BOTA

Rast i pabesueshëm/ Zyrtari i lartë i ministrisë u dha diuretikë 250 grave që t’i shihte duke urinuar! Ja si i fuste në “kurth”

Piranjat Përditësimi i fundit 19 Gusht 2026, 18:39
Rast i pabesueshëm/ Zyrtari i lartë i ministrisë u dha

Gati 250 gra besojnë se kanë qenë viktima të një nëpunësi civil në një ministri franceze, i cili dyshohet se u ka dhënë fshehurazi diuretikë gjatë intervistave të punës dhe më pas i ka çuar në vende publike, duke pritur derisa ato të mos mund ta kontrollonin më dëshirën për të urinuar.

Akuzat kundër Christian Negre përfshijnë incidente të ndodhura nga viti 2009 deri në vitin 2018. Burri, tashmë në të 60-at, është nën hetim formal për akuza që përfshijnë administrim droge, shkelje të privatësisë dhe sulm seksual dhe është në pritje të gjykimit.

Dy nga gratë që e kanë denoncuar, Anais de Vos dhe Marie-Hélène Bris, i përshkruan BBC-së atë që përjetuan, por edhe mënyrën se si iu deshën vite për të mësuar se nuk ishin viktimat e vetme.

“Nuk i ndieja më këmbët”

Ishte korrik i vitit 2011 kur Anais de Vos, atëherë 27 vjeçe, hyri në ambientet e Ministrisë franceze të Kulturës në Paris për një intervistë pune. Burri që e intervistoi ishte Christian Negre, një zyrtar i lartë. Ai i ofroi kafe. Ajo zakonisht nuk pinte kafe, por e pranoi nga mirësjellja, pasi ai e kishte përgatitur vetë.

“Kishte shije të keqe, kështu që piva rreth gjysmën e saj”, kujton ajo.

Intervista filloi në zyrë, por disa minuta më vonë, Negre sugjeroi që ta vazhdonin duke bërë një shëtitje jashtë. Ndërsa ecnin nëpër rrugët e Parisit, Anaïs filloi të ndiente diçka të pashpjegueshme.

“Isha shumë e dobët. Nuk i ndieja këmbët. Isha e frikësuar. Nuk e dija çfarë po ndodhte.”

Në të njëjtën kohë, ajo ndjeu një dëshirë të papritur dhe të pakontrollueshme për të urinuar. I tha atij se kishte nevojë urgjente të gjente një tualet.

“Ai më shikoi drejt në sy dhe tha: ‘Oh, a do të urinosh?’”

Sjellja e tij e bëri të ndihej edhe më në siklet. “Ndihesha si një fëmijë. Mendova se ishte shumë e çuditshme mënyra se si ai po më shikonte, pothuajse me kënaqësi.”

Sipas dëshmisë së saj, Negre e çoi atë te dera e një dhome magazinimi nën një urë mbi Sena. “Mund ta bësh këtu”, i tha ai.

Anaïs u panikua. “Kisha imazhe të tij duke më shtyrë brenda dhomës dhe duke mbyllur derën pas meje.”

Gruaja refuzoi dhe këmbënguli që të vazhdonin. Ata u nisën drejt Luvrit për të përdorur tualetet, por tarifa e hyrjes ishte një euro dhe ajo e kishte lënë portofolin në ministri. Negre i tha se as ai nuk kishte para me vete.

27-vjeçarja tashmë ishte e dëshpëruar dhe kishte dhimbje, ndërsa përpiqej të kontrollonte nevojën për të urinuar. Më në fund, gjeti një kafene ku e lejuan të përdorte tualetin, por nuk kishte më kohë.

“Ndihesha shumë e dobët fizikisht”, kujton ajo.

Pak para se të arrinte në tualet, humbi kontrollin dhe urinoi mbi vete.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ajo gjen një ngushëllim në faktin se kjo nuk ndodhi para burrit që po akuzon.

“Të paktën ai nuk më pa”, thotë ajo. Pas rreth tre orësh me të, ajo ndihej e marramendur dhe e rraskapitur. Ajo nuk e mori vendin e punës.

Anais u largua nga ajo intervistë me ndjesinë se diçka shumë e çuditshme kishte ndodhur, por pa qenë në gjendje të shpjegonte se çfarë. Për një moment, i kishte shkuar në mendje se ndoshta dikush i kishte hedhur diçka në kafe, por menjëherë e hodhi poshtë këtë mendim.

“Është Ministria e Kulturës. S’mund të jetë”, i kishte thënë vetes.

Incidenti, thotë ajo, ndikoi në vetëbesimin e saj dhe, në vitet që pasuan, ajo ndoqi një karrierë më pak ambicioze. Derisa, në vitin 2019, mori një letër nga policia. Oficerët i zbuluan se besonin se ajo ishte një nga gati 200 gratë që Negre dyshohet se i kishte droguar gjatë intervistave për punë.

Që atëherë, dhjetëra gra të tjera janë paraqitur si viktima të mundshme, duke e çuar numrin total në gati 250.

“Isha e tronditur”, thotë ajo. “Por isha e lumtur që e dija se nuk isha e çmendur. Diçka kishte ndodhur vërtet atë ditë.”

Arkivi “Eksperimentet P” dhe zbulimi i veprimeve të tij të sëmura

Edhe më rrëqethëse ishte ajo që, sipas Anais, policia i zbuloi në lidhje me kompjuterin e Negres. Autoritetet gjetën një dosje të titulluar “Eksperimentet P”, në të cilën ishin regjistruar gratë që konsideroheshin viktima të mundshme.

Sipas asaj që Anais i tha BBC-së, në dosje shënohej koha kur secila grua kishte mbërritur për intervistë, momenti kur i ishte dhënë diuretiku, sa kohë i ishte dashur për të urinuar dhe madje edhe lloji i të brendshmeve që kishte veshur.

Ajo tani është e bindur se shija e çuditshme e kafesë që Negre i kishte ofruar vinte nga diuretiku.

Hetimi ndaj tij filloi në qershor të vitit 2018, kur një koleg e pa duke fotografuar një grua nën një tavolinë, sipas një deklarate nga zyra e prokurorit. Ai fillimisht u pezullua nga detyra si drejtor rajonal i Çështjeve Kulturore dhe u shkarkua nga Ministria e Kulturës në vitin 2019.

Prokurorët thonë se, në vitin 2018, ai u tha hetuesve se “kishte imponuar situata poshtëruese ndaj grave” gjatë intervistave të punës.

“Nuk mundi t’i hiqte sytë nga unë, ishte qartësisht sulm seksual”

E ngjashme është dëshmia e Marie-Hélène Bris, emri i së cilës u gjet gjithashtu, sipas BBC-së, në shënimet e Negres. Ai e kishte intervistuar atë për një pozicion në Ministrinë e Kulturës në vitin 2016, në Strasburg.

Marie-Hélène thotë se Negre i tha se dukej e stresuar dhe i sugjeroi të bënin një shëtitje së bashku pranë kanalit për t’u “relaksuar”.

Gjatë shëtitjes, edhe ajo filloi të ndiente një nevojë të pakontrollueshme për të urinuar. Presioni u shndërrua në dhimbje të forta.

Negre, sipas dëshmisë së saj, i tha se dinte për një tualet publik aty pranë. Megjithatë, kur mbërritën, nuk kishte asnjë.

“Po filloja të vuaja vërtet. Kisha aq shumë dhimbje saqë isha zbehur dhe lotët më rridhnin nga sytë.”

Në fund, ajo nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të urinonte në publik. Negre ofroi ta mbulonte me xhaketën e tij.

“Isha tmerrësisht e turpëruar”, thotë ajo. “Ai nuk donte t’i hiqte sytë nga unë.”

Për vite me radhë, ajo mbajti turpin e asaj që kishte ndodhur. Ashtu si Anais, ajo mësoi se çfarë kishte ndodhur vetëm kur policia e kontaktoi.

Marie-Hélène thotë se, përveç pasojave psikologjike, që atëherë ka pasur edhe probleme urinare.

Edhe pse ajo që përshkruan nuk korrespondon me imazhin që zakonisht i vjen ndërmend dikujt kur dëgjon termin “sulm seksual”, ajo nuk ka asnjë dyshim për atë që i ka ndodhur.

“Më sulmuan, më droguan, më helmuan. Për mua, ishte qartësisht sulm seksual”, thotë ajo.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në 26 vjet”

Rasti është pjesë e një debati më të gjerë në Francë rreth të ashtuquajturit “nënshtrim kimik”, pra përdorimit të drogës për të fituar kontroll mbi një person tjetër.

Çështja doli në qendër të vëmendjes së shoqërisë franceze pas rastit të Gisèle Pélicot, bashkëshorti i së cilës u dënua në vitin 2024 për drogimin e saj dhe lejimin e të huajve ta përdhunonin ndërsa ajo ishte pa ndjenja.

Një program pilot u lançua këtë vit, i cili u lejon grave që dyshojnë se janë droguar të japin mostra gjaku, urine ose flokësh për analiza laboratorike, pa pasur nevojë të paraqesin një ankesë zyrtare në polici.

Megjithatë, rasti i Negres ka një dallim të rëndësishëm: shumë prej grave as nuk ishin të vetëdijshme se mund të ishin droguar.

Profesori Jean-Claude Alvarez, i cili është përgjegjës për projektin pilot në spitalin Raymond-Poincaré AP-HP, e përshkruan përdorimin e diuretikëve në këtë mënyrë si “shumë të pazakontë”.

Ai tha se nuk kishte hasur diçka të tillë gjatë 26 viteve të tij si toksikolog. Laboratori teston sistematikisht mostrat për rreth 400 substanca. “Tani, në Francë, ne po kërkojmë edhe diuretikë”, vëren ai. /PiranjatNews/

 

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

SOCIALE 6 Gusht17:27

Tre vite pa fondet IPARD në bujqësi

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujor...