VIDEO/ Njihuni me dasmën me 400 mijë të ftuar dhe 8 milionë euro shpenzime

Një martesë masive e paprecedentë u organizua nga politikani indian Anant Singh për vajzën e tij Shivangi në shtetin e Biharit, një nga shtetet më të varfra të Indisë. Sipas mediave, rreth 400 mijë persona morën pjesë në festimet madhështore, ndërsa disa raportime e çojnë numrin e të pranishmëve deri në një milion. Kostoja e organizimit thuhet se arriti në 6.5 milionë paund, ose rreth 7.8 milionë euro.
Për ceremoninë u ndërtuan pesë heliporte, u angazhuan 500 kuzhinierë, u përgatitën gjysmë milioni ëmbëlsira, ndërsa karvani i makinave përbëhej nga rreth 200 automjete.
Ngjarja u zhvillua të mërkurën në fshatin Nandaëan, vendlindja e Anant Singh, dhe mblodhi politikanë, figura lokale, mbështetës të tij dhe mijëra banorë.
Pjesëmarrja masive shkaktoi kaos në trafik në rrugët që të çonin drejt vendit të pritjes, duke bërë që shumë të ftuar të mos arrinin dot në destinacion.
Një politikan, i cili nuk mundi të kalonte përmes trafikut të rënduar me makinën e tij, u detyrua ta braktiste automjetin dhe të vazhdonte rrugën me traktor, duke kaluar përmes arave.
Pesë heliporte, 500 kuzhinierë dhe 200 kuaj
Organizatorët ndërtuan pesë heliporte për transportimin e të ftuarve VIP. Megjithatë, ulja e helikopterëve krijonte re të mëdha pluhuri, të cilat mbulonin ambientin dhe turmën e njerëzve.
Sipas Munna Singh, bashkëpunëtor i afërt i politikanit, të pranishmëve iu shërbyen rreth 500 mijë ëmbëlsira tradicionale, ndërsa për përgatitjen e ushqimit vegjetarian u angazhuan 500 kuzhinierë dhe ndihmës kuzhine.
Në programin e festimeve ishte parashikuar edhe një garë me kuaj, ku do të merrnin pjesë rreth 200 kafshë. Megjithatë, aktiviteti u shty pasi rreth 100 mijë persona u mblodhën për ta ndjekur, duke krijuar situata të rrezikshme për shkak të mbipopullimit.
Pamjet nga vendngjarja tregonin mijëra njerëz që përpiqeshin t'i afroheshin zonës së festimeve. Disa prej tyre kishin hipur madje nëpër pemë dhe shtylla elektrike për të parë ceremoninë, duke rrezikuar jetën.
Atmosfera u plotësua nga dekorime luksoze me lule të importuara nga Kina dhe një spektakël madhështor fishekzjarrësh.
BMW për nusen dhe 200 makina në karvanin e dhëndrit
Vajza e politikanit, Shivangi Singh, u martua me Rishikesh Kumar, djalin e një komandanti. Nusja mbërriti në ceremoninë e martesës me një BMW luksoze, ndërsa dhëndri shoqërohej nga një karvan me rreth 200 makina.
Edhe dhuratat për nusen ishin tejet luksoze. Sipas raportimeve, mes tyre kishte një Land Rover Defender të bardhë, një zinxhir ari me peshë 100 gramë dhe një byzylyk ari prej 80 gramësh.
Ndërkohë, videot e publikuara në rrjetet sociale zbuluan edhe vështirësitë me të cilat u përballën disa prej mijëra të ftuarve për të siguruar ushqim. Në pamje shihen njerëz që përdornin gota në vend të pjatave, merrnin ushqim drejtpërdrejt me duar nga enët e gatimit dhe e transportonin atë në kuti kartoni.
Një prej të pranishmëve e përshkroi situatën në një video që u bë virale me fjalët: “Të gjesh ushqim këtu është njësoj si të fitosh një luftë”.
Politikani me më shumë se 24 çështje penale
Babai i nuses, Anant Singh, është zgjedhur gjashtë herë deputet dhe konsiderohet një nga figurat më të fuqishme politike në zonë.
Ai njihet me nofkën “Chhote Sarkar”, që në gjuhën hindi do të thotë “Sundimtari i Vogël”.
Figura e tij publike është shoqëruar me një sërë polemikash. Në videot që qarkullojnë në rrjetet sociale ai shfaqet shpesh duke përdredhur mustaqet, ndërsa sipas mediave lokale lëviz me karvan makinash që mund të arrijë deri në 25 automjete.
Një nga historitë më të pazakonta të publikuara për të lidhet me një vizitë të autoriteteve tatimore në banesën e tij. Sipas raportimeve, ai i kishte pritur zyrtarët me gjarpërinj të mbështjellë rreth qafës.
Vetë Anant Singh e ka përshkruar veten si një person të angazhuar në shërbim të komunitetit, duke pretenduar se zotëron biznese dhe toka bujqësore. Në deklaratat e tij ka thënë se pasuria e përgjithshme e tij dhe bashkëshortes arrin në një miliard rupi.
Megjithatë, ndaj tij janë regjistruar më shumë se 24 çështje penale, përfshirë akuza për vrasje, tentativë vrasjeje, zhvatje dhe përfshirje në incidente të dhunshme. Sipas mediave, ai ka vuajtur edhe dënime me burg.
Organizimi i dasmës ka shkaktuar debate të shumta në Indi, veçanërisht për shkak të kontrastit mes luksit të shfrenuar të ceremonisë dhe varfërisë së madhe në shtetin Bihar, ku ajo u zhvillua.
Në Indi organizohen më shumë se 10 milionë dasma çdo vit, duke ushqyer një industri gjigante ekonomike. Sipas vlerësimeve të kompanisë KPMG, vlera vjetore e këtij sektori llogaritet nga 40 deri në 50 miliardë dollarë. /PiranjatNews/
Anant Singh daughter wedding traffic #AnantSingh https://t.co/vyZnyoNTRz
— GemsOfGenZ (@gems_of_genz) November 26, 2026
80 CRORE WEDDING. 150 DISHES. LAKHS OF GUESTS. ?️? But the food distribution looks like a ration shop during a lockdown! ? At MLA Anant Singh’s daughter’s grand wedding in Bihar, guests apparently had to fight for their share of the feast. Budget ₹80 crore, but crowd management? Apparently priceless! ? #Bihar #AnantSingh #ViralVideo https://t.co/tDiKn4bBR0
— Kaptan Hindustan™ (@KaptanHindustan) November 26, 2026
Lexo edhe
LIFESTYLE
Horoskopi/ Zbuloni çfarë kanë rezervuar yjet për secilën shenjë, kush do të ketë fat në dashuri dhe financa

Dietologia zbulon 8 pijet më të pasura me magnez…

Entuziazmi zgjati pak, tre gjigandët e teknologjisë humbasin vlerë në “Wall Street”

Mënjanon gjëra, ruan dhe parashikon/ Shenjat e zodiakut të fiksuara pas organizimit

Transformimi i 61-vjeçares pas 9 orësh operacion, fotografitë bëhen virale





