Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 7 majit në Qafë Gjashtë të Sarandës, ku mbeti i vrarë Rexhep Ismaili dhe u plagos Konstandin Vogli.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni, përplasja e armatosur dyshohet se lidhet me konfliktet për kontrollin e zonave bregdetare dhe interesat në turizëm. Ngjarja ndodhi në lokalin në pronësi të vëllezërve Ismaili, ku në tavolinë ndodheshin Rexhep Ismaili, vëllai i tij Shahin Ismaili, Klodian Kroi, Armand Kanushi dhe Viktor Ruçi, i njohur si Tori Ruçi.
Hetimet tregojnë se në lokal mbërriti një grup personash me makina dhe motorë, të kryesuar nga Konstandin Vogli. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, konflikti nisi fillimisht me sende të forta dhe më pas degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga pamjet filmike rezulton se objektivi kryesor i grupit ishte Viktor Ruçi. Në një moment të përplasjes, Rexhep Ismaili mori një armë automatike nga ambientet e lokalit dhe qëlloi në drejtim të personave që kishin hyrë në biznesin e tij. Më pas ai u qëllua në kokë dhe mbeti i vdekur në vend.
Pjesë nga dokumentari i emisionit “Në Shënjestër”;
Një qytet që deri pak vite më parë cilësohej si i qetë, ndryshe nga simotrat e tij, që lagen nga bregdeti, që ishin kthyer në arenë të luftimeve midis grupimeve kriminale. Por edhe pse nuk ka grupe kriminale të organizuara, të cilat bëjnë ligjin në qytet, Saranda duket se ka një natyrë tjetër të zhvillimit të krimit të brendshëm.
Krim i cili është i lidhur me rrugët e trafikimit të lëndëve narkotike nga brenda territorit drejt Greqisë, por edhe luftën për hapësirat bregdetare që lidhet me turizmin në zonë. Një zonë bregdetare e lakmueshme e cila ndizet dhe rindizet sa herë afron sezoni i verës.
Aty ku dalin qartë në pah interesat dhe përplasjet midis atyre që njihen si të fortët e zonës. Përplasje që në vitet e fundit ka sjellë shumë të vrarë dhe të zhdukur, por edhe atentate të rënda me hedhje makinash në erë deri edhe tentativa për të hedhur anije në erë.
Ashtu siç në fakt ishte edhe përplasja e përgjakshme e ndodhur mbrëmjen e datës 7 maj, në fshatin Qafë Gjashtë në Sarandë. Aty ku mbeti i vrarë shtetasi Rexhep Ismaili, pronar i lokalit ku u konsumua ngjarja e rëndë,
Si dhe mbeti i plagosur shtetasi Konstandin Vogli.
Një ngjarje që në dukje ngjante të kishte të bënte me një debat verbal midis disa personave, por që shpejt u zbulua se edhe këtu përplasja lidhej me luftën tashmë të shpallur për zonat bregdetare.
Por ndërsa ekspertët kryen kqyrjen e vendit të ngjarjes, të vetmit që nuk u gjendën aty ishin personat që kishin marrë goditje me armë. Konkretisht pronari i lokalit Rexhep Ismaili, i cili më pas u mësua se kishte mbërritur i pajetë në spitalin rajonal të Sarandës dhe Konstandin Vogli, që u mësua se kishte mbetur i plagosur, por që në fillim nuk u gjet nga policia.
Ambienti Bar-Kafe i karburantit të vëllezërve Ismaili ku ndodhi ngjarja, gjendet në katin e parë të një ndërtese dykatëshe. Hyrja e lokalit është në anën perëndimore të karburantit dhe nga kqyrja e parë rezultoi se kjo hyrje më konstrukt xhami, është e thyer plotësisht.
Gjatë kqyrjes së mëtejshme në verandën e lokalit, grupi hetues gjeti një telefon të markës ‘Samsung’ të ndezur, ndërsa gjatë kqyrjes së mëtejshme të vendit të ngjarjes u panë dhe mbetje gjaku. Si edhe një kapele me mbishkrimin ‘Puma’ e cila në pjesën e saj të prapme ka një vrimë tejshpuese. Kjo kapele nga sa u kuptua ishte e viktimës Rexhep Ismaili. I cili mesa duket ishte qëlluar me një plumb në kokë.
Një situatë e cila në fillim ishte dukur kaotike por që më pas me zbardhjen e dinamikës se si kishte ndodhur, të dëshmive, por edhe të kamerave të sigurisë, zbuloi të gjithë rrjedhën e kësaj ngjarje, e cila mund të kishte qenë edhe më e rëndë në numra. Plumba dhe shenja gjaku që u gjendën edhe në distancë nga lokali, çka la të kuptohet fillimisht për grupin e hetuesve se në këtë ngjarje mund të kishte edhe persona të tjerë të lënduar me armë zjarri.
Po kështu në vendngjarje u gjetën edhe gëzhoja të një arme tip kallashnikov. Ndërkohë që gjatë verifikimit të ambienteve të jashtme, në distancë nga lokali, u konstatuan mbetje gjaku.
Ku në distancë 7 metra nga lokali u gjend një automjet tip ‘Audi’ me ngjyrë të zezë me targë AB 579 VU. Automjet ku në brendësi të tij u gjendën dy aparate celularë të ndezur. Ndërsa në anën ngjitur me lokalin u gjet një krehër me 30 fishekë.