Në hetim për dosjen “Balluku”, Gentian Gjyli kërkon heqjen e masës së sigurisë
Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, i është drejtuar këtë të mërkurë Gjykatës së Posa&cced...
Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, i është drejtuar këtë të mërkurë Gjykatës së Posa&cced...
Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Konkretisht ...
Ylli Zalla, i arrestuar dy ditë më parë në Krujë, ka dhënë dëshminë e tij para gjykatës, ku u njoh edhe...
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar qeverinë për nivelin e shpenzimeve për arsimin, du...
Një tërmet me magnitudë 4 të shkallës Rihter është regjistruar ditën e sotme në vend. Sipas të dhënave ...
Një qytetar i ka dërguar sot një denoncim redaksisë së Piranjat News, duke shprehur shqetësimin e tij për mungesën e s...
Kryetari i PD-së Sali Berisha, ka reaguar lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, duke e cilësuar ngjarjen si një akt q...
Portugezi 20-vjeçar vritet me thikë në Shqipëri! 11 persona të arrestuar. I dyshuari kryesor u përpoq të arratisej i fshe...
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ylli Zallën, i cili u arrestua dy ditë m&eum...
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj mënyrës se si qeveria po i paraqet të dhënat e fundit të eksport...

Në orën 09:00 të 15 korrikut 2026, një kolonë automjetesh të blinduara priste jashtë ambienteve të IEVP Reç. Prej aty doli Sokol Sanxhaktari, 40 vjeç, i cili ishte në burg që prej arrestimit më 30 korrik 2020, ditën kur Florian Lamçe humbi jetën.
Sanxhaktari ishte një nga 553 personat që përfituan lirimin në kuadër të amnistisë së miratuar në qershor 2026. Ai nuk kishte kryer ende gjashtë vite të plota pas hekurave.
Dokumentet e siguruara nga shteg.org tregojnë se rruga drejt lirimit ishte ndërtuar përmes një kombinimi vendimesh gjyqësore, uljesh dënimi dhe dy amnistive.
Në raportet e burgut, Sokol Sanxhaktari përshkruhej si një i dënuar me sjellje të mirë, i angazhuar në programe rehabilituese, me marrëdhënie pozitive me stafin dhe të burgosurit dhe, në një prej vlerësimeve, edhe si pjesë e organikës së punësimit.
Këto dokumente u paraqitën më pas përpara Gjykatës së Shkodrës dhe shërbyen si bazë për tri vendime që ia ulën dënimin me nga 90 ditë secili. Por një prej këtyre përshkrimeve bie ndesh me përgjigjen zyrtare të vetë burgut: Sanxhaktari, sipas regjistrave të punësimit të IEVP Reç, nuk rezulton të ketë punuar aty.
Sokol Sanxhaktari nuk është i vetmi ku amnistia e vitit 2026 çoi në lirimin e një personi të dënuar për një vepër të rëndë.
Shoqëria në përfundoi në vrasje

Në një mbrëmje të fundkorrikut, Florian Lamçja u ul të pinte me shokët e tij, Sokol Sanxhaktarin dhe Adriano Hajdarin, në Elbasan. Kjo do të ishte nata e fundit për të. Sipas të dhënave të bëra publike, Sanxhaktari dhe Hajdari e goditën Lamçen me thikë dhe karrige, duke i shkaktuar plagë të rënda që çuan në vdekjen e tij në orët e para të mëngjesit të 30 korrikut.
Zyrtarisht, policia e Elbasanit akuzoi Sanxhaktarin dhe Hajdarin për vrasjen me dashje në bashkëpunim të shokut të tyre, akuzë me të cilën ata u përballën edhe me drejtësinë.
Gjykata e Elbasanit e dënoi Sanxhaktarin me 12 vite heqje lirie më 16 mars 2022. Në Apel u dënua me 15 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi reduktimin me një të tretën dhe dënimi përfundimtar që duhej të vuante ishte 10 vite.
Koha e paraburgimit, e llogaritur deri në vendimin e formës së prerë, i zbriti më tej kohës së mbetur edhe 1 vit e 29 ditë.
Ky nuk ishte i vetmi përfitim që Sanxhaktari mori gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.
Më 9 prill 2024 hyri në fuqi amnistia e miratuar nga Kuvendi dhe e dekretuar nga Presidenti Bajram Begaj.
Edhe pse amnistia nuk parashikonte lirimin e personave të dënuar për “vrasje me dashje”, ajo lejonte uljen e dënimit për këtë kategori.
Lajmi për përfitimin e amnistisë dhe uljen e dënimit e gjeti Sokol Sanxhaktarin në burgun e Korçës.
Ai po vuante dënimin atje, ndërkohë që në dosjen e tij ekzistonte edhe një masë disiplinore e datës 13 prill 2023, me motivacionin “ushtrim i dhunës fizike ose psikike ndaj të burgosurve të tjerë”.
Më 2 gusht 2024, sipas dokumentacionit të Drejtorisë së Burgjeve, Sanxhaktari u transferua nga Korça në IEVP Reç me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, për arsye sigurie.
Ishte në Reç, aty ku ai nisi një seri kërkesash për të shkurtuar më tej kohën e dënimit, dhe duket se masat disiplinore dhe e shkuara e tij nuk kanë ndikuar te gjykata apo administrata e burgjeve në hartimin e raporteve vlerësuese.
Përpara se të dënohej për vrasjen e Florian Lamçes, Sanxhaktari kishte një histori të mëparshme me drejtësinë. Nga një dënim për kundërshtim të forcave të rendit dhe një tjetër për plagosje e armëmbajtje pa leje, te një arrati gjashtëmujore dhe një përplasje me policinë, emri i tij ishte shfaqur në dosjet e drejtësisë shumë kohë përpara ngjarjes së 30 korrikut 2020.
Në vitin 2008, ai u dënua me gjobë për kundërshtim të forcave të rendit. Dy vite më vonë, në vitin 2010, u dënua me tre vite burg për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Në vitin 2011, emri i tij u përfshi sërish në një hetim për plagosjen e Miklaj Llatjas dhe Erion Kardhoshit në Elbasan. Sanxhaktari u shpall në kërkim, por dy të rinjtë më pas tërhoqën akuzat ndaj tij dhe hetimi për plagosjen u pushua.
Një nga episodet më të debatueshme të asaj periudhe ishte tentativa e policisë për arrestimin e tij në mars 2011.
Sipas dosjes, policia organizoi një operacion pranë lokalit “Shtëpia e Artit Sejko” në Elbasan, ku Sanxhaktari ndodhej së bashku me Marjus Lulajn, i njohur si Suel Çela.
Kur efektivët iu afruan për ta shoqëruar, situata u përshkallëzua në një përplasje fizike mes policëve dhe personave që ndodheshin me Sanxhaktarin. Në kaosin e krijuar, ai arriti të largohej.
Për rreth gjashtë muaj qëndroi në arrati. Por mënyra se si përfundoi kjo çështje ishte po aq e pazakontë sa vetë arratisja.
Në gjykatë, akuza për kundërshtim të forcave të policisë nuk qëndroi. Gjykata arsyetoi se efektivët nuk kishin përdorur uniformën zyrtare të Policisë së Shtetit dhe se Sanxhaktari nuk mund të identifikonte me siguri se personat që po i afroheshin ishin punonjës policie.
Në fund, Sanxhaktari u dënua vetëm me gjashtë muaj burg për armëmbajtje pa leje. Kjo periudhë përkonte me kohën që ai kishte kaluar në arrati.
Amnistitë dhe tre vendimet për “sjellje të mirë”

Kur Sokol Sanxhaktari kërkoi për herë të parë shkurtimin e dënimit në Gjykatën e Shkodrës, gjykatës nuk iu desh të niste nga e para për të vlerësuar sjelljen e tij.
Në dosje kishte tashmë një dokument të përgatitur nga institucioni ku ai po vuante dënimin.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura në atë procedim, ai kishte kryer 7 vite, 4 muaj dhe 2 ditë burg, duke përfshirë kohën e paraburgimit dhe uljen e përfituar nga amnistia e vitit 2024. I mbeteshin rreth dy vite e tetë muaj për të vuajtur.
Përshkrimi nga administrata e IEVP Reçit ishte pozitiv.
Në të thuhej se Sanxhaktari kishte respektuar rregullat e institucionit, nuk kishte mbajtur apo qarkulluar sende të ndaluara, nuk kishte tentuar të arratisej dhe kishte ndërtuar marrëdhënie pozitive me punonjësit.
Me të dënuarit e tjerë kishte pasur marrëdhënie të mira dhe, sipas dokumentit, nuk shfaqte sjellje bullizuese. Ai kishte marrë pjesë gjithashtu në këshillime individuale dhe në grup.
Ky vlerësim nuk mbeti thjesht një dokument administrativ i burgut. Ai u bë pjesë e materialeve mbi të cilat Gjykata e Shkodrës mbështeti vendimin për t’i ulur Sanxhaktarit 90 ditë nga dënimi.
Gjyqtari Orgent Nazaj arsyetoi se i dënuari kishte pasur sjellje të mirë, kishte marrë pjesë në programet rehabilituese dhe ishte treguar i motivuar. Më 3 mars 2025, Sanxhaktari fitoi kështu uljen e parë të dënimit.
Pak më shumë se një muaj më vonë, ai iu drejtua sërish gjykatës me kërkesë për ulje dënimi.
Këtë herë, raporti i burgut e përshkruante me një seri të re treguesish pozitivë: “kontakte të rregullta dhe të mira me familjarët, pjesëmarrje në aktivitete kulturore-sociale, përfshirje në punësim, pjesëmarrje në këshillime, pranim të veprës penale dhe shprehje pendese”.
Edhe ky raport u përdor nga gjykata. Më 19 maj 2025, gjyqtarja Elona Mertiri i hoqi Sanxhaktarit 90 ditë të tjera nga dënimi.
Një vit më pas, skema u përsërit.
Më 31 mars 2026, Sanxhaktari paraqiti një kërkesë të tretë për uljen e dënimit me 90 ditë. Edhe kësaj here, vlerësimi për sjelljen dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e burgut ishte pozitiv.
Më 19 maj 2026, Gjykata e Shkodrës i dha sërish 90 ditë ulje.
Në harkun e rreth 15 muajve, raportet e burgut u shndërruan kështu në një nga elementet kryesore të një serie vendimesh që i hoqën Sanxhaktarit gjithsej nëntë muaj nga dënimi.
Por dokumentet ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si është dokumentuar rehabilitimi i tij.
Në arsyetimin e gjykatës për uljen e dënimit, Sanxhaktari përshkruhet, duke iu referuar vlerësimit të IEVP Reç, si pjesë e organikës së punësimit.
Por në përgjigjen zyrtare të Drejtorisë së Burgjeve ndaj kërkesës për informacion, institucioni deklaron të kundërtën.
Pas verifikimit të dosjes personale dhe regjistrave të punësimit, IEVP Reç thotë se “nuk rezulton të ketë qenë i punësuar pranë Institucionit tonë”.
Puna ishte vetëm një nga elementet e përdorura për të vlerësuar sjelljen dhe rehabilitimin e të dënuarit.
IEVP Reç shpjegoi se vlerësimi bazohet në pjesëmarrjen dhe angazhimin në programet dhe aktivitetet e institucionit, motivimin, bashkëpunimin me stafin, respektimin e rregullave dhe vazhdimësinë e pjesëmarrjes në programe që synojnë rehabilitimin dhe riintegrimin.
Në burg zhvillohen programe në grup për tema të ndryshme, ndërsa ofrohen edhe programe individuale, aktivitete kulturore-sociale, arsimim dhe kurse profesionale.
Megjithatë, dokumentet e vëna në dispozicion nuk japin një shpjegim të mëtejshëm se cilat prej këtyre programeve ndoqi konkretisht Sanxhaktari dhe si u mat përparimi i tij në to.
Dosja e Sanxhaktarit kishte një tjetër element që bie ndesh me përshkrimin e tij si një “i burgosur shembullor”.
Në burgun e Korçës, më 13 prill 2023, atij i ishte dhënë një masë disiplinore për “ushtrim të dhunës fizike ose psikike ndaj të burgosurve të tjerë”.
Referuar shkresave, Gjykata e Shkodrës vlerësoi se masa disiplinore ishte parashkruar dhe konsiderohej e paqenë.
“Masa disiplinore është parashkruar dhe quhet e paqenë, prandaj ky fakt nuk mund të shërbejë si shkak paragjykues për të zeruar gjithë përpjekjet dhe sjelljen e tij pozitive gjatë kësaj periudhe njëvjeçare prej datës që është ndëshkuar me masë disiplinore”, thuhet në vendimin e gjykatës që u shpall më 3 mars 2025.
Probleme me shëndetin mendor
Uljet e dënimit nuk ishin e vetmja rrugë që Sanxhaktari përdori për të kërkuar daljen nga burgu.
Më 1 korrik 2025, ai depozitoi në Gjykatën e Shkodrës një kërkesë për lirim me kusht.
Avokati i tij argumentoi se Sanxhaktari kishte probleme të shëndetit mendor që, sipas tij, nuk mund të trajtoheshin në kushtet e burgimit.
Gjykata dhe prokuroria pranuan që çështja të shqyrtohej përmes një ekspertimi mjekoligjor.
Akt-ekspertimi i Institutit të Mjekësisë Ligjore konstatoi se Sanxhaktari trajtohej prej më shumë se një viti për çrregullim depresiv madhor. Por ekspertët nuk konstatuan çrregullime të mendimit, perceptimit apo humorit që të udhëhiqnin gjykimin dhe sjelljen e tij.
Përfundimi ishte se gjendja mund të trajtohej edhe brenda burgut. Më 13 tetor 2025, gjyqtarja Anisa Brinja rrëzoi kërkesën për lirim me kusht.
Por Sanxhaktari provoi një tjetër rrugë. Më 25 nëntor 2025, kërkoi zëvendësimin e dënimit me një alternativë që do t’i mundësonte vuajtjen e tij në shtëpi. Seancat u shtynë disa herë, aq sa detyruan Gjykatën të urdhëronte shoqërimin e detyrueshëm të të dënuarit. Sanxhaktari më pas hoqi dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje.
Por në vend të lirimit me kusht apo një dënimi alternativ, ai do të përfundonte duke përfituar nga një mekanizëm tjetër: amnistia e firmosur nga Presidenti i Republikës.
Më 18 qershor 2026, mazhoranca socialiste miratoi amnistinë e re penale dhe Sanxhaktari ishte në mesin e 541 personave që përfituan lirimin.
Dokumentet tregojnë se përpara se të hynte në listën e përfituesve të 2026-s, ai kishte kaluar nëpër një seri procedurash që i kishin shkurtuar kohën e mbetur në burg: gjykimi i shkurtuar, llogaritja e paraburgimit, amnistia e vitit 2024 dhe më pas tre vendime të Gjykatës së Shkodrës.
Në këto tre procese, raportet e IEVP Reç mbi sjelljen dhe rehabilitimin e tij luajtën një rol të rëndësishëm. Gjykata i përdori këto vlerësime për të arsyetuar se Sanxhaktari kishte pasur sjellje të mirë, kishte marrë pjesë në programe rehabilituese dhe ishte i motivuar. Kështu, një dënim me 15 vite heqje lirie u shndërrua për Sokol Sanxhaktarin në një qëndrim fizik në burg prej rreth 5 vjetësh e 11 muajsh, nga arrestimi më 30 korrik 2020 deri në lirimin më 15 korrik 2026.
Të ngjashmit e Sokolit

Rasti i Sokol Sanxhaktarit nuk është i vetmi ku amnistia e vitit 2026 çoi në lirimin e një personi të dënuar për një vepër të rëndë.
Më 15 korrik, ditën kur nisi zbatimi i ligjit të ri të amnistisë, nga burgjet shqiptare nisën të dalin qindra të dënuar. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, numri i të liruarve ishte 553, ndërsa 863 të dënuar kishin përfituar zbritje dënimi.
Shifrat tregojnë përmasën e mekanizmit, por janë rastet konkrete që tregojnë se sa larg shkoi amnistia.
Në burgun e Fierit u liruan 104 persona dhe rreth 210 të tjerë përfituan një vit ulje dënimi. Pjesa më e madhe e të liruarve ishin dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët ose të mesme. Por mes tyre kishte edhe persona me dënime të larta, të cilëve, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, u kishte mbetur më pak se një vit burg.
Një prej tyre ishte Luan Fusha, i dënuar me 25 vite burg për vrasje me paramendim dhe i arrestuar në vitin 2008. Pas rreth 18 vitesh burgim, ai u lirua pasi plotësonte kriteret e amnistisë për pjesën e mbetur të dënimit.
Një tjetër i liruar ishte Florian Përvathi, i dënuar me tetë vite burg për vrasjen e Lek Lekgjonajt në Lezhë. Sipas raportimeve, vrasja ishte pjesë e një konflikti të vjetër mes dy familjeve dhe u krye në një kontekst hakmarrjeje: babai i Përvathit ishte vrarë vite më parë dhe viktima e vitit 2022 ishte vëllai i personit të dënuar për atë vrasje. Përvathi ishte 21 vjeç kur u lirua nga burgu përmes amnistisë.
Në Fier u liruan gjithashtu persona me dënime të tjera të konsiderueshme, mes tyre Erild Gega, i dënuar me 14 vite burg për vjedhje me dhunë, i arrestuar në vitin 2014. Në të njëjtin institucion përfituan edhe dy shtetas të huaj, njëri i dënuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe tjetri për trafikim narkotikësh.
Në listën e emrave të njohur të amnistisë ishte edhe Rozeta Dobi, e dënuar me katër vite e tetë muaj burg për vjedhjen e mbi 500 mijë eurove nga banesa e ish-zyrtares Alda Klosi. Sipas raportimeve, Dobi kishte kryer rreth tre të katërtat e dënimit dhe i kishte mbetur një periudhë e shkurtër për të vuajtur kur përfitoi nga amnistia.
Një tjetër emër i njohur ishte Erisa Fero, ish-punonjëse e AKSHI-t, e dënuar në një çështje të lidhur me trafikimin e narkotikëve. Ajo gjithashtu ishte mes personave që u liruan në zbatim të amnistisë.
Mes përfitueseve ishte edhe Marsela Pushani, e cila ishte dënuar për vrasjen e motrës së saj. Edhe ajo doli nga burgu më 15 korrik.
Amnistia e vitit 2026 nuk u kufizua vetëm te personat e dënuar për vepra të lehta. Ajo preku edhe persona me dënime shumëvjeçare për vrasje, të cilëve, për shkak të kohës së vuajtur, u kishte mbetur një pjesë e vogël e dënimit.
Vetë ligji funksionoi mbi bazën e kohës së mbetur të dënimit dhe lirimi nuk varej domosdoshmërisht nga natyra fillestare e dënimit.
Për Sanxhaktarin, rruga drejt portës së daljes nga burgu ishte shtruar më herët me vendime gjyqësore dhe me raporte që e përshkruanin atë si një të dënuar të rehabilituar, ndërsa për të tjerë rruga drejt lirisë duket se ishte zemërgjerësia e mazhorancës socialiste.
Policia ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes së turistit 20-vjeçar portugez sot në Ksamil. Si rezultat i veprimeve të ...
Një qytetare shqiptare, e cila jeton në Itali, ka udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës, duke thën...
Një violinist 45-vjeçar është lënë në paraburgim në Francë pasi u ndalua nga doganierët në pikën e...
Qytetarët kanë filluar grumbullimin në sheshin "Skënderbej", në ditën e 80-të të revoltës së tyre. Protetsues...
Një 65-vjeçar nga fshati Gziq, është arrestuar në flagrancë nga Policia e Mirditës, pasi u kap duke ndezur tre vatra zjarri...
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për krimin e rëndë të ndodhur sot në Ksamil, ku humbi jetën një turist por...
Një gjykatë belge ka kërkuar katër vite burg për dy shqiptarët të cilët kryen 14 vjedhje gjatë periudhës ...
Rreth orës 18:30, në Misto Mame, shtetasi O. V., rreth 23 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen D. P.,...
Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në bulevardin “Ismail Qemali” në Vlorë, n&eu...
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur pak minuta më parë në Tiranë, në zonën e ...