'Nga Blloku luksoz te perandoria e kokainës në Britani'/ Si u pasuruan bandat shqiptare dhe si paratë e drogës po deformojnë ekonominë e Shqipërisë
Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Europës, por këtë vështirë se do ta kuptosh nëse viziton Bllokun. Rolls-Royce dhe Bentley, me vlerë 250 mijë euro secila,...
Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Europës, por këtë vështirë se do ta kuptosh nëse viziton Bllokun. Rolls-Royce dhe Bentley, me vlerë 250 mijë euro secila, parkojnë para bareve dhe kafeneve të kësaj zone luksoze të Tiranës. Por më shumë se makinat luksoze, vëmendjen tërheqin njerëzit që zbresin prej tyre. Shqiptarët e mbuluar me tatuazhe shpesh dëgjohen teksa japin urdhra në iPhone, duke folur me theksin e Londrës Veriore apo të Mançesterit.
Për ata që e njohin mënyrën se si funksionon ekonomia e nëndheshme në Europë, këto thekse angleze nuk janë aspak të habitshme. Bandat shqiptare janë të pranishme në të gjithë tregun britanik të kokainës, që vlerësohet në 11 miliardë paund, nga importi në sasi të mëdha deri te shpërndarja në rrugë.
Në fillim të këtij viti, dy shqiptarë u dënuan me burg pasi organizuan kontrabandimin e më shumë se 500 kilogramëve kokainë nga Meksika drejt aeroportit të Mançesterit. Vlera e drogës në tregun e rrugës përllogaritej në 40 milionë dollarë. Vetëm gjatë javëve të fundit, shpërndarës shqiptarë janë burgosur për shitjen e kokainës në rrugë, në qytete dhe zona të largëta si Ipswich dhe Aberystwyth.
Ndërkohë, në shtator, një shqiptar u dënua pasi u kap duke udhëtuar në autostradën M20, në Kent, me kokainë me vlerë 2 milionë paund, të fshehur në qese të Lidl-it.
Kjo veprimtari po sjell edhe pasoja të rënda për përdoruesit. Javën e kaluar, Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) njoftoi se kokaina është bërë shkaku kryesor i vdekjeve nga droga në Angli dhe Uells. Numri i mbidozave fatale të lidhura me këtë substancë është katërfishuar brenda një dekade. Përveç kësaj, shqiptarët dominojnë edhe tregtinë e paligjshme të kanabisit në Britani, e cila furnizon një industri vendase të marijuanës me vlerë 2,5 miliardë paund.
Ky ndryshim në botën e trafikut të drogës ndodhi jashtëzakonisht shpejt. Vetëm dhjetë vjet më parë, policia dhe gazetarët sapo kishin filluar të paralajmëronin për ndikimin në rritje të bandave shqiptare në tregun e kokainës në Britani.
Në atë kohë përflitej se mafiozët shqiptarë ishin furnizuesit kryesorë të kokainës për klubin Groucho, lokalin e famshëm të personazheve të njohur në Soho. Aty konsumohej aq shumë kokainë, saqë dhoma e bilardos në katin e sipërm ishte pagëzuar me nofkën "Departamenti i furnizimit peruan".
Disa rrugë më tutje, në klubin e natës Cirque Le Soir, thuhej se një shpërndarës shqiptar shiste kokainë në prani të Frank "Sherifi i Soho-s" Partridge, zyrtarit të korruptuar të policisë Metropolitane që ishte përgjegjës për licencimin e lokaleve të natës në West End, deri në arrestimin e tij në vitin 2015.
Por pyetja mbetet: si ia dolën shqiptarët të depërtonin kaq fuqishëm në këtë treg, në një vend të njohur si për bandat e tij të dhunshme vendase, ashtu edhe për grupet e huaja kriminale të konsoliduara prej kohësh, si turqit e Londrës Veriore dhe klani Kinahan nga Dublini?

Përgjigjja duhet kërkuar te rrëzimi i regjimit marksist-leninist në Shqipëri, në vitin 1992. Pas disa dekadash nën sistemin socialist, shqiptarët u përballën papritur me një botë kapitaliste, për të cilën dinin shumë pak.
"Para rënies së regjimit komunist, krimi i organizuar nuk ishte një koncept që njerëzit në Shqipëri e njihnin mirë", thotë Fatjona Mejdini, drejtuese e njësisë për Europën Juglindore në organizatën Global Initiative Against Transnational Organized Crime (GI-TOC).
"Brenda natës, ata u gjendën përballë një sistemi kapitalist që nuk e kuptonin. Për disa, krimi i organizuar u kthye në një mënyrë për të mbijetuar."
Në vitin 1997, ekonomia tashmë e brishtë e Shqipërisë pësoi një goditje shkatërruese pas kolapsit të një prej skemave piramidale më të mëdha në histori. Rreth dy të tretat e shqiptarëve humbën kursimet e tyre të jetës. Në këto kushte, bashkë me luftën e Kosovës në vitin 1999, dhjetëra mijëra shqiptarë etnikë u nisën drejt Perëndimit në kërkim të një jete më të mirë.
Për disa prej tyre, krimi u kthye në një mundësi fitimprurëse. Gangsterët shqiptarë nisën të njiheshin si tutorë dhe trafikantë të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual në zonat më famëkeqe të kryeqyteteve europiane.
Nga fundi i viteve 1990, bandat shqiptare dhe kosovare, të njohura për dhunën e tyre, u morën bandave malteze dhe atyre të East End-it kontrollin e tregut të prostitucionit në Soho, me vlerë 40 milionë paund. Në vitin 2001, një raport i Ministrisë së Brendshme britanike konstatonte se ato zotëronin 70 për qind të saunave dhe salloneve të masazhit në këtë zonë.
Paralelisht me trafikun e qenieve njerëzore, u zhvillua edhe tregtia e drogës. Pas rënies së komunizmit, në Shqipëri u ngritën plantacione të mëdha kanabisi, ndërsa prodhimi shqiptar filloi të konkurronte me çmime më të ulëta atë të Holandës dhe Marokut.
Në fillim, kanabisi transportohej me rrugë tokësore përtej kufirit jugor drejt Greqisë dhe më pas me anije drejt Italisë, e cila ndodhet vetëm 45 milje larg, përtej ngushticës së Otrantos. Mafiat italiane, që sigurisht përfitonin pjesën e tyre, ishin më se të gatshme t'i ndihmonin shqiptarët të shpërndanin drogën në Europë.
Siç shpjegon Mejdini, kanabisi ishte "monedha që trafikantët shqiptarë përdorën për të krijuar lidhje me organizatat e tjera kriminale në Europë dhe për të fituar përvojë në krimin e organizuar".
Në këtë pikë, historia rikthehet te Britania. Që në vitet 1990, gangsterët vendas kishin filluar ta zëvendësonin grabitjen e armatosur me trafikun e drogës. Kriminelë si Curtis "Cocky" Warren importonin kokainë të cilësisë së lartë drejtpërdrejt nga Kolumbia në Liverpul, ndërsa familja Adams dhe organizata e tyre kriminale, Clerkenwell Crime Syndicate, po ndërtonin një perandori të mirëfilltë të trafikut të kokainës.
Në këtë treg u përfshinë edhe grupe të huaja kriminale: kontrabandistët kurdë dhe pakistanezë të heroinës, si dhe grupet xhamajkane të njohura si Yardies, të cilat fillimisht importonin kokainë dhe më pas e përpunonin në crack.
Pas suksesit në tregun e shfrytëzimit seksual në Soho, nga mesi i viteve 2010, shqiptarët filluan të zgjeronin aktivitetin edhe në tregtinë e drogës në Britani.
Koha ishte e përshtatshme për ta. Rreth vitit 2015, një kilogram kanabis shitej për 6 mijë paund, afërsisht tri herë më shumë se sot. Për më tepër, në treg qarkullonte bindja se policia nuk po i kushtonte më vëmendje plantacioneve të kanabisit. Dhe kjo rezultoi e vërtetë, për shkak të shkurtimeve të buxhetit të policisë.
Duke shfrytëzuar njohuritë për kultivimin e kanabisit dhe fuqinë punëtore të trafikuar nga Shqipëria, falë kontrolleve të dobëta të emigracionit, grupet kriminale shqiptare filluan të hapnin plantacione në të gjithë Britaninë.
Termi "plantacione kanabisi" mund të krijojë përshtypjen e fermave të zakonshme, por realiteti është krejt tjetër. Edhe sot, punëtorët e shfrytëzuar që kujdesen për bimët jetojnë në kushte të mjerueshme, në ambiente të ndotura dhe të ngushta. Ata rrezikojnë të rrihen apo edhe të vriten kur bandat e armatosura sulmojnë plantacionet e njëra-tjetrës për të vjedhur prodhimin me vlerë të lartë.
Megjithatë, kjo nuk duket se i pengon ata që duan të përfshihen në këtë aktivitet. Siç shpjegon Ada Braho, nga Qendra Bakhita për Kërkime mbi Skllavërinë, Shfrytëzimin dhe Abuzimin, mundësia për të fituar para në plantacionet britanike të kanabisit është një temë që diskutohet hapur mes të rinjve shqiptarë.
"Është kthyer në diçka krejt të zakonshme", thotë Braho. "Madje është bërë si një shaka: njerëzit thonë se po presin të hipin në varkën e radhës për të shkuar të punojnë në një shtëpi kanabisi. Por ata nuk e kuptojnë se sa të mëdha janë rreziqet që po marrin përsipër."

Braho shton se të rinjtë që nisen në udhëtime të pasigurta emigrimi shpesh mbështeten edhe nga prindërit e tyre. Këto vendime merren në nivel familjar, si pjesë e asaj që ajo e quan "vendimmarrje familjare", ku të ardhurat nga aktiviteti kriminal përdoren për të mbajtur ekonomikisht familje të tëra.
Ndërsa disa prej bandave shqiptare në Britani u përfshinë në kultivimin e kanabisit, grupe të tjera kriminale, me lidhje më të forta ndërkombëtare, hynë në botën shumë më fitimprurëse dhe të rrezikshme të trafikut të kokainës. Një shembull tipik janë vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani.
Me origjinë nga Burreli, një qytet i varfër në veriun malor të Shqipërisë, Arturi kërkoi azil në Britani në vitin 1999, kur ishte vetëm 16 vjeç. Disa vite më vonë, në Bournemouth, qytet bregdetar në jug të Anglisë, iu bashkua edhe vëllai i tij më i vogël, Klevisi. Në vitin 2013, Klevisi ishte pronar i lavazhit Crystal Hand Carwash në këtë qytet të qarkut Dorset. Më vonë hapi edhe një kafene. Ndërsa Arturi kishte blerë një tjetër lavazh dhe dy servise makinash.
Nga këto biznese të zakonshme, sipas prokurorëve shqiptarë, vëllezërit arritën të ndërtonin një grup të fuqishëm të trafikut të kokainës. Si ia dolën? Ata kishin një avantazh të madh: lidhje të drejtpërdrejta me një rrjet gjithnjë e më të madh të bandave shqiptare të kokainës në Amerikën Latine dhe Europë.
Për më tepër, shqiptarët krijuan atë që një ekspert e ka cilësuar si një "partneritet afatgjatë dhe të qëndrueshëm" me 'Ndranghetën, mafian më të fuqishme italiane, e cila e ka bazën në Kalabri, një rajon i varfër dhe malor në jug të Italisë. Ndër të tjera, drejtuesit e kësaj organizate ndihmuan grupet shqiptare të vendoseshin në pikat kyçe të rrjetit ndërkombëtar të transportit të kokainës, nga portet e Ekuadorit deri te vendet e tranzitit, si Sierra Leone dhe Gambia.
Këto lidhje ndërkombëtare u kanë sjellë shqiptarëve edhe avantazhe të tjera. Ndryshe nga shumica e bandave angleze, anëtarët e të cilave zakonisht flasin vetëm anglisht, një trafikant shqiptar di mesatarisht katër ose pesë gjuhë.
Në bashkëpunim me grupet kriminale shqiptare në Antverp dhe Roterdam, vëllezërit Hoxhosmani nisën të sillnin sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine. Për të siguruar kalimin e ngarkesave pa probleme, ata korruptonin doganierë dhe zyrtarë portualë.
Më pas, droga transportohej me kamionë drejt Francës dhe prej andej hynte në Britani përmes tunelit të La Manshit. Vëllezërit e merrnin ngarkesën dhe ua shpërndanin furnizuesve britanikë që merreshin me shitjen me shumicë.
Policia arriti të përgjonte komunikimet mes anëtarëve të grupit. Sipas prokurorëve, këto mesazhe i lidhnin vëllezërit me pesë tonë kokainë të sekuestruar brenda vetëm tetë muajve, si dhe me bashkëpunëtorë të fuqishëm që vepronin në Dubai, një qendër e njohur për pastrimin e parave.

Suksesi në këtë biznes i futi vëllezërit Hoxhosmani në rrethe të pasura dhe të njohura. Kur u arrestuan në Shqipëri verën e kaluar, Klevisi ishte në një lidhje që kishte tërhequr vëmendjen e mediave me Kejda Ajazin, vajzën e një ish-ministri të qeverisë shqiptare.
Vëllezërit frekuentonin vende luksoze si Monakoja, kishin disa vila në bregdetin shqiptar, ku ndërtimi dhe turizmi kanë njohur një zhvillim të madh, si dhe një jaht në Dubai.
Tashmë ata presin të dalin në gjyq, të akuzuar për bashkëpunim në trafikimin e kokainës me vlerë 335 milionë paund nga Amerika Latine drejt Britanisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Rrjete të vogla, besnikëri e madhe
Përdorimi i termit "qeliza kriminale" është i rëndësishëm për të kuptuar mënyrën se si funksionojnë këto grupe. Në Britani nuk ekziston një organizatë e vetme që mund të quhet "mafia shqiptare". Sipas Mejdinit, grupet shqiptare të trafikut të kokainës përbëhen kryesisht nga struktura të vogla, ku besnikëria ndaj njëri-tjetrit është absolute. Në shumicën e rasteve, ato krijohen nga vëllezër ose të afërm të lidhur përmes martesës.
Një rreth i dytë i grupit përbëhet nga bashkëpunëtorë që vijnë zakonisht nga të njëjtat qytete të vogla apo zona rurale me anëtarët kryesorë. Kjo krijon lidhje të forta besimi dhe përkatësie, por edhe pasoja të rënda për familjarët që jetojnë në Shqipëri, nëse ndonjë anëtar i grupit tradhton të tjerët.
Për këtë arsye, depërtimi i policisë në këto rrjete është shumë i vështirë. Para se të pranohet në grup, një person i ri duhet të kalojë kontrolle të imtësishme dhe të ketë rekomandime nga njerëz të besuar.
Nga ana tjetër, bandat shqiptare në Britani tregohen të kujdesshme që të mos krijojnë konflikte të panevojshme me grupet e tjera kriminale. Pavarësisht reputacionit të tyre për dhunë brutale, grupe si ai i vëllezërve Hoxhosmani nuk u përpoqën të largonin me forcë organizatat që kontrollonin më parë tregun dhe as nuk arritën të dominojnë industrinë përmes dhunës.
Përkundrazi, ato u bënë pjesë e rrjeteve kriminale britanike duke shfrytëzuar njohuritë, efikasitetin dhe mënyrën korrekte të të bërit biznes me partnerët e tyre. Një ironi më vete, po të kemi parasysh përmasat e korrupsionit në Shqipëri.
"Grupet shqiptare kanë krijuar një reputacion për besueshmëri dhe përmbushje të marrëveshjeve", thotë Frank Stewart, përgjegjës për analizimin e kërcënimeve nga krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor pranë Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Britani.
"Në përgjithësi, ato dinë të bashkëpunojnë me të tjerët dhe kanë fituar reputacionin e grupeve që i përmbushin premtimet, i dorëzojnë porositë në kohë dhe respektojnë marrëveshjet e bëra."
Të shtënat me armë mes bandave, të lidhura me shqiptarët, janë të rralla në Britani. Në fakt, grupet kriminale të britanikëve të bardhë mbeten ndër më agresivet, edhe pse kanë më pak arsye për të dëshmuar forcën e tyre. Tony Saggers, konsulent ndërkombëtar për krimin dhe ish-drejtues i sektorit të drogës në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), shpjegon se ka një arsye pse bandat shqiptare janë më pak të pranishme në Liverpul sesa në qytete të tjera: tregtia e kokainës atje është tepër e dhunshme. Përleshjet me armë, ku palët qëllojnë pa ngurrim, bien ndesh me parimin se “dhuna është e keqe për biznesin”, të cilit i përmbahen bandat shqiptare të kokainës dhe mentorët e tyre, mafia e ‘Ndrangheta-s. Në rastet e rralla kur ndodhin vrasje, ato zakonisht kryhen kur objektivat ndodhen në Shqipëri. Në vitin 2018, pasi një ngarkesë prej 50 kilogramësh kokainë humbi në Angli, drejtuesit e bandës pritën që të dyshuarit për vjedhjen të ktheheshin në Shqipëri. Atje u zunë pritë dhe i qëlluan për vdekje teksa po ktheheshin me makinë nga një darkë familjare.

Ndërsa kriminelët shqiptarë të brezit të vjetër po tërhiqen drejt një jete gjysmë të ligjshme, duke investuar paratë e kokainës në klube nate dhe restorante, në skenë po dalin shpërndarësit e një brezi të ri. Këta kriminelë më të rinj, shumë prej të cilëve kanë lindur në Britani, mund të përbëjnë një kërcënim edhe më të madh se paraardhësit e tyre. Meqë e njohin më mirë botën e krimit në Britaninë e sotme, ata janë më të aftë t’u shmangen autoriteteve, vëren Mejdini. Kjo vlen veçanërisht për përdorimin e skemave të sofistikuara të pastrimit të parave, me të cilat fshehin pasuritë e siguruara nga aktivitetet kriminale.
Disa gangsterë shqiptarë arrijnë të imponojnë autoritetin e tyre në komunitetet ku jetojnë. Në periferi të Londrës Veriore, në Southgate, qarkullojnë edhe zëra të pakonfirmuar për grupe që u kërkojnë bizneseve para në këmbim të “mbrojtjes”. Shumë bujë është bërë edhe rreth “Hellbanianz”, një bandë shqiptare e shpërndarjes së drogës në Lindje të Londrës, e cila u bë e njohur në Instagram falë videoklipeve të realizuara me profesionalizëm. Megjithatë, drejtuesit e saj tani ose ndodhen në burg, ose janë kthyer në Shqipëri. Gjithashtu, as hetimet policore dhe as studimet e kriminologëve nuk ofrojnë prova se suksesi i kësaj bande në trafikun e drogës është shndërruar në pushtet të vërtetë në rrugët e Britanisë.
Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për vetë Shqipërinë. Investimet e mëdha në zonat e mbrojtura bregdetare kanë nxitur reagime dhe kundërshtime publike, veçanërisht kur projektet parashikojnë ndërtimin e komplekseve gjigante me hotele luksoze në territore me vlera të veçanta natyrore. Shqipëria është zhytur tashmë aq thellë në paratë e pastruara nga trafiku i kokainës, saqë bumi i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme që ka sjellë po dëmton rëndë ekonominë e vendit. Çmimet e banesave janë rritur në nivele të papërballueshme dhe, meqë paratë e drogës kanë forcuar monedhën vendase, eksportet po bëhen më të shtrenjta. Kjo po dobëson sektorë si industria e veshjeve dhe bujqësia.
Kufizimi i emigracionit të paligjshëm mund të ndihmojë në luftën kundër bandave shqiptare në Britani. Megjithatë, Mejdini sugjeron se qeveria mund t’i orientojë më mirë përpjekjet e saj, për shembull, duke bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për të identifikuar personat e njohur për veprimtari kriminale. Britania mund të forcojë gjithashtu lidhjet me diasporën shqiptare që respekton ligjin, duke krijuar më shumë mundësi për arsimim, punësim dhe zhvillim të bizneseve të ligjshme. Kështu do të zvogëlohej joshja nga krimi. Por, për momentin, me Rolls-Royce-t dhe Bentley-t që shkëlqejnë si reklama të gjalla të pasurisë që mund të sjellë Britania, rruga nga Blloku drejt Bournemouth-it mbetet plotësisht e hapur./Unherd
Lexo edhe
AKTUALITET
Noizy në GJKKO: Edhe para dy muajsh më vunë eksploziv në një karton pice

Viola Haxhiademi largohet nga drejtimi i KESH, ja kush emërohet

Pazari 5-miliardë i naftës: Rama përgatit kalimin e “Bankers” te izraelitët e “Delek”

Tritoli në lokalin e Noizyt/ Babai i këngëtarit në GJKKO: Na provokuan një ditë para shpërthimit

SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së, 15 milionë lekë për kasaforta dhe grirëse dokumentesh në 2027





