AKTUALITET

Dhoma Amerikane kundër paketës fiskale, parashikon rritje të ndjeshme të taksave për bizneset

Piranjat Përditësimi i fundit 29 October 2026, 10:48
Dhoma Amerikane kundër paketës fiskale, parashikon rritje të

 

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) në një deklaratë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat parashikojnë një rritje të konsiderueshme të barrës tatimore për bizneset dhe ndryshojnë kushtet mbi bazën e të cilave sipërmarrjet kanë ndërtuar planet e tyre të aktivitetit, financimit dhe investimeve. Ndryshime të tilla do të dekurajonin gjithashtu investitorët e huaj nga konsiderimi i Shqipërisë për biznese në të ardhmen. AmCham vlerëson se çdo ndryshim i rëndësishëm në politikat fiskale duhet të mbështetet në një analizë të plotë të ndikimit ekonomik dhe social, në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve të pritshme, si dhe në një proces të mirëfilltë konsultimi me komunitetin e biznesit përpara vendimmarrjes përfundimtare.

Lehtësimi i kostos së jetesës dhe mbështetja e qytetarëve, veçanërisht e familjeve më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve, janë objektiva të rëndësishëm. Megjithatë, arritja e tyre duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e një klime të shëndetshme biznesi, nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Për këtë arsye, AmCham kundërshton që financimi i masave sociale të mbështetet në rritjen e barrës mbi bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe përmbushin rregullisht detyrimet tatimore, pa u shqyrtuar më parë alternativat e mundshme dhe efektet e ndërhyrjes. Duke marrë parasysh edhe nivelin e nënrealizimit të shpenzimeve buxhetore dhe suficitin e financave publike, çdo rritje e barrës fiskale kërkon një arsyetim të qartë mbi domosdoshmërinë e saj dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave shtesë.

Ndryshimet e propozuara prekin njëkohësisht disa prej elementeve kryesore të sistemit tatimor. Rritja e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, krahas rritjes së disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10% dhe ndryshimeve në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, përbëjnë ndërhyrje me ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik. Këto masa mund të pakësojnë fondet e disponueshme për riinvestim, të ulin kthimin nga kapitali dhe të ndikojnë në kostot e aktivitetit, punësimin dhe planet e zgjerimit të bizneseve. Ndikimi neto në GDP, dhe rrjedhimisht në të ardhurat bruto tatimore, mund të rezultojë më i ulët se sa parashikohet, nëse politika e re pengon zhvillimin e bizneseve.

Ndërkohë, Shqipëria vepron në një mjedis rajonal ku investitorët e huaj krahasojnë kushtet fiskale dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në vende të ndryshme. Rritja e normave tatimore do të dobësojë më tej pozitën tonë konkurruese. Një rënie e investimeve të huaja direkte (FDI) do të ngushtojë potencialin e ekonomisë dhe, si pasojë, do të sjellë efekte negative fiskale afatgjata. Duke pasur parasysh rrezikun që ndryshime të tilla dobësojnë konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion investimi në raport me vendet e tjera të rajonit, presim një vlerësim fiskal dukshëm më të thelluar në mbështetje të këtyre ndryshimeve kaq drastike.

Një shqetësim tjetër lidhet me ndikimin e ndryshimeve të propozuara mbi çmimet e konsumit. Ndërsa vendosja e normës së reduktuar të TVSH-së prej 6% për një kategori produktesh ushqimore bazë synon të lehtësojë koston e jetesës, rritja e normës standarde nga 20% në 21% dhe e disa normave të reduktuara nga 6% në 10% mund të sjellë rritje të çmimeve për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh. Në masën që këto rritje transferohen te konsumatorët, shpenzimet shtesë të familjeve mund të zbehin ose të kompensojnë pjesërisht përfitimet e pritshme nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. Për më tepër, ulja e normës së TVSH-së nuk garanton në vetvete që përfitimi do të reflektohet plotësisht në çmimet përfundimtare. Për këtë arsye, AmCham kërkon një analizë të ndikimit neto të ndryshimeve mbi çmimet e konsumit, fuqinë blerëse dhe buxhetet familjare, si dhe sqarimin e mekanizmave të monitorimit për të vlerësuar nëse objektivat sociale të synuara do të arrihen realisht.

AmCham vlerëson gjithashtu se financimi i politikave sociale dhe rritja e të ardhurave buxhetore duhet të mbështeten, në radhë të parë, në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e eficiencës së administrimit tatimor, përpara se të konsiderohet rritja e normave tatimore. Rritja e barrës mbi bizneset që deklarojnë dhe përmbushin rregullisht detyrimet e tyre, pa shfrytëzuar më parë potencialin për formalizimin e ekonomisë, rrezikon të rëndojë më tej sipërmarrjet e rregullta dhe të thellojë pabarazitë konkurruese. Për AmCham, zgjerimi i bazës tatimore, zbatimi i barabartë i ligjit dhe lufta efektive kundër informalitetit përbëjnë një qasje më të qëndrueshme për rritjen e të ardhurave publike, financimin e nevojave sociale dhe ruajtjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Shqetësimin tonë e shton edhe mënyra dhe koha e paraqitjes së këtyre propozimeve. Ndryshime me një ndikim kaq të gjerë, të cilat parashikohet të fillojnë të prodhojnë efekte nga 1 janari 2027, u lënë bizneseve një periudhë të kufizuar për të analizuar pasojat dhe për t’u përshtatur. Për ndërmarrjet me investime afatgjata, kontrata të lidhura dhe angazhime financiare, këto ndryshime ndikojnë në vendime të marra mbi bazën e një kuadri fiskal të caktuar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kompanitë amerikane dhe investitorët ndërkombëtarë, për të cilët stabiliteti dhe parashikueshmëria fiskale janë elemente thelbësore në vlerësimin e një tregu. Ndryshimet e papritura, pa një kalendar të qartë dhe periudha të arsyeshme kalimtare, mund të cenojnë besimin e investitorëve aktualë dhe potencialë.

Në këtë kuadër, projektligjet e propozuara duhet të mbështeten në studime dhe modelime të thelluara fiskale, të komunikuara në mënyrë transparente, dhe më pas t’i nënshtrohen një procesi konsultimi publik real, efektiv dhe gjithëpërfshirës, e jo të trajtohen thjesht si një formalitet procedural. Propozimet me ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e bizneseve duhet t’i nënshtrohen një shqyrtimi të plotë, ku argumentet dhe rekomandimet e komunitetit të biznesit të analizohen dhe të merren në konsideratë përpara miratimit. Një proces i tillë është i domosdoshëm për të përmirësuar cilësinë e politikave fiskale dhe për të shmangur pasoja të padëshiruara për ekonominë.

Për më tepër, është e nevojshme të sqarohet përputhshmëria e ndryshimeve të propozuara me objektivat dhe drejtimin e përcaktuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, të hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë FMN-në dhe BE-në. Çdo ndryshim nga masat apo afatet e parashikuara në këtë kuadër duhet të shoqërohet me argumentim të qartë ekonomik dhe fiskal, duke garantuar koherencën dhe parashikueshmërinë e politikave tatimore.

Në këto rrethana, Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje Qeverisë të rishqyrtojë rritjet e propozuara të barrës tatimore, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të vlerësojë si alternativë prioritare zgjerimin e bazës tatimore, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike, përpara ndërmarrjes së masave që rrisin normat tatimore. AmCham kërkon gjithashtu një proces të hapur e kuptimplotë konsultimi dhe parashikimin e periudhave të arsyeshme kalimtare përpara se ndryshime të kësaj përmase të merren në konsideratë, e aq më pak të zbatohen.

AmCham mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën dhe rekomandimet e saj konkrete, në funksion të një sistemi fiskal të drejtë, të qëndrueshëm dhe konkurrues, që nxit investimet, mbështet formalizimin dhe krijon kushtet për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përfundon deklarata.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?