Në fshatin Neviçisht vetëm pak km larg Korçës këtë 14 shtator dyert e shkollës nuk u hapën.
Shkak ësht&...
BOTA
“Mbretëresha e bukurisë” u zhvati 8 mln dollarë biznesmenëve me një truk të rremë
PiranjatPërditësimi i fundit 18 Mars 2026, 22:00
Një grua nga Sacramento, e cila e quante veten "mbretëreshë bukurie", është deklaruar fajtore për mashtrimin e investitorëve, nga të cilët ajo nxori më shumë se 8 milionë dollarë për të shkuar me pushime, për të luajtur bixhoz dhe për të realizuar një stil jetese luksoze.
Maria Dickerson, 49 vjeç, e njohur edhe si “Dulce Pino”, shiti aksione të rreme në kompaninë fiktive Creative Legal Fundings of California nga viti 2020 deri në vitin 2024, duke u thënë investitorëve se paratë e tyre ishin të sigurta, të mbrojtura dhe të mbështetura nga një kapital i konsiderueshëm.
Sipas New York Post , 49-vjeçarja i gënjeu investitorët se kompania kishte afera me një drejtor ekzekutiv pa emër të një kompanie shumëkombëshe kazinosh dhe resortesh. Ajo gjithashtu pretendoi se kishte fituar konkursin e bukurisë "Ms. Woman Nevada".
Ajo u premtoi investitorëve një kthim prej 10% dhe madje priti një nga viktimat e saj në një suitë në Las Vegas për ta bindur atë t'i jepte paratë. Dickerson mori para nga investitorë të rinj dhe pagoi disa nga viktimat e saj të mëparshme për të vazhduar skemën për katër vjet.
Me paratë që vodhi, ajo bleu një makinë të shtrenjtë, mallra firmato dhe një shtëpi në Sacramento. Ajo financoi pushimet e saj, luajti bixhoz në kazino dhe udhëtoi me avionë privatë.
Sipas Komisionit të Letrave me Vlerë të SHBA-së, të paktën 6 milionë euro nga paratë e mashtruara erdhën nga komuniteti filipinas në SHBA. 49-vjeçarja u përpoq të ngrinte një kompani tjetër fiktive për të vazhduar mashtrimet dhe për t'u dhënë para investitorëve të supozuar. Maria Dickerson u arrestua dhe do të dalë në gjyq, duke u përballur me një dënim deri në 40 vjet burg.