POLITIKE

BIRN: Monopoli i reklamave ‘city lights’ kufizoi garën elektorale për bashkinë e Tiranës

Piranjat Përditësimi i fundit 4 Dhjetor 2025, 09:00

BIRN: Monopoli i reklamave ‘city lights’ kufizoi garën

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, rrugët e Tiranës u mbushën me postera elektoralë të Partisë Socialiste në pushtet, të afishuara në stenda ‘city lights’ dhe ekrane LED të instaluara në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.

Pas rrjetit të stendave moderne fshihet kompania BNI, e cila mori nga Bashkia e Tiranës pjesën më të madhe të hapësirës reklamuese ‘outdoors’ në kryeqytet – për një afat 7-vjeçar – në prag të garës elektorale të vitit 2023 dhe, njëkohësisht, u kontraktua për reklamat politike të fushatës nga Partia Socialiste.

Edhe pse hapësira reklamuese iu transferua BNI-së nëpërmjet qindra vendimeve të veçanta të firmosura brenda pak ditësh pa asnjë procedurë tenderimi, sipas ekspertëve të prokurimeve publike, ato së bashku krijuan një të drejtë ekskluzive për një operator të vetëm.

Ky monopol ‘de facto’ i dhënë në prag të zgjedhjeve shihet si klientelizëm politik nga vëzhguesit e fushatave zgjedhore, ndërsa opozita pretendon se i kufizoi edhe garën elektorale për Bashkinë e Tiranës – ku kryebashkiaku në detyrë, Erion Veliaj, përballej me deputetin Belind Këlliçi.

“Vendet prioritare dhe me shikueshmëri e frekuentim më të lartë, sigurisht i ka pasur PS dhe Veliaj,” i tha Këlliçi BIRN.

“Domethënë, si përfundim, unë kam pasur mundësinë të marr hapësirë vetëm çfarë kanë lënë, pasi procesin e ka kontrolluar tërësisht bashkia dhe kandidati i PS-së,” shtoi ai.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash në shkurt 2025, nuk ishte i arritshëm për koment. Ndërkohë, kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me gjetjet e konstatuara.

Beqir Nuredini, themelues i BNI-së dhe ish-kryebashkiak i Rrogozhinës, mohoi se kompania e tij zotëronte një monopol në tregun e reklamave në natyrë në Tiranë. Ai pretendoi se çdokush mund të aplikonte për leje për të vendosur stenda afishimi, por se nuk kishte treg dhe reklamat mbeteshin bosh.

“Nuk është monopol, tregu është i lirë; kushdo që do hapësirë, mund të aplikojë dhe të marrë hapësirë,” tha Nuredini. “Jo aty ku kam marrë unë leje, kuptohet, por Tirana është e madhe,” shtoi ai.

Të dhëna private?

Në nëntor 2025 BIRN i drejtoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar kontratat me kompanitë që kishin në shfrytëzim hapësirën publike për reklamim nga viti 2018 deri në fund të 2024-ës.

Qasja në dokumente kërkoi gati 1 vit

Saga e kërkesës për informacion nisi me përplasjen e dy zyrave brenda bashkisë. Fillimisht, Drejtoria Juridike i komunikoi Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave, por edhe BIRN-it, se përgjigja nuk ishte kompetencë e saj. Ndërkohë, DPTTV-ja, në një letër dërguar BIRN-it dhe kolegëve të saj në zyrën juridike, këmbënguli se informacioni i kërkuar “nuk ekzistonte”.

“Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore nuk ka lidhur kontrata me subjekte tregtare për shfrytëzimin e hapësirave publike”, thuhej në shkresë. Por vetëm pak rreshta më poshtë, e njëjta drejtori pohonte të kundërtën: informacioni ekzistonte, por konsiderohej “e dhënë personale”.

BIRN u ankua pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por bashkia vijoi refuzimin, duke argumentuar se e drejta për përdorimin e hapësirës publike nuk ishte dhënë përmes “kontratave”, por përmes dokumenteve të quajtura “leje”.

Më 16 janar 2025, BIRN paraqiti një kërkesë të re, kësaj radhe duke cituar në mënyrë të detajuar Vendimin e Këshillit Bashkiak dhe formulimin ligjor të përdorur nga bashkia.

Por edhe më 24 janar, Bashkia e Tiranës iu përgjigj me të njëjtin refren: informacioni nuk mund të jepej pasi përmbante të dhëna personale. “Legjislacioni i posaçëm nuk e lejon identifikimin e tatimpaguesit specifik”, shkruhej në letër.

I bindur se emrat e kompanive dhe hapësira publike e dhënë në përdorim nuk përbënin të dhëna personale, BIRN paraqiti një tjetër ankesë te Komisioneri. Pasi KDI konstatoi shkeljen, bashkia pranoi të jepte informacionin, por vonoi dorëzimin, kërkoi një pagesë prej 5850 lekësh dhe vetëm më 13 gusht vuri në dispozicion një dosje me 1170 faqe.

Kur dokumentet mbërritën, BIRN konstatoi se emrat e kompanive dhe NIPT-et ishin fshirë. Çdo leje përmbante vetëm argumentimin standard ligjor, datën, vendndodhjen dhe sipërfaqen e reklamës.

Po atë ditë, BIRN njoftoi KDI-në se dokumentacioni, përveç kostos së panevojshme për mjedisin, nuk përmbushte kërkesën për informacion, pasi NIPT-i dhe emri i kompanisë nuk janë të dhëna personale.

Tri javë më vonë, më 3 tetor, bashkia u rikthye me një premtim për informacion të plotë dhe kërkoi edhe 10 ditë shtesë.

Më 15 tetor, pas një sage që zgjati gati një vit, BIRN mori në dorë dosjen finale – këtë herë me emrat e kompanive dhe planimetrinë e vendosjes së reklamave në rrugët e Tiranës.

Mirela Ruko, këshilltare në Këshillin Bashkiak nga Lëvizja Bashkë, tha se mungesa e transparencës ishte kthyer në normë për zyrtarët e bashkisë.

“Bashkia e Tiranës më ka refuzuar edhe mua disa herë informacionin, duke përdorur të njëjtin justifikim absurd që ka marrë edhe BIRN-i,” u shpreh ajo. “Këto janë përpjekje të hapura për të fshehur informacionin.”

Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Ilir Alimehmeti, këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak. Ai shtoi se përdorimi i argumentit të “të dhënave personale” për të ndaluar dhënien e informacionit ishte një mënyrë për të mbuluar problemet.

“Absolutisht bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme dhe për një dëm të mundshëm ekonomik,” tha Alimehmeti.

Koncesioni i fshehur

Dokumentet e vënë në dispozicion nga bashkia, tregojnë se gjatë viteve 2018 – 2021, tregu i citylight-eve ishte më i larmishëm dhe përfshinte kompani si “Platea sh.a.”, “Iris sh.p.k.”, “La Strada”, “City Wings” dhe “Albartex”, të cilat zotëronin, kush më shumë e kush më pak, leje për hapësira të ndryshme në qytet. Edhe në këtë rast, kompanitë rezultojnë të kenë aksionerë të përbashkët dhe i afrohen më shumë një oligopoli me pak emra dominues.

Lejet e lëshuara në këtë periudhë – gjithsej 160, të ndara sipas viteve dhe kompanive, kishin afat maksimal njëvjeçar, ndërsa në disa raste ishin edhe më të shkurtra.

Por pas vitit 2021 panorama ndryshon rrënjësisht. Pikërisht në këtë moment, BNI shfaqet si përfituesi kryesor i një serie lejesh që, sipas ekspertëve, të marra së bashku funksionojnë si një koncesion i padeklaruar mbi hapësirën vizuale të Tiranës.

Kompania është themeluar në vitin 2014 nga Beqir Nuredini dhe në fillim të vitit 2021 kontrollohej plotësisht prej tij. Megjithatë, struktura aksionere ndryshoi disa herë dhe aktualisht kompania kontrollohet 50% nga Flamur Salija dhe 50% nga Aleksandër Naçi.

Pavarësisht ndryshimeve në pronësi, Beqir Nuredini vijon të ketë ndikim dhe interesa të lidhura me kompaninë, gjë që e pohoi edhe vetë në një bisedë telefonike me BIRN.

Nuredini, i cili më herët ka zotëruar kompani në fushën e reklamimit, e themeloi BNI-në fillimisht si shoqëri tregtare. Vetëm në mars 2021, pak kohë para marrjes së lejeve të para nga bashkia, kompania përfshiu në objektin e veprimtarisë në QKB edhe reklamimin me city lights dhe ekrane LED.

Më 6 prill 2021, Këshilli Bashkiak ndryshoi rregulloren e vitit 2018, e cila kufizonte afatin e lejeve për reklamimin në rrugë deri në një vit. Vendimi i ri autorizoi DPTTV-në të jepte leje 7-vjeçare për stenda afishimi ‘city lights’ dhe deri në 10-vjeçare për ekranet LED.

Një javë më vonë, BNI siguroi e vetme mbi 423 leje për city lights, me afat deri në mars 2022. Vetëm një muaj pas, BNI mori leje për instalimin e 31 ekraneve LED në kryeqytet për një afat 10-vjeçar.  Ndërsa në fund të shkurtit dhe fillim të marsit 2023, BNI mori mbi 421 leje të tjera për vendosjen e city lights për një periudhë 7-vjeçare.

“Me qindra leje të dhëna deri në 2030–2031, hapësira fizike publike bëhet praktikisht e padisponueshme për operatorë të tjerë për një dekadë”, tha Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës kërkimore ekonomike ALTAX, duke e cilësuar këtë hap si bllokim të tregut.

Sipas tij praktika e ndjekur kishte eliminuar konkurrencën dhe kishte rritur rrezikun e abuzimit me çmime nga një operator dominues.

“Kjo krijon një barrierë absolute hyrjeje, duke eliminuar mundësinë e konkurrencës së re ose zgjerimit të operatorëve ekzistues”, shtoi ai.

Lejet pë BNI janë firmosur nga ish-drejtori i DPTTV-së, Arlin Naska, i cili këmbënguli se procesi ka qenë i hapur.

“Të gjithë subjektet mund të aplikonin”, tha ai. “Në lidhje me pyetjen e nxitimit, nuk e mbaj realisht mend sa ka qenë kjo kohë, po dikush tjetër do të thoshte të njëjtën gjë nëse do të merrte kohë më të gjatë”, tha Naska, duke iu referuar dhënies së qindra lejeve në një periudhë disa-ditore.

Edhe themeluesi i BNI, Beqir Nuredini mohoi se kishte krijuar monopol dhe këmbënguli se kompanitë e tjera mund të aplikonin lirisht.

“Nuk janë të ndaluar të aplikojnë të tjerët,” tha ai në një bisedë telefonike.

Nuredini argumentoi se arsyeja pse kompani të tjera nuk kërkonin leje ishte mungesa e tregut. “Jo se nuk ka fitim, por nuk ka treg,” u shpreh Nuredini, duke pretenduar se puna ishte e përqendruar kryesisht në verë dhe gjatë sezonit të festave.

Megjithatë, ndryshe nga sa pohon ai, rregullorja e Bashkisë Tiranë që menaxhon përdorimin e hapësirës publike vendos kufizime të qarta fizike, duke e bërë thuajse të pamundur marrjen e lejeve në zonat ku reklamat ekzistuese janë tashmë të instaluara.

Gjokutaj sugjeroi se në një situatë të tillë duhej ndërhyrja e Autoritetit të Konkurrencës, ndërsa shpjegoi se kishte vendime të ngjashme në Bashkimin Europian.

“Autoriteti i Konkurrencës ka kompetencë të plotë të hapë hetim dhe të rekomandojë anulimin ose rihapjen me gara të lejeve ekzistuese, si dhe të propozojë ndryshime në rregulloren e bashkisë për të futur ankande periodike”, tha ai.

Sipas tij, hapja e garës do të rriste të ardhurat publike dhe do të ulte rreziqet korruptive.

Klientelizëm politik

Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, Partia Socialiste përdori gjerësisht reklamat LED dhe city lights, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, për të shpërndarë mesazhet e saj elektorale dhe ato të kandidatëve për kryetar bashkie.

Por pasi dorëzoi raportin e saj për financat zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PS deklaroi zero shpenzime për këtë formë komunikimi politik.

Ndryshe nga raporti financiar, auditi i pasqyrave financiare të Partisë Socialiste raportoi se një shumë prej 9.2 milionë lekësh – e paguar nga ky subjekt për kompaninë BNI, fillimisht e raportuar si shpenzim për reklama në rrjete sociale, përfshinte edhe shpenzime për reklama në natyrë.

Rigels Xhemollari, drejtues ekzekutiv i organizatës Qëndresa Qytetare, i tha BIRN se Partia Socialiste ‘ishte favorizuar’ gjatë fusharës zgjedhore të vitit 2023, për sa i takon ekspozimit në city lights dhe ekrane LED.

Edhe Mirela Ruko nga Lëvizja Bashkë shpreh dyshime se procesi ka qenë klientelist.

“Kjo mënyrë veprimi është pjesë e një sjelljeje të vazhdueshme të administratës së drejtuar nga Erion Veliaj – një sjellje që lidhet drejtpërdrejt me klientelizmin dhe me grupime të organizuara brenda bashkisë,” tha ajo.

Këshilltari tjetër i opozitës, Ilir Alimehmeti, tha se momenti kur u dhanë masivisht lejet nuk dukej aspak rastësor, por një përpjekje për të kontrolluar hapësirën vizuale të qytetit.

“Duke qenë se koha përkon saktësisht me fushatën elektorale vendore të vitit 2023, dyshimi i arsyeshëm është se kemi të bëjmë me një manovër elektorale për kontrollin e hapësirave vizuale,” theksoi ai.

Por Nuredini i mohoi lidhjet e shkurtra me partitë politike. Ai theksoi se hapësira u ishte vënë në dispozicion njësoj të gjitha palëve dhe se për të partitë politike ishin thjesht klientë.

“Për mua është biznes, unë në fund u marr lekët, nuk më intereson cila parti është”, përfundoi ai./BIRN

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?