Trump rikthen dënimin me vdekaje për krimet më të rënda, paralajmëron përshpejtimin e ekzekutimeve federale

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar masa për forcimin e zbatimit të dënimit me vdekje në çështjet që gjykohen nga drejtësia federale. Gjatë një aktiviteti në Departamentin e Drejtësisë në Uashington, të hënën, më 23 nëntor, ai deklaroi se do t’u kërkojë prokurorëve federalë të kërkojnë dënimin maksimal për persona të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasjen e fëmijëve, si dhe përdhunuesit dhe trafikantët e qenieve njerëzore që kanë vrarë viktimat e tyre.
Direktiva e paralajmëruar nga Trump parashikon gjithashtu përshpejtimin e ekzekutimeve të personave të dënuar me vdekje nga gjykatat federale. Në aktivitet, ku ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimave të vrasjeve, presidenti amerikan e lidhi nismën e tij me vendimin e guvernatorit demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom, për të ndryshuar dënimet me vdekje të 548 të burgosurve në burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.
Vendimi i Newsom u mor më 5 nëntor, por zbatimi i tij nuk ka përfunduar ende, pasi një pjesë e ndryshimeve kërkojnë miratimin e Gjykatës Supreme të Kalifornisë.
Trump kritikoi ashpër guvernatorin, duke e akuzuar se po tregohet i butë ndaj personave që kanë kryer krime të rënda.
“Gavin Newsom qëndron me vrasësit dhe ata që masakruan fëmijë. Ne i themi popullit amerikan sot se qëndrojmë me të”, deklaroi presidenti.
Gjatë aktivitetit, familjarë të viktimave shprehën gjithashtu kundërshtimin e tyre ndaj vendimit për ndryshimin e dënimeve.
Nga ana tjetër, Newsom e ka mbrojtur vendimin duke argumentuar se ai lidhet me dinjitetin njerëzor dhe problemet e sistemit të drejtësisë. Sipas vendimit të tij, të dënuarit nuk do të lirohen, por do të vuajnë burgimin për pjesën tjetër të jetës.
Trump kishte nënshkruar edhe në janar të vitit 2025, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, një urdhër ekzekutiv për forcimin e zbatimit të dënimit me vdekje në nivel federal.
Megjithatë, shumica e dënimeve me vdekje në Shtetet e Bashkuara jepen nga gjykatat e shteteve. Qeveria federale nuk ka kompetencë të urdhërojë ekzekutimin e personave të dënuar për krime që janë ekskluzivisht nën juridiksionin e autoriteteve shtetërore.
Nisma e re ka rikthyer në vëmendje debatin mbi dënimin kapital në SHBA. Sipas një sondazhi të Gallup, të publikuar më 10 nëntor, 49% e amerikanëve mbështesin dënimin me vdekje për personat e dënuar për vrasje. Sipas të dhënave të sondazhit, kjo është hera e parë që nga viti 1971 që mbështetja për këtë masë bie nën 50%.
Lexo edhe
BOTA
Çmimi i naftës bie nën 90 dollarë për fuçi, investitorët presin negociatat SHBA-Iran

Mosmarrëveshje e re BE-SHBA lidhur me "renditjen e hapave" në bisedimet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Libia kërkon nga Ukraina sqarime për sulmet ndaj anijeve ruse pranë Bengazit

10 miliardë euro kursime ndezin revoltën në Belgjikë, vendi paralizohet nga greva

Një trilion dollarë më shumë dhe ndërhyrja e Trump, çfarë fshihet pas rikthimit të shefit të Nvidia-s





