BB: 24.4% e bizneseve shqiptare i konsiderojnë penguese procedurat doganore, shifra më e lartë në Ballkanin Perëndimor
Bizneseve shqiptare që i konsiderojnë procedurat doganore si pengesë serioze për aktivitetin e tyre, përqindja më e lartë në rajon.

Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të bizneseve tregtare që i konsiderojnë procedurat doganore dhe rregullat e tregtisë ndërkombëtare si pengesë serioze për aktivitetin e tyre. Sipas raportit të Bankës Botërore, 24.4% e këtyre ndërmarrjeve në Shqipëri i vlerësojnë këto rregulla si pengesë të madhe ose shumë të madhe, përkundrejt një mesatareje prej 10% në rajon.
Diferenca me vendet e tjera është e konsiderueshme. Në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje arrin në 11.8%, në Serbi 10.8%, në Kosovë 5.7%, në Mal të Zi 4.9% dhe në Bosnjë e Hercegovinë 3.8%. Ndërkohë, mesatarja për gjashtë ekonomi krahasuese të Bashkimit Evropian është 5.5%, më shumë se katër herë më e ulët se në Shqipëri.
Të dhënat mbështeten në vrojtimet e ndërmarrjeve të Bankës Botërore, të realizuara në vitin 2025 për Shqipërinë dhe Kosovën. Për vendet e tjera janë përdorur vrojtimet më të fundit të disponueshme.
Raporti evidenton se vështirësitë burojnë jo vetëm nga tarifat doganore, por edhe nga procedurat, dokumentacioni dhe kërkesat rregullatore që bizneset duhet të përmbushin për të importuar lëndë të para dhe për të tregtuar me jashtë.
Kjo barrë ka rëndësi të veçantë për kompanitë që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë, pasi prodhimi i tyre mbështetet në furnizimet nga tregjet ndërkombëtare. Kostot shtesë dhe pasiguria procedurale mund të dobësojnë aftësinë e këtyre ndërmarrjeve për të konkurruar dhe për të ruajtur marrëdhëniet me klientët e huaj.

Kapshtica, lidhja mes procedurave doganore dhe humbjes së tregjeve
Një analizë e posaçme e Bankës Botërore për pikën kufitare të Kapshticës, në kufirin me Greqinë, tregon se përmirësimi me një njësi i treguesit të performancës doganore lidhet me një probabilitet 8.3 pikë përqindjeje më të ulët që një marrëdhënie eksporti të ndërpritet.
Përmirësimi i treguesit që mat respektimin e afateve dhe gjurmimin e dërgesave lidhet me një ulje të vlerësuar prej 18.6 pikësh përqindjeje të këtij probabiliteti, megjithëse rezultati ka një nivel më të dobët të sigurisë statistikore. Në Kakavijë dhe Han të Hotit nuk janë gjetur lidhje të krahasueshme.
Banka Botërore sjell edhe përvojën e reformës doganore shqiptare gjatë viteve 2007–2012, kur pjesa e ngarkesave që i nënshtroheshin kontrollit fizik u ul nga 43% në 12%, ndërsa koha e pritshme e zhdoganimit u shkurtua me 7%.
Sipas raportit, koha mesatare e zhdoganimit për importet në Shqipëri është 1.1 ditë, kundrejt 3.8 ditëve në Serbi dhe 5.7 ditëve në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Kjo tregon se problemi nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me kohëzgjatjen e procedurave, por edhe me parashikueshmërinë dhe mënyrën se si zbatohen rregullat.
Analiza nënvizon rëndësinë që ka funksionimi i qëndrueshëm i doganave për kompanitë eksportuese. Megjithatë, lidhjet statistikore të identifikuara nuk provojnë se përmirësimi i një treguesi doganor, i marrë veçmas, shkakton automatikisht uljen e humbjes së tregjeve të eksportit. /ekofin.al
Lexo edhe
AKTUALITET
Shqipëria i kërkon NATO-s ekspertë kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të dyshuara ruse

Moti i keq në Kukës, bie masivi shkëmbor në Rrugën e Kombit

Frontex: Rriten kalimet e parregullta në itinerarin Shqipëri-Greqi, ndërsa në BE shënohet rënie

Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Ja sa shitet dhe blihet euro dhe dollari për ditën e sotme

Reshje shiu dhe shtrëngata/ Parashikimi i motit për sot





