
Që prej përshkallëzimit të protestave në përplasje të dhunshme me policinë, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet dhe po përdor një retorikë përçarëse dhe ndëshkuese ndaj studentëve, që shkon përtej paralajmërimit për zbatimin e ligjit.
Ai pretendoi fillimisht, pa paraqitur prova, se pas mobilizimit të të rinjve qëndrojnë shërbime të huaja si Rusia apo Irani, apo lëvizja ANTIFA, e shpallur si organizatë terroriste nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Më pas, ai kërcënoi me heqje bursash, kufizim të shërbimeve dhe me masa të tjera që prekin drejtpërdrejt të drejtat e garantuara në Kushtetutë.
“Do t’ju mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, nëpër hotele, nëpër trena, nëpër të gjitha mjetet e transportit dhe natyrisht që do të bashkëpunojmë dhe e kemi nisur punën me vendet e Bashkimit Europian për t’ua ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm,” deklaroi ai.
Retorika e përdorur nga kryeministri nuk ngre vetëm shqetësime për bazën kushtetuese dhe ligjore, por rikthen sipas studiuesve të historisë, reminishencat e së shkuarës totalitare të Shqipërisë.
“Njësoj si para viteve ’90, ai po i paraqet protestuesit si armiq të popullit, agjentë dhe bashkëpunëtorë të fuqive të huaja,” i tha BIRN Hasan Bello, studiues i historisë politike shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës komuniste.
Sipas Bellos, kryeministri po synon të delegjitimojë studentët përmes termave përjashtues, kërcënimeve dhe një polarizimi të shoqërisë, të ngjashme me “luftën e klasave”.
“Kjo i hap rrugën shtimit të tensionit social dhe represionit nga organet ligjzbatuese,” theksoi Bello.
Edhe Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, vëren reminishencat e një kulture autoritare në retorikën e Ramës. Ai thotë gjithashtu se sjellja e kryeministrit reflekton ‘personalizimin e pushtetit’ deri në atë pikë, sa shfaqet si “burim i autoritetit ligjor për gjithçka”.
“Diktatorët japin urdhëra e direktiva pa marrë në konsideratë infrastrukturën ligjore në fuqi,” tha Hoxha, duke nënkuptuar se Rama po vepron në tejkalim të kufizimeve demokratike.
Për pedagogen Enriketa Papa, kjo retorikë është e dëmshme dhe aspak produktive në një moment kaq delikat, kur tensionet sociale janë tepër të nxehta.
“Përpos reminishencave të kulturës së dhunës dhe mendësisë autoritare si trashëgimi të së kaluarës komuniste, retorika nxit konfliktin dhe jo uljen e tensioneve dhe paqen sociale,” tha Papa për BIRN.
Ndarja mes “nesh” dhe “atyre”
Regjimet totalitare e kanë përdorur historikisht gjuhën përjashtuese për të ndarë shoqërinë mes qytetarëve të konsideruar të pranueshëm dhe atyre të shpallur armiq – një proces që nën diktaturën totalitare 45-vjeçare në Shqipëri njihej si ‘lufta e klasave’. Kjo gjuhë përjashtuese e justifikon përjashtimin dhe ndëshkimin e një pjese të popullsisë si domosdoshmëri për mbrojtjen e shoqërisë.
Në këtë linjë, psikoterapisti Neli Demi e analizon retorikën e kryeministrit Edi Rama si një formë stigmatizimi që shkon përtej ndëshkimit të veprimeve të dhunshme, duke krijuar idenë e një kategorie qytetarësh që duhen përjashtuar nga jeta shoqërore.
“Kjo gjuhë ushqen ndarjen mes ‘nesh’, qytetarëve të pranueshëm, dhe ‘atyre’, njerëzve prej të cilëve duhet të mbrohemi,” tha Demi, ndërsa shtoi se “frika mund ta bëjë publikun më të gatshëm të pranojë përjashtimin, ndërsa zemërimi mund ta kthejë poshtërimin e tjetrit në diçka mëse të merituar”.
Në një demokraci, konstaton Demi, përgjegjësia e drejtuesit politik është që të vendosë kufij ndaj dhunës, duke ruajtur dallimin mes autorit të një veprimi të paligjshëm, protestuesit dhe kundërshtarit politik. Por retorika e përdorur nga kryeministri mbart sipas tij rrezikun që të rrisë edhe më tej mosbesimin dhe konfliktin.
“Përgjegjësia individuale kërkon prova dhe shqyrtim individual, ndërsa damkosja kolektive, si në rastin e reagimeve të Kryeministrit Rama, i shkrin këto dallime,” tha Demi për BIRN.
Gjithsesi, Demi thekson se “historia dhe psikologjia, na kanë mësuar e vërtetuar vazhdimisht që forca mund të imponojë bindje, por nuk mund të prodhojë besim”.
Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat dhe liritë themelore të individit dhe parashikon se kufizimi i tyre bëhet vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, dhe duhet të jenë proporcionale me gjendjen që i ka diktuar ato.
Kushtetuta garanton gjithashtu të drejtën për të lëvizur lirisht, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa mbron të drejtën për një proces të rregullt ligjor kur cenohen të drejtat, liritë apo interesat kushtetuese dhe ligjore të individit.
Studiuesit e historisë theksojnë se në çdo rast, përgjegjësia për veprime të paligjshme në një demokraci përcaktohet përmes procedurave ligjore dhe nga institucionet kompetente, jo përmes listave dhe urdhrave politikë të shpallur publikisht.
Sipas Çelo Hoxhës, vullneti politik i kryeministrit nuk mund të përcaktojë pasoja ligjore për qytetarët.
“Kërcënimi për ndalimin e hyrjes në BE për persona të caktuar ekspozon mangësitë e formimit juridik të Kryeministrit,” thotë Hoxha, ndërsa shton se “dëshirat e tij nuk janë akte normative, por shenja totalitarizmi”.
Më tej, ai argumenton se e drejta e lëvizjes është e drejtë natyrore dhe drejtë kushtetuese dhe si e drejtë kushtetuese ajo nuk mund të kufizohet me vendimarrje ekzekutive, por vetëm me vendim gjykate, për arsye të bazuara në ligj.
E njëjta gjë vlen edhe për faturimin e dëmit ndaj protestuesve ose gjobitja e prindërve në vend të fëmijëve të mitur që, sipas Hoxhës, “nuk mund të bëhen me vendim ekzekutiv ose politik”, por vetëm pasi t’i nështrohen procesit ligjor përmes gjykatës.
Edhe historiani Hasan Bello i konsideron mjetet që Rama kërkon të përdorë kundër protestuesve si antikushtetuese dhe në kundërshtim me vlerat demokratike europiane.
“Është në nderin e tij personal dhe detyrim ligjor që të heqë dorë nga gjuha e përdorur deri sot dhe reminishencat që të kujtojnë atë që përdorte regjimi komunist kundër studentëve në vitin ’91,” përfundoi Bello./ BIRN
Artikuj te sugjeruar
POLITIKE
26 Tetor08:15
Rama heq dorë nga karriget e dialogut, nxjerr tavolinën prej guri para Kryeministrisë
Kryeministri Edi Rama ka bërë sërish thirrje për dialog me studentët, të cilët prej dy javësh vijojnë protestat d...
POLITIKE
25 Tetor17:53
Reuters: Gjobat dhe kërcënimet e Ramës, nuk e ndalin valën e protestave në Shqipëri!
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull valës së protestave antiqeveritare në Shqipëri, duke v&eu...
POLITIKE
25 Tetor17:35
Motra e Erjon Vishkullit i rrëzoi pretendimet, Rama këmbëngul: U mora unë personalisht me dërgimin e tij në Itali
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kundërshtimit të pretendimeve të tij nga motra e Erjon Vishkullit, lidhur me angazhimin personal të kre...
POLITIKE
25 Tetor17:07
Motra e Erjon Vishkullit i "çjerri propagandën" Ramës/ Koçiu vijon me gënjeshtrat: Qeveria është angazhuar për të garantuar trajtimin e të riut
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka akuzuar ekranet dhe konfliktet e vjetra politike se po nxisin dhunën gjatë protestave. Me ...
POLITIKE
25 Tetor16:20
Paketa ligjore e Ramës, Berisha: Xhelat i komunizmit, të dorëhiqet
Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se protesta e studentëve dhe gjimnazistëve do të triumfojë, ndërsa e ka quajtur Ramën xh...
POLITIKE
25 Tetor15:36
Me flamuj dhe thirrje kundër Ramës/ Pas grumbullimit te Ministria e Arsimit, protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë: Polici e krimit!
Protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, pasi u grumbulluan fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit në Tiran&eum...
POLITIKE
25 Tetor14:38
“Diktator i dobët dhe i mbaruar”/ Bardhi: Rama po përdor gjoba dhe kërcënime për të mbajtur karrigen
Antikushtetuese e ka cilësuar kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi kundërshtuar paketën ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama p...
POLITIKE
25 Tetor14:17
Protestat studentore, Demokratët Evropianë mesazh Ramës: Jemi krah të rinjve shqiptarë që luftojnë për demokraci!
Protestat studentore në Shqipëri kanë marrë mbështetjen e Demokratëve Evropianë, të cilët nga kongresi i tyre n&e...
POLITIKE
25 Tetor13:45
Nuk ndalen protestat kundër Ramës! Studentët rikthehen sot në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit
Studentët dhe të rinjtë vijojnë protestat për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pas tubimit të djes...
POLITIKE
25 Tetor13:43
“Qytetarëve u shkojnë në shtëpi me 4 makina policie” – Aulon Kalaja denoncon presionet ndaj banorëve të Krujës: Përballë do të na keni
Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka denoncuar publikisht presione të dyshuara të policisë n...