Skema me NIPT-e të reja/ Biznesmeni grek lë miliona lekë taksa të papaguara dhe vazhdon biznesin në të njëjtën godinë nën hundën e Tatimeve
Një sërë dokumentesh zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve zbulojnë një skemë të përsëritur të shmangies së detyrimeve tatimore në sektorin e tregtimit të aluminit dhe hotelerisë në Tiranë

Një sërë dokumentesh zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve zbulojnë një skemë të përsëritur të shmangies së detyrimeve tatimore në sektorin e tregtimit të aluminit dhe hotelerisë në Tiranë.
Në qendër të këtij rrjeti qëndron biznesmeni grek Michalis Michalopoulos dhe rrethi i tij familjar, të cilët prej vitesh lënë pas kompani të bllokuara me miliona lekë borxhe ndaj shtetit, ndërsa aktiviteti tregtar vijon i qetë përmes NIPT-eve të reja, të hapura në të njëjtin ambient fizik dhe me të njëjtat emra tregtare.
Kompania e parë: "Alumix", borxhi 3.2 milionë lekë dhe sekuestrot
Historia nis me shoqërinë "ALUMIX" shpk (NIPT: K32004801B), e themeluar në vitin 2003 dhe e zotëruar 100% nga Michalis Michalopoulos. Pas më shumë se një dekade aktiviteti, kompania fillon të zhytet në detyrime.
Gjatë viteve 2017 dhe 2019, shoqëritë përmbarimore vendosin sekuestro mbi kuotat e shoqërisë për shkak të kredive dhe detyrimeve të pashlyera.
Në tetor të vitit 2018, Michalis Michalopoulos vendos pezullimin e aktivitetit të "Alumix" pa afat. Por pas mbylljes së dyerve, mbeti një faturë e majme e papaguar ndaj shtetit.

Më 9 qershor 2023, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara i kërkon QKB-së bllokimin e pasurive të "Alumix" për një detyrim tatimor të pashlyer prej 3,202,043 lekësh.
Hapi i dytë: Hapet "Exalco" në emër të familjares dhe shtohen borxhet
Katër muaj përpara se të pezullohej "Alumix" (në qershor 2018), e njëjta ortake e "Vox Palace", Ornela Michalopoulou, regjistron një shoqëri të re me NIPT L81813021R, e cila më pas merr emrin "Exalco".
Objekti i aktivitetit është identik me atë të kompanisë së parë: import-eksport dhe tregtim i materialeve dhe profileve të aluminit.
Për disa vite biznesi vijon normalisht në selinë e re në Rrugën Nacionale Tiranë–Elbasan, në Petrelë.
Sipas bilancit të vitit 2024, kompania deklaronte mbi 103.7 milionë lekë inventar në magazinë, mbi 102.4 milionë lekë detyrime afatshkurtra, por vetëm 773 mijë lekë në bankë.

Më 17 shkurt 2026, Drejtoria e Tatimeve detyrohet të lëshojë një tjetër urdhër për vendosjen e masës së sigurimit tatimor, këtë herë mbi asetet e "Exalco"-s, pasi kompania ka lënë të papaguara 798,858 lekë taksa.
Gropa tjetër, "Vox Palace"
Paralelisht me kolapsin e "Alumix", e njëjta skemë e mbylljes së dyerve duke lënë pas detyrime tatimore shfaqet edhe në biznesin e restoranteve dhe eventeve. Në vitin 2014 themelohet shoqëria "VOX PALACE" shpk (NIPT: L42209020P) me seli në Vaqarr, ku shumicën e kuotave (51%) e zotëron Ornela Michalopoulou (ndërsa 49% i mban Michail Batzogiannis dhe administrator është Miklovan Maksuti).
Më 10 korrik 2017, aktiviteti i "Vox Palace" pezullohet pa afat. Megjithatë, pas pezullimit, borxhi ndaj shtetit ka vijuar të rritet vit pas viti për shkak të detyrimeve të pashlyera dhe kamatëvonesave.

Dokumentet e Tatimeve tregojnë se detyrimi u rrit nga 2,1 milionë lekë në shkurt 2022, në 2,45 milionë lekë në shkurt 2025, duke detyruar administratën tatimore të vendosë tre herë radhazi masa sigurimi për bllokimin e pasurive të këtij subjekti.
Episodi i radhës: NIPT i ri "EXALCO Aluminium" në të njëjtën adresë
Teksa "Exalco" po ngarkohej me detyrime tatimore që do ta çonin drejt bllokimit në shkurt 2026, mekanizmi i klonimit të biznesit vihet sërish në lëvizje.
Në fund të vitit 2025 (nëntor–dhjetor), Georgios Michalopoulos regjistron një shoqëri të re me NIPT M52405026F. Fillimisht e regjistruar si Geo-AluSystem, në shkurt të vitit 2026 — pikërisht në të njëjtin muaj kur tatimet bllokonin "Exalco"-n — kompania e re merr emrin "EXALCO Aluminium".
Detajet në ekstraktin e QKB-së tregojnë se nuk bëhet fjalë për një biznes të ri, por për vazhdimësi të pastër të të njëjtit aktivitet:
• E njëjta godinë: Zyra qendrore e "EXALCO Aluminium" është e regjistruar në Rruga Nacionale Tiranë–Elbasan, Ndërtesë 1-katëshe, nr. 32/2 — saktësisht e njëjta adresë ku operon "Exalco" e bllokuar nga tatimet.
• E-maili zbulues: Si adresë kontakti zyrtare në QKB, kompania e re ka deklaruar e-mailin [email protected], një kombinim i drejtpërdrejtë i inicialeve të Michalis Michalopoulos dhe emrit tregtar Exalco.
Bilanci: 6.45 milionë lekë dëm në buxhet dhe asnjë pengesë për NIPT-in e ri
Nga përllogaritja e shkresave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tre kompanitë e lidhura me këtë grup familjar (Alumix, Vox Palace dhe Exalco) i detyrohen shtetit 6,45 milionë lekë taksa të papaguara, për të cilat janë vendosur masa sigurimi që ndalojnë shitjen e kuotave.
Megjithatë, kjo masë mbetet thjesht në letër. Pa u shlyer asnjë qindarkë nga detyrimet e vjetra, aktiviteti tregtar vijon me NIPT-in e ri "EXALCO Aluminium", në të njëjtat magazina, me të njëjtin mall dhe të njëjtat klientë, duke ekspozuar boshllëqet e kontrolleve tatimore në terren./ Kapitali al
Lexo edhe
AKTUALITET
Celibashi “rehabiliton” edhe Armand Sharën – “Truri” i Duranës do të ngrejë modulin e rezultateve zgjedhore!

Gara për Kryeprokuror/ Rasti i anëtarit të KLP, Olger Eminaj, vë në pikëpyetje procesin

Reshjet intensive përmbysin Durrësin

Vrasja e ish-policit në Vaun e Dejës, Vinçesk Piroli sërish në kërkim!

EMRAT/ SPAK dërgon për gjykim 10 persona për pastrim parash nga trafiku i drogës në Itali, sekuestrohen 680 mijë euro në Murriqan





