KLSH trondit Bashkinë Himarë: 22.6 miliardë lekë toka e troje pa inventar
Bashkia Himarë rezulton me probleme të konsiderueshme në administrimin e të ardhurave, si dhe evidentimin e pasurive publike

Bashkia Himarë rezulton me probleme të konsiderueshme në administrimin e të ardhurave, evidentimin e pasurive publike dhe raportimin financiar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar 16 gjetje në auditimin për periudhën 2023–2025, mes të cilave spikasin 314.8 milionë lekë taksa dhe tarifa të pambledhura, mungesa e inventarizimit të pasurive me vlera miliardëshe dhe mospërputhje ndërmjet bilanceve të bashkisë dhe të dhënave të Thesarit.
315 milionë lekë taksa dhe tarifa të pambledhura
Në fund të vitit 2025, detyrimet e papaguara ndaj Bashkisë Himarë arritën në 314.8 milionë lekë, ose rreth 3.15 milionë euro.
Nga kjo shumë, 171.3 milionë lekë u përkasin bizneseve dhe subjekteve të tjera, ndërsa 135 milionë lekë janë detyrime të familjeve. Gjithashtu, 4 milionë lekë lidhen me taksën e ndikimit në infrastrukturë për legalizimet dhe 4.5 milionë lekë me tarifat e autorizimit për tregtimin e hidrokarbureve.
KLSH kërkon marrjen e masave për arkëtimin e këtyre detyrimeve, të cilat përbëjnë të ardhura të rëndësishme për financimin e shërbimeve dhe investimeve publike në një bashki me aktivitet të zhvilluar turistik dhe në tregun e pronave.
Mbi 22.6 miliardë lekë toka dhe troje pa inventar të dokumentuar
Pasuritë publike të Bashkisë rezultojnë gjithashtu me probleme. Sipas KLSH-së, për toka, troje dhe terrene me vlerë 22.62 miliardë lekë mungojnë inventarët kontabël dhe fizikë.
Mungesa inventarësh është konstatuar edhe për ndërtesa dhe konstruksione me vlerë 1.53 miliardë lekë, rrugë dhe vepra ujore me vlerë 915.5 milionë lekë, si dhe studime e kërkime me vlerë 182.7 milionë lekë. Probleme të ngjashme evidentohen edhe për makineritë, pajisjet dhe mjetet e transportit.
Këto mangësi vështirësojnë verifikimin e pasurive, saktësinë e vlerës së tyre dhe llogaritjen e amortizimit. Megjithatë, mungesa e inventarëve nuk nënkupton se pasuritë mungojnë fizikisht apo se vlera e tyre përbën dëm ekonomik të provuar.
Bashkia raporton zero detyrime, Thesari evidenton 48.5 milionë lekë
Mospërputhje janë konstatuar edhe në detyrimet financiare ndaj të tretëve. Në bilancin e vitit 2025, Bashkia Himarë ka raportuar zero lekë detyrime ndaj furnitorëve dhe kreditorëve të ndryshëm.
Por të dhënat e rakorduara me Thesarin tregojnë 48.49 milionë lekë detyrime, ndërsa Ministria e Financave raporton edhe 2 milionë lekë fatura të palikuiduara për investime.
Sipas KLSH-së, kjo tregon mungesë të evidentimit të plotë dhe të saktë të detyrimeve, duke cenuar transparencën mbi gjendjen reale financiare të bashkisë.
Miliarda lekë investime dhe rivlerësime pa dokumentacion të mjaftueshëm
Auditimi ka zbuluar mangësi në dokumentimin e investimeve në aktive afatgjata materiale dhe jomateriale, me vlerë 2.4 miliardë lekë, për të cilat mungon informacioni kontabël dhe dokumentacioni mbështetës.
Probleme të ngjashme evidentohen për pjesëmarrjen në kapital, me vlerë 231.3 milionë lekë, dhe rezervat nga rivlerësimi i aktiveve afatgjata, me vlerë 23.23 miliardë lekë, të trashëguara ndër vite.
KLSH kërkon analizimin dhe saktësimin e këtyre llogarive për të garantuar pasqyrimin e besueshëm të pasurisë publike.
Diferenca 157 milionë lekë në të ardhurat nga taksat
Sipas të dhënave të raportit, janë gjetur pasaktësi edhe në regjistrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Bashkia ka regjistruar 2.79 miliardë lekë të ardhura nga taksat dhe tatimet, ndërsa të dhënat e Thesarit tregojnë 2.95 miliardë lekë, me një diferencë prej 157.3 milionë lekësh.
Grantet korrente janë raportuar 304.2 milionë lekë, kundrejt 197 milionë lekëve sipas Thesarit, duke rezultuar të mbivlerësuara me 107.15 milionë lekë.
Ndërkohë, shpenzimet për mallra dhe shërbime janë nënvlerësuar me 51.2 milionë lekë, ndërsa për 517.4 milionë lekë shpenzime të tjera mungojnë analizat dhe informacioni mbështetës.
Audituesit e KLSH-së kanë konstatuar gjithashtu përfshirjen e 1.46 miliardë lekëve të ardhura të trashëguara nga viti paraardhës në pasqyrën e performancës, ndonëse këto nuk duhet të ndikojnë në rezultatin e vitit ushtrimor.
Sipas KLSH-së, këto pasaktësi deformojnë rezultatin financiar të bashkisë. Në përfundim, Bashkisë i janë lënë 15 masa organizative dhe një masë për uljen e borxhit tatimor dhe përmirësimin e arkëtimit të detyrimeve vendore. /ekofin.al
Lexo edhe
AKTUALITET
Bashkia Korçë, miliona euro detyrime dhe gjysma e investimeve të parealizuara

Tabela/ Detyrimi i ri për taksën vjetore të makinave me naftë dhe benzinë rritje deri në 2.7 herë

Kujtohet Albpetrol, urdhëron bllokimin e aksioneve të “Bankers”: Na ka detyrime pa paguar!

“Nuk mendoja kurrë që do të ndaja lajmin e ikjes tënde“/ Elsa Lila reagon pas ndarjes nga jeta të dajës së saj Saimir Vishaj

Paralajmëron kallëzim ndaj Toni Gogut/ Avokati i Veliajt: Nuk kam frikë nga kërcënimet e Ramës





