Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së, 15 milionë lekë për kasaforta dhe grirëse dokumentesh në 2027... Protestat kundër qeverisë dhe korrupsionit/ Media italiane: “Albanian Files” iu kthye Ramës në bumerang pol... Babai i Noizy-t në GJKKO, dëshmon në gjyqin ndaj anëtarëve të bandës së Laert Haxhiut Bilanc katastrofik, 11 të vdekur dhe 48 të plagosur/ Detajet, si ndodhi aksidenti tragjik në Bullgari Erling Haaland fiton miliona edhe pa luajtur, ja sa arkëton ai për një postim në Instagram! Maksim Et’hemaj largohet nga drejtimi i Autoritetit të Aviacionit Civil Doneri 1 euro shkakton kaos në Gjermani, qindra të rinj përplasen me policinë, ndërhyn edhe helikopteri Ishte në kërkim ndërkombëtar/ Vrasësi shqiptar arrestohet gjatë një kontrolli rutinë në kufi Protestat në vend, kryeministri francez propozon rritjen e pagës minimale Dosja Veliaj/ Zbulohet data e shpalljes së verdiktit për Klotilda Bushkën Bordi i Transparencës ndryshon çmimet e karburanteve, ja sa do të shiten nafta dhe benzina Merz kushtëzon buxhetin e BE-së me ndihmën për Ukrainën: Gjermania kërkon ndarje të barabartë të barrës fin...
AKTUALITET

SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së, 15 milionë lekë për kasaforta dhe grirëse dokumentesh në 2027

Prokuroria e Posaçme ka planifikuar blerjen e kasafortave dhe grirëseve të letrave, ndërsa ka paraqitur edhe kërkesë për një psikolog

P
Piranjat10 November 2026, 13:23 · 6 min lexim
SPAK kërkon psikolog për hetuesit e BKH-së, 15 milionë

Këto kërkesa u prezantuan gjatë raportimit të Prokurorisë së Posaçme në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, lidhur me projektbuxhetin e vitit 2027.

Për pajisjet e zyrave, përfshirë kasafortat, grirëset e letrave, mobiljet dhe pajisjet për ambientet mbështetëse, janë planifikuar 15 milionë lekë. Investimet lidhen me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re.

Gjatë raportimit, prokurori Alfred Shehu evidentoi se buxheti i SPAK është rritur nga 327 milionë lekë në vitin 2020 në 2,3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%. Për vitin 2027, projektbuxheti i SPAK është parashikuar në 2,32 miliardë lekë.

Sipas Shehut, rritja e buxhetit lidhet me shtimin e volumit të punës, numrit të punonjësve dhe zgjerimin e aktivitetit të institucionit.

Për vitin 2027 janë planifikuar gjithashtu 30 milionë lekë për blerjen e tetë automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike. Në raportim u përmendën edhe 10 milionë lekë për pajisje të ndryshme për ambientet e reja.

SPAK ka paraqitur kërkesë për 25 pozicione të reja në strukturën organike, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH.

Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, nga të cilat 161 për Prokurorinë e Posaçme dhe 178 për BKH-në. Numri efektiv i punonjësve është 220, përkatësisht 136 në SPAK dhe 84 në BKH. Në total rezultojnë 119 pozicione vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme dhe pjesa tjetër në BKH.

Gjatë diskutimeve u bë e ditur se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve. Shehu theksoi se nevojitet shtimi i 94 hetuesve të rinj, ndërsa për administratën janë paraqitur 57 kërkesa për punonjës shtesë.

Ai shpjegoi se procesi i rekrutimit kërkon kohë për shkak të verifikimit të dokumentacionit, testimeve dhe kontrollit të pasurisë e figurës së kandidatëve.

Për kategorinë e investimeve kapitale, SPAK nuk ka paraqitur kërkesa shtesë, pasi nevojat janë planifikuar brenda tavaneve buxhetore.

Gjatë diskutimit, deputetja Evis Kushi evidentoi se peshën kryesore të buxhetit e zënë pagat dhe sigurimet shoqërore, ndërsa fondet për investime lidhen me teknologjinë, pajisjet elektronike, sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën e godinave. Kushi ngriti gjithashtu çështjen e realizimit të buxhetit dhe të vendeve vakante, duke kërkuar sqarime për fondet që pritet të realizohen deri në fund të vitit dhe për mënyrën se si parashikohet zgjerimi i strukturës organike.

Pjesë nga diskutimet në komision:

Prokurori Alfred Shehu: “Për periudhën 2020–2026, buxheti ka shënuar një rritje të konsiderueshme si rezultat i rritjes së volumit të punës, rritjes së numrit të punonjësve dhe zgjerimit të aktivitetit.

Konkretisht, plani i buxhetit është rritur nga 327 milionë në vitin 2020 në 2,3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%.

Rritja më e ndjeshme e planit buxhetor evidentohet në vitin 2026, lidhet me nevojën për të përballuar detyrat dhe përgjegjësitë në rritje dhe për të garantuar burimet njerëzore dhe financiare për institucionin.

339 pozicione, nga të cilat 161 për Prokurorinë e Posaçme dhe 178 për BKH.

220 punonjës organikë, 136 në SPAK dhe 84 në BKH.

Në total rezultojnë 119 pozicione vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme, të tjerat në BKH.

Për vitin 2027 kemi paraqitur kërkesa shtesë me 25 pozicione të reja në strukturën organike, 8 pozicione në SPAK dhe 17 në BKH.

Për sa i përket kategorisë së investimeve kapitale, SPAK-u nuk ka paraqitur kërkesa shtesë për financime në kuadër të buxhetit afatmesëm 2027-2029.

Nevojat për investime janë planifikuar brenda tavaneve buxhetore.

Investimet kryesore kanë të bëjnë me 15 milionë lekë për pajisje zyre, të lidhura me shtimin e personelit dhe funksionalizimin e godinës së re. Investimi përfshin mobilje zyre, pajisje për ambiente mbështetëse, kasaforta dhe grirëse letrash.

30 milionë lekë për blerjen e 8 automjeteve.

174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike.

Për vitin 2027 do të përmbushim kriteret.

Në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian, puna do të përqendrohet në hetimin e rasteve komplekse të korrupsionit, veçanërisht atij të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar, zhvillimin e hetimeve financiare paralele për identifikimin dhe sekuestrimin e produkteve të veprës penale.

Përparësi do të kenë hetimet e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa juridiksione, ndjekja penale e pastrimit të parave dhe gjurmimi i pasurive me burime kriminale brenda dhe jashtë vendit.”

Gjatë raportimit u paraqit edhe kërkesa për psikologun institucional, kërkesa u prezantua nga drejtori i buxhetit dhe menaxhimit financiar në prokurorinë e posaçme:

Armand Shini “Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore.

Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor.”/ Top Channel

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.