbërësve bio që vijnë nga importi, dhe qumështit të freskët që prodhohet në vend.

“Për këto arsye, kostoja e prodhimit të akullores artizanale do të vijojë të mbetet e lartë, pasi prodhuesi nuk bën kompromis me cilësinë. Akullorja është me shije natyrale. Në kosto ndikojnë edhe lëndët e para që furnizohen nga jashtë.

Për shembull, çmimi i kakaos është dyfishuar, ndërsa çmimi i pistajës është rritur me rreth 50% për shkak të kërkesës së lartë të krijuar nga ëmbëlsira e famshme ‘Dubai’, ku ky përbërës përdoret gjerësisht”, shprehet ai.

Edhe Pëllumb Kurti, themeluesi i pastiçerisë “Insean” në Gjirin e Lalëzit më herët rekomandoi marrjen e masave për miratim të lehtësive fiskale te prodhuesit e qumështit, lënda kryesore për prodhimin e akullores. Zoti Kurti rekomandoi se qeveria duhet të rikthejë skemën e subvencionimit të TVSH te prodhuesit e qumështit, pasi do të sillte çmim më të lirë të qumështit.

Skema që nisi të zbatohet nga viti 2014 deri në 2017, subvenciononte 20% TVSh-në e përpunuesve. Skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët u zbatua për herë të parë në vitin 2014, me një normë kompensimi prej 20%, e cila më pas u ndryshua disa herë deri në rikthimin e skemës me normë 10% nga 1 janari 2026.

Në vitet 2014 deri në 2017, skema e rimbursimit të TVSH-së për përpunuesit ishte 20%.

Kjo nënkuptonte se, për çdo blerje nga fermerët me faturë tatimore, përpunuesi mund ta kreditonte këtë vlerë në TVSH-në e zbritshme. Skema e bënte ekonomikisht më të leverdishme blerjen e produkteve me çmime më të larta nga fermerët, duke garantuar njëkohësisht marzh të qëndrueshëm fitimi për industrinë përpunuese.

Nga viti 2019 deri në fund të vitit 2021, skema u ndryshua. TVSH-ja e kreditueshme për blerjet nga fermerët u ul nga 20% dhe arriti në 6%, ndërsa TVSH-ja për shitjen e produkteve të përpunuara mbeti 20%.

Ndërsa nga 1 janari 2022, skema u hoq plotësisht. Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se kjo skemë nuk pritet të aplikohet, pasi modele të ngjashme nuk zbatohen edhe në BE, ku vendi ynë po përgatitet të bëjë pjesë.

Akullore me shije natyrale, prodhuesit paralajmërojnë rritje të çmimeve

Prodhuesit kryesorë të akullores në vend paralajmërojnë rritje të çmimit të shitjes së akullore.

Aktualisht, çmimi i akullores varion nga 80 lekë kupa për zonat periferike deri në 100, 150, 170 lekë/kupa në zonat qendrore. Ndërsa në zonat bregdetare Qerret dhe Golem, çmimi i akullores është 150 lekë/kupa. Çmimet kanë mbetur thuajse të pandryshuara krahasuar me vjet.

Prodhuesit paralajmërojnë se vitin e ardhshëm pritet që çmimi për 1 kupë akullore të arrijë nga 170 lekë deri në 200 lekë. Rritja e çmimit varion nga 18 deri në 70%. Çmimi për 1 kg akullore varion nga 1 mijë deri në 2,200 lekë për kg. Prodhuesit paralajmërojnë se çmimi maksimal pritet të arrijë deri në 2,400 lekë për kg.

Shkak, sipas tyre, mbetet kostoja e lartë e prodhimit, përfshirë çmimin e lartë të qumështit të lopës si lëndë e parë që përdorin nga furnizimet e fermave. Edhe çmimet e lëndëve nga importi mbeten të larta.

Kush konsumon më tepër në vend, turistët apo vendasit

“La Nocciola” është një rrjet pastiçerie që operon në Tiranë prej vitit 2016, i specializuar në prodhimin dhe shitjen e akullores artizanale, të përgatitur pa ngjyrues dhe me përbërës natyralë, veçanërisht fruta të ndryshme.

Kompania ka aktualisht 5 pika shitjeje, në zonat kryesore qendrore të kryeqytetit.

Sipas themeluesit Ferdinand Bregu, kërkesa për akullore është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Ai thotë se konsumatori kryesor për markën “La Nocciola” mbetet ai vendas, i cili e konsumon akulloren qoftë në lokal, apo gjatë shëtitjeve në qytet.

Gazmend Hakiki, i dyqaneve “Mango”, thotë se akullorja konsumohet kryesisht nga turistët. “Më pëlqen akullorja dhe çmimi juaj” është një nga shprehjet më të shpeshta që dëgjoj nga konsumatori i huaj, që ulet në lokalet tona. Konsumi dominohet nga turistët e huaj”, pohon z. Hakiki.

Sfidë, gjetja e punonjësve

Ashtu si shumë sektorë të tjerë prodhues në vend, edhe industria e akullores po përballet me sfidën e mungesës së fuqisë punëtore, veçanërisht të profesionistëve të specializuar në prodhim.

Për prodhuesin e akullores Ferdinand Bregu, i cili ka gjithashtu përvojë të gjatë në fushën e rekrutimit të stafit për sektorë si telekomunikacioni dhe call center-at, një ndër arsyet kryesore të mungesës së pastiçerëve profesionistë është mungesa e interesit dhe dëshirës së të rinjve për të ndjekur këtë profesion.

“Nuk ka më punonjës. Nuk ka më njerëz të gatshëm të mësojnë, të përkushtohen dhe të ndërtojnë një profesion. Kjo lidhet edhe me vështirësitë që shoqëria shqiptare ka kaluar gjatë periudhës së tranzicionit dhe ndryshimit të sistemeve, kur shumë të rinj në vitet ‘90 u larguan jashtë vendit.

Edhe sot, emigrimi i të rinjve mbetet një faktor ndikues. Nevojitet një punë e madhe për të ndryshuar këtë mentalitet, për t’i nxitur të rinjtë të punojnë, të zhvillohen profesionalisht dhe të kontribuojnë në vendin e tyre”.

Përveç prodhimit, në vitin 2025 ka pasur rënie edhe për importet. Sipas të dhënave të Doganave, në këtë vit u importua një sasi prej rreth 3,250 tonë akullore. Krahasuar me vitin paraardhës, importi ra me rreth 6%.

Por gjatë vitit 2026, ecuria me importet i është kthyer tendencës rritëse. Sipas të dhënave për periudhën janar-qershor u importua një sasi prej 2,100 tonë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja është me 18%.

E ardhmja për sektorin…

Industria e akullores në Shqipëri mbetet një sektor me potencial zhvillimi, por përballë saj qëndrojnë disa sfida strukturore: varësia nga importet, kostot e larta të lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore të specializuar dhe mungesa e investimeve në kapacitete prodhuese.

Prodhuesit vendas argumentojnë se ruajtja e traditës artizanale duhet të shoqërohet me politika mbështetëse për ulje të taksave apo duke zbatuar modele të diferencuara te TVSH-ja, në mënyrë që akullorja shqiptare të fitojë më shumë hapësirë në tregun vendas.

Sipas tyre, e ardhmja e sektorit varet nga ulja e kostove dhe fuqizimi i prodhimit vendas./Monitor.al

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës