BE-ja përgatitet për kërcënimin e ri kibernetik, kompjuterët kuantikë mund të thyejnë sistemet aktuale të sigurisë
Ndërsa inteligjenca artificiale po krijon sfida të reja për sigurinë kibernetike, një tjetër kërcënim teknologjik po vihet në fokusin e institucioneve evropiane: kompjuterët kuantikë. Ekspertët paralajmërojnë se kjo teknologji mund të bëjë të cenueshme sistemet aktuale të enkriptimit, duke rrezikuar komunikimet dixhitale, shërbimet bankare dhe infrastrukturën kritike. Për t’u përballur me këtë rrezik, Bashkimi Evropian […]

Ndërsa inteligjenca artificiale po krijon sfida të reja për sigurinë kibernetike, një tjetër kërcënim teknologjik po vihet në fokusin e institucioneve evropiane: kompjuterët kuantikë. Ekspertët paralajmërojnë se kjo teknologji mund të bëjë të cenueshme sistemet aktuale të enkriptimit, duke rrezikuar komunikimet dixhitale, shërbimet bankare dhe infrastrukturën kritike.
Për t’u përballur me këtë rrezik, Bashkimi Evropian po përgatit një Akt të Teknologjisë Kuantike, i cili synon të përshpejtojë kalimin drejt sistemeve të reja të sigurisë dhe të mbrojë infrastrukturën dixhitale të vendeve anëtare. Frika lidhet me aftësinë e kompjuterëve kuantikë për të kryer llogaritje shumë më komplekse se kompjuterët e sotëm. Kjo mund t’u mundësojë atyre të anashkalojnë metodat tradicionale të enkriptimit, të cilat përdoren për të mbrojtur informacionin në internet, nga komunikimet personale deri te sistemet qeveritare dhe spitalore.
Zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Evropian për Sovranitetin Teknologjik, Henna Virkunen, ka paralajmëruar se teknologjia kuantike paraqet rreziqe për sigurinë e të dhënave, por njëkohësisht mund të krijojë mundësi për komunikime edhe më të sigurta. Përmes ligjit të ri, Brukseli synon gjithashtu të mbështesë industrinë evropiane të teknologjisë kuantike, duke favorizuar kompanitë e kontinentit në ofrimin e shërbimeve publike. Kjo lidhet me rëndësinë strategjike të kësaj teknologjie dhe dëshirën për të mos krijuar varësi nga furnizuesit jashtë Evropës.
Ndërkohë, vendet anëtare, Komisioni Evropian dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës kanë nisur projektin EuroQCI, që synon krijimin e një infrastrukture të sigurt komunikimi kuantik.
Kur mund të bëhen të cenueshme sistemet aktuale?
Disa drejtues të industrisë kërkojnë që Evropa të përshpejtojë përgatitjet për epokën post-kuantike. Kompania IBM synon të ketë gati kompjuterin e saj të parë kuantik në shkallë të gjerë deri në vitin 2029, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se modelet e afta për të thyer sistemet aktuale të enkriptimit mund të shfaqen më pas. Théau Peronnin, drejtori ekzekutiv i kompanisë franceze Alice and Bob, vlerëson se viti 2032 mund të jetë momenti kur kjo teknologji të përbëjë një kërcënim real për enkriptimin. Sipas tij, ka ende kohë për t’u përgatitur, por reagimi duhet të jetë i shpejtë. Një nga elementet kryesore të kompjuterëve kuantikë janë kubitët. Ndryshe nga bitët tradicionalë, të cilët përfaqësojnë vlerat 0 ose 1, kubitët mund të përfaqësojnë një kombinim të këtyre gjendjeve deri në momentin e matjes. Kjo u jep kompjuterëve kuantikë potencialin për të zgjidhur disa probleme shumë më shpejt se sistemet aktuale.
Peronnin thekson se infrastruktura dixhitale duhet të kalojë në standardet e reja të kriptografisë post-kuantike, duke marrë si shembull edhe SHBA-në, e cila ka ndërmarrë hapa për t’u përgatitur për këtë tranzicion. Komisioni Evropian ka publikuar më herët një plan që parashikon mbrojtjen e infrastrukturës kritike përmes sigurisë kibernetike post-kuantike deri në fund të vitit 2030. Ndërsa Jan Goetz, drejtues i kompanisë finlandeze IQM, argumenton se Evropa duhet të shfrytëzojë avantazhin që ka në kërkimin shkencor dhe teknologjinë kuantike, jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për sigurinë dhe mbrojtjen. Sipas tij, në klimën aktuale gjeopolitike, do të ishte naive që Evropa të zhvillonte teknologji të avancuara pa i përdorur ato për të mbrojtur veten.
Lexo edhe
BOTA
Trump paralajmëron demokratët: Mos e ktheni fitoren ndaj Iranit në humbje, kemi financim për luftën deri në janar

Bob Woodward: Trump është shumë më i keq se Nixon, korrupsioni është i rrënjosur thellë

Ukraina godet rafineritë ruse, Putin: Masat hakmarrëse janë të pashmangshme

Sulm kibernetik ndaj CIA-s

Trump fal dy gjelat tradicionalë për Ditën e Falenderimeve, ja ku do të jetojnë pasi të largohen nga Shtëpia e Bardhë





