“U shtang” pas ndalimit nga policia, 22-vjeçari shqiptar kapet me 6 kg kokainë. Ja si e kishte fshehur brenda makinës

Rreth 6 kilogramë kokainë të fshehura brenda hapësirës së airbag-ut të pasagjerit. Kjo është sasia e drogës që zbuluan efektivët e policisë italiane gjatë një kontrolli në autostradën A4, në afërsi të zonës Sona, në Verona. Në pranga përfundoi një 22-vjeçar shqiptar, i akuzuar për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin.
Operacioni u krye nga një patrullë e Policisë Rrugore të Veronës Jugore. I riu, banues në rajonin e Toskanës dhe me qëndrim të rregullt në Itali, udhëtonte i vetëm në drejtim të Milanos, kur u ndalua gjatë një kontrolli rutinë rrugor. Gjatë verifikimeve, efektivët vunë re se 22-vjeçari ishte dukshëm i shqetësuar dhe dha përgjigje jo bindëse lidhur me origjinën dhe destinacionin e udhëtimit të tij. Këto dyshime i shtynë policët të kryenin një kontroll më të detajuar të automjetit.
Gjatë inspektimit, ata zbuluan një hapësirë të fshehtë të krijuar në vendin ku ndodhej airbag-u i pasagjerit. Brenda saj ishin fshehur pesë pako të mbështjella me shirit ngjitës ambalazhimi, secila e shënuar me logon e një marke të njohur automobilistike.
Pesha bruto e drogës së sekuestruar rezultoi 5.860 gramë.
Analizat e mëvonshme të kryera nga laboratori shkencor i Policisë së Veronës konfirmuan se përmbajtja e pakove ishte kokainë.
Lënda narkotike u sekuestrua, ndërsa 22-vjeçari shqiptar u arrestua.
Pas përfundimit të operacionit, 22-vjeçari u arrestua dhe u transferua në burgun e Montorio-s, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Pas vleftësimit të arrestit, gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg".
Lidhur me operacionin reagoi edhe presidenti i rajonit të Venetos, Alberto Stefani, i cili përgëzoi efektivët e Policisë Rrugore të Veronës për sekuestrimin e afro 6 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e të riut shqiptar në autostradën A4, në territorin e Sona-s.
"Shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time më të sinqertë për efektivët e Policisë Rrugore të Veronës për sekuestrimin e afro gjashtë kilogramëve kokainë dhe arrestimin e një 22-vjeçari në autostradën A4, në territorin e Sona-s.
Ky operacion dëshmon edhe një herë rëndësinë thelbësore të profesionalizmit, vëmendjes dhe aftësisë kontrolluese të forcave tona të rendit, të cilat janë të angazhuara çdo ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbajtur nën kontroll territorin.
Me këtë sekuestrim është hequr nga tregu një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, e cila mund të përfundonte në rrjetet e shpërndarjes së drogës dhe të ushqente një aktivitet kriminal me pasoja shkatërruese për shumë njerëz.
Çdo operacion i këtij lloji përfaqëson një rezultat konkret në luftën kundër përhapjes së drogës dhe një veprim parandalues në mbrojtje të komuniteteve tona.
Mesazhi është i qartë: forcat e rendit janë të pranishme, monitorojnë rrugët dhe territorin tonë dhe punojnë çdo ditë për të luftuar ata që veprojnë jashtë ligjit", deklaroi Stefani. /PiranjatNews/
Lexo edhe
AKTUALITET
“Si në Santorini”/ Nga shkallët me gjelbërim kacavjerrës, te pishina infinity dhe tarraca e veshur me dru teak! E-mailet zbulojnë kërkesa...

Vila luksoze e Ballukut në Palasë/ Të vërtetat e pronës 478 metra katrorë. Gjurmët e zv/Kryeministres në banesë dhe lidhja me Arbër Abazi...

Misioni monitorues italian: Qendrat e emigrantëve në Shqipëri duhet të mbyllen

VIDEO/ Qindra mijëra euro nga trafiku i klandestinëve nga Shqipëria drejt Greqisë/ “Çmontohet” grupi me 10 persona. Si funksiononte skema...

“Zemra, hajde te lali”/ Dyshohet se mësuesi ngacmoi seksualisht nxënëset e mitura, dëshmitë: Ka tre muaj këtu…





