Transporti i nxënësve pa kontrata, zbulohen tarifat e fryra dhe kompensime të paligjshme
Transporti i nxënësve dhe mësuesve në Tiranë dhe disa bashki përreth është shoqëruar prej vitesh me mungesë kontratash

Transporti i nxënësve dhe mësuesve në Tiranë dhe disa bashki përreth është shoqëruar prej vitesh me mungesë kontratash, vonesa në pagesa dhe parregullsi në përdorimin e fondeve publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se drejtoritë rajonale të arsimit në Tiranë dhe Durrës nuk kanë arritur të kontraktojnë shërbimin e transportit, ndërsa 207 punonjës arsimorë kanë përfituar kompensime jashtë kritereve ligjore.
Sipas raportit të auditimit, problematika ka vijuar përgjatë periudhës 2022–2025, kryesisht për shkak të mungesës së interesit nga operatorët ekonomikë për të marrë pjesë në prokurime. Në pamundësi për të lidhur kontrata, drejtoritë rajonale kanë udhëzuar zyrat vendore të vijojnë me pagesat e transportit. KLSH vlerëson se kjo situatë pengon organizimin e një shërbimi të qëndrueshëm dhe rrit rrezikun për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Vetëm Zyra Vendore e Arsimit në Tiranë ka shpenzuar 62.9 milionë lekë për transportin e nxënësve dhe mësuesve gjatë vitit 2025, nga 56.2 milionë lekë në vitin 2024. Megjithatë, auditimi ka evidentuar vonesa deri në tre muaj në likuidimin e kompensimeve. Për shembull, pagesat e transportit të nxënësve për periudhën mars–qershor 2025, në vlerën 12.87 milionë lekë, janë kryer më 10 korrik. Probleme janë konstatuar edhe në dokumentimin e përfituesve dhe rakordimin me Postën Shqiptare për fondet e tërhequra nga prindërit.
Parregullsi janë zbuluar edhe në tarifat e transportit. Në Kamëz, gjatë rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Hillary Clinton”, rreth 520 nxënës transportoheshin drejt shkollës “Frutikultura”, në një distancë prej 2.1 kilometrash. Për këtë shërbim është përdorur tarifa 148.95 lekë në ditë për nxënës, ose 29.79 lekë më shumë se tarifa përkatëse prej 119.16 lekësh. KLSH ka konstatuar gjithashtu se nuk ishte dokumentuar nëse zona mbulohej nga transporti qytetës, një nga kushtet për përfitimin e kompensimit. Tarifa të pasakta janë evidentuar edhe në Tiranë, Kavajë dhe Rrogozhinë.
Raporti ngre edhe problemin e kompensimit të mësuesve. Nga kontrolli i listëpagesave të dhjetorit 2025, KLSH ka identifikuar 207 punonjës arsimorë që kanë përfituar pagesa transporti, megjithëse punonin në shkolla brenda qendrave urbane, në kundërshtim me kriteret ligjore. Nga këta, 122 ishin në Tiranë, 51 në Vorë, 27 në Rrogozhinë dhe 7 në Kavajë. Raporti e vlerëson shumën e këtyre pagesave në rreth 1.75 milionë lekë.

Auditimi ka zbuluar gjithashtu se në disa zyra arsimore është përdorur kompensimi fiks prej 2,700 lekësh në muaj për mësuesit, pa u diferencuar sipas distancës së udhëtimit. Kjo praktikë bie ndesh me kriteret që parashikojnë pagesa të ndryshme në varësi të largësisë nga vendi i punës.
KLSH kërkon nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë rajonale të analizojnë shkaqet e dështimit të prokurimeve, të gjejnë mekanizma alternativë për sigurimin e transportit dhe të forcojnë kontrollin mbi tarifat dhe përfituesit. Sipas raportit, zgjidhja e këtyre problemeve është e nevojshme jo vetëm për përdorimin e rregullt të fondeve publike, por edhe për garantimin e transportit të qëndrueshëm për nxënësit dhe mësuesit. /ekofin.al
Lexo edhe
AKTUALITET
Rregullorja e re, nga 1 janari 2027 ulen komisionet e tregtarëve për të pranuar pagesa me kartë

31 vjeçari shqiptar me 7 identitete bie në prangat e policisë gjermane

Hakeroi disa kompani dhe publikoi para kohe pamje të një videoloje të shumëpritur, caktohet data e gjyqit ndaj 21-vjeçarit shqiptar

E trishtë/ Ndahet papritur nga jeta zyrtarja e lartë e AKKSHI

Protestuesit marshojnë drejt sheshit “Skënderbej”, shoqërohen dy prej tyre




