Mercedes-Benz tërhiqet nga menaxhimi i rrjetit të karikimit në Evropë, i shet 47 pika kompanisë…

Kompania franceze Electra merr përsipër 47 lokacione me 374 pika karikimi.
Prodhuesi gjerman i automjeteve Mercedes-Benz ia ka shitur kompanisë franceze Electra rrjetin e vet të stacioneve të karikimit të shpejtë për veturat elektrike në Evropë.
Kompania Electra do të marrë përsipër gjithsej 47 lokacione karikimi të Mercedes-Benz, me 374 pika karikimi. Prej tyre, 31 ndodhen në Gjermani dhe gjashtë në Austri. Vlera financiare e marrëveshjes nuk është bërë publike.
Marrëveshja përfshin edhe një partneritet më të gjerë mes dy kompanive. Përmes shërbimit MB.CHARGE Public, klientët e Mercedes-Benz do të kenë qasje në rrjetin e Electra-s, i cili përfshin më shumë se 800 stacione dhe mbi 5.000 pika karikimi në dhjetë shtete evropiane.
Mercedes-Benz nuk ka dhënë një arsye të drejtpërdrejtë për shitjen, por ka shpjeguar se tregu i karikimit të automjeteve elektrike ka ndryshuar ndjeshëm dhe se shumë operatorë kanë zgjeruar infrastrukturën e tyre.
Kompania gjermane ka deklaruar se synon t'i përqendrojë burimet në fushat ku mund të krijojë vlerën më të madhe për klientët. Vendimi vjen në një periudhë kur Mercedes-Benz po përballet me rënie të fitimeve dhe të shitjeve të automjeteve, duke ndërmarrë masa për uljen e kostove.
Në vitin 2023, Mercedes-Benz kishte paralajmëruar një plan ambicioz për ndërtimin e më shumë se 10.000 pikave të karikimit të shpejtë në mbarë botën deri në fund të kësaj dekade.
Me këtë marrëveshje, kompania po ndryshon strategjinë në Evropë, duke u mbështetur më shumë në partneritetet me operatorët e specializuar, në vend që të vazhdojë të zgjerojë rrjetin e saj të pavarur.
Lexo edhe
BOTA
“Reuters”: Irani i dërgon SHBA-së propozimin bërthamor përmes Katarit, Teherani vendos shtatë kushte për negociatat

Belgjika miraton ligjin e debatueshëm, policia do të mund të kontrollojë shtëpitë e emigrantëve pa dokumente për t’i deportuar

La priftërinë pas një jete në kishë, 51-vjeçari nis një jetë të re si shofer autobusi në Disneyland: Më në fund gjeta lumturinë

Trump: Lufta në Ukrainë drejt fundit, po vjen një marrëveshje!

Trump shpall Zyrën Ovale monument kombëtar, vendos kapelën “VETO” si mesazh për Kongresin e ri





