Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Berisha: Dekreti për protestat nuk mund të votohet në këtë moment kur Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një ne... Gjendet e pajetë në tualetin e shtëpisë 43-vjeçarja në Maliq, dyshimet e para Studentët krijojnë partinë e re “Të Bashkuar për Shqipërinë” Pasagjeri tentoi të hapte derën e kabinës, avioni me destinacion Çikagon bën ulje emergjente në Arizona (VI... “Hiqni lulen si simbol, vendosni shkopin e bejsbollit”, Zhupa kritika për PS-në, sulmon dhe Ballën: A e mba... Macron i vendos ultimatum BE-së: T5 arrihet marrëveshja për buxhetin deri në fund të vitit, ose Franca tërh... PD: 7 vite pas tërmetit, Sako e ka kthyer rindërtimin në aferë, bonuset e qirasë janë ndërprerë Mitsotakis: Nuk mund të ketë Evropë të fortë me buxhet të dobët Skandali/ Vinçesk Piroli në kërkim për vrasjen e policit, gjyqtarët e Apelit e liruan nga qelia Kompania B52 lë tre muaj pa paguar punëtorët, i thërret vetëm kur i duhet prodhimi Trafiku ajror drejt Gjirit Persik devijohet papritur! Kuvajti intercepton dronët iranianë, plagosen 4 perso... Tabaku: Kompetencat që i jepni Policisë e çojnë vendin në vitin 1991
BOTA

Britania kontakton 100 mijë ish-ushtarë të jenë të gatshëm në rast lufte, ministri i Mbrojtjes: Dua një vend të përgatitur, jo të alarmuar

Britania e Madhe ka nisur një proces kontakti me rreth 100 mijë ish-pjesëtarë të Forcave të Armatosura, për të verifikuar të dhënat e tyre personale, mënyrat e kontaktimit dhe aftësitë profesionale që mund të vihen në dispozicion në rast të një krize kombëtare apo konflikti të armatosur.

P
Piranjat26 November 2026, 18:38 · 8 min lexim
Britania kontakton 100 mijë ish-ushtarë të jenë të

Britania e Madhe ka nisur një proces kontakti me rreth 100 mijë ish-pjesëtarë të Forcave të Armatosura, për të verifikuar të dhënat e tyre personale, mënyrat e kontaktimit dhe aftësitë profesionale që mund të vihen në dispozicion në rast të një krize kombëtare apo konflikti të armatosur.

 Lajmi u bë i ditur nga sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i cili konfirmoi se Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar letra ish-ushtarakëve, në kuadër të përditësimit të rezervës strategjike të vendit.

Nisma vjen në një kohë kur situata e sigurisë në Europë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese, për shkak të luftës në Ukrainë, tensioneve me Rusinë dhe incidenteve të sigurisë që kanë përfshirë edhe vende anëtare të NATO-s. Sipas raportimeve të gazetave britanike “The Times” dhe “The Telegraph”, disa prej ish-ushtarakëve kanë marrë letra ku u kërkohet të jenë të përgatitur për mundësinë e thirrjes në shërbim në rast lufte.

Duke folur për programin “Today të BBC Radio 4”, ministri i Mbrojtjes shpjegoi se qëllimi i kësaj nisme është që qeveria të dijë se ku ndodhen ish-ushtarakët dhe çfarë aftësish zotërojnë, në mënyrë që të mund të aktivizohen nëse lind nevoja.

Ai tha se kjo rezervë mund të jetë e nevojshme në rast të një fatkeqësie kombëtare brenda Britanisë ose përballë një kërcënimi më serioz apo konflikti jashtë vendit.

“Dua që vendi të jetë vigjilent, jo i alarmuar”, deklaroi Streeting.

Ministri theksoi se qeveria nuk mund të shpërfillë zhvillimet në Europë dhe përkeqësimin e situatës së sigurisë gjatë viteve të fundit.

“Nuk mund të shohësh atë që po ndodh në uvropë dhe të mos shqetësohesh për një mjedis kërcënimesh që është përkeqësuar vitet e fundit dhe që, fatkeqësisht, po bëhet gjithnjë e më serioz”, u shpreh ai për BBC.

Duke shpjeguar arsyet e kësaj nisme, Streeting përmendi disa zhvillime të fundit që, sipas tij, tregojnë rritjen e rreziqeve të sigurisë në Europë.

“Të premten e kaluar pamë një incident shumë serioz – shkeljen e hapësirës ajrore polake nga raketat ruse. Kemi parë gjithashtu terrorizëm të sponsorizuar nga shteti rus në të gjithë Europën dhe, natyrisht, kemi pasur incidente që lidhen me Iranin pranë bazave të Forcave Ajrore Mbretërore këtu në Mbretërinë e Bashkuar”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se, përballë kësaj situate, qeveria dhe vendi duhet të jenë të përgatitur për t’u përballur me rreziqet.

“Sa më të përgatitur të jemi, aq më pak gjasa ka që të gjendemi përballë një konflikti apo një lufte. Ky është synimi im dhe synimi i kësaj qeverie”, tha Streeting.

Në një tjetër intervistë për “BBC Breakfast”, ai argumentoi se Ministria e Mbrojtjes do të kritikohej në rast se Britania do të përfshihej në luftë dhe një hetim i mëvonshëm do të zbulonte se qeveria nuk kishte mbajtur të përditësuara të dhënat e personave që mund të mobilizoheshin.

Pse Britania po përditëson të dhënat e 100 mijë ish-ushtarakëve?

Sipas analizës së BBC-së, kjo nismë nuk përfaqëson një alarm për një luftë të afërt, por një përpjekje për të shmangur problemet që janë evidentuar në të kaluarën.

Kur Britania u përfshi në luftën në Irak në vitin 2003, Ministria e Mbrojtjes kishte vështirësi të identifikonte se cilët ish-ushtarakë mund të ishin të gatshëm për shërbim, çfarë aftësish kishin dhe nëse të dhënat e kontaktit ishin ende të sakta.

Tashmë, 23 vite më vonë, lufta në Ukrainë ka ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si konceptohet lufta moderne. Përveç ushtarëve të trajnuar tradicionalisht, në konfliktet e sotme kanë rëndësi edhe aftësitë në teknologji, komunikim, elektronikë, sisteme radio dhe operimin e dronëve.

Persona që nuk kanë përdorur armë gjatë jetës së tyre civile mund të zotërojnë aftësi shumë të vlefshme për operimin e dronëve, ndërsa specialistët e elektronikës dhe komunikimit mund të luajnë rol të rëndësishëm në luftën elektronike.

Prandaj, sipas BBC-së, nisma synon të identifikojë se kush mund të kontribuojë, çfarë aftësish zotëron dhe ku mund të kontaktohet.

Justin Crump, ish-oficer i ushtrisë britanike dhe drejtues ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës së biznesit Sibylline, e konsideron këtë një hap të vonuar, por të rëndësishëm.

“Lufta në Ukrainë na ka treguar rëndësinë e mobilizimit të aftësive dhe qasjeve civile në luftën moderne”, deklaroi ai për BBC.

Sipas Crump, kjo është vetëm faza e parë dhe përpjekjet mund të shtohen gjatë fillimit të vitit 2027. Ai theksoi se nisma lidhet kryesisht me parandalimin dhe forcimin e aftësive mbrojtëse, jo me një synim për të aktivizuar menjëherë ish-ushtarakët.

Crump tha gjithashtu se veteranët me të cilët kishte komunikuar e kishin mirëpritur përgjithësisht këtë nismë, duke kërkuar që përvoja dhe aftësitë e tyre të vlerësohen. Kontakti me ish-ushtarakët vjen gjithashtu pas nënshkrimit të një kontrate me vlerë 8 miliardë paund për modernizimin e flotës britanike të nëndetëseve bërthamore.

Sekretari i Mbrojtjes e ka cilësuar këtë investim si pjesë të përpjekjeve për ta bërë vendin më të përgatitur për përballimin e një konflikti të mundshëm. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe mbrojtëse të Britanisë.

Britania, përmes kësaj nisme, synon të forcojë gatishmërinë e saj përballë një situate ndërkombëtare gjithnjë e më të paqëndrueshme. Megjithatë, qeveria këmbëngul se përditësimi i të dhënave të rezervistëve nuk nënkupton se një mobilizim për luftë është i pashmangshëm, por se vendi duhet të jetë i përgatitur në rast se një situatë e tillë ndodh.

 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

BOTA

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.