Tabela/ Detyrimi i ri për taksën vjetore të makinave me naftë dhe benzinë rritje deri në 2.7 herë
Ndryshimet e propozuara në paketën fiskale për transferimin e taksës së qarkullimit nga karburantet te mjetet, pritet të sjellë rritjen deri në 2.7 herë për taksën vjetore të mjeteve të përdorura. Monitor ka përllogaritur detyrimin e ri për autoveturat me cilindrat deri në 2,000 cc, si për makinat me naftë, edhe me benzinë

Ndryshimet e propozuara në paketën fiskale për transferimin e taksës së qarkullimit nga karburantet te mjetet, pritet të sjellë rritjen deri në 2.7 herë për taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Monitor ka përllogaritur detyrimin e ri për autoveturat me cilindrat deri në 2,000 cc, si për makinat me naftë, edhe me benzinë, duke marrë në konsideratë moshën e mjetit, nivelin e ri të taksës fikse të propozuar për karburantin dhe koeficientët e rinj të viteve të përdorimit.
Sipas përllogaritjeve nga 71% deri në 175% do të rritet detyrimi i taksës vjetore për makinat me naftë deri në 2,000 cc, në varësi të moshës së automjetit. Edhe për makinat me benzinë detyrimi vjetor për taksën e mjetit do të rritet nga 71 deri në 175% në varësi të moshës.
Rritja më e lartë e detyrimit do të jetë për makinat e moshës mbi 10-vjeçare. Sipas llogaritjeve, një pronar që disponon një makinë të moshës 10-vjeçare apo e prodhuar në vitin 2016, me vëllim deri në 2,000 cc, me naftë aktualisht paguan si taksë të mjetit, detyrim vjetor me vlerë 6,000 lekë.
Pas 1 janarit 2027 sipas llogaritjeve me ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për taksat kombëtare”, në paketën fiskale detyrimi për pronarin e këtij mjeti do të arrijë në vlerën e 16,500 lekë apo 10,500 lekë më shumë nga sa paguan. Detyrimi do të rritet 175%. Kjo është rritja më e lartë sipas moshës së makinave.
Për shembull për një mjet të moshës 16 vjeçare me benzinë, aktualisht detyrimi i taksës vjetore llogaritet në vlerën e 9,600 lekëve në vit. Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve detyrimi për këtë mjet do të arrijë në 19,200 lekë apo 9600 lekë më shumë. Detyrimi do të dyfishohet.
Po si llogaritet detyrimi aktual për taksën vjetore të makinave
Sipas legjislacionit në fuqi, taksa vjetore për mjetet llogaritet duke shumëzuar cilindratën e mjetit me koeficientin sipas vjetërsisë të përdorimit dhe taksën fikse sipas llojit të karburantit.
Aktualisht taksa fikse për naftën është 12,5 lekë dhe për benzinën 10 lekë. Këto nivele janë përcaktuar që në vitin 2013.
Ndërsa koeficienti i viteve të përdorimit nis nga niveli 0 për mjetet e reja (me moshë 1 deri 3 vjeçare) deri në 0.78 për mjetet me moshë 30 vjeçare. Niveli i koeficienteve të viteve të përdorimit është i njëjtë për të dyja llojet e mjeteve si për naftën dhe benzinën të kategorisë së parë me vëllim deri në 2 mijë cc.
Si do të llogaritet detyrimi i ri i taksës vjetore për mjetet
Pas ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për taksat kombëtare”, ku taksa e qarkullimit me vlerë 27 lekë për litër nga karburanti do të zhvendoset te taksat vjetore të mjeteve është propozuar rritje e taksa fikse, si për naftën dhe benzinën. Të dyja këto taksa janë pjesë e formulës për llogaritjen e detyrimit.
Për kategorinë e parë, që përfshin mjetet me vëllim deri në 2 mijë cc taksa fikse për naftën nga 12.5 lekë është propozuar të jetë 25 lekë. Taksa fikse për benzinën nga 10 lekë që është aktualisht në 20 lekë.
Rritje do të ketë edhe te koeficientet e viteve të përdorimit. Si për makinat me naftë dhe benzinë deri në 2 mijë cilindrat koeficenti varion nga 0.15 për makinat e deri në 0.82 për makinat e moshës 30 vjeçare.
Rritja më e lartë
Nga ndryshimet me më tepër detyrime do të ngarkohen makinat e vjetra, të moshës mbi 10-vjeçare.
Pronari i një mjeti një makinë 25 vjeçare me naftë aktualisht paguan një detyrim vjetor predj 19,500. Pas ndryshimeve do të paguajë detyrimin prej 33,500. Në vlerë detyrimi i rritet 14 mijë lekë apo 72% më tepër.
Për makinat 30 vjeçare detyrimi për taksën vjetore do të dyfishohet. Një pronar mjeti nga 19,500 lekë që paguan aktualisht, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve do të paguajë 41 mijë lekë. Detyrimi në vlerë rritet 21,5 mijë lekë apo 110% më tepër. / Monitor

Lexo edhe
AKTUALITET
Kujtohet Albpetrol, urdhëron bllokimin e aksioneve të “Bankers”: Na ka detyrime pa paguar!

“Nuk mendoja kurrë që do të ndaja lajmin e ikjes tënde“/ Elsa Lila reagon pas ndarjes nga jeta të dajës së saj Saimir Vishaj

Paralajmëron kallëzim ndaj Toni Gogut/ Avokati i Veliajt: Nuk kam frikë nga kërcënimet e Ramës

Bulqizë/ 53-vjeçari sulmohet për vdekje nga ariu

Çfarë ka ndodhur mes Veliajt dhe Ramës? Flet sërish Artan Hoxha





