Uji nuk erdhi me bujë, por ngadalë, pa paralajmërim. Doli nga shtrati dhe brenda 15 minutash, në Poklek, arriti deri në gjunjë nëpër dhomat e ndenjes. Enver Bajraktari qëndron në oborr dhe vështron shtëpinë e tij, ku mobiliet notojnë.
“Kështu është prej tri ditësh,” thotë ai. “Uji ishte deri në gju, shtëpia është e pabanueshme.” Megjithatë, ai nuk mund të rrijë duarkryq: mobiljet e buta i ka vendosur mbi konstruksione të ngritura, që të mos pësojnë edhe më shumë dëme. “Familjen e kam dërguar te vëllezërit. Këtu nuk ka shpresë për zgjidhje të shpejtë.”
Në Poklek, uji ka marrë gjithçka që nuk ishte e fiksuar në tokë. Rrugët janë shndërruar në kanale, oborret në liqene të vegjël. Era e mykut dhe baltës mbizotëron në të gjithë fshatin. Te disa shtëpi në zona pak më të larta, zjarrfikësit përpiqen sërish të shpëtojnë qytetarët. Për Enverin kjo nuk është vetëm një fatkeqësi natyrore – për të është falimentim ekonomik. Por Pokleku nuk është i vetmi.
Kosova duket si një peizazh liqenor
Nga Drenasi në Prizren, nga Gjakova në Pejë e Malishevë, nga Lipjani e në Ferizaj uji shtrihet me kilometra të tërë mbi fusha dhe nëpër shtëpi. Reshjet e shiut dhe borës vazhdojnë ende dhe temperaturat janë të ulëta. Autoritetet lokale kanë mobilizuar gjithçka për të ndihmuar ose për ta ndalur ujin, por në terren qytetarët flasin për vonesa.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi,” thotë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke theksuar se mbrojtja e nënstacionit elektrik – një aset jetik komunal – kishte përparësi. Në disa zona, vetëm pak centimetra më shumë ujë do të mjaftonin për një ndërprerje të plotë të energjisë elektrike.
Paradoski me ujin në Kosovë
“Në total kemi më pak reshje, por megjithatë më shumë përmbytje,” shpjegon profesor Zeqir Veselaj nga Universiteti i Prishtinës. “Reshjet janë më intensive dhe bien në periudha shumë të shkurtra. Toka nuk arrin ta përthithë këtë sasi uji.”
Problemi nuk është vetëm moti apo ndryshimet klimatike, thotë Veselaj. Lumenjtë janë ngushtuar, shtretërit e tyre janë dëmtuar nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit, ndërsa mbeturinat i kanë kthyer në kolektorë plastikë. Kur një lum del nga shtrati, ai thjesht kërkon territorin e tij të dikurshëm. “Ne i kemi ndërtuar shtëpitë aty,” thotë Veselaj, “dhe pastaj e fajësojmë lumin për përmbytjet.”
Mungojnë masat parandaluese
Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova”, një OJQ që angazhohet për mbrojtjen e natyrës, e thotë qartë: “Këto përmbytje nuk janë vetëm fatkeqësi natyrore. Ato janë pasojë e neglizhencës ndaj natyrës.”
Organizata e tij ka pastruar segmente të tëra lumenjsh. Në disa raste, kjo ka mjaftuar për të parandaluar përmbytjet. “Por vullnetarët nuk mund ta zëvendësojnë shtetin,” thotë ai dhe fajëson institucionet: “Përmbytjet e ditëve të fundit nuk janë thjesht ‘fatkeqësi natyrore’, por rezultat i neglizhencës, mungesës së planifikimit dhe reagimit të vonuar.”
Edhe nga OJQ-ja EuroNatur paralajmërohet për një rrezik në rritje. Viktor Berishaj flet nga një këndvështrim tjetër për “paradoksin e ujit” në Kosovë: “Kosova është vendi me më së paku burime ujore në rajon, ndërsa për shkak të keqmenaxhimit të sistemeve ujore dhe resurseve tokësore, si ato natyrore ashtu edhe ato të njeriut, vijmë tek situata ku kemi përmbytje, që tashmë janë shpeshtuar. Krahas ndryshimeve klimatike dhe ndërtimeve të pakontrolluara, ai shton edhe dy arsye të tjera: “Shpyllëzimi dhe menaxhimi i dobët i mbeturinave e shumëfishojnë rrezikun.”
Rregulloret shtetërore ekzistojnë, por nuk zbatohen
Përmbytjet e viteve 2021, 2023 dhe tani 2026 nuk janë përjashtim – janë një paralajmërim. Një studim i Bankës Botërore nga viti 2019 për ndikimet e ndryshimeve klimatike paralajmëroi, se Kosova duhet të përgatitet çdo vit për rreth 10.000 banorë të prekur nga përmbytjet dhe për dëme rreth 50 milionë euro në produktin e brendshëm bruto. “Këto paralajmërime po rezultojnë pothuajse të sakta,” thotë prof. Zeqir Veselaj, ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës. “Vetëm përmbytjet e vitit 2023 i shkaktuan komunës së Skënderajt dëme prej 12–13 milionë eurosh.”
Profesori heziton t’i quajë këto ngjarje fatkeqësi natyrore dhe e sheh “njeriun si shkaktarin kryesor, që e keqpërdor masivisht natyrën.” Ai përdor një citat të huazuar: “Ashtu si çdo pikë uji ka përgjegjësi për përmbytjen, po ashtu çdo njeri mban përgjegjësi për dëmet nga vërshimet.”
Sipas tij, në Kosovë ekzistojnë masat e nevojshme shtetërore, si planet hapësinore dhe ligjet për ndërtimin, mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e fatkeqësive, burimet ujore e të tjera. Por ai shton një “por” të madh: “Ajo që mungon është zbatimi konsekuent i të gjitha këtyre instrumenteve ligjore.” Një tjetër mangësi ai e sheh në veprimet e shtetit: “Institucionet duhet të përgatiten për të parandaluar ngjarje dhe fatkeqësi natyrore si përmbytjet, në vend që të merren vetëm me pasojat e tyre,” thekson ai. “Përndryshe, pasojat do të jenë çdo herë e më të rënda.”
Në Poklek, Enver Bajraktari e mbyll derën e shtëpisë së tij të përmbytur dhe largohet. Ai nuk e di se kur do të kthehet. Di vetëm një gjë: uji do të kthehet përsëri, nëse asgjë nuk ndryshon./DW
Artikuj te sugjeruar
KOSOVA
11 Janar09:24
SMS mashtrues, gruaja nga Prishtina humb mijëra euro
Një grua kosovare ka raportuar në polici se ka qenë viktimë e mashtrimit përmes një SMS telefonik, si pasojë e të cilit ...
KOSOVA
10 Janar15:38
Akuzohet se spiunoi për llogari të Serbisë, gjykata lë në burg të arrestuarin!
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar paraburgimin të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Shehollit, deri më 9 mars të kë...
KOSOVA
10 Janar12:46
Kaos nga moti i keq edhe në Kosovë, probleme në disa rrugë
Ministria e Infrastrukturës njoftoi se në disa rrugë të Kosovës ka probleme për shkak të reshjeve të shiut. Një s...
KOSOVA
9 Janar22:52
Bllokoi hyrjen e stacionit policor me veturë dhe sulmoi policët, arrestohet një person
Një person është arrestuar pasi sulmoi zyrtarët policorë gjatë një ndërhyrjeje për të larguar një vetur&e...
KOSOVA
9 Janar17:16
Polici u vra në pritë, ngrihet akuzë për të rinjtë
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve dhe siguri...
KOSOVA
9 Janar12:16
Përfundon numërimi i të gjitha votave në Kosovë, Vetëvendosja shkon mbi 51%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, t...
KOSOVA
8 Janar21:09
Zjarr i madh në një fabrikë në Gjakovë, dëme të konsiderueshme materiale
Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë të dyshekëve në Gjakovë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshm...
KOSOVA
8 Janar18:54
Përmbytje në Mitrovicën e Veriut, evakuohen 15 familje
Situata e shkaktuar nga përmbytjet në Kosovë ka filluar të stabilizohet, megjithatë në disa pjesë të vendit ësht&...
KOSOVA
8 Janar10:58
Operacion policor në Kosovë, raportohet për të arrestuar
Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar aksione...
KOSOVA
7 Janar23:46
Nga ekstremi në ekstrem/ Përmbytjet i lënë vendin dëborës dhe ngricave në Kosovë
Pas vërshimeve shkatërruese në disa pjesë të vendit, Kosova tani duhet të përgatitet për reshje bore dhe rënie t&eu...