BOTA

"Privilegji amerikan në rrezik!" The Economist: Donald Trump mund të rrëzojë Dollarin

M.B. Përditësimi i fundit 4 Maj 2025, 07:28

"Privilegji amerikan në rrezik!" The Economist: Donald Trump mund

SHBA- Kur aksionet dhe yield-et bien, Dollari rritet. Gjatë pjesës më të madhe të historisë moderne financiare, ka pasur një marrëdhënie të qëndrueshme midis kompanive të listuara të Amerikës, bonove qeveritare dhe vlerës së monedhës, duke mundësuar kështu kalimin e qetë të krizave. Kjo nuk është më e vërtetë.

Trazirat në tregjet financiare gjatë javëve të fundit për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të tarifave amerikane, kanë qenë të një natyre krejt të ndryshme. Për shembull, gjatë rënies së tregut të aksioneve në vitet 2008 dhe 2020, Dollari u rrit. Sepse, kur investitorët janë të frikësuar, ata normalisht nxitojnë drejt sigurisë së borxhit amerikan, duke rritur kështu vlerën e monedhës së gjelbër. Këtë herë, investitorët po i shmangen thesarit amerikan.

Yield-et e bonove qeveritare dhjetëvjeçare amerikane, të cilat rriten kur çmimet bien, janë rritur nga 4.2% në 4.5% muajin e kaluar. Ndërkohë, Dollari ka rënë me mbi 9% kundrejt disa valutave të tjera, që nga kulmi i tij në mesin e janarit. Prishja e kësaj marrëdhënieje dikur të fortë, është pasojë e natyrës impulsive të qeverisë së tanishme amerikane. Politika tregtare luftarake e presidentit Donald Trump, paaftësia e administratës së tij dhe dyshimi i disa këshilltarëve amerikanë për rolin global të Dollarit kanë tronditur investitorët e huaj.

Duke qenë se këta investitorë zotërojnë aksione dhe bono amerikane me vlerë rreth 32 trilionë dollarë, mendimi i tyre ka shumë rëndësi. Kërkesa e jashtme jo vetëm që rrit bursat amerikane, por ul normat e interesit për borxhet e mëdha të qeverisë amerikane, duke i bërë ato të përballueshme. Kjo është një nga veçoritë e mbizotërimit të Dollarit në botë, e njohur si “privilegji i tepruar”.

Politikanët dhe investitorët kudo në botë, dikur i shpërfillnin idetë e rrëzimit nga froni të Dollarit amerikan. Pesha ekonomike e Amerikës, tregjet e saj të thella dhe fitimprurëse, hapja ndaj flukseve të kapitalit dhe sundimi i besueshëm i ligjit, e bënin pozicionin e vendit thjesht të padiskutueshëm. Por në javët e fundit, kjo ide që vë në dyshim sundimin e valutës amerikane, është bërë më e besueshme.

Është ende e vështirë të parashikohet se me çfarë mund të zëvendësohet Dollari. Për tetë dekada, monedha amerikane ka qenë pika kryesore e tregtisë dhe financave në botë. Rreth gjysma e së gjithë huadhënies përtej kufijve amerikanë, kryhet në Dollarë dhe kjo monedhë është e përfshirë në 88% të transaksioneve në valutë të huaj. Pra, bota moderne është ndërtuar mbi monedhën e gjelbër.

Por, disa anëtarë të administratës Trump do të brohorisnin nëse Dollari do të humbiste kurorën. Kur ishte senator, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance kritikoi rolin ndërkombëtar të Dollarit, duke argumentuar se grumbullimi i letrave me vlerë amerikane nga të huajt, e kishte ngritur artificialisht vlerën e Dollarit, duke dëmtuar industrinë amerikane.

Në nëntor, Stephen Miran, i cili tani është kreu i Këshillit Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, tha në një konferencë se presidenti mund të taksonte në mënyrë të njëanshme thesaret e mbajtura si rezerva jashtë shtetit, në mënyrë që të shkurajonte investitorët që t’i blinin ato. Kjo ka frikësuar bankierët qendrorë në mbarë botën.

Përgjegjësit që mbikëqyrnin rezervat e këmbimit valutor kishin filluar të zgjeronin larminë e aseteve që përpara se Trump të fitonte mandatin e dytë. Disa kanë frikë se Departamenti i Thesarit i Amerikës do të vendosë sanksione. Të tjerë thjesht duan të sigurohen që të mos i vënë të gjitha vezët në një shportë. Pjesa e Dollarit në rezervat globale ka rënë nga 73% në vitin 2001, në 58% sot.

Gjatë së njëjtës kohë, kanë ngritur kokën një shumëllojshmëri monedhash të tjera, si Dollari australian, Dollari kanadez, Krona suedeze dhe Franga zvicerane. Bankat qendrore gjithashtu kanë diversifikuar asetet, duke blerë më shumë se 1,000 tonë ar në secilin nga tre vitet e fundit, një rritje prej më shumë se 140% në krahasim me tre vitet e mëparshme.

Një diversifikim i tillë vetëm sa do të rritet, mendon Gary Smith nga firma Columbia Threadneedle Investments, që punon me bankat qendrore dhe fondet e pasurisë sovrane. Që përpara se të fillonte breshëria e tarifave të Trump, zoti Smith kishte parashikuar se pjesa e dollarit në rezerva valutore të huaja do të binte me dhjetë pikë përqindje shtesë gjatë dekadës së ardhshme. “Tani është e qartë se kisha bërë një nënvlerësim të madh”, thotë ai.

Fati i monedhës së gjelbër

Gjatë dekadës së fundit, kërkesa ndërkombëtare për asete në dollar, ka ardhur kryesisht nga burime të tjera përveç bankave qendrore, veçanërisht nga fondet gjigante të pensioneve dhe kompanitë e sigurimit të jetës, shumë prej të cilave operojnë në Azi. Këto shpesh kanë investime që arrijnë në qindra miliarda dollarë, të cilat drejtohen nga komitete që mblidhen jo rregullisht, çka do të thotë se nuk mund ta ndryshojnë strategjinë e tyre sa hap e mbyll sytë.

E megjithatë, entuziazmi i tyre për Amerikën është venitur. “Shumë investitorë ndërkombëtarë kanë frikë se eksepsionalizmi amerikan mund të jetë drejt fundit”, thotë Huw van Steenis nga firma këshillimore Oliver Wyman.

“Shumica do të dalin në përfundimin se Dollari nuk është më aq i sigurt sa dikur dhe se është i nevojshëm një diversifikim më i mirë i aseteve”.

Edhe nëse mbizotërimi i Dollarit zvogëlohet vetëm paksa, pra nëse institucionet e huaja thjesht i pakësojnë zotërimet e aseteve amerikane, në vend që t’i shesin ato në masë, gjithsesi, kjo do ta vështirësojë gjendjen fiskale të Amerikës. Qeveria amerikane ka një deficit buxhetor me vlerë sa 7% e PBB-së dhe fatura e interesit është rritur në vitet e fundit, çka do të thotë se yield-et më të larta të bonove do të shkaktonin probleme të thella për ekonominë.

Më 10 prill, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi planin e Senatit për një buxhet që mund të shtojë 5.8 trilionë dollarë në deficit gjatë dhjetë viteve të ardhshme, sipas Komitetit për Buxhetin Federal të Përgjegjshëm. Kjo në tërësi është një vlerë më e madhe parash sesa shkurtimet e taksave në mandatin e parë të Donald Trump, përgjigjja ndaj pandemisë Covid-19 në vitin 2020 dhe faturat e stimulit dhe infrastrukturës së presidentit Joe Biden, të marra së bashku.

Investitorët e huaj kanë arsye të forta për t’i “parkuar” diku tjetër paratë e tyre. Sidoqoftë, ata që kërkojnë të mbrohen nga tekat e Donald Trump, përballen me një vështirësi: Dollari nuk ka një pasardhës të dukshëm. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur varfërimi i Britanisë bëri që paundi të mos funksiononte më si një monedhë globale, monedha e gjelbër ishte një kandidat i përsosur për ta zëvendësuar.

Valutat në të cilat bankat qendrore po zhvendosin sot investimet e tyre janë relativisht të vogla, me tregje aksionesh dhe bonosh tepër të vogla për të zëvendësuar dollarin. Euro dikur shihej si një zëvendësim i mundshëm për monedhën e gjelbër. Mund të ndodhë përfundimisht kështu, nëse politikanët e kontinentit përfitojnë nga gjendja e tanishme. Por investitorët do të kërkojnë prova se është zgjidhur e meta më e madhe e monedhës së përbashkët: rreziku i kredisë në borxhet qeveritare, që lind nga pasiguria se cila huamarrje do të garantohej përfundimisht nga Banka Qendrore Europiane.

Borxhi i Gjermanisë, që shihet si lloji më i sigurt nga investitorët globalë, shkon në rreth 3 trilionë dollarë, afërsisht sa një e dymbëdhjeta e totalit amerikan. Tregjet e borxhit të korporatave të Europës janë gjithashtu të vogla. A mund të ngjitet juani në hierarkinë e monedhave? Edhe pse ekonomia e Kinës është mjaftueshëm e madhe për të mbështetur një rol shumë më të rëndësishëm për vendin, përparimi në ndërkombëtarizimin e monedhës ka ngecur. Juani përbën rreth 2% të rezervave globale të bankave qendrore, një shifër që ka rënë që nga kulmi katër vjet më parë.

Zyrtarët kinezë nuk tregojnë interes për të zvogëluar kontrollet e tyre të gjera të kapitalit, një lëvizje që do të ishte e nevojshme për të joshur paratë e huaja. Dhe lëkundjet e rastësishme dhe të paparashikueshme të sektorit privat kanë qenë më të dëmshme se çdo ndëshkim nga administrata Trump. Në vend që të liberalizojë monedhën, Kina dëshiron të forcojë sistemin e saj financiar kundër Amerikës. Banka Popullore e Kinës ka krijuar linja shkëmbimi me bankat qendrore jashtë shtetit dhe ka ngritur platformën për pagesa jashtë shtetit, me qëllim për të ulur varësinë nga SWIFT, një sistem për pagesat bankare me seli në Belgjikë.

Eksperimente të tilla nuk do të bëjnë që juani të zëvendësojë dollarin. Por sipas Martin Chorzempa nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, ato mund të kufizojnë ndikimin e monedhës së gjelbër përtej kufijve të Amerikës, duke mundësuar një alternativë për vendet që janë shkëputur nga financat perëndimore.

Nëse qeveria amerikane e zbeh rolin e Dollarit, qoftë qëllimisht apo rastësisht, atëherë vendet e tjera mund të përpiqen të mbrojnë veten duke vendosur pengesa ndaj kapitalit dhe duke kërkuar rrjete të tjera financiare. Duke qenë se nuk ka një pasardhës të vërtetë të Dollarit, mund të krijohej një botë me blloqe rivale monedhash, pengesa ndaj tregtisë dhe efikasitet më të ulët. Javët e fundit kanë qenë një reflektim i një të ardhmeje të tillë dhe nuk ka qenë e këndshme./ Monitor

shba

video

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 13

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 13

PS-PD, flasin dy zonja Tirone

Beteja e premtimeve për 'kapjen' e pensionistëve

Ku ka përfunduar bursa e 17 vjeçares

A po na përgjojnë me 'DPI'

Arsimi sot!

Çështja Mcgonigal dhe lobimet okulte

Kush po e shkatërron Tiranën?

Rama mitingu në Kukës

Afera e 'Tigrave' dhe heshtja e zonjës Balluku

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 12

Paralajmërimi i Piranjave

Gënjeshtrat e kryeministrit për energjinë

Mbeturinat e shijakut 'infektojnë' Fushë-Krujën

Ndërtimet abuzive në velipojë

Gjuha vulgare e një kryeministri

Ti nuk je vetem nje vote!

Dherat dhe inertet 'pushtojnë' Tiranën

Performanca e Zegjinesë së Roskovecit

Homazh per Papa Franceskon nga Dom Mark Pashkja

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

Një hormon i rrezikshëm në tavolinën tonë

Monologu: Pensionistët në 2025-ën

Mitingjet e PS dhe administrata në aksion

Fasulet që parashikojnë fatin

Landfilli i paligjshëm i Shijakut

1... ditë me Doktorin

Edi Rama - Cirku i fundjavës

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 10

PS-PD, beteja për Elbasanin

Nga premtimi për punë tek kërcënimi me jetë

Makthi i urgjencës së QSUNT 2

Rruga e bllokuar dhe premtimi i kryetares

Misioni i devijuar i Crimson Finance Fund Albania

E ardhmja e fëmijëve, peng i një firme

Roskoveci High-Tech dhe memoria e kryetares

Edi Rama hap fushaten ne studion e Piranjave duke prezantuar per herë te pare pasaporten biometrike

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 9

Gjithçka...për një celular

A na duhet vërtet pasaporta e BE-së

Në kërkim të Habibes

Ngjarja e Lushnjes dhe indiferenca e shoqërisë

Triumfi i Anisës

Helikopteri i Gjestit dhe mashtrimi i madh

Pasiguria Ushqimore

Skandali i Ministrisë me gripin e shpendëve

PS-PD, FJALA PËR ZONJAT KANDIDATE

Seriali Adolescence dhe Shqipëria

I 'forti' i Tropojës që dhunon fqinjët

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 8