Kush na e uli kokën

Nga Taulant Muka
Mirëmbrëma.Unë jam Taulant Muka dhe beteja ime është gjuetia e plagjiaturave.
A më jep kënaqësi të zbuloj emra ministrash e deputetësh që vjedhin dijen?
Po.
A më jep gëzim?
Jo.
Sepse humbësi më i madh nga hajdutët e doktoraturave është Shqipëria. Jo Shqipëria e tyre, por Shqipëria jonë. Disa vite më parë, ftova profesorin tim të doktoraturës nga Universiteti XXX në një konferencë në Tiranë. Në fund e pyeta: “Profesor, çfarë ju la më shumë përshtypje?”
Prisja të më fliste për natyrën apo mikpritjen.
Jo.
Tha: “Të rinjtë.”
“Nuk kam parë në asnjë vend të rinj kaq të etur për të mësuar.”
Dhe sa herë e kujtoj, më lind një pyetje:
Si ka mundësi që një vend me kaq shumë etje për dije të ketë kaq shumë pengesa për ta fituar atë?
Kush dëshiron të na lërë “pranë dijes, të panxënë”?
Sepse problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e talentit.
Problemi është se ne shpesh harrojmë një të vërtetë të hidhur: Shkatërrimi i arsimit nuk është thjesht një dështim sektorial; shkatërrimi i arsimit gjunjëzon një komb!
Kur vret meritën, kur jo thjesht toleron, por promovon plagjiaturën në kupolë; kur e trajton universitetin si zyrë punësimi militantësh, ti nuk po dëmton vetëm një diplomë. Ti po i vjedh një populli të ardhmen.Ne flasim për ekselencë, por ekselenca nuk krijohet me konferenca dhe fotografi ceremoniale. Ajo kërkon llogaridhënie të rreptë! Nuk mund t'i kërkosh studentit të mos kopjojë, ndërkohë që nuk garanton integritet në nivelet më të larta.
Askush nuk duhet të jetë mbi verifikimin: as profesori, as rektori, as ministri.Dhe pastaj çuditemi pse të rinjtë largohen...Por Shqipëria nuk ka luksin të humbasë edhe një brez tjetër!
Megjithatë,unë nuk jam këtu për t'ju lënë te dëshpërimi. Unë jam këtu sepse besoj te diçka që nuk mund t'ia fshijë askush këtij vendi: te ajo etje e pastër për dije që pashë te sytë e studentëve këto ditë e këto muaj, dhe te modeli i ndershmërisë që ekziston tashmë në Diasporë dhe brenda vendit.
Ajo që na mungon sot nuk është paraja, as talenti. Ajo që na mungon është guximi për t'i thënë mjaft mediokritetit.
Jo unë, por ne le t'i japim fund epokës ku diploma blihet dhe puna fitohet me njohje. Le të ndërtojmë Shqipërinë e meritës, të shkencës, të dinjitetit!
Fëmijët tuaj, të rinjtë tanë, nuk duan lëmoshë; ata duan një shans të barabartë. Dhe po t'u japim atë shans, ata nuk do të ikin më – ata do ta kthejnë Shqipërinë në vendin ku të tjerët vijnë për të mësuar. Sepse një komb që di të vlerësojë mendjen e tij, nuk gjunjëzohet kurrë. Prandaj dhe lufta ime nuk është thjesht kundër disa ministrave e deputetëve.
Është kundër atij e atyre që na e kanë ulur kokën. Që duan të na lënë pranë dijes, të panxënë. Dhe ne atë kokë do ta ngremë lart.
Faleminderit!/ piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.
Lexo edhe
INVESTIGIME
Fabrika në Shkodër hedh 50 punonjës në rrugë! Pronari italian nuk hap telefonin

7 mijë dollarë borxh me noter, mikesha zhduket dhe i bën bllok pogradecarit

Skaneri final i dyshes Rama-Veliaj

Landfilli i Bushatit: Administratë fantazmë që ha taksat e qytetarëve

150 ditë në shesh e përballë goditjeve: Historia e protestuesit që sfidon pushtetin!





