“Kuzhina”, “hipja” dhe “dalja”! Zbardhen kodet sekrete të organizatës kriminale Çopja–Çela për trafikun e 60.7 tonë kokainë

"Kuzhina”, “hipja”, “dalja” dhe “token” ishin disa nga termat e përdorur në komunikimet mes anëtarëve të organizatës kriminale të drejtuar nga Franc Gergely (Franc Çopja) dhe Ervis Çela, për të koordinuar aktivitetin e trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Në njoftimin e SPAK, të dhënat e përftuara nga platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat zbulojnë një gjuhë komunikimi të përdorur për të referuar faza të ndryshme të aktivitetit kriminal, nga sigurimi i kokainës në vendet e origjinës deri te transportimi, nxjerrja nga portet europiane dhe qarkullimi i parave.
Termi “kuzhina” përdorej për t'iu referuar laboratorëve të prodhimit të kokainës në zonën e Andeve, veçanërisht në Bolivi. Sipas SPAK, Ervis Çela kishte rol qendror në këtë fazë, duke siguruar kontaktet me furnizuesit, sasitë e kokainës dhe organizimin e transportit drejt Paraguait.
Ndërkohë, termat “hipja” dhe “dalja” përdoreshin për të identifikuar dy faza të transportit ndërkombëtar. “Hipja” i referohej ngarkimit të kokainës në anije në portin e Villetës, në Paraguaj, ndërsa “dalja” nënkuptonte nxjerrjen e ngarkesës nga porti europian i destinacionit, kryesisht ai i Anversës në Belgjikë.
Një tjetër element i rëndësishëm në komunikimet e organizatës ishte përdorimi i sistemit informal të transferimit të parave “Hawala” dhe kodeve identifikuese “token”. Sipas SPAK, Hawala shërbente për transferimin e vlerave monetare përmes një rrjeti ndërmjetësish në shtete të ndryshme, ndërsa token përdorej si identifikues për koordinimin dhe verifikimin e dorëzimit dhe marrjes së shumave të parave.
Komunikimet përmbanin gjithashtu referenca për kompani tregtare, produkte, dërgesa dhe dokumentacion transporti. Sipas hetimeve, këto struktura përdoreshin për të kamufluar kokainën në ngarkesa me mallra të ligjshme, si stuko patinimi, bojëra dhe produkte të tjera industriale.
SPAK thotë se analiza e komunikimeve në SkyECC, e ndërthurur me provat e tjera të administruara, ka ndihmuar në dokumentimin e funksionimit të organizatës, e cila dyshohet se ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019–2021.
Lexo edhe
AKTUALITET
Pallati i dëmtuar nga shpërthimi në Elbasan rrezikon shembjen, ekspertët kërkojnë izolimin e zonës

Aksident në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, furgoni përplaset me dy automjete

Fëmijët e një kopshti në Vlorë përfundojnë në pediatri, dyshohet se janë helmuar, deri më tani 7 raste në spital

I shpëtoi plumbave për 600 metra, por goditjen fatale e mori në oborrin e banesës! Vrasja e Urim Fikut në Bulqizë, hetimet rrëzojnë dëshm...

Trafik ndërkombëtar kokaine nga Amerika Latine drejt BE/ SPAK dërgon për gjykim grupin e Çopjave





