“Kanceri të ndryshon”/ Kate Middleton thyen heshtjen, rrëfen detaje të pathëna nga beteja me sëmundjen

Kate Middleton ka vendosur të ndajë me publikun një nga periudhat më të vështira të jetës së saj. Princesha e Uellsit do të jetë protagoniste e dokumentarit të ri “Heal”, ku rrëfen përvojën e saj me kancerin, trajtimin dhe sfidat fizike e emocionale që ka përjetuar gjatë rikuperimit.
Traileri i parë i dokumentarit u publikua më 21 nëntor 2026 dhe sjell pamje mjaft personale të Kate, e cila përmes këtij projekti synon të përcjellë një mesazh shprese për të gjithë ata që po përballen me sëmundje të rënda.
“Kanceri të ndryshon. Ndryshon trupin tënd, të ndryshon fizikisht, por ka edhe një pjesë shumë më të thellë të asaj që një diagnozë e tillë ndryshon tek ti”, shprehet Princesha e Uellsit në një prej momenteve të trailerit.
Dokumentari ndjek Kate gjatë një sfide të veçantë fizike, National Three Peaks Challenge, që konsiston në ngjitjen e tri maleve më të larta në Skoci, Angli dhe Uells brenda 24 orëve. Ajo e përfundoi këtë sfidë në qershor të këtij viti, në mbështetje të organizatës The Royal Marsden Cancer Charity, e lidhur me spitalin ku mori trajtimin mjekësor.
Përtej sfidës fizike, projekti ndalet te procesi i rikuperimit dhe ndryshimet që një diagnozë e tillë sjell në jetën e një personi.
Një prej momenteve më emocionuese të dokumentarit është ribashkimi i Kate me tre fëmijët e saj, George, Charlotte dhe Louis, si dhe bashkëshortin, Princin William, pas përfundimit të sfidës.
Në dokumentar shfaqet edhe vëllai i saj, James Middleton, me të cilin princesha diskuton për përfundimin e trajtimit mjekësor. Ai e pyet nëse kishte rënë këmbana tradicionale në spital, me të cilën pacientët shënojnë përfundimin e trajtimit.
“Po, por unë nuk i rashë këmbanës”, përgjigjet Kate.
James i sugjeron se ndoshta përfundimi i sfidës së maleve mund të jetë mënyra e saj për të festuar atë që ka kaluar.
Kujtojmë se Kate Middleton njoftoi publikisht në mars të vitit 2024 se ishte diagnostikuar me kancer, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në zonën abdominale. Ajo iu nënshtrua kimioterapisë parandaluese, ndërsa në janar të vitit 2025 bëri të ditur se sëmundja ishte në remision. Princesha nuk ka zbuluar asnjëherë llojin specifik të kancerit me të cilin u përball.
Dokumentari “Heal” do të transmetohet më 29 nëntor në BBC One dhe do të jetë i disponueshëm në platformën BBC iPlayer. Më pas, do të shfaqet edhe në Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Kanada.
Përmes këtij projekti, Kate synon të nxisë një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj kujdesit shëndetësor, duke vënë në vëmendje jo vetëm trajtimin mjekësor, por edhe mirëqenien emocionale dhe psikologjike të pacientëve. Të ardhurat nga shpërndarja e dokumentarit do t'i dhurohen organizatës The Royal Marsden Cancer Charity.
Lexo edhe
SHOWBIZ
Foto të rralla nga fëmijëria, babai i Ritës emocionon me urimin e ditëlindjes për këngëtaren

“Black Friday” edhe tek biletat e koncertit/ Fifi bën ofertën që zgjat vetëm 12 orë

Momenti emocionues në ditën e dasmës, vajza i bën dedikimin e veçantë Genës: Kuptova çfarë adhuroj më shumë tek ti

Portieri i Bayern tradhton gruan shtatzënë me fizioterapisten 23-vjeçare

“Të du fort Babo”, Julian Deda kujton të atin, Zef Dedën me fjalët prekëse





