Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Aksident në Elbasan! Makina përplas të moshuarin, këmbësori pëson plagë të rënda Kombëtarja U-21/ Trajneri Bushi: Spanja kundërshtar i nivelit të lartë, do të luf*ojmë me shpirt e zemër... Sonte përballja e titanëve europianë Gjermani-Holandë ‘Japin pak dhe marrin shumë’/ Zhupa: Buxheti i Ramës, mekanizëm për vjedhje dhe blerje votash Pastrim parash në bashkëpunim dhe më shumë se një herë/ Igli Tare mes emrave në dosjen e dorëzuar për gjyki... Dosja Balluku në gjykatë/ Kush janë 25 personat dhe dy kompanitë e tjera të pandehura nga SPAK? 10 tenderat... REL: Kënga nacionaliste serbe në koncertin e BE-së, gabim njerëzor apo provokim ndaj Kosovës? UEFA po shqyrton kandidaturën e Luis Figos kundër Infantinos për president të FIFA-s Ndryshoi pamjen dhe mori identitetin e motrës, si u zbulua grabitësi në Turqi SPAK dërgon për gjykim dosjen penale ndaj Belinda Ballukut Asambleja e PS/ Rama kërkoi përjashtimin e Spiopalit dhe Ndrecës, Petro Koçi shënjestron Ballukun: Vendimi ... Moti i keq/ Reshjet e shiut përfshijnë Kukësin, rënie gurësh dhe intertesh në rrugët nacionale
AKTUALITET

Nga stoku prej 11,555 dosjesh te 107 vakancat e gjyqtarëve, sa na kushton reforma në drejtësi?

Më shumë se një dekadë pas nisjes së reformës në drejtësi, Shqipëria ka një sistem gjyqësor dhe prokurorie të ndryshuar thellësisht nga procesi i rivlerësimit të...

P
Piranjat16 November 2026, 18:09 · 11 min lexim
Nga stoku prej 11,555 dosjesh te 107 vakancat e gjyqtarëve, sa na kushton

Më shumë se një dekadë pas nisjes së reformës në drejtësi, Shqipëria ka një sistem gjyqësor dhe prokurorie të ndryshuar thellësisht nga procesi i rivlerësimit të magjistratëve, riorganizimi institucional dhe krijimi i strukturave të reja kundër korrupsionit.

Megjithatë, transformimi i institucioneve nuk e ka mbyllur debatin për funksionimin e përditshëm të drejtësisë dhe cilësinë e shërbimit që merr qytetari.

Shifrat e siguruara nga Gjykata e Lartë (GJL), Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), tregojnë një tablo të dyfishtë.

Institucionet kanë vijuar të shqyrtojnë mijëra çështje dhe kanë ndryshuar përbërjen e tyre, por nga ana tjetër ka vende të paplotësuara, diferenca të ndjeshme mes gjykatave dhe prokurorive dhe një stok dosjesh që mbetet i konsiderueshëm.

Kështu, 10 vjet pas Vettingut trupa e magjistratëve ka ndryshuar ndjeshëm, por a kanë sjellë këto ndryshime procese më të shpejta, më pak kosto dhe akses më të barabartë në drejtësi për qytetarin?

Gjykata e Lartë: 42 mijë çështje të shqyrtuara, por 11,555 ende në stok

Gjykata e Lartë, në përgjigjen zyrtare ndaj kërkesës për informacion për Faktoje.al, bën me dije se numri i çështjeve të prapambetura, ose backlog-u, është 11,555.

Po sipas institucionit, nga viti 2020 deri në gusht 2026 janë shqyrtuar gjithsej 42,417 çështje gjyqësore.

Këto të dhëna tregojnë volumin e punës së përballuar nga Gjykata e Lartë gjatë gjashtë viteve e gjysmë të fundit, por edhe faktin se stoku i dosjeve të prapambetura nuk është eliminuar plotësisht.

Shqyrtimi i më shumë se 42 mijë çështjeve është një tregues i aktivitetit të gjykatës, por nuk mjafton, i vetëm, për të matur sa është përmirësuar shpejtësia e drejtësisë.

Në analizat e mëparshme mbi ecurinë e Gjykatës së Lartë është evidentuar një ulje e ndjeshme e stokut krahasuar me kulmin e vitit 2020.

Për qytetarin, pesha e këtij stoku nuk matet vetëm me numrin e dosjeve. Ajo lidhet edhe me kohën gjatë së cilës një çështje mbetet pa një vendim përfundimtar, me pasigurinë juridike dhe me kostot që mund të shoqërojnë zgjatjen e procesit.

Gjykatat: 417 vende organike, 310 gjyqtarë në detyrë

Ndërsa të dhënat e KLGJ-së për shtatorin 2026 tregojnë se sistemi gjyqësor ka 417 vende organike dhe 310 gjyqtarë në detyrë.

Diferenca është 107 pozicione mes organikës së miratuar dhe numrit të gjyqtarëve në detyrë, ndërsa plotësimi faktik i organikës, sipas këtij krahasimi, është rreth 74.3%.

Kjo diferencë nuk duhet interpretuar automatikisht si numër i vakancave të përhershme, pasi të dhënat përfshijnë edhe kategori të tjera të vakancave dhe lëvizjeve të personelit.

Megjithatë, ajo evidenton hendekun mes strukturës së miratuar dhe numrit të gjyqtarëve që rezultojnë në detyrë.

Shpërndarja e gjyqtarëve jo e njëjtë në gjykata

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka 78 vende organike dhe 41 gjyqtarë në detyrë. Pra, numri i gjyqtarëve në detyrë është 37 më i ulët se organika e miratuar.

Në Gjykatën e Tiranës, nga 80 vende organike, 55 rezultojnë të mbuluara nga gjyqtarë në detyrë, me një diferencë prej 25 pozicionesh.

Edhe në disa gjykata të tjera evidentohen diferenca mes organikës dhe numrit të gjyqtarëve në detyrë.

Dibra ka 7 vende organike dhe 4 gjyqtarë, Korça 15 vende dhe 11 gjyqtarë, ndërsa Kukësi 7 vende dhe 5 gjyqtarë. Në Lezhë janë 11 vende organike dhe 9 gjyqtarë, ndërsa në Berat 8 vende dhe 7 gjyqtarë.

Në të kundërt, Vlora rezulton me të 16 vendet organike të mbuluara nga 16 gjyqtarë në detyrë.

Në Gjykatën Administrative të Lushnjës, sipas të dhënave të përcjella nga KLGJ, janë 9 vende organike dhe 8 gjyqtarë në detyrë.

Këto shifra tregojnë se vakancat nuk shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme. Apeli i Përgjithshëm dhe Gjykata e Tiranës kanë diferenca të mëdha në numër absolut, ndërsa rastet e gjykatave me organikë të plotësuar paraqesin një kontrast brenda të njëjtit sistem.

Prokuroria: 77 vakanca të përhershme dhe 244 prokurorë në gjendjen faktike

Një tablo e ngjashme shfaqet edhe në sistemin e prokurorisë. Sipas tabelës së publikuar nga KLP-ja pas kërkesës për informacion, më 14 shtator 2026, organika e sistemit parashikon 341 pozicione, nga të cilat 264 rezultojnë të emëruara.

Dokumenti evidenton 77 vakanca të përhershme dhe një gjendje faktike prej 244 prokurorësh.

Diferenca mes organikës së miratuar dhe gjendjes faktike është 97 pozicione. Ajo është më e madhe se numri i vakancave të përhershme, pasi tabela pasqyron edhe kategori të tjera që lidhen me lëvizjet dhe statusin e personelit.

Mungesat më të mëdha në numër evidentohen në Prokurorinë e Tiranës, me 15 vakanca të përhershme dhe në atë të Durrësit, me 13. Pas tyre renditet Elbasani, me 8 pozicione të paplotësuara.

Por krahasimi në përqindje sjell një tjetër këndvështrim. Në Elbasan, 8 vakancat përfaqësojnë 40% të organikës së miratuar prej 20 prokurorësh.

Në Durrës, 13 vakancat përbëjnë rreth 39.4% të organikës prej 33 pozicionesh. Në Tiranë, pavarësisht numrit më të madh absolut të vakancave, 15 pozicionet përfaqësojnë rreth 16.7% të organikës prej 90 prokurorësh.

Kjo do të thotë se, ndërsa Tirana ka numrin më të lartë të vakancave në vlerë absolute, Elbasani dhe Durrësi kanë përqindjen më të lartë të vendeve të përhershme të paplotësuara në raport me organikën.

Kërkesat e SPAK

Në strukturat e tjera, tabela paraqet një situatë të ndryshme. SPAK-u rezulton me 20 vende organike, 20 prokurorë të emëruar dhe pa vakanca të përhershme.

Gjatë seancës dëgjimore në Kuvend për Nismat Qytetare, prokurori Alfred Shehu theksoi se SPAK dhe BKH kanë kërkuar shtimin e 25 pozicioneve të reja, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në Byronë Kombëtare të Hetimit.

Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, por vetëm 220 janë të plotësuara. Nga këta, 136 punonjës janë në SPAK dhe 94 në BKH.

Në total, rezultojnë 119 vende vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme dhe 94 në BKH.

Në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm evidentohen 7 vakanca të përhershme nga 20 vende organike, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka 5 vakanca nga 18 pozicione.

Reforma ndryshoi trupën, por sfidë mbeten vakancat

Procesi i Vettingut ndryshoi në mënyrë të thellë përbërjen e sistemit të drejtësisë. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte një nga shtyllat kryesore të reformës, ndërsa largimet nga sistemi krijuan nevojën për zëvendësimin e magjistratëve dhe plotësimin e vendeve të lira.

Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026, sipas materialit të shqyrtuar, vlerëson se procesi i Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët është mbyllur pas përfundimit të fazës së ankimit.

Në të njëjtën kohë, ai evidenton se stoku i çështjeve është reduktuar pjesërisht, ndërsa funksionaliteti i plotë i një sistemi modern dhe të integruar elektronik të menaxhimit të çështjeve ende nuk është arritur.

Këto dy zhvillime përmbledhin një nga sfidat e reformës: ndryshimi i përbërjes së institucioneve nuk garanton automatikisht që ato të funksionojnë me kapacitet të plotë.

Të dhënat e KLGJ-së dhe KLP-së tregojnë se diferencat mes organikës dhe gjendjes faktike vazhdojnë të jenë të konsiderueshme.

Kostot e hartës së re gjyqësore

I zbatuar si një mjet për optimizimin e burimeve dhe uljen e shpenzimeve administrative, ristrukturimi i hartës gjyqësore shkriu gjykatat e rretheve, duke zbritur gjykatat e Shkallës së Parë nga 22 në 13 dhe duke ngritur vetëm 1 Gjykatë Apeli të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Me reduktimin e 6 gjykatave të Apelit rajonalë në një të vetëm, Apeli i Përgjithshëm trashëgoi mbi 32,000 çështje ditën e tij të parë. Sot ky numër i kalon 40,000 çështjet.

Banorët e rretheve të largëta (Tropojë, Sarandë, Peshkopi) duhet të udhëtojnë me qindra kilometra drejt kryeqytetit për një seancë të zakonshme civile, duke rritur kostot e mbrojtjes ligjore.

Ky riorganizim ngre edhe pyetje për kostot e udhëtimit, kohën e nevojshme për të marrë pjesë në seanca dhe aksesin e qytetarëve që jetojnë larg qendrave ku zhvillohen proceset.

Digjitalizimi

Një sfidë tjetër mbetet edhe digjitalizimi. Një sistem elektronik funksional mund t’u japë qytetarëve dhe profesionistëve mundësi më të lehta për të ndjekur ecurinë e çështjeve dhe për të marrë informacion pa pasur nevojë për paraqitje të përsëritura në institucione.

Por, për sa kohë integrimi i sistemeve nuk është i plotë, digjitalizimi nuk mund të konsiderohet ende një zgjidhje e përfunduar për problemet e aksesit dhe shpejtësisë.

Pikërisht këtu qëndron prova më e rëndësishme e reformës: jo vetëm në mënyrën se si ka ndryshuar sistemi, por në atë që qytetari përfiton realisht prej tij. /Faktoje/

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.