Bënë namin me grabitje në banesa në Spanjë, tre shqiptarët përfundojnë në burg
Një grup prej tre shqiptarësh, të dyshuar për 17 grabitje në banesa në tri provinca të Galicisë në Spanjë, është shkatërruar nga Guardia Civile. Banda përdorte pajisje të sofistikuara, teste kimike për verifikimin e arit dhe diamanteve, si dhe automjete me fuqi të lartë për t’u arratisur pas grabitjeve. Tre personat, Renato D., Ermal N. […]

Një grup prej tre shqiptarësh, të dyshuar për 17 grabitje në banesa në tri provinca të Galicisë në Spanjë, është shkatërruar nga Guardia Civile. Banda përdorte pajisje të sofistikuara, teste kimike për verifikimin e arit dhe diamanteve, si dhe automjete me fuqi të lartë për t’u arratisur pas grabitjeve.
Tre personat, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., janë arrestuar dhe ndodhen në burg pas operacionit të koduar “Ziralla”, të zhvilluar nga Guarda Civile në Spanjë.
Sipas autoriteteve, grupi kriminal kishte një mënyrë të mirëorganizuar veprimi, duke kryer grabitje në banesa dhe duke përfunduar të gjithë procesin brenda vetëm 10 minutash. Një nga veçoritë e bandës ishte përdorimi i teknologjisë dhe pajisjeve speciale për të përzgjedhur sendet me vlerë dhe për të shmangur gjurmimin nga policia.
Gjatë kontrolleve, agjentët sekuestruan targa të përthyera, të cilat dyshohet se përdoreshin për të ndryshuar identitetin e automjetit, gërshërë hidraulike për hapjen me forcë të hyrjeve, si dhe reagentë kimikë që shërbenin për të kontrolluar pastërtinë e arit dhe diamanteve të grabitura. Në këtë mënyrë, grabitësit mund të përcaktonin brenda pak sekondash vlerën e sendeve dhe të përzgjidhnin vetëm ato me interes.
Një tjetër element i mënyrës së tyre të veprimit ishte shmangia e çdo kontakti me banorët. Kapiteni i Njësisë së Policisë Gjyqësore, Juan José López, deklaroi se nëse në banesë kishte njerëz, autorët nuk hynin. Në rast se përballeshin papritur me ndonjë banor, largoheshin menjëherë.
Sipas hetimeve, tre shqiptarëve u atribuohen deri në 17 grabitje gjatë javëve të fundit në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña. Në provincën Ourense janë evidentuar gjashtë raste, të ndodhura në A Merca dhe Allariz më 30 tetor, në Vilanova dos Infantes dhe Barbadás më 1 nëntor, si dhe në Coles e Vilamarín më 4 nëntor.
Hetimi nisi më 30 tetor, ndërsa më 7 nëntor të dyshuarit u larguan nga Galicia, për t’u rikthyer katër ditë më vonë. Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për arrestimin e tyre, Guardia Civile arriti t’i kapte më 18 nëntor në Vila de Cruces, në provincën Pontevedra.
Gjatë kësaj periudhe, të dyshuarit strehoheshin në një zonë pyjore, ku jetonin në një tendë kampingu. Ata lëviznin me një automjet kompakt me të katër rrotat aktive dhe fuqi mbi 350 kuaj fuqi, të cilin e përdornin për t’iu shmangur kontrolleve policore.
Autoritetet bëjnë të ditur se gjatë përpjekjeve për arrestim, të dyshuarit nuk kanë ngurruar të përplasen me automjetet zyrtare të policisë për të hapur rrugën e arratisjes. Nënkoloneli Rafael Berguillo deklaroi se automjeti i tyre, me peshë afro dy tonë, përbënte një rrezik serioz, pasi nuk hezitonin ta drejtonin kundër kujtdo që u dilte përpara.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se banda mund të ketë marrë informacione paraprake për kontrollet e policisë, përmes aplikacioneve të komunikimit ose sinjalizimeve nga drejtues të tjerë automjetesh. Për këtë arsye, Guardia Civile u bëri thirrje qytetarëve të mos publikojnë dhe të mos shpërndajnë informacion për kontrollet policore, pasi kjo mund të ndihmojë personat e dyshuar për veprimtari kriminale t’i shmangin ato dhe të vazhdojnë grabitjet.
Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë, pasi ekziston dyshimi se tre të arrestuarit mund të jenë përgjegjës edhe për grabitje të tjera përtej 17 rasteve të identifikuara deri më tani.
Lexo edhe
AKTUALITET
Vrasja e dyfishtë/ Dyshime për atentat të mirëorganizuar - Autorët ngatërruan shënjestër, qëlluan mbi nipin, pastaj Selami Hasanin

Flakët “përpijnë” një automjet gjatë natës në Vlorë, dyshohet se zjarri nisi nga koshat e mbeturinave

Pastrimi i qyteteve, tarifat mbulojnë vetëm 40% të shpenzimeve, BB propozon ndryshime

Kukësi zgjohet nën mjegull, qarkullimi i vështirësuar në Rrugën e Kombit

Ç'po ndodh me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro





