Florence Pugh zbulon modelin e pantallonave që i zgjat vizualisht këmbët, perfekt për vajzat petite

Të gjesh një palë pantallona që të pëlqejnë vërtet, të rrinë mirë dhe mund t’i veshësh gjatë gjithë vitit nuk është gjithmonë e lehtë. Për vajzat petite, zgjedhja mund të jetë edhe më e komplikuar, sidomos kur gjatësia e pantallonave apo mënyra si bien në trup mund të ndryshojë tërësisht siluetën.
Prandaj, kur një personazh i famshëm me shtat të imët shfaqet me një model që krijon iluzionin e këmbëve më të gjata, ia vlen t’i kushtohet vëmendje. Dhe Florence Pugh së fundmi na dha jo një, por dy ide që mund të funksionojnë shumë mirë për vajzat petite.
Gjatë një jave të ngarkuar në Paris, aktorja u shfaq fillimisht me një palë pantallona të bardha me prerje flare, të cilat i kishte kombinuar me një bluzë në nuancë pjeshke.
Sekreti i këtij modeli qëndron te mënyra si krijon një vijë të gjatë dhe të vazhdueshme nga beli deri te këmbët. Florence i kishte zgjedhur pantallonat me bel të lartë dhe shumë të gjata, aq sa mbulonin pjesërisht takat. Kjo teknikë krijon lehtësisht iluzionin e këmbëve më të gjata.
Pantallonat flare janë prej kohësh një zgjedhje e mirë për vajzat me shtat të shkurtër, veçanërisht kur vishen me taka. Në rastin e Florence, rezultati ishte elegant dhe i bukur, pa u dukur sikur kishte bërë shumë përpjekje për veshjen.
Por ky nuk ishte modeli i vetëm interesant që aktorja zgjodhi.
Në një tjetër dalje në Paris, ajo u shfaq me një nga modelet që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje këtë sezon: pantallonat balloon.
Ndryshe nga pantallonat flare, modeli balloon është më voluminoz në pjesën e sipërme dhe ngushtohet gradualisht drejt fundit. Florence zgjodhi një version të zi, me bel të theksuar dhe fund që përfundonte pak mbi kyçin e këmbës.
Ky model i jep veshjes një pamje më të relaksuar dhe pak boheme, ndërsa gjatësia mbi kyç e bën më të lehtë kombinimin si me taka, ashtu edhe me këpucë të sheshta. Për vajzat petite, kjo është një tjetër pikë në favor, pasi nuk krijon efektin e një pëlhure të tepërt që “zhyt” siluetën.
Pra, nëse po mendoni t’u jepni pak pushim xhinseve, këto dy modele janë një pikënisje shumë e mirë. Pantallonat flare janë zgjedhja klasike për të zgjatur vizualisht këmbët, ndërsa pantallonat balloon sjellin një alternativë më moderne dhe më të lirshme.
Lexo edhe
LIFESTYLE
Fermeri zviceran thyen rekord me kungullin që peshon mbi 650 kg

Mëngjes i shëndetshëm dhe plot energji: Ja smoothie-ja me fruta të ngrira që përgatitet në pak minuta

Këto janë pesë nga majat më të larta që nuk janë ngjitur kurrë

Mos prisni të hënën në mëngjes, ja si ta organizoni një javë produktive

Horoskopi/ Dashuria, financat dhe surprizat që presin 12 shenjat e zodiakut gjatë ditës së sotme





